Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 12/12/2023

Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në prezantimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030 ( 12.12.2023)

Është absolutisht një ditë e rëndësishme kjo e të marrit një angazhim të përbashkët mes tre institucioneve kryesore në nivel hartimi politikash kur vjen puna të mbrojtësit e viktimave ndaj dhunës dhe krimit.

MSHMS në fakt e ka një nga misionet e veta, funksionet e veta brenda fushës së përgjegjësisë pikërisht mbrojtjen e viktimave ndaj dhunës dhe krimit, mbrojtjen e grupeve të margjiinalizuara kështu që padiskutim edhe ky dokument strategjik që vjen sot dhe prezantohet, është i mirëpritur, është një mburojë shtesë për të gjithë këto grupe që do ti quaja padiskutim vulnerabël.

Siç e thanë edhe kolegët, kemi patur 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës. Kemi qenë bashkë, kemi diskutuar nga shumë pjesëmarrësit këtu, kemi kryer fushata ndërgjegjësimi dhe gjithandej kemi thënë që nuk mjaftojnë 16 ditë, nuk mjafton as një muaj, as një vit për të folur për fenomene të tilla të cilat shqetësojnë gjithë shoqërinë.

Kështu që angazhimi i përbashkët i të gjithë institucioneve është i domosdoshëm i mirëpritur, i shumëpritur për të qenë bashkarisht dhe për të luftuar këto lloj fenomenesh.

MSHMS nëpërmjet fondit social ka mbështetur siç e thamë edhe shërbime sociale, shërbime mbështetëse ndaj viktimave të dhunës edhe të krimit. Dhe gjatë  ditëve të aktivizmit unë kam qenë në fakt edhe në një strehëz që nuk dua ta veçoj dhe ta përmend këtu, dhe pash një punë fantastike që bën stafi aty në kujdes të përditshëm ndaj atyre grave të abuzuara dhe një punë realisht vetëmohuese dhe pa vlerësuar aq sa duhet në këtë rast se ishte vërtetë vetëmohuese në shërbim të disa grave që kërkonin shpresë në kërkim të një drite në fund të tunelit dhe që nuk janë të vetme.

Sot gjithnjë e më shumë strukturat e mbështetjes, strukturat e shërbimeve sociale pranë pushtetit vendor dhe strukturat e shërbimeve që ofrohen dhe nga shoqëria civile, edhe nga organizatat të mbështetur edhe nga partnerët dhe donatorët padiskutim edhe nga shteti shqiptar, janë gjithnjë e më shumë të përhapura në territor.

Janë në territor të përhapura edhe dy linjat që funksionojnë 24/7 ku kushdo që vjen ndjen një frikë një cenim, një dunë të afërt të mund të ngrejë telefonin dhe ti drejtohet specialistëve.

Por ajo që do dua të veçoj sërish sot është fakti që ne jemi bashkë sot këtu duke siguruar mbështetjen e policisë së shtetit, mbështetjen e strukturave të policisë për t’i vënë përpara përgjegjësisë këta dhunues këta abuzues të të drejtave dhe lirive të çdo njeriu, pavarësisht së është grua është burrë, janë të gjithë të barabartë dhe kemi detyrimin që të jemi mbrojtës, të garantojmë të drejtat e tyre dhe lirinë e tyre për të gëzuar një jetë të shëndetshme, për të gëzuar një jetë të plotë.

Shumë faleminderit Ministrisë së Drejtësisë që na bëri bashkë sot, faleminderit edhe ministrit Balla për gjithë mbështetjen që do të vijojmë të japim gjatë zbatimit të kësaj strategjie.

Kjo është një strategji që shkon në linjë edhe me Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore, dhe me strategjinë që ne jemi duke hartuar për mbrojtjen sociale. Janë strategji të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Do të vijojnë të detajohen me aktivitete konkrete për ët cilat do të përfshihen edhe institucionet të tjera dhe ku do të kemi edhe indikatorë matës konkretë për të bërë akoma më konkrete gjithë këtë angazhim të përbashkët, edhe këtë luftë të përbashkët ndaj krimit dhe dhunës.

Sigurisht dhuna dhe krimi nuk janë, nuk zhduken me një shkop magjik apo nuk kanë një çelës që të thuash po bëj këtë do kemi një shoqëri pa dhunë dhe pa krim, por e rëndësishme është që ne të flasim, të jemi bashkë të ndërgjegjësojmë sa më shumë.

Ne të heqim frikën, për të folur për të referuar pranë strukturave mbështetëse.

Dhe sigurisht e padiskutim e rëndësishme është që ne si ministri të ofrojmë sa më shumë shërbime të shtrira në territor, të shtrira edhe në pushtetin vendor sa më pranë fenomeneve, sa më pranë këtyre lloj target grupesh me qëllim të vetëm që të jemi pranë njerëzve, të kemi mundësi që të ofrojmë kujdes psiko-social, t’i ofrojmë mbështetje, t’i ofrojmë këshillim ligjor dhe patjetër, t’i rintegrojmë në jetë. Te jemi pranë tyre me riintegrim, qoftë në formim profesional qoftë në punësim, dhe që në fund të tunelit të ketë dritë dhe të ketë shpresë.

Ky është qëllimi ynë i përbashkët, ky është qëllimi i qeverisë shqiptare sepse punojmë për Shqipërinë Evropiane 2030.