Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 16/07/2015

Fund udhëkryqit të mjekëve me plotësimet e ligjit për kujdesin shëndetësor

Fund udhëkryqit të mjekëve me plotësimet e ligjit për kujdesin shëndetësor

Fjala dhe ndërhyrjet e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, dt. 16/7/2015, gjatë diskutimeve për projektligjin për “Disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

—###—

Zoti Drejtues i Seancës, Zonja dhe Zotërinj Deputetë,

Dua të ilustroj pak, pse e ndërmorrëm këtë nismë, duke u nisur, në fakt, nga pjesa përmbyllëse e diskutimit të deputetit parafolës.

Ky projektligj është i domosdoshëm, që do të thotë, të paktën, Ligji i 2009-ës pas 5-6 vitesh zbatimi, rezulton që është i paplotë. Unë jam Ministër dhe kam për detyrë të shikoj përpara, nëse doni të ndalemi si ka qenë ai projektligj, atëherë po rimarr fjalët e një deputeti të Opozitës.

Sot, mjekët janë në udhëkryq, – po është e vërtetë! I ka lënë Ligji i 30 Marsit 2009 në udhëkryq mjekët, sepse tekstualisht ka thënë: “Punësimi, privilegjet ose kontratat në institucionet shëndetësore, përfundojnë, pra, përfundojnë nëse stafi nuk i nënshtrohet procesit të edukimit në vazhdim.

Pra, çfarë thatë ju para 6 vjetësh: “Po s’bëre edukim në vazhdim, përfundon kontrata e punës”. Jo vetëm që ishte masë ekstreme, por siç ishte ligji, nuk i latë mundësi mjekëve, si mund të rifuten. Pra, edhe nëse nuk i ribën kreditet e nevojshme, e përfundon kontratën, si e rimerr të drejtën?

Prandaj, janë në udhëkryq. Është e vërtetë që janë në udhëkryq, sepse ky ka qenë vizioni juaj në 2009-ën. Thatë që sot nuk ka mjekë specialistë në Spitalin e Bulqizës, – është e vërtetë! Na mungojnë 298 mjekë në spitalet tona rajonale, sepse ju për 4 vjet i bllokuat specializimet.

Ky është realiteti! Të paktën, unë ju mirëkuptoj se si Opozitë keni të gjithë të drejtën e Zotit të kërkoni maksimalisht nga qeveria e rradhës, nga ministri i rradhës, po me shqiptarët duhet të jeni transparentë.

Sot u tha që Ministri vendos vetë, bën çfarë të dojë vetë, po se kështu thotë ligji i 2009-ës. Ministria e Shëndetësisë krijon programet e nevojshmë për edukimin e vazhdueshëm profesional, kaq!

Si vazhdon të zbatohet? Sipas Urdhërit të Ministrit të radhës , – këtë po korrigjojmë.

Po të shikoni projektin, po themi, që nuk është më ministri, por është Ministria dhe gjithë procedurat bëhen me kritere që i miraton Këshilli i Ministrave. Pra, janë një sërë ndryshimesh, edhe me ligj nuk po kërkojmë t’ia japim ministrit të rradhës, po i ngrejmë në nivelin e Këshillit të Ministrave.

Dhe padyshim, edhe sikur të kishim mjekë me bollëk, nuk do të ishte normale, që kush nuk përfundon një cikël të edukimit në vazhdim, ta përfundojë kontratën. E ndërpret dhe i jepet mundësia të rifutet, duke bërë dhe dy dallime: Kush nuk ka marrë asnjë kredit dhe kush ka bërë përpjekje, por që i ka patur të pamjaftueshme për të arritur në numrin maksimal të krediteve, të caktuara për atë cikël edukimi.

Thatë që, nuk ka patur fonde në institucionet publike për edukimin në vazhdim. E vërtetë është! Po në 60 muaj cikli, 13 muaj është Qeveria jonë në detyrë. Tregojini shqiptarëve dhe mjekëve shqiptarë, që për 37 muaj nuk i dhatë asnjë lek, edhe pse kishit një mandat të plotë.

Thatë që testimet janë të paligjshme, testimi i infermierëve u konfirmua nga Gjykata që ishte i ligjshëm, dhe këto janë fakte, ky është realitet.

Prandaj, është e domosdoshme, që në këtë projekt, të plotësojmë kuadrin, që edhe ministri, kushdoqoftë ai, të mos e ketë të pakufizuar, mënyrën se si e ndërton programin e rradhës; bordi të ketë bazë ligjore se si funksionon; i gjithë procesi i akreditimit dhe çertifikimit të ketë bazë ligjore; dhe, sigurisht, t’i japim mundësinë edhe atyre, që kur nuk i plotësojnë, të rifuten; dhe gjithashtu, të jemi të vetëdijshëm, që duhet ta zbatojmë në mënyrë uniforme, qoftë në institucionet publike, apo qoftë në institucionet private shëndetësore.

Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua të falenderoj diskutimet aktive që u bënë në komisionin e shëndetësisë (Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë), të cilët i sollën dhe një përmirësim të mëtejshëm, projektit që vjen sot për votim.

Faleminderit!

—###—

Së pari, se cili është projekti i Qeverisë, është dokumenti zyrtar, dhe çfarë është bërë në Komision (Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë), është në proçesverbalin e Komisionit.

Më vjen keq, që merrni përsipër, në mënyrë publike, të dezinformoni opinionin dhe deputetët e seancës.

Projekti i Këshillit të Ministrave, kërkonte të rregullonte funksionimin e bordit, të caktonte kriteret që miratohen nga Këshilli i Ministrave, dhe projekti e futi për herë të parë nocionin e pezullimit, apo jo?

Atëherë, meqënëse ka qenë, po ta lexoj: “Përfundojnë”, – thotë ligji i 30 Marsit 2009, – dhe kam përshtypjen që qoftë për ju, apo qoftë për mua, dhe për këdo që është në këtë sallë dhe na dëgjon, gjuha shqipe, është aq e pastër, se çfarë do të thotë “përfundojnë” e ka shumë mirë të përcaktuar.

—###—

Meqënëse u bë pyetja, “Si mund të hidhen mjekët në rrugë?”, atëherë detyrohem ta përsëris, sepse nëse nuk do të vinte ky projekt dhe nuk do të kishte një vullnet të përbashkët për ta miratuar, ligji në fuqi, i miratuar në mars 2009, Neni 33, pika 3, thotë: “Punësimi, privilegjet ose kontratat në institucionet shëndetësore, përfundojnë, nëse stafi profesionist, nuk i nënshtrohet edukimit në vazhdim të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë”.

Nëse nuk bëjmë këtë gjë sot, nëse Qeveria nuk do të sillte këtë nismë për të zbatuar ligjin, do të duhet të nxirrnim mjekët në rrugë.

—###—

Në fakt, do të doja që ish-Kryeministri (z. Sali Berisha, Deputet i Partisë Demokratike) të vazhdonte të rrinte edhe pak në seancë, dhe me mirëkuptimin e koleges, Ministres së Arsimit (znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit), dua ta përsëris: Mos kërkoni kuota të reja doktoraturash në universitetet publike, sepse kjo është shkelje e ligjit!

Në vend që fillimisht të kërkoni falje, që i keni çuar universitetet në paligjshmëri, nga këtu duhet ta filloni, pastaj duhet të kërkoni llogari.

Profesori K.Ç. në Fakultetin Juridik, ka sot 41 doktoratura, ndërkohë që 5 duhet të ketë më ligj. Pra, udhëheq sot 8 herë më shumë (doktoratura). Pikërisht, këtu është pazotësia! Dhe jo më kot, ligji pat thënë: “Një profesor mund të udhëheqë 5 doktoratura, një asistent profesor mund të udhëheqë 4 doktoratura”, – kur Fakulteti Juridik dhe fakultetet e tjera, kur t’i shterrojnë kuotat tepër, kur të vijnë në kuota të pranueshme, atëherë do të vazhdojnë të marrin kuota.

Në qoftë se Ministria e Arsimit jep kuota shtesë, ua thellon shkeljen e ligjit, – kjo është arsyeja, – dhe meqënëse kërkon të flas për shëndetësinë, më vjen shumë keq, edhe ti personalisht, tregove sot një njohje të paktën shumë të cekët, të instrumentave që përdoren në ekonominë e tregut, për të zhvilluar ekonominë, të cilat këtu, ish-Ministri i Financave i deklaroi si instrumenta të vlefshëm, efiçentë dhe të suksesshëm.

U fol këtu, jo për politika të djathta, sepse sot, qëllimi ynë kryesor është shërbimi ndaj publikut. Instrumenti se si arrihet tek shërbimi ndaj publikut, është një instrument. Rëndësi ka që sot, ne na nevojitet një përmirësim radikal i diagnostikës laboratorike në të gjithë spitalet e Shqipërisë. Kjo është nevoja sot.

U fol këtu, që janë bërë investime 100 milionë dollarë në pajisje. Po, është e vërtetë! Po në shtator 2013, treçereku i pajisjeve nuk punonin dhe ishin lënë pa kontrata mirëmbajtjeje. Pse janë futur sot në kontrata afatgjata mirëmbajtjeje në Shqipëri nuk është më lajm: “u prish skaneri, u prish rezonanca, apo nuk punon një gjë tjetër”.

Dhe ndërkohë, sigurisht, ato investime, duhet të shoqërohen edhe me investime në kapital njerëzor. Nuk gjenden sot kollaj mjekë imazheristë. Po ua përsëris prapë sot në seancë, ua kam thënë edhe herë tjetër, për 4 vjet i mbyllët specializimet në mjekësi. Është shumë kollaj të gjesh para, të marrësh borxhe, të blesh pajisje dhe prapë ato të rrinë në qese, për mungesë mjekësh të shkojnë në spitalet jopublike.

Çfarë ndodh sot në shërbimin laboratorik? Në QSUT arrijmë të realizojmë deri 70 analiza, të financuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Minimalisht, vendet e rajonit ofrojnë në laboratoret publike, 3 herë më shumë. Ndërkohë, përveç Tiranës, pajisjet në laboratoret tona, janë më shumë se 10 vjet të vjetra.

Atëherë, çfarë po bëjmë sot? Nuk po kërkojmë sot kontratën e konçesionit, po i kërkojmë Kuvendit të miratojë një marrëveshje huaje, për të marrë shërbimin e konsulencës, për të studiuar a ka hapësirë këtu, për partneritet publik-privat, dhe pastaj sigurisht kush do të jetë forma dhe modaliteti i partneritetit publik-privat.

Në vitin 2014, në Bashkimin Europian, partneriteti publik-privat në shëndetësi, janë sektori më i zhvilluar, në partneritetet publik-private dhe raporti i komisionit europian, që mund ta shfletojë kushdo shumë lirshëm, flet për 9 forma të ndryshme të partneritetit publik-privat, që aplikohen sot në shëndetësi.

Ndërkohë, këtu u tha, që ka nevojë për financime dhe investime. Po, sektori ka nevojë për financime masive, por jemi të vetëdijshëm, që financat publike shqiptare kanë për momentin një konjukturë të shtrënguar, prandaj partneriteti publik-privat përdoret për të thithur paratë nga sektori privat, për të zbatuar me efiçencë funksionim të përditshëm.

Po ju jap një ilustrim:

Vjet në QSUT laboratori i gjenetikës ka bërë “O” analiza. Aty janë pajisjet, aty janë mjekët. Ka bërë “O” analiza, sepse disa herë ka dështuar tenderi i kiteve dhe reagentëve, sepse vetëm për atë pjesë shumë të vogël nuk ka interes asnjë operator ekonomik.

Atëherë, nëse na duhet ai laborator në spitalin publik në shërbim të kujdesit të qytetarëve, por edhe të një spitali universitar për të prodhuar mjekët e ardhshëm, duhet ta vemë në punë. Atëherë, duhet të krijojmë ekonomi shkalle, dhe në interes të publikut, për një gamë sa më të plotë dhe më të gjerë laboratoresh tona, thërrasim investime private, fusim kontrata afatgjata mirëmbajtje dhe furnizimi me kite e reagentë dhe sigurojmë cilësi të njëjtë kudo.

Sot, laboratoret e spitaleve tona rajonale publike, ende nuk janë të akredituara dhe sigurisht, ne nuk mund të presim pambarimisht, sepse kemi nevojë për ndryshime radikale, ndoshta dhe që mbrëmë.

Dy gjëra dua të theksoj. Po i përsëris, që kur është hapur fillimisht ky diskutim, mjediset do të jenë në spitalet tona publike. Pra, qytetari vetë do të paraqitet në spitalin publik, do të marrë një shërbim shumë më të mirë se ai që merr sot, do të punojnë po ata mjekë dhe teknikë laboratori që vazhdojnë të jenë sot të punësuar në spitalet publike, dhe në vend që të bëjmë për një periudhë disa-vjeçare – se ende studimi nuk e ka përcaktuar kush është periudha e konçesionit, – në vend që të bëjmë çdo vit procedura prokurimi për çdo gjë, do të bëjmë një afatgjatë, për të garantuar vijimësi dhe cilësi, dhe rinovim të plotë të inventarit të pajisjeve tona laboratorike.

Çfarë ndodh dhe sot? Po ta marrim sektorin e shëndetësisë, në gjithë shpenzimet e veta, paga, sigurime shoqërore janë publike, dhe godinat, gjithçka e prokurojmë çdo vit nga operatorët private. Pra, nuk do bëjmë 5 tendera në vit, që shpesh herë dështojnë, por do të bëjmë një kontratë afatgjatë për të garantuar vijimësi, kjo është detyra që i kemi kërkuar konsulencës, por po e përsëris, jemi vetëm në hapin e parë.

Po kërkojmë mbështetjen e Kuvendit, për të kërkuar këtë studim konsulence. Ndërkohë, që në fillim, kemi përfshirë në studim dhe në grupin e punës, aktorë të interesuar, shërbimin universitar, laboratoret e spitaleve rajonale dhe shoqatën e mjekëve të laboratorëve që janë në Shqipëri, për të arritur në një zgjidhje optimale.

Dhe, sigurisht, ajo çfarë kërkojmë të sjellim, është më shumë shërbim për qytetarët shqiptarë, akses sa më të plotë, në mënyrë që të mos lëvizin qytetarët, por me teknikat e sotme të lëvizi epruveta apo mostra e analizës. Dhe, gjithashtu, të mund të ofrojmë cilësi të njëjtë të paktën në të gjitha spitalet rajonale të Shqipërisë. Kjo, sepse brenda vitit kemi edhe nisma të tjera shumë të rëndësishme, që lidhen me shërbimin kardiak 24-orë në të gjithë Shqipërinë, me shërbimin “Stroke Unit”, që do të thotë se na duhet padyshim, një bazë e mirë laboratorike nga spitalet rajonale për ku të nisen, sepse sot, me pajisjet që kemi, me investimet që kemi bërë këtë vit, me trajnimet e mjekëve dhe infermierëve, jemi në gjendje që brenda këtij viti, t’i marrim përsipër këto dy shërbime jetike për të shpëtuar jetë dhe pastaj për të shkurtuar invaliditet, brenda të gjithë territorit të Shqipërisë, sepse e mundësojmë që brenda periudhës së domosdoshme 6-8 orë, që ata duhet të vijnë, në QSUT, të mund ta garantojmë.

Sigurisht që, është përfolur shumë edhe Programi i Kontrollit Bazë (pa pagesë për grupmoshën 40-65 vjeç), dhe dua ta risjell.

Edhe atje çfarë ndodh? Ofrohet në qendrat shëndetësore, ofrohet nga mjekët dhe infermierët e shërbimit parësor publik, nuk është privatizuar Check-Up-i. Ka një operator, i cili merr përsipër nga Vermoshi në Konispol t’iu ofrojë qytetarëve shqiptarë të njëjtën cilësi, dhe kjo ndodh për herë të parë.

Sot, EKG-në e bëjnë çdo ditë, rreth 1500 vetë në të gjithë territorin e Shqipërisë, dhe në zonat shumë të thella. Janë 5 njësi mobile, që lëvizin në të gjithë territorin e Shqipërisë. Dhe jo vetëm kaq, por ka bërë të mundur, që mjekët në Shërbimin Parësor, mjekët e familjes, të fillojnë të merren realisht me mjekësi, sepse deri tani ishin marrë vetëm me burokraci. Dhe në funksion të kësaj, recetën me rimbursim, e bëmë nga një-mujore në dy-mujore, që të pakësojmë kohën burokratike dhe t’i japim mundësinë mjekut të familjes, të jetë ai roli primar.

Ta kthejmë vëmendjen tek mjekësia e përgjithshme, dhe sigurisht ta spostojmë gjithmonë e më shumë tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Nuk do ta shpikim ne rrotën këtu në Shqipëri. Mbulimi Universal është tashmë objektiv i Bankës Botërore. Ka një koalicion të gjerë botëror për Mbulimin Universal, i cili sigurisht, – ne jemi të vetëdijshëm, – që duhet të shoqërohet me Akses Universal dhe me Cilësi Universale, që do të thotë se pavarësisht se ku banon qytetari, t’ia ofrojmë aty shërbimin atij dhe sigurisht, si në qendër të Tiranës, si në çdo cep të Shqipërisë, kabineti i Check-Up-it të ketë të njëjtin standard, siç e ka sot për herë të parë.

Kush bën Check-Up-in, merr një përgjigje me 15 fleta analizash, sot. Nuk ka ndodhur më parë, dhe këto kanë filluar të regjistrohen në dosjen elektronike të shëndetit, që në të ardhmen, kush t’i kërkojë, s’ka nevojë të shkojë t’i bëjë prapë analizat, por i ka aty mjeku, dhe shkon bashkë me projektin e shëndetësisë elektronike, me atë që po zbatojmë, dhe me atë që kemi filluar në Durrës ta pilotojmë, të recetës elektronike.

Sigurisht, që ka ende shumë për të bërë në kujdesin shëndetësor, por unë besoj se ne jemi në rrugën e duhur, duke treguar përditë përmirësime të ndjeshme, dhe dua ta ilustroj vetëm me një gjë:

Falë zbatimit të një marrëdhënieje të re bashkëpunimi me sektorin privat, në 6 muajt e parë të vitit 2015, 470 persona, kanë marrë shërbime të kardiologjisë mini-invazive, apo të kardiokirurgjisë, pa pagesë në spitalet tona private. Janë 475 persona që e kanë marrë këtë shërbim pa pagesë, që do të thotë se është ilustrimi më i thjeshtë ndaj çdo deklarate naive, që shëndetësia është bërë më e shtrenjtë.

Ne kemi shtuar shërbimin publik të kardiologjisë mini-invazive, që nga tetori i vitit të kaluar punojmë deri në orën 22:00 të darkës, por sigurisht nevojat janë më të mëdha.

Dhe, duke qenë se ka investime të bëra në shëndetësinë jopublike, në fund të fundit investime të vendit janë, para të shqiptarëve janë edhe ato, me sistemin e referimit e çojmë një të sëmurë, në një klinikë private, të kontraktuar nga ne, që e ndjekim çdo muaj, dhe ai e bën atje pa pagesë.

Për të mos u kthyer pastaj, që derisa vazhdoni të ngulni këmbë për shtrenjtimin e shëndetësisë, nuk do nguroj t’jua them në çdo seancë.

Në 2 vjet, ne i ulëm çmimet e barnave, me 72 milionë dollarë. Pra, shqiptarëve barnat sot, ku furnizohet spitali, apo në skemën e rimbursimit, apo kur duhet t’i blejnë me para në dorë, u kushtojnë 30% më lirë. Aty i keni të gjithë korrespondencat, ministri Finance me Drejtori Dogane, se si në vite, e kishit konstatuar që ishte e pamundur të ishte më shtrenjtë këtu, se sa atje, por nuk bëtë asgjë. Dhe nëse vit pas viti, i kishit aty, do të thotë që nuk donit t’i bënit.

Lidhur me atë çfarë vazhdon të ndodhë, ne jemi të vendosur që ta luftojmë korrupsionin në çdo qelizë. Po e përsëris atë çfarë kam thënë në muajin Maj në këtë seancë, kontrolli i rimbursimit u bë nga strukturat shtetërore, dhe padyshim, personazhi kryesor, nuk ishte asgjë më shumë po një prokuror i ’96 dhe financues i përvitshëm i fushatave tuaja.

Faleminderit!

—###—

Atëherë, përsëri më duhet të shpjegoj, që cektësia e arsyetimit, po bëhet e pashoqe. Në qoftë se kemi merak se Fakulteti Juridik nuk krijoka të ardhura dytësore, ky është një merak shumë më i vogël, se sa të krijojë doktoratura të paqena.

Z. Tafaj (z. Myqerem Tafaj, Deputet i Partisë Demokratike) qenka në seancë, mund ta konfirmojë, që ka një akt që një profesor 5 doktoratura mund të bëjë, një profesor 4 mund të bëjë, epo në qoftë se ai ka 40, të presë që ai të vijë tek katra, që të japë edhe të pestin.

Në qoftë se qenka më e domosdoshme për shtetin shqiptar një e ardhur dytësore sot, apo një brez doktorantësh paçavure, sigurisht që ne jemi të vendosur, të mos lejojmë paçavure.

Foli ai ish-Kryeministri për punën e bojaxhinjve, por këto universitetet që hapët ju, këto ishin ata, që kur shkonin në gusht me ly universitetin, nuk merrte para brigada e bojaxhinjve, por merrte diploma. Këtë doni të sillni prapë, nuk jemi të vendosur ta lejojmë! Sepse ndikon në arsimin shëndetësor, kjo që ndodh në arsimin e lartë, prandaj lidhet arsimi me shëndetësinë.

Për t’u kthyer edhe njëherë tek Check-Up-i, e bëjnë mjekët dhe infermierët e institucioneve publike, sigurisht mua më vjen mirë, që ju ende nuk jeni në moshën e Check-Up-it. Kjo është një gjë për t’u gëzuar të gjithë, ndoshta s’ke patur rast, dhe s’do të kesh rast edhe ca vite, por bëhet në të gjitha qendrat shëndetësore, ku të gjithë njerëzit tradicionalisht kanë vajtur nga mjekët dhe infermierët e shëndetësisë publike.

Që të bëhet Check-Up-i sot ka nevojë edhe për gjenerator, edhe për kompjuter, edhe për internet, edhe për tavolinë, por sidomos për logjistikë inxhinierike transporti, sepse duhet në kushte të caktuara të zinxhirit ftohës mostrat të vijnë brenda një orari të caktuar në laborator, të ndjekura me një sistem GPS. Dhe praktikisht, ne si Ministri kërkuam oferta nga kompani të specializuara logjistike, sepse ajo çfarë ndodh është një proçes i mirëfilltë logjistik, që siç u tha këtu, ish-Kryeministri, një njeri që ka mbaruar shkollën e mesme mirë, mund ta kuptojë.

Faleminderit!

—###—

Unë në fakt, dua ta falenderoj doktor Asllanin (z. Asllan Dogjani, Deputet i Partisë Demokratike), që tha që në Shqipëri paska ilaçe fallco. Sigurisht, që unë e di që ai ka njohje nga tregu farmaceutik për arsye të caktuara, siç i kemi të gjithë, s’është problem. Por, qoftë ju, qoftë këdo në këtë sallë nga Opozita, po jua përsëris, sfidën e hapur: një bar që mendoni se nuk përputhet me principin e tij aktiv, denoncojeni dhe boll i mashtruat dhe i terrorizuat shqiptarët, një bar!

Së dyti, jo jo, vazhdon të mjekohet ai burri huj, dhe po në spital, po atje vazhdon të mjekohet, sa për dijeni… O Bedri qetësohu o Bedri, megjithëse bëtë disa pyetje…

Atëherë, po të them që, ka një ndryshim jo të vogël. Në Spitalin Rajonal të Kukësit prej dy vjetësh. Unë kam shkuar njëherë në 2 muaj, ty nuk e di në të bie më rradha andej. Pardje, për fat të mirë, telemjekësinë e vumë në punë edhe në Spitalin e Bajram Currit. Pasi ishte e mbyllur prej shumë vitesh, vjet ka funksionuar kirurgjia në Spitalin e Bajram Currit. Ky është realiteti i Shqipërisë nga Vermoshi në Konispol.

Po të paktën, ndjehem më i qetë si ministër Shëndetësie këtë verë, që nuk do të duhet ta çoj shpesh helikopterin në Theth apo në Valbonë, se ka qendër shëndetësore 24 orë dhe atje ka serum antitanik, jo në Tiranë, ka në Valbonë, ka në Theth, ka në Razëm, ka në Velipojë, ka në Shëngjin, e me rradhë, Durrës, Divjakë, në Seman e deri në Ksamil – në qendrat shëndetësore që japin shërbim 24 orë gjatë sezonit turistik.

Në Valbonë po të pyesësh, ka 4-5 raste në ditë dhe 12-13 raste gjatë fundjavës. Po e them, sepse në orët e natës nuk mund të fluturojnë helikopterët tanë, për momentin, por të paktën kemi atje, në funksion të përmirësimit të ofertës turistike të Shqipërisë, kujdes shëndetësor të përmirësuar. Për herë të parë, gratë në Tropojë, Kukës, Has, e bënë aty mamografinë falas parandaluese. E bënë aty, e bënë aty, pyeti atje, ndoshta nuk të bie më rruga atje, ky është realiteti që ndodh atje. Kështu siç ndodh realisht edhe me Programin e Check-Up-it.

Por, meqënëse pyetja, çfarë ka ndodhur këto 2 vjet, unë të falenderoj që ma jep mundësinë, t’jua përsëris çfarë ka ndodhur këto dy vjet:

Në radhë të parë, i lamë të gjitha borxhet, 40 milionë dollarë. Mund t’i kishim përdorur për tjetër gjë ato para, duhet t’i lanim borxhet, ishin detyrime kontraktore. Dhe për më tepër, në këto 2 vjet, nuk kemi krijuar asnjë qindarkë borxh të ri. Mua më vjen keq për atë personin që, është dashur të shkojë në një spital jopublik për koronaren. Por, po ta përsëris, nga 7 muaj e gjysëm, e kemi ulur rradhën e pritjes në dy muaj e gjysëm.

Nuk mjafton, jam i vetëdijshëm, por 475 persona këtë vit kanë shkuar në spital privat për ta bërë ekzaminimin apo ndërhyrjen në zemër, angiografi, angioplastikë, 43 bypass-e, 17 valvula, përveç punës së mrekullueshme që bëhet në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT.

Po kthehem prapë atje, ka një ambulancë të re në Kukës, ka një ambulancë të re në Bajam Curri.

Po përqëndrohem tek qarku i Kukësit, edhe pse jua shpjegova më parë, që kabinetet e kardiologjisë janë forcuar në Shkodër, në Lezhë, në Durrës, në Fier, në Vlorë, edhe në Korçë. Sigurisht, kemi ende 4 spitale rajonale pa i plotësuar, apo spitale të tjera bashkiakë, që kanë përmasa të tilla, ku është i domosdoshëm ky lloj ekzaminimi.

Po kthehemi prapë tek Check-Up-i, do të duhet ta përsëris, mjekët dhe infermierët janë ato të qendrave shëndetësore, mjediset janë ato të qendrave shëndetësore dhe mashtron kur thua se përdoret për nevojat e konçensionarit personel publik.

Sigurisht, infermierja të ndihmon kur mat tensionin, infermierja të ndihmon kur matet EKG-ja, infermierja të merr gjakun me teknikë të re që nuk përdoret as në spitale, po pastaj gjithçka funksionon në logjistikën e privatit.

Bëtë një pyetje, çfarë do të bëjnë profesorët tanë? Jua thashë, aty do të punojnë, nuk do të ndryshojë punësimi, do të ketë marrëdhënie me spitalet rajonale dhe me bioapartenencës në spitalet universitare.

A duhet të bëjnë shkencë? Po pra, se duhet të bëjnë shkencë, unë nuk mund ta pranoj si ministër Shëndetësie, që laboratori i gjenetikës vjet bëri “O” ekzaminime, sepse për ato kite e reagentë, sot nuk ka interes operatori i tregut.

Unë nuk mund t’i fshihem përgjegjësisë, se meqë s’ka interes operatori i tregut, ta lemë atë shërbim të domosdoshëm pa e plotësuar, dhe prandaj, në vizion të partneritetit publik-privat, kjo është, mobilizimi i kapaciteteve të privatit, në funksion të një shërbimi publik, me interes publik.

Por, ama me një ndryshim thelbësor: Nuk ka, nuk do të ketë, qoftë në shëndetësi dhe qoftë në çdo sektor tjetër, konçesione të pakërkuara.

Të pranosh sot, që ke konçesione të pakërkuara, do të thotë të mos kuptosh dhe të mos njohësh sektorin ku je. Mund të kesh pamundësi financiare, logjistike, teknike, burimesh njerëzore, por të thuash në shekullin XXI që unë nuk di, nuk kuptoj dhe që pres të vijë një privat të më japë idenë, kjo është shumë naive për t’u besuar.

Pra, është mëse e qartë, që konçesionin e pakërkuar, e çuat në skaj të përdorimit, në kohën që ishit ju në qeveri, për interesa jo të përmirësimit të shërbimit publik, por për intersa të tjera. Po e përsëris, kemi nevojë të përmirësojmë shërbimin laboratorik, në të gjithë territorin e Shqipërisë, sigurisht, në spitalet fillimisht universitare, rajonale, sepse aty ka më shumë kërkesë.

Më bëtë një pyetje për Spitalin e Traumës (SUT – Spitali Universitar i Traumës), po është e vërtetë, ka mungesa, por pas 25 vjetësh, vetëm vjet për herë të parë ata kanë blerë material mjekimi që përdoren për protezat e operacioneve.

Nuk mjafton, do të vazhdojmë ta shtojmë buxhetin vit pas viti, sepse po ta përsëris, nëse 40 milionë dollarë nuk do t’i kishim përdorur për të larë borxhe, sot do të kishim edhe shërbime të reja, të cilat kemi mundësi profesionale dhe teknike, të mund t’i fusim në spitalet tona.

Dhe po të kthehem tek Spitali i Traumës, atje ka një ndryshim radikal, çfarë u bë në 2 vjet, nuk është bërë dot në 8 vjet, në laborator, në diagnostikë imazherike, në kushtet për pacientët dhe për të sëmurët, në përmirësimin radikal që i është bërë reanimacionit unik të Traumës, sepse sigurisht ende vazhdojnë megjithë përmirësimin e ndjeshëm që qeveria ka bërë në infrastrukturën rrugore, ende ndeshemi me aksidente rrugore apo aksidente rrugore.

E kemi fuqizuar reanimacionin e Spitalit të Traumës, me pajisje të reja, moderne, në shërbim të përmirësimit të qytetarëve. Por, sigurisht që ka edhe gjëra të tjera që kanë ndodhur.

P.sh., një spital shumë i mirë, është Spitali i ri Psikiatrik që kemi ndërtuar në Vlorë, sepse praktikisht edhe shëndeti mendor raportohet që është një nga problemet sot. Kishte pardje një raport të OBSH-së, në botë, 1 në 10 persona, ndeshet me probleme të shëndetit mendor. Kemi një Spital të ri Psikiatrik në Vlorë, ashtu siç po punojmë me një model, të marrë nga një fondacion italian, të vënë fillimisht me sukses në Tiranë, për të krijuar atë që quhet modeli i “shtëpive të mbështetura”, ku disa të sëmurë mendorë mund të trajtohen edhe në kushte të tjera.

Por, sigurisht ka një përmirësim radikal në gjithë shërbimin e Neurologjisë, aty praktikisht, kushdo mund të shkojë ta shohë, kushtet janë krejt normale. Apo pas 30 vjetësh, e hoqëm edhe shëmtirën ku kishit lënë Dermatologjinë për 30 vjet, ajo ishte me të vërtetë e turpshme. Nëse ka qenë një nga turpet e shërbimit spitalor, ajo ka qenë shërbimi i Dermatologjisë, një gjë rrënqethëse prej 30 vjetësh. U krijua mundësia, që sot ajo detyrë, ushtrohet në kushte krejt më normale.

Po e përsëris, ajo çfarë është bërë në këto 2 vjet, tregon vendosmërinë e qeverisë, për të shkuar në radhë të parë, tek Mbulimi Universal, por sigurisht për të rritur cilësinë e shërbimit, për ta ofruar atë, sa më gjerë dhe për ta ofruar pa pagesë për qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!

—###—

Atëherë, nëse duhet të jesh në rregull apo i mangët, këtë duhet ta gjykojnë të tjerët. Glaxo (GSK – GlaxoSmithKline) operon sot në Shqipëri dhe ka administrator, ky është dokument publik. Në qoftë se ke hallin pse ka ik Glaxo, ky është problemi jot, biznesi apo mendor, është problemi jot, por Glaxo operon në Shqipëri.

Së dyti, nga 1 tetori 2013 e deri në 30 qershor 2015, në Shqipëri janë regjistruar 491 barna të reja. Javën e kaluar, një kompani italiane, me emër, me portofol të mirë barnash, vendosi të hapë zyrën e saj në Shqipëri të përfaqësimit, – kishte vite që tregëtoheshin ato barna këtu. Edhe pse në janar dhe në shkurt, edhe barnat e saj u ulën, ajo vendosi të hapë zyrë përfaqësie.

Pse?

Sepse kuptoi, pa në 2 vite, që ne kemi një angazhim serioz për shëndetësinë, një program të qartë për farmaceutikën, një ligj modern që e zbatojmë me rigorozitet në gjithë harkun e tij.

Kjo është arsyeja pse sot, nuk jemi më vendi i çuditshëm në botë, ku barnat xhenerikë kushtonin më shumë se origjinatorët, kemi qenë i vetmi vend në botë, ku xheneriku kushtonte më shumë se origjinatori. Janë 70 milionë dollarë, që po e përsëris, janë në arkivë të Ministrisë së Financave të gjitha korrespondencat, ju me urdhër politik, keni lejuar që shqiptarët të vidhen, sepse ato para është e provuar nuk shkonin tek prodhuesit europianë apo botërorë, mbeteshin këtu, është e provuar, mbeteshin këtu, dhe pastaj përdoreshin për forma nga më të ndryshmet, dhe sigurisht kur janë aty, mund edhe të keqpërdorin, segmente të caktuara të shërbimit të kujdesit shëndetësor.

Pra, nëse doni të vazhdoni me farmaceutikën, mos e bëni më, sepse në çdo sekondë, me çmimet, barnat dhe furnizimet përpara shqiptarëve, jeni gjithmonë të pasaktë.

—###—