Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 17/06/2014

Gjithçka mund të ndryshojë

Gjithçka mund të ndryshojë: Rrugë te reja në dobi të shëndetit mendor në Shqipëri

Tiranë, 17/06/2014 – Me rastin e përurimit të modelit të ri komunitar të dy shtëpive të reja të mbështetura për kujdesin ndaj çrregullimeve të shëndetit mendor pranë territorit të QSUT, Ministria e Shëndetësisë, organizoi sot (17/06/2014) Konferencën “Gjithçka mund të ndryshojë: Rrugë te reja në dobi të shëndetit mendor në Shqipëri”, në bashkëpunim me Komunitetin e Sant’ Egidio-s (Communita di Sant’ Egidio), Zyrën e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim në Shqipëri (Cooperazione Italiana allo Sviluppo) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në takimin, qëllimi i të cilit ishte evidentimi i përparësive të modelit komunitar të shtëpive të mbështetura përkundrejt modelit të spitaleve psikiatrike, si dhe ndërlidhja me të drejtat e njeriut dhe reformës në shëndetësi, morrën pjesë z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, z. Erion Veliaj, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Imzot/Mons. Vincenzo Paglia, Arqipeshkv, Kryetari i Këshilllit Papnor për Familjen, dhe z. Massimo Gaiani, Ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri, ndërkohë që ishin ftuar të merrnin pjesë ish-ministra të shëndetësisë që kanë mbështetur këtë projekt qysh prej nënshkrimit të marrëveshjes në 2009, drejtues të Ministrive të Shëndetësisë dhe asaj të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, drejtues të institucioneve të kujdesit të shëndetit mendor, përfaqësues nga Shërbimi i Psikiatrisë, QSUT, përfaqësues nga partnerët italianë (Sant’ Egidio), përfaqësues nga shoqëria civile dhe media.

Duke falënderuar përfaqësuesit e Komunitetit të Sant’ Egidio-s dhe qeverinë dhe popullin italian për ndihmën e tyre të vyer e të pakursyer, Ministri Beqaj tha midis të tjerash në fjalën e tij përshëndetëse se “këto shtëpi janë një tipologji e re shërbimi, të tipit ‘shërbime rezidenciale,’ me funksion kryesor rehabilitimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, me qëllim shmangien e hospitalizimit apo qëndrimet e zgjatura në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër.” Kështu, vazhdoi më tej ai, “ngritja dhe funksionimi i shtëpive të tilla është në përputhje të plotë me qëllimin kryesor të reformës në fushën e shëndetit mendor në Shqipëri, i cili është ngritja e një sistemi të integruar shërbimesh të shëndetit mendor për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.”

Ndërkohë, Ministri Veliaj, theksoi se 20 vite pas rënies së komunizmit shërbimet sociale multidisiplinore të modelit të Saint Egidios, në nivel komuniteti pothuajse nuk ekzistojnë, dhe aty ku ekzistojnë ofrohen ose nga organizata të shoqërisë civile, ose nga organizata shembullore me bazë besimi si Saint Egidio, ose ato të komuniteteve të tjera të besimit. “Për këtë qëllim,” tha më tej ai, “ne jemi duke ndërmarrë një reformë të gjerë të shërbimeve tona sociale, një reform që konsiston në ndërtimin e një sistemi zinxhir të integruar të shërbimeve sociale, për fëmijët dhe familjes, me orjentim forcimin e familjes dhe të komunitetit.”

Në fjalën e tij, Ambasadori Gaiani vuri në dukje se këto lloj aktivitetesh të promovuara nga Sant’ Egidio e afrojnë më tepër Shqipërinë me standardet europiane përsa i përket mbrojtjes dhe trajtimit të kujdesit ndaj shëndetit mendor, ndërkohë që theksoi se është e nëvojshme një fushatë e gjerë ndërgjegjësimi social për çështje të kujdesit ndaj shëndetit mendor. “Dua t’ju kujtoj,” vazhdoi më tej Ambasadori, “se objektivi përfundimtar i kësaj nisme që ka zgjatur në kohë dhe që sot ka arritur në njëfarë qëndrueshmërie, është bërë konkrete përmes përmirësimit të trajtimit të pacientëve psikiatrikë kronikë përmes deinstitucionalizimit sistematik, në përpjekje për të bërë riintegrimin social të këtyre individëve problematikë. Pacientët janë transferuar me sukses nga Spitali Psikiatrik i Tiranës në dy shtëpitë e mbrojtura, që janë njohur sipas një modeli të “Best  Practice” të OBSH-së.”

—###—

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencë:

Fort i nderuar Shkëlqesia Juaj, Imzot Vincenzo Paglia,

Shkëlqesia Juaj, Ambasador Gaiani,

I nderuar Kolegu Veliaj,

Të nderuar kolegë ministra,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë e veçantë që marr pjesë, dhe kam nderin të mikpres në emër të Ministrisë së Shëndetësisë një aktivitet kaq të rëndësishëm, me një titull kaq kuptimplotë: “Gjithçka mund të ndryshojë!”

Po, sot më tepër se kurrë, gjithçka mund të ndryshojë!

Ky takim, i organizuar në vigjilje të përurimit të modelit të ri të dy ‘Shtëpive-Familje’, është një dëshmi e gjallë e angazhimit tonë në vijimësi dhe vendosmërisë për ta sjellë më afër këtë ndryshim!

Kështu, për ne, strukturat shëndetësore duhet, dhe do të jenë, jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore.

Këto tetë muaj të parë të qeverisjes, kemi hedhur, tashmë, hapat e parë të ndryshimit, duke ju faktuar shqiptarëve vullnetin dhe përkushtimin për shndërrimin rrënjësor dhe përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor, në themel të së cilit, kemi vendosur solidaritetin social midis të shëndetshmëve dhe të sëmurëve.

Gjithçka mund të ndryshojë kur jetësimi i angazhimeve bazohet mbi përparësinë e padiskutueshme të vlerave të solidaritetit dhe humanizmit, të mishëruara edhe në modelin komunitar të shtëpive të mbështetura, përkundrejt atij të spitaleve psikiatrike, siç provohet qartësisht edhe nga kjo nismë e lavdërueshme.

Dhe pikërisht, përqafimi i modeleve të reja të përkujdesit në dobi të shëndetit mendor është një hap në rrugën e duhur për të sjellë më afër ndryshimin e shumëpritur.

Për këtë arsye, më lejoni të shpreh vlerësimin tim të lartë dhe mirënjohjen e thellë, jo vetëm për përkushtimin, mbështetjen e shumëanshme dhe modelin që Komuniteti juaj i Sant’ Egidio-s ka dhënë dhe po jep si institucion për mjekësinë shqiptare, por veçanërisht, edhe për nxitjen dhe edukimin e vlerave të besimit se, për ne, dhe profesionistët e shëndetësisë, mjekësia, në radhën më të parë dhe në pikën më të fundit, përpara se të jetë pajisje dhe teknika, është mision dhe pasion human.

Prandaj, puna bazuar edhe në thelbin e vlerave Kristiane për dashurinë, dhembshurinë dhe solidaritetin, i jep një përmasë shpirtërore dhe humanitare misionit tuaj, duke besuar në vlerën dhe dinjitetin e jetës njerëzore, në devotshmërinë e shërbimit ndaj njerëzve në nevojë, që përshkohet nga ndjenjat e pastra të humanizmit, dashurisë dhe solidaritetit.

Në këtë këndvështrim, më lejoni të shpreh përulësisht mirënjohjen time më të thellë dhe ngazëllimin për lajmin e porsanjoftuar nga Kryeministri Rama për vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Franceskut, më 21 shtator, si vizita e parë zyrtare e Papës së ri në Evropë, e cila mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi.

Më lejoni që, me këtë rast, të citoj pjesën përmbyllëse nga teksti i Mesazhit të Papa Françeskut për Ditën e 47-të Botërore të Paqes (1 Janar 2014), i cili thotë shprehimisht se, “çdo veprimtari duhet të shquhet nga qëndrimi shërbyes ndaj njerëzve… Si përfundim, shërbimi është shpirti i atij vëllazërimi që ndërton paqen”!

Dëshiroj të falënderoj gjithashtu, edhe Ambasador (Massimo) Gaiani-n për ndihmën e pakursyer dhe të vyer që qeveria dhe populli italian, përmes zyrës së bashkëpunimit për zhvillim, kanë dhënë në vite, dhe vazhdojnë të japin bujarisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, dhe posaçërisht për këtë nismë.

Po ashtu, dëshiroj të përfitoj nga rasti për të përshëndetur dhe falënderuar edhe kolegët e mi ministra që e kanë mbështetur realizimin e kësaj nisme për ngritjen dhe funksionimin e dy qendrave sipas modelit të shtëpive të mbështetura pranë territorit të QSUT, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunitetit të Sant’ Egidio-ACAP të nënshkruar qysh më 30 Prill 2009, për pranimin dhe riaftësimin e njerëzve me të meta mendore, e cila do të përfshihet në Sistemin Shëndetësor Kombëtar Shqiptar.

Këto “shtëpi” janë një tipologji e re shërbimi, të tipit “shërbime rezidenciale”, me funksion kryesor rehabilitimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, me qëllim shmangien e hospitalizimit apo qëndrimet e zgjatura në shërbimet e shëndetit mendor me shtretër.

Kështu, ngritja dhe funksionimi i shtëpive të tilla është në përputhje të plotë me qëllimin kryesor të reformës në fushën e shëndetit mendor në Shqipëri, i cili është ngritja e një sistemi të integruar shërbimesh të shëndetit mendor për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.

Ky sistemi i integruar i shërbimeve të shëndetit mendor nënkupton një rrjet shërbimesh në nivel rajonal, i cili i përgjigjet nevojave të popullatës që mbulon për shërbime gjithëpërfshirëse, me fokus në shërbimet komunitare.

Në këtë këndvështrim, Sant’ Egidio ka shprehur interesin për ngritjen e shtëpive të tjera të mbështetura në zonat që mbulohen nga Spitali Psikiatrik Elbasan, pra në Qarkun Elbasan dhe Qarkun Korcë, me qëllim deinstitucionalizimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor ”rezidentë” në Spitalin Psikatrik Elbasan, për t’iu bashkëlidhur ngritur gjashtë qendrave të reja komunitare për shëndetin mendor, të cilat ofrojnë shërbime për një popullsi prej rreth 700,000 banorësh, si dhe nëntë shtëpive të mbështetura, të cilat ofrojnë shërbime për rreth 100 ish-pacientë kronikë të spitaleve psikiatrike.

Qeveria ku unë bëj pjesë, është angazhuar për të ofruar një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë, ku sipas kësaj skeme asnjë individ nuk do mbetet pa kujdes shëndetësor, pse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare.

Në listën e re të barnave të rimbursueshme që miratuam për vitin 2014, përveç përmirësimit të ndjeshëm në trajtimin e një sërë nosologjish, u tregua një kujdes i veçantë edhe për trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor.

Përfitoj nga rasti për t’ju shprehur edhe njëherë mirënjohjen dhe vlerësimin tim më të lartë për punën dhe përkushtimin tuaj në vijimësi për kujdesin ndaj shëndetit mendor,

Punë të mbarë dhe suksese në punimet e kësaj konference!

Ju faleminderit!

—###—

Për informacion të mëtejshëm dhe foto të tjera nga aktiviteti, mund të konsultoni:

Faqen zyrtare në Facebook të MSH:

https://www.facebook.com/media/set/?set=a.566188830158865.1073741858.453892661388483&type=1

https://www.facebook.com/notes/ministria-e-sh%C3%ABndet%C3%ABsis%C3%AB/gjithcka-mund-t%C3%AB-ndryshoj%C3%AB-rrug%C3%AB-te-reja-n%C3%AB-dobi-t%C3%AB-sh%C3%ABndetit-mendor-n%C3%AB-shqip%C3%ABri/566191983491883

Profilin në Twitter të Ministrit Beqaj: @BeqajIlir