Fjala e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Kuvend
Dua ta nis këtë fjalë sot, me një falënderim publik për ekipin e madh të vaksinatorëve. Ata që shërbejnë çdo ditë me përkushtim në shërbim të qytetarëve, pa njohur pushim e festa. Nuk janë ndalur qysh nga 11 janari 2021, kur në Shqipëri u bë vaksina e parë, dhe do të vazhdojnë misionin e tyre jetëshpëtues, deri kur të jetë mbrojtur edhe qytetari i fundit.
Ne të gjithë nuk duhet të lëmë rast pa falënderuar ekipin e madh të mjekëve, infermierëve, epidemiologëve, laborantëve në të gjithë territorin, për sakrificën e tyre të pashoqe, në këto muaj të vështirë të pandemisë.
Situata me të cilën po përballemi sot, tregon një rënie të lehtë të infektimeve në raport me dy javët e shkuara, por ende incidenca është e lartë, si përsa i takon të prekurve, ashtu edhe fataliteteve.
Pa dyshim, çdo jetë e humbur në këtë pandemi është pikëlluese, për familjen, për njerëzit e dashur, për mjekët që bënë maksimumin në luftën për jetën, për të gjithë!
Dhe në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është VAKSINA.
Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër.
Dhe luftës për jetën, i bëjnë dëm deklaratat e hedhura pa teklif, sa nga dritaret e rrjeteve sociale, e ndonjëherë edhe nga deklaratat e të papërgjegjëshmve për fat të keq edhe në këtë sallë, për “vaksina të pasigurta”.
Luftës për jetën e qytetarëve i bëjnë dëm edhe thirrjet për të nxirë dhe shtrembëruar realitetin e spitaleve, duke i bërë njerëzit të hezitojnë, dhe ta mbajnë frymën në spital, atëherë kur mund të jetë tepër vonë.
Edhe debatet shterpë që nuk lënë gjë pa e përdorur për politikën e ditës, apo sinkronin e mbrëmjes, nuk i shërbejnë luftës për jetën, që stafet tona po e zhvillojnë prej gati dy vitesh.
Sepse flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze.
Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: VAKSINOHUNI!
Do të kenë ekspertët e vërtetë, dhe jo të vetëshpallurit si të tillë dhe as politikanët, gjithë kohën e botës për të bërë bilance, kur kjo luftë të jetë fituar. Dhe të kuptohemi, fitorja e kësaj lufte, nuk është fitore e asnjë qeverie në botë, nuk është fitore e kësaj qeverie. ESHTE FITORE E TE GJITHEVE NË KËTË SALLË!
Prandaj, kush vërsulet me akuzat për punën që ne bëjmë dhe objektivat që ne kemi vendosur për vaksinimin, duhet të kuptoni se suksesi i këtij objektivi nuk është sukses vetëm i yni. Mbrojtja e shëndetit të çdo qytetari duhet të jetë objektiv i parë i secilit këtu, majtas apo djathtas, që çdo shqiptar të nxitet të mbrojë shëndetin e tij dhe të familjes DUKE U VAKSINUAR, dhe këtu nuk ka pse të mos bëheni pjesë.
Për sa na takon do të bëjmë GJITHÇKA që kemi në dorë, siç kemi bërë deri më sot, për të siguruar vaksinat, PA ASNJË MUNGESË, për çdo qytetar.
Dhe të jem e qartë me ju, për të mos krijuar keqkuptime që pastaj tirren e tirren nëpër media. Nuk po flas vetëm për popullatën mbi 18 vjeç, që sipas Komitetit të Vaksinimit dhe atij Teknik, është sot popullata target + 18 dhe për të cilën kemi siguruar mbi 4.4 milion vaksina. Flas edhe për dozat e treta, nëse do të nevojiten. Flas edhe për uljen e fashës së vaksinimit, nëse ekspertët do ta vendosin.
Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda Tetorit. Eshtë hapi i radhës, në një seri tashmë të panumërt hapash, në rrugëtimin tonë të nisur prej muajit dhjetor, për të sjellë në Shqipëri vaksina të sigurta dhe të çertifikuara.
Kanë mbërritur dhe po shpërndahen sot edhe 188 mijë doza vaksine AZ, falë mbështetjes së Italisë mike, si pjesë e instrumentit COVAX, duke mbërritur në mbi 2 milion 262 mijë doza të ardhura në vend. Brenda këtij viti do të arrijmë në mbi 3 milion doza të mbërritura, dhe mbi 5 milion doza deri në vitin 2022 me kontrata e marrëveshje tashmë të siguruara.
Sot kemi mbi 1.7 milion vaksinime të kryera. Janë vaksinuar me 1 dozë, rreth 45% e mbi 18 vjeç dhe me dy doza mbi 37% e atyre mbi 18 vjec. Këto shifra janë sipas përcaktimit të ekspertëve dhe aspak sipas meje, përbëjnë popullsinë target +18 vjec. Nëse përfshijmë edhe shqiptarët nga 1 vjec e lart, mbulesa është mbi 35% me një dozë dhe pothuaj 29 % e vaksinuar plotësisht. Këto janë shifrat.
Deri sot, Qeveria shqiptare ka disbursuar 32 milion Dollar për blerjen e vaksinave si dhe ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet financiare për përballimin e pandemisë.
Kemi bërë cdo përpjekje brenda mundësive. Nuk jemi të vetkënaqur aspak. Kemi ende shumë punë përpara në objektivin tonë për transformimin e shëndetësisë edhe me mësimet e nxjerra nga pandemia.
Por Vaksnimi mbetet sfida!
Natyrisht, procesin e kanë vështirësuar hapësira e paarsyeshme që u dhurohet konspiracionistëve; vetëpërmbajtja e munguar e “analizuesve të gjithçkasë”; e gjithologëve që ngrenë pikëpyetje mbi vaksina të çertifikuara dhe miratuara për përdorim nga organizma prestigjozë ndërkombëtarë ku punojnë ekspertët më të mirë në botë. E të mendosh që sot e kësaj dite, askush prej tyre nuk ka dalë e të na tregojë një tjetër rrugë, veç VAKSINIMIT, për t’iu afruar fundit të kësaj pandemie.
Sigurisht, kjo nuk do të na ndalë në përpjekjet tona për të mbrojtur shëndetin publik. Kjo do të thotë thjesht që do të shumëfishojmë përpjekjet.
Ne jemi në një fushatë intensive vaksinimi të + 18 vjec, me fokus studentët, sepse nuk ka arsye që, nëse pedagogët apo stafet janë të vaksinuar masivisht, studentët të zgjedhin të mos e bëjnë, duke rrezikuar veten, të tjerët dhe mbarëvajtjen e vitit akademik.
Të dashur qytetarë!
TË GJITHA vaksinat që kemi përdorur dhe vazhdojmë të përdorim në Republikën e Shqipërisë, janë absolutisht të çertifikuara; janë të sigurta, janë efikase!
Midis helmit të atyre që pak u bëhet vonë për shëndetin tuaj, dhe vaksinës që mbron jetë, jeni të lutur të zgjidhni VAKSINEN.
Mos e bëni se e kërkon QEVERIA, bëjeni për prindërit, të afërmit dhe fëmijët tuaj.
Jam e bindur që edhe këtë betejë jo të lehtë me hezitimin ndaj vaksinës, ne do ta fitojmë shumë shpejt, pa u shpërqëndruar asnjë çikë as nga thirrjet e kujt fërkon duart kur sheh një të vaksinuar më pak.
Ne do të zgjedhim të bëjmë politikë për jetën dhe mbrojtjen e saj. Dhe mos kini asnjë dyshim, siç ju thashë, çdo jetë e shpëtuar është fitore e të gjithëve.
Ne jemi gati të ecim tashmë me një marsh më shumë, me vënien në zbatim të fazës tjetër të Planit tonë të vaksinimit. Do të jemi me strukturat tona të lëvizshme në çdo universitet, e më me shumë intensitet në çdo qytet, në çdo fshat të Shqipërisë. Ekipet tona të profesionistëve do të jenë aty, për t’u ofruar qytetarëve shpjegime, vetëdijësim dhe vaksinimin falas afër vendbanimit.
Ne e treguam gjatë kësaj krize të shëndetit publik me përmasa globale, se nuk do të lëkundemi. E sigurisht që nuk kemi ndërmend ta bëjmë tani, kur drita në fund të tunelit, duket gjithnjë e më qartë.
Faleminderit!
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.