Shumë faleminderit Brikena!
Në fakt një falënderim për ty, për Qendrën Vatra, për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, për të gjithë të rinjtë që janë këtu sot. Padiskutim për nivelin qendror, për partnerët ndërkombëtarë.
Unë besoj që është një nga ato aktivitete që na bën bashkë dhe kur dëgjon gjitha këto mesazhe që jepen nga institucionet qendrore, nga institucionet lokale, nga organizatat e shoqërisë civile, mendon që padiskutim që shoqëria jonë është në rrugën e duhur për të parandaluar një fenomen që në fakt është shqetësues, duhet ta pranojmë këtë. Është shqetësues për vetë faktin e thjeshtë që shoqëria jonë e ka ende mentalitetin e vjetër dhe steriotipet e gabuara që gruaja duhet të uli kokën, duhet të merret me punët e shtëpisë, duhet të rrisë fëmijët, nuk ka të drejtat e saja. Ajo është në shërbim të burrit, është në shërbim të të gjithëve dhe si e tillë duhet me patjetër të jetë kokulur dhe të mos i dëgjohet zëri. Prandaj më vjen mirë që kur shikoj kaq aktorë bashkë, kaq ndërgjegjësim nga të rinjtë besoj që duhet të ndiqet të mbështetet e gjithë shoqëria në këtë përpjekje të organizatave të qendrave të tilla për të parandaluar këto lloj fenomenesh dhe këto lloj diskriminimi që i bëhet grave.
Në fakt, vrasja tronditëse më e fundit e ndodhur në Kosovë ajo e Liridona Murselit na kujton për fat të keq se sa shumë punë duhet të bëjmë për shoqërinë tonë për të çrrënjosur këtë fenomen kaq të shëmtuar do të thoja unë.
Në fakt, ju e thatë Brikenë, statistikat e këtij viti flasin vetë, janë 11 vrasje grash nga bashkëshortë, nga baballarë, nga djemtë, nga ata njerëz që presupozohet se duhet ta mbështesin, ta mbrojnë gruan dhe jo ta dhunojnë atë.
Në këto ditë të sensibilizimit dhe aktivizmit ndaj parandalimit të dhunës ndaj gruas, ne nuk kemi reshtur së dhënuri mesazhe sensibilizuese dhe mesazhi im vijon që të përsëritet gjithë këto ditë. Në fakt do të vijojë të përsëritet jo vetëm këto ditë, por çdo ditë të vitit: “Për dhunën ndaj gruas nuk ka asnjë justifikim! Nuk kishte dje, nuk ka sot dhe nuk do të ketë kurrë!”.
Kështu që ne si ministri e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, qeveria shqiptare, të gjithë aktorët do të vijojmë të bëjmë akoma më shumë për të mbështetur dhe për të forcuar rolin e gruas në shoqëri. Edhe më qenë se sytë janë tek buxheti dhe te mbështetja financiare, ajo që do të veçoja nga fjala ime sot këtu është që me buxhetin e vitit 2024, MSHMS qeveria shqiptare vazhdon të investojë në mbështetje të mbrojtjes sociale, dhe programeve të mbrojtjes sociale. Është një buxhet prej 300 milionë lekësh i cili është në dispozicion pikërisht për të mbështetur, gratë viktima të dhunës dhe abuzimit shtresat në nevojë, gratë nëna me fëmijë të vegjël dhe padiskutim edhe personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e vetmuar dhe gjithë ato kategori që kanë nevojë për mbështetje nga shteti.
Kështu që padiskutim ne do të vijojmë të ju mbështesim ashtu siç kemi bërë deri më sot. Me fondin social të vënë në dispozicion ne kemi rreth 34 shërbime të specializuara që ofrohen për gratë e trafikuara, gratë pjesë e dhunës dhe abuzimit. Është linja, siç ju e përmendët, e këshillimit e cila është në dispozicion 24/7 dhe do të ju ftoja të gjithëve që pavarësisht se mundet që në familjet tuaja të mos keni dhunë, të mos heshtni dhe të ngrini telefonin kur shikoni çdo lloj fenomeni të tillë që i bëhet shoqërisë. Sepse nëse nuk ndodh në familjet tuaja, por ju heshtni, në fund të ditës jeni edhe ju përgjegjës moralisht.
Shumë faleminderit edhe një herë për organizmin.
MSHM pa diskutim do ta keni në krah. Unë do ta uroj qendrën Vatra të vazhdonte misionin e saj fisnik sepse të gjithë aktorët shoqëria civile, qeveria qendrore, pushteti vendor janë bashkë për të ju ndihmuar dhe faleminderit shumë për punën dhe përkushtimin që bëni çdo ditë.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.