.

vije ndarëse

Postuar më: 08/12/2023

FJALA E MINISTRES SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE ALBANA KOÇIU NË KONGRESIN PS 2030

Faleminderit Endrit.

Është e vërtetë që plakja e popullsisë është një sfidë mbarë-botërore.

Fuqizimi i spitaleve rajonale, zgjerimi skemës së barnave të rimbursueshëm, paketat e shërbimit shëndetësor falas, ofrimi i shërbimit në banesë apo rritja e programeve sociale janë vetëm disa nga masat që shkojnë direkt në përfitim të moshës së tretë.

Këto nuk janë të vetmet. E vërteta është se reforma në sektorin e shëndetësisë është pjesë e një transformimi të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama.

Dallimi i së sotmes me të djeshmen është shumë i qartë.

Dje kishim një shtet që përjashtonte nga e drejta për të përfituar shërbime falas 600 mijë qytetarët e tij më të varfër.

Kishim një sistem shëndetësor ku diferencën mes jetës dhe vdekjes e bënte thellësia e xhepit.

Kishim gjithashtu mjekët me pagat më të ulëta në Europë dhe spitale me teknologji dhe kushte primitive.

Sot, kemi ende shumë për të bërë, por falë punës së kësaj qeverie, jemi tashmë një vend me spitale moderne, paga ndër më të lartat në rajon, teknologji të përparuar, e mbulim shëndetësor universal që garanton trajtim cilësor për të gjithë qytetarët.

Vizioni ynë për shëndetësinë e gjeneratës së re është i pandashëm nga ambicia për një mbulim të plotë shëndetësor universal, për spitale autonome që shërbejnë si qendra ekselence, si dhe mjekë e infermierë të mirëpaguar.

Hapi i radhës është ngritja e qendrave model të mjekësisë familjare, të cilat ofrojnë kujdes të plotë për çdo nevojë të qytetarëve, nga të porsalindurit, tek më të moshuarit.

 

Deri në vitin 2025, do të kemi 10 qendra të tilla ekselence.

Falë buxhetit më të madh në historinë e MSHMS, për vitin 2024 rrisim numrin dhe shumëllojshmërinë e barnave të rimbursueshëm.

Objektivi ynë është që qytetarët shqiptarë të kenë vazhdimisht në dispozicion barnat dhe medikamentet më të mira.

Pas shumë vitesh punë, janë krijuar më në fund kushtet për të vënë në zbatim të gjerë modelin e administrimit të provuar me sukses në Spitalin “Memorial” të Fierit, i cili është një model i parë i zbatimit të autonomisë spitalore.

Jemi gati të zgjerojmë këtë model edhe në QSUT, Spitalin e Shkodrës, Spitalin e Durrësit dhe atë të Vlorës.

Qëllimi ynë është që deri në vitin 2027 të kemi 17 struktura spitalore tërësisht autonome.

Paralelisht, do të hapim kantiere të reja ndërtimi për të përmirësuar më tej infrastrukturën shëndetësore.

20 spitale dhe 340 qendra shëndetësore është bilanci i deritanishëm. Deri në 2025, i shtojmë kësaj liste 15 spitale dhe 60 qendra shëndetësore më shumë.

Tërmeti, më pas Pandemia treguan se sa e rëndësishme është të mbështetesh në një sistem shëndetësor të përgatitur për të përballuar emergjencat.

Ishin reformat e ndërmarra në mandatin e parë dhe të dytë të qeverisë sonë, ato që në pikun e Pandemisë lejuan sistemin e shëndetësisë të funksiononte normalisht.

Duke mësuar nga e shkuara, do të investojmë në forcimin e mëtejshëm të aftësive tona reaguese ndaj emergjencave, duke nisur nga dyfishimi i kapaciteteve testuese të Institutit të Shëndetit Publik.

Falë investimeve madhore në Shërbimin Kombëtar të  Urgjencës, kemi shtrirë mbulimin e shërbimit në të gjithë territorin, duke përgjysmuar kohën e pritjes.

Do të vijojmë më tej, me shtimin e numrit të numrit të autoambulancave.

Mjeku është në qendër të çdo reforme të ndërmarrë.

Rikthyem dinjitetin e profesionit përmes rritjes së pagave me 70% nga pikënisja.

Vitin e ardhshëm vijojmë me një rritje të re, pjesë e vizionit tonë për paga 100% më të larta.

Rrisim gjithashtu numrin e mjekëve. Shqipëria e vitit 2030 do të ketë  më shumë mjekë për çdo 1 mijë banorë.

Të dashur anëtarë të familjes sonë të madhe socialiste,

Një shoqëri ku diferencën e bën vetëm talenti dhe puna, e jo gjinia apo statusi social, është vizioni në të cilën bazohen politikat tona të mbrojtjes sociale.

Riintegrimi social-ekonomik i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike vijon të jetë objektivi ynë kryesor.

Në familjen tonë nuk ka persona me aftësi të kufizuara, por ka persona me aftësi ndryshe, të cilët meritojnë të dëgjohen dhe integrohen plotësisht në shoqërinë tonë.

Qëllimi ynë është të rrisim punësimin dhe integrimin e tyre në shoqëri me te paktën 30%.

Shërbimet Sociale, një dekadë më parë ishin pothuajse inekzistente, sot janë shumë më të larmishme dhe ofrohen në të gjitha bashkitë e vendit.

Synimi ynë është të shtojmë edhe 70 shërbime të reja sociale në të gjithë vendin.

Për sa i përket shërbimeve, digjitalizimi na ka ofruar një mjet efikas për të reduktuar radhët dhe kostot për qytetarët.

Fuqizojmë sistemet tona dixhitale, telemjekësinë, si një mënyrë për të rritur aksesin në marrjen e shërbimit më të mirë kudo në territor.

E fundit, por jo nga rëndësia, turizmi shëndetësor i cili është një sektor që po rritet shpejt.

Do të mbështesim më tej zhvillimin dhe përfshirjen e një modeli ekselent të këtij sektori në sistemin tonë publik.

Jam e sigurt që së bashku, në koalicionin tonë të madh me qytetarin, do të bëjmë të mundur që Shqipëria e vitit 2030, të jetë një vend ku:

Të gjithë spitalet dhe qendrat mjekësore të jenë 100% moderne dhe të pajisura me teknologjinë e fundit.

Të gjithë mjekët dhe infermierët të përfitojnë paga sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.

Të gjithë qytetarët të përfitojnë nga mbulimi shëndetësor universal falas.

Si dhe të gjitha shtresat në nevojë, të ndihen plotësisht të barabartë, në shoqërinë tonë.

Faleminderit!