.

vije ndarëse

Postuar më: 16/11/2022

Hapet Spitali i ri Infektiv, Rama-Manastirliu: Investim transformues, qendër reference për sëmundjet infektive

“Me buxhetin e ri pagat e mjekëve shkojmë në 70% më shumë krahasuar me vitin 2013.
Ambicja jonë është që raportin e pagës ta çojmë 100 % në raport me pikënisjen”.
Tiranë, 16 Nëntor- U hap sot Spitali i Ri Infektiv, një investim i qeverisë shqiptare, i realizuar në kuadër të përgjigjes ndaj emergjencave shëndetësore. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shprehën se Spitali Infektvi do të kthehet në një qendër ekselence për sëmundjet infektive.
 “Nga pranvera në vjeshtë, ne e transformuam nga themelet Infektivin. Si kurrë më parë, për një vepër të këtyre përmasave dhe me këtë cilësi.
Një investim me vlerë prej 5.6 milion euro i qeverisë shqiptare për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv që tashmë do të ketë një kapacitet deri në 130 shtretër, 50 shtretër më shumë se kapacitetet e dikurshme. Spitali Infektiv do të ketë një reanimacion të dyfishuar në kapacitetet e tij. Madje mund të shkojë në 3-fish, në rastet kur do të kemi dhe mos i paçim kurrë, emergjenca shëndetësore”-tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se dimensionet e kapaciteteve dhe funksioneve të Spitalit të Ri Infektiv e kanë transformuar plotësisht, duke krijuar kushte të veçanta për ndërhyrje të rralla kirurgjikale, por edhe hapësira auditori, sipas premtimit të Paktit për Universitetit.
 “Ky është një investim transformues. Transformues sepse ka vendosur një standard të ri për shërbimin infektiv në vend; transformues sepse ridimensionon plotësisht përballjen me emergjencat e mundshme të shëndetit publik, përtej pandemisë; transformues sepse çel një epokë të re të ndërveprimit me spitalet satelite në rrethe, duke e kthyer Spitalin Infektiv në një qendër ekselence dhe reference. Nuk dua të lë këtu pa përmendur, një tjetër aspekt shumë të rëndësishëm. Spitalet tona janë dhe baza didaktike dhe të kërkimit shkencor për studentët dhe specializantët tanë, sikurse dhe e kemi premtuar Paktin për Universitetin. Mjediset që studentët do të kenë dhe janë tashmë gati edhe në këtë strukturë spitalore, me auditoriumin fantastik, me klasat e reja që kemi ndërtuar, janë një investim për brezat e ardhshëm të mjekëve, infermierëve të rinj në vendin tonë.”-u shpreh Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij theksoi mbështetjen e qeverisë në sektorin e shëndetësisë jo vetëm për nga ana e krijimit të kushteve spitalore, por në rritjen 100% të pagave të mjekëve dhe infermierëve deri në fund të mandatit qeverisës.
“Ambicja jonë është që raportin e pagës ta çojmë 100 % në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%. Me ndihmën e Zotit që mos të na sjellë ndonjë katastrofë, që të na detyrojë përsëri të spostojmë fondet, e dedikuara për qëllime të caktuara, jam i bindur që do të arrijmë ta çojmë në 100 % rritjen e pagës për të gjithë ju”- u shpreh kryeministri Edi Rama.
Rindërtimi i Spitalit Infektiv vjen në kuadër të planit të qeverisë për përballimin e emergjencave shëndetësore, me fuqizimin e kapaciteteve në sistemin spitalor dhe Planin e Masave për përgjigjien ndaj pandemisë Covid-19. Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro konsistoi në rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Investimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e Qeverisë do të vijojnë me përfundimin në fund të vitit të Spitalit të Sëmundjeve të Bredshme, faza e Dytë e Spitalit Pediatrik, rehabilitimi i Spitalit të Kardiologjisë, Psikiatrisë, Kirugjisë Plastike. Ndërsa në rrethe kantieret do të jenë nga Kukësi e Dibra, e deri në Gjirokastër, me investimet në rrjetin e qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend.