.

vije ndarëse

Postuar më: 23/10/2013

Gara për Mbijetesë

Tiranë, 23/10/2013 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (23/10/2013) në aktivitetin “Garë për Mbijetesë”, pjesë e fushatës globale me mesazhe ndërgjegjësuese ‘EveryOne’, të organizuar nga Save the Children Albania, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, dhe aktorë të tjerë vendas e të huaj që punojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve.

Fëmijët shqiptarë që morën pjesë në këtë aktivitet, i’u bashkuan nismës së 50,000 fëmijëve nga e gjithë bota që vrapuan në këtë Maratonë stafetë, për t’i bërë thirrje udhëheqësve dhe vendim-marrësve në të gjithë botën të bëjnë më shumë për t’i dhënë fund vdekjeve të fëmijëve nga shkaqe të parandalueshme.

Përpara fillimit të garës Ministri Beqaj mbajti një fjalë përshëndetëse, ku foli për angazhimet e qeverisë për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetesor për fëmijët, si dhe i’u përgjigj pyetjeve të një paneli fëmijësh pjesëmarrës në garë, lidhur me  çështjet e mbijetesës së fëmijëve në Shqipëri, duke theksuar të drejtën e tyre për akses në sherbimet cilësore shëndetësore.

Gjithashtu, z. Beqaj, pas diskutimit në formën e pytje-përgjigjeve me fëmijët, çeli garën e maratonës stafetë, 195 metrat e para të së cilës, u përshkuan nga sportisti i mirënjohur, ish-portieri i skuadrës kombëtare të fubollit shqiptar, z. Foto Strakosha, duke j’ua dorëzuar më pas stafetën fëmijëvë që vrapuan në skuadra për rreth tre orë.

Në vijim, fjala e plotë dhe diskutimi në formën e pyetje-përgjigjeve i Ministrit Beqaj me fëmijët pjesëmarrës në aktivitet.

—###—

Mirëdita!

Faleminderit për ftesën për të thënë edhe unë disa fjalë në këtë aktivitet të mrekullueshëm!

E nderuar znj. Ministre,

E nderuar znj. Helen,

Unë jam shumë i gëzuar që jam sot pjesë e këtij aktiviteti, i cili në thelb, ka jetën. Ka garën për jetë!

Ju në fakt, me të drejtë e këni quajtur “Garë për Mbijetesë”, sepse realiteti tregon që, edhe për fëmijët e sapolindur, për fëmijët e vegjël, gara për jetën është ende e mundimshme. Dhe unë jam këtu, së bashku me kolegen, Ministren e Arsimit, në emër të Qeverisë, për t’ju siguruar që ne, nga garë për mbijetesë, duam t’ju nxisim që ju të bëni garë jo vetëm për mbijetesën, por për shkollimin, për përparimin tuaj, në mënyrë që, dijet që do të mësoni, të mund t’ju shërbejnë vetes tuaj, prindërve, dhe padyshim gjithë shoqërisë sonë.

Ju përgëzoj që edhe ju pranuat t’i bashkoheni nismës së 50,000 fëmijëve në të gjithë botën, nga 75 vende, për të bërë me vendin tuaj të sotshëm, të risjellim në vëmendje këtë garë të maratonomakut, garës së pafundme për jetën.

Dua të falënderoj, – padyshim është momenti sot, – organizatën Save the Children për mbështetjen që i ka dhënë programeve të fëmijëve në Shqipfillimin e garës. Personaliteti nga fusha e sportit vrapon 195 metrat e parë dhe dorëzon stafetën fëmijëve që do të vrapojnë në skuadra për rreth 3 orë ri. Ne jemi të vendosur si Qeveri për përkujdesjen maksimale për gratë shtatzëna, për nënat kur janë në periudhën që rrisin fëmijët e tyre, padyshim gjëja maksimale është ushqimi i gjirit, atë që e ka prodhuar Zoti apo natyra dhe që ne duhet ta mbështesim apo ta nxisim.

Doja t’ju ftoj të mos rreshtni së marri me aktivitete sportive, siç kjo ditë e mrekullueshme e fundit të tetorit e tregon. Shqipëria, falë Zotit, i ka këto ditë me diell, këto kushte, për të bërë më shumë aktivitet të shëndetshëm, për t’u marrë më shumë me shëndetin tuaj, për t’u marrë më shumë me ato sfida që keni sot, mësimin.

Ju faleminderit dhe përgëzime për këtë aktivitet të mrekullueshëm!

—###—

Pyetje nga fëmijët pjesëmarrës në aktivitet:

Një fëmijë nga qyteti i Gjirokastrës:

Kemi dëgjuar kohët e fundit që shëndetësia do të jetë falas. A do të realizohet kjo gjë edhe për fëmijët?

Ministri Beqaj:

Faleminderit për pyetjen. Sigurisht, që në programin e Qeverisë ne jemi të angazhuar për të ofruar kujdes shëndetësor sipas nevojës për të gjithë shqiptarët. Padyshim, që në radhë të parë, këtë gjë duhet t’ua sigurojmë fëmijëve, që janë e ardhmja, dhe për të arritur atë qëllim, që edhe nëse sot apo në të nesërmen e afërt e kemi të pamundur për ta bërë për të gjithë shtresat apo të gjithë moshat në Shqipëri, duhet t’a garantojmë për fëmijët.

Ligjërisht, edhe më parë, kujdesi shëndetësor për fëmijët ishte i ofruar falas, kështu ka qenë. Ajo që ne duam të bëjmë, sikurse u shpreh dhe znj. Helen më parë, është që shpenzimet e shëndetësisë të jenë efektive, për kujdesin e shëndetit të fëmijëvë dhe të gjithë shqiptarëve.

Pyetje nga një tjetër fëmijë:

Çdo fëmijë ka të drejtën për tu arsimuar, por për tu arsimuar ai duhet të ketë një shëndet të mirë, a na e siguroni këtë shëndet?

Ministri Beqaj:

Sigurisht, që shëndeti juaj si fëmijë, varet nga disa faktorë dhe ajo që ne jemi të vendosur të arrijmë është që, kujdesi shëndetësor për ju, ti kapërcejë barrierat që ekzistojnë sot, që janë, disa herë edhe financiare, për shkak të kushteve ekonomike të famileve ku ju jetoni.

Znj. Helen e preku në fjalën e saj dhe e tha se një pjesë e mirë e fëmijëve që kanë kujdes shëndetësor të pamjaftueshëm janë nga familje të varfra, dhe natyrisht, ky është një fenomen jo vetëm shqiptar. Padyshim, që ne duam të thyejmë dhe barrierat etniko-kulturore që ekzistojnë sot në shoqërinë shqiptare dhe jemi të vendosur që atyre grupeve që kane ende barriera ekonomike, etniko-kulturore apo gjeografike, t’i kapërcejnë këto barriera, në mënyrë që të mos varet kujdesi shëndetësor për ju nga origjina nga vini apo kushtet ekonimike të familjeve ku ju rriteni sot.

Pyetje nga një fëmijë tjetër:

Kemi disa pyetje. E para: Ne kemi një shoqen tonë, Sara, e cila nuk vjen në shkollë për shkak të sëmundjes. Nuk e dimë çfarë mund të bëni për atë vajzë apo për fëmijët që janë në këto kushte të sëmundjeve të pashërueshme.

Pyetje tjetër:

Në shkollën tonë kemi mjekë që vijnë një ditë po, një ditë jo. Si mund të veprohet për të patur mjekë në rast emergjence?

Dhe e fundit:

Në shtëpitë tona nuk e kemi kulturë që të shkojmë shpesh të mjeku, çfarë duhet bërë më shumë për ndërgjegjësimin?

Ministri Beqaj:

Për rastin e shoqes tuaj të klasës që nuk mund të vijë në shkollë për shkak të sëmundjes, do të mbajmë shënim pas këtij takimi kush është rasti konkret. Nuk e di se cili nga rastet është, por padyshim janë disa raste të evidentuara për bashkëmoshatarët tuaj që vuajnë nga sëmundje shumë të vështira, të rënda, e kanë të pamundur të vijnë të frekuentojnë shkollën, ne po përpiqemi së bashku me Ministrinë e Arsimit, të ideojmë, të skicojmë një program, bashkë me disa fëmijë të tjerë që për arsye të gjakmarrjes apo për arsye të tjera nuk arrijnë të ndjekin shkollën, t’u mundësojmë, t’u ofrojmë arsimim të shënjestruar për nevojat specifike.

Lidhur me pyetjen për prezencën e mjekut në raste urgjente në shkollë, sigurisht që Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, po merr të gjitha masat që të arrijë të mundësojë mbulim me kujdes shëndetësor për të gjitha shkollat e qytetit dhe të periferisë së Tiranës, me një minimum kohor të mjaftueshëm që t’i përgjigjet çdo rasti urgjence që ju mund të keni në shkollat e ndryshme të Tiranës dhe padyshim, këtë program do ta shtrijmë, me drejtorinë e shëndetit parësor, në të gjithë vendin.

Lidhur me pyetjen për ndërgjegjësimin, sigurisht që është një problem madhor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara. Ne kemi patur mundësi të komunikojmë me prindërit tuaj, nëpërmjet publikut, edhe gjatë këtyre javëve, jemi të vendosur që nga viti i ardhshëm të fillojmë një program depistimi masiv falas për të gjithë shqiptarët nga mosha 40-60 vjeç.

Pyetje nga një tjetër fëmijë nga qyteti i Korçës:

Në të gjithë shkollat e qytetit të Korcës nuk ka stomatolog dhe mjek. A do të bëhet e mundur të kemi sepse kemi vërtet nevojë?

Pyeja e dytë:

Në disa fshatra në Korçë nuk ka qendër shëndetësore. A mund të krijohet një qendër për ata që nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë të vizitohen në qytetin e Korcës?

Ministri Beqaj:

Lidhur me pyetjen e parë – Që të ketë stomatologë dhe mjekë në çdo shkollë, është një sfidë, e cila nuk është e lehtë për t’u arritur. Por, që të shtrijmë kujdesin e domosdoshëm dentar në të gjitha shkollat, në bashkëpunim me urdhrin e ri të stomatologëve, që do të krijojmë dhe drejtoritë e shëndetit parësor, padyshim, që do t’ju ofrojmë shërbim dhe kontrolle të vazhdueshme për shëndetin e gojës.

Lidhur me pyetjen e dytë – Sigurisht, që kujdesi shëndetësor parësor në zonat rurale është i pamjaftueshëm, diku mungojnë qendrat shëndetësore, diku mungojnë mjekët. Diku edhe ata mjekë që janë në detyrë nuk paraqiten rregullisht. Mbulimi i territorit të Shqipërisë me shërbim parësor është një sfidë që na obligon të bëjmë përpjekjet maksimale, duke filluar që me buxhetin e vitit të ardhshëm, të fillojmë programin e rimëkëmbjes së qendrave shëndetësore dhe të prezencës në mënyrë periodike të njësisë së lëvishme të mjekëve që ti ofrojnë kujdesin shëndetësor të gjithë grupmoshave dhe padyshim edhe fëmijëve.

—###—