Përshëndetje,
Unë do doja që këtë fjalën time këtu t’a hapja duke nderuar emrat e Zeqine Sinanit, Mevlute Sadiku, Migena Kodra (Sinani) Alma Qevani, Zeniate Musollari, Luiza Mullalli, Amanda Pushani, Afroviti Peçi, Hasime Dafku.
Janë këto në fakt emrat e grave që në 10 muajt e parë të këtij viti për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëjetuesi, bashkëshorti, familjari apo djali i tyre kanë humbur jetën.
Gjatë viteve të fundit janë rreth 160 gra dhe vajza që janë vrarë në Shqipëri nga ata persona që supozohet duhet t’i mbronin, donin dhe respektonin më shumë.
Ky është një bilanc në fakt që nuk na bën krenar i cili tregon fytyrën më të shëmtuar të shoqërisë sonë. Është një bilanc përballë të cilit kushdo që hesht dhe nuk ngre gishtin për të sjellë ndryshimin sot, është moralisht fajtor.
Secili prej emrave të lartpërmendur është një tragjedi që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Secila prej tyre është gjithashtu një tragjedi që na përket të gjithëve.
Prandaj, gjithashtu fushata që lançojmë sot është e të gjithë shoqërisë shqiptare, burra dhe gra, sepse nuk ka justifikim për dhunën ndaj gruas.
Zonja dhe zotërinj,
Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e shoqërisë shqiptare. Nuk ka gjithashtu asgjë të përbashkët me normat morale dhe shoqërore të botës së përparuar në të cilën jetojmë.
Nga ana tjetër, është e vërtetë se vit pas viti, kemi bërë ndryshime ligjore, janë zhvilluar fushata ndërgjegjësimi, janë marrë masa dhe zbatuar shumë programe të suksesshme të cilat kanë bërë sado pak të lehtë të qenit grua në këtë vend.
Sa për të dhënë disa shembuj, fakt është se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar publikisht se Shqipëria është ndër pesë vendet e para në botë për shkallën e pjesëmarrjes së grave në qeveri.
Gjithashtu edhe organizata të tjera partner dhe ndërkombëtare kanë vlerësuar përpjekjet gjithnjë e më të mëdhaja e më të suksesshme të qeverisë shqiptare në fuqizimin e të drejtave të grave, aksesin në edukim, në sipërmarrje, si dhe indekset e barazisë gjinore I cili tashmë është përmirësuar ndjeshëm.
Megjithatë, këto arritje nuk janë pikë mbërritje, por thjeshtë pikënisje e rrugëtimit tonë për ta bërë Shqipërinë një shembull gjithashtu të çrrënjosjes një herë e mirë të dhunës ndaj grave, qoftë fizike apo psikologjike.
Ndërkohë që gjatë vitit 2023, si dhe në vitet paraardhëse, ne e kemi zhvilluar këtë lloj aktiviteti gjithnjë nën sloganin “asnjë justifikim për dhunën ndaj grave”, Shqipëria sërish i bashkohet fushatës ndërkombëtare të ndërgjegjësimit iniciuar nga OKB për periudhën 25 nëntor-10 dhjetor.
Në të gjithë botën kjo fushatë sensibilizon të gjithë njerëzit dhe shërben për të propozuar rrugë të reja për të luftuar dhunën në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Dhe është pikërisht kjo që kemi vendosur të bëjmë.
Gjatë 16 ditëve në vijim, të gjithë institucionet, në nivel qendror dhe vendor, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare, do të organizojnë aktivitete të ndryshme, biseda, fushata ndërgjegjësimi, me synim rritjen e aktivizimit, rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë sonë sa I përket këtij fenomeni të turpshëm.
Qëllimi i kësaj fushate është të ndërgjegjësojë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë për faktin se mbrojtja e të drejtave të grave, parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave apo dhunës me bazë gjinore është një luftë që na përket absolutisht të gjithëve.
Në Shqipëri, rritja e ndërgjegjësimit, forcimi i strukturave, si dhe përgjigjja e koordinuar për rastet e dhunës në familje kanë rritur edhe numrin e procedimeve penale, paditë dhe urdhërat e mbrojtjes të cilat në fakt kanë qenë një përpjekje për të bërë ballë këtë lloj fenomeni.
Janë konsoliduar gjithashtu dhe veprimet e ndërgjegjësimit lidhur me komunitetin sidomos përmes fushatave mbarëkombëtare të koordinuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen edhe të organizatave të shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtare.
Përmes Fondit Social Ministria ka vazhduar të mbështesë shërbimet për Gratë e dhunuara. Kemi ngritur 34 shërbime mbështetëse të specializuara në, linja këshillimi, shërbime të specializuara për dhunën seksuale, etj si këto lloj fenomenesh.
Kemi vazhduar të fuqizojmë kapacitetet e profesionistëve si dhe kapacitetet e anëtarëve të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit në të 61 Bashkitë e vendit, në mënyrë që përgjigja ndaj viktimave të dhunës të jetë sa më e shpejtë, sa më efikase.
Në Linjën Kombëtare të Këshillimit për periudhën Janar-Tetor 2023, janë asistuar gjithsej 3108 telefonata nga gra dhe vajza, viktima të dhunës me bazë gjinore dhe seksuale. Një shifër kjo relativisht e konsiderueshme do të thoja dhe gjithashtu numri i rasteve të dhunës të denoncuara nga ana tjetër, është një tregues se është rritur besimit ndaj strukturave të shtetit, por në të njëjtën kohë na vë edhe përpara përgjegjësisë për të vepruar më shpejt, për të dëgjuar zërin e çdo gruaje.
Për çdo grua e vajzë të dhunuar, duhet një përgjigje dhe një mbështetje sa më e shpejtë dhe e mirëkoordinuar.
Secili nga profesionistët duhet t’i përgjigjet çdo kërkese për një këshillë, për një suport, për një mbështetje, për një derë ku mund të drejtohet e të gjejë strehë të ngrohtë, strehë familjare për veten e saj, padiskutim edhe për fëmijët e saj.
Përpjekja për një shoqëri të çliruar nga dhuna, nga kultura e heshtjes, apo steriotipet, është një luftë e vështirë, por e vështirë ishte edhe vendosja e Shqipërisë në pesë vendeve e para në botë për gratë në vendimmarrje.
Me këtë dua të them që nëse mobilizohemi të gjithë bashkë, jam e bindur se i kemi të gjithë mundësitë që t’ia dalim mbanë.
Pa dyshim, do të jetë një luftë e gjatë, por një shoqëri ku gratë, nënat, bashkëshortet dhe vajzat do të ndihen të sigurta dhe të çliruara nga presioni i dhunës, është një shoqëri e mundshme që mund të realizohet.
Ndaj, edhe një herë më shumë, në mbyllje të fjalës sime dua të përsëris se: Nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave e vajzave! Nuk kishte dje, nuk ka sot dhe nuk do të ketë kurrë ndonjëherë.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.