Interpelanca në Kuvend, Beqaj: Ngushtojmë hapësirat e financuesve të abuzuesve të PD
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në senacën e sotshme në Kuvendin e Shqipërisë, në përgjigje të interpelancës së thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Tiranë, 28/05/2015
Unë dua të falënderoj Opozitën që më jep edhe një herë mundësinë për të treguar përpara shqiptarëve se cila është e vërteta e barnave, e kujdesit shëndetëtsor, e korrupsionit dhe luftës kundër tij, e ndryshimeve dhe arritjeve në 20 muajt e qeverisjes së koalicionit me Edi Ramën Kryeministër.
Por, ndjej detyrim ndaj opinionit publik, që të sqaroj fillimisht për cfarë bëhet fjalë këtë rradhë.
Së pari, duke përsëritur cfarë kam deklaruar publikisht, është fjala për kontrolle të ushtruara nga organet audituese të Fondit dhe antikorrupsion të Këshillit të Ministrave.
Në jemi të angazhuar për të luftuar korrupsionin dhe për këtë kemi caktuar një koordinator kombëtar në nivel ministri.
Çfarë tha jo më larg se para dy ditësh Banka Botërore: “Sondazhi i fundit i ndërmarrjeve i IFC-së i vitit 2013 konstatonte se 85.9 përqind ndërmjet ndërmarrjeve të mesme dhe 100 përqind ndërmjet ndërmarrjeve të mëdha paguajnë para nën dorë për të siguruar kontrata qeveritare. Prevalenca e korrupsionit nxit dhe informalitetin e gjerë.“
Kjo është Shqipëria që latë në 2013.
Pra, janë strukturat audituese qeveritare që kanë gjetur se ka një skemë abuzimi që rrezikon paratë publike, konkretisht ato të rimbursimit të barnave.
Dhe ky është ndryshimi i parë midis midis qeverisjes sonë dhe asaj çfarë ju bëtë deri shtator 2013.
Skema është identifikuar, bllokuar dhe dërguar për ndjekje penale. Për sa kohë është regjistruar çështja penale, nuk mund të jap dot detaje, por mund të them janë disa farmaci të përfshira, është përdorur identiteti i rreth 100 mjekëve të Tiranës, ka dhe absurditete të tilla, si p.sh., recetë me bar për kancer prostate dhënë për një person të gjinisë femërore.
Thuhet se nuk janë kontrolluar farmacitë me shumë rimbursimi mbi 2 milionë lekë në muaj. Nuk është e vërtetë. Por ka ndryshuar mënyra e kontrollit të këtyre farmacive duke filluar nga nëntori 2014. Kjo pasi në maj 2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi se farmacitë me xhiro mbi 1,5 milionë lekë në muaj duhet kontrolluar nga një strukturë e veçantë.
Thuhet se nëse farmacitë ndërpresin kontratën, nuk mund ta rillidhin brenda 12 muajsh. Po, por kjo vlen për kontratat e zgjidhura në mënyrë të njëanëshme. Nuk ka asnjë kontratë të zgjidhur në mënyrë të njëanshme.
Megjithatë, duke qënë se termat e kontratës të përcaktuara që prej shumë vitesh linin hapësirë për mbyllje të farmacisë e për rrjedhjojë për shngie të kotrolleve dhe rihapje sikur nuk kish ndodhur asgjë, nga data 1 janar 2015, ne i ndryshuam rregullat se kur një kontratë quhet e re. Nëse deri vjet, kontratë e re konsderohej vetëm ndryshimi i drejtuesit teknik, nga 1 janar 2015, kontratë e re quhet kur ndryshon edhe NIPT-i, pra kur kemi një regjistrim të ri të të gjithë aktivitetit. Ky është ndryshimi i dytë midis nesh dhe jush.
Thuhet se vulat e mjekëve kanë bashkime gërmash që duken edhe me sy që mund të mos jenë të sakta. Për këtë arsye, që nga shkurt 2015 ka një unifikim të vulave të mjekëve të Tiranës.
Ja si kanë qënë vulat prej vitesh (shën, red., tregon shembuj vulash). Dhe ja se si janë që nga shkurti 2015 (shën, red., tregon shembuj vulash). Pikërisht, sepse kuptuam se vulat ekzistuese linin hapësirë për abuzim. Ky është ndryshimi i tretë midis nesh dhe jush.
Thuhet se kontrolloni vetëm disa e nuk kontrolloni të tjera. Kontrolli ka një metodikë dhe bazohet edhe në vlerësime risku. Për ilustrim, në farmacitë që kemi çuar në ndjekje penale, abuzimet janë bërë vetëm me tre barna citostatikë.
Thuhet se nuk ka ende asnjë masë administrative. Raporti paraprak është i datës 5 maj. Si çdo audit, ka raport paraprak, kohë që u lihet të interesuarve për observacion, si dhe kohë që hartohet raporti përfundimtar.
Por le të vijmë tek thelbi i asaj që ju shtrëngon ju të bëni sot zhurmë për këtë çështje.
E keni marrë e rimarrë çështjen e barnave sa herë që ne kemi bërë ndërhyrje radikale në tregun e barnave me qëllim kufizimin e allishverisheve, batakçillëqeve dhe prekjes së interesit publik apo të qytetarëve.
Sa më shumë ne u ngushtojmë hapësirat abuzive atyre që në vite kanë financuar fushatat tuaja elektorale, aq më agresivë bëheni.
Për mua sulmoni direkt e indirekt, në mënyrë të përsëritur. Nuk habitem. E kam pritur. Madje, edhe më shumë se kaq. Sepse nuk janë pak dhjetra milionë dollarë që nuk i kanë më financuesit tuaj.
Madje, halli i madh që ju ka zënë, ju ka detyruar të nxirrni nga goja edhe absurditete. Ju qofshi, që pranoni të thoni publikisht shprehje si “ilaçe firmato” apo “si mund të fusni një bar të lirë në listën e rimbursimit”. Megjithatë, kjo është zgjedhja juaj.
Edhe me këta financuesit tuaj ka një çudi. Se në fakt, u kishit lënë fatura të papaguara, aq sa në vjeshtë 2013 kur i latë spitalet pa barna, këta nuk pranonin të furnizonin më. Gjetëm 40 milionë dollarë borxhe. I kemi shlyer dhe ndërkohë nuk kemi krijuar borxhe të reja duke furnizuar shumë më mirë. Ky është ndryshimi i katërt midis nesh dhe jush.
Keni sulmuar në prill 2014 kur hoqëm taksën mbi sëmundjen, TVSH-në për barnat dhe shërbimet mjekësore, siç ishim angazhuar në programin qeverisës. Ju e vendosët në 2010 me pretendimin se kështu do të ulnit çmimin e barnave. Dhe çmimet në atë kohë u rritën. Nëse ju kujtohet sajuat vjet “1 prilli i ilaçeve”. Por nga heqja e TVSH-së në prill 2014 çmimet u ulën. Ky është ndryshimi i pestë midis nesh dhe jush.
Keni sulmuar në prill 2014, kur filluam proçedurat e prokurimit të barnave për nevojat spitalore 2014. Kur thyem monopolet dhe hapëm konkurencën duke i sjellë përftim të drejtpërdrejtë buxhetit dhe duke shtuar kështu furnizimin spitalor. Kursyem vjet 1,5 milion dollarë. Ky është ndryshimi i gjashtë midis nesh dhe jush.
Keni vazhduar në tetor 2014. Duke sulmuar punën e Agjencisë së Barnave (AKBPM, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore). Sepse aty nuk sundonin më finacuesit tuaj, por ligji dhe zbatimi i tij. Në shtator 2013 ne gjetëm një Qendër Kontrolli Barnash, ku kompani prestigjoze që sot rrekeni sikur i mbroni, kishin depozituar kërkesa për regjistrim barnash që në 2011 dhe në kundërshtim me ligjin nuk kishin asnjë lloj përgjigjeje. Afati për përmbylljen e regjistrimit është 6 muaj. Për ilustrim Glaxo (8 barna), Roche (6 barna) si dhe Pfizer (9 barna), si dhe barna të kompanive si Sanofi, Abbott dhe AbbVie, Janssen Cilag, Bayer, Actavis, prisnin të pluhurosura.
Sot, nuk ka më asnjë kërkesë pa përgjigje jashtë afateve të përcaktuara në ligj. Ky është ndryshimi i shtatëmidis nesh dhe jush. Janë autorizuar për tregtim dhe rinovuar për autorizim për tregtim gjatë periudhës Tetor 2013-Maj 2015 në Republikën e Shqipërisë 908 barna.
Kemi arritur të normalizojnë situatën e respektimit të afateve ligjore. Në javët e para të detyrës si ministër kam urdhëruar shqyrtimin e dokumentacionit për 304 barna, të cilat ishin të regjistruara brenda një afati shumë te shkurtër, në disa raste brenda vetëm disa ditësh, përfshirë këtu të gjitha hallkat e sistemit si Komisionin e Nomeklaturës së Barnave (sot Komisioni i Përhershëm i Barnave), Drejtorinë Farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë, duke patur parasysh që bëhet fjalë për të vlerësuar një dokumentacion voluminoz teknik për secilin bar.
Nga këto barna, 92 prej tyre dolën me probleme dhe për 87 barna iu kërkua kompanive përkatëse të plotësojnë dokumentacionin. U morrën të gjitha masat që deri në plotësimin e dokumentacionit të ndërpriteshin të gjitha procedurat administrative në Agjenci si dhe importi i tyre. Në fund të këtij procesi u çregjistruan rreth 30 barna të regjistruar në kundërshtim me legjsilacionin në fuqi. Për ilustrim barnat “Coco-scalp” dhe “Cefepime atf” janë çrregjistruar, sepse ishin regjistruar në kundërshtim me ligjin për shkak se ishin barna, të cilët nuk qarkullonin në vendin e origjinës, konkretisht në Australi. Ky është ndryshimi i tetë midis nesh dhe jush.
Keni sulmuar në janar 2015, kur u bënë publike çmimet e reja të barnave. Ne u angazhuam në programin qeverisës se në Shqipëri çmimet e barnave nuk do të jenë më të shtrenjta se në vendin e origjinës.
E nisim me hartimin dhe miratimin e legjislacionit të ri për barnat dhe materialet mejkësore në përputhje edhe me standartet dhe praktikat më të mira europiane.
Sot kemi :
– Ligjin “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”;
– Ligjin “Për pajisjet mjekësore”;
– VKM “Për përcaktimin e rregullave për lëshimin e autorizimit të Ministrit të Shëndetësisë për importin e barnave pa autorizim për tregtim”;
– VKM “Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të komisionit të çmimit të barnave”;
– VKM “Për miratimin e rregullores për dhënien e autorizimit të tregtimit të barnave e të klasifikimit të tyre në Republikën e Shqipërisë”;
– VKM “Për përcaktimin e elementëve përbërëse, mënyrës së vendosjes dhe afatit të lëshimit të pullës së kontrollit të barit”;
– VKM “Për miratimin e rregullores për parimet dhe udhëzimet e praktikës së prodhimit të mirë të barnave, për përdorim njerëzor, në Republikën e Shqipërisë”.
Ky është ndryshimi i nëntë midis nesh dhe jush.
Sot, falë këtij legjislacioni të ri dhe vendosmërisë për zbatimin rigoroz të tij, barnat janë në treg me çmime ndjeshëm më lirë se në vite. Dhe është fjala për të njëjtat barna, të të njëjtëve prodhues.
Falë heqjes së taksës mbi sëmundjen, zbatimit të marzheve të diferencuara, caktimit administrativ të tavanit të cmimit të çdo gjeneriku kundrejt origjinatorit të tij, sot, krahasuar me 2013 të njëtat barna dhe e njëta sasi i kushton shqiptarëve 70 milionë dollarë më pak. Nuk janë pak, mjaftojnë e teprojnë për të vënë në punën makinerinë e baltosjes kundër një ministri apo gjithë qeverisë.
Madje, e kishit kthyer Shqipërinë në një nga vendet më absurde në botë, ku barnat gjenerikë kushtonin më shtrenjtë se sa origjinatori përkatës.
Dhe për këtë ju akuzoj sot publikisht. Sepse e keni ditur që prej 2007-2008-s, siç ka deklaruar këtu në Kuvend në dhjetor 2010 Ridvan Bode.
Po e citoj: “E ndodhur përballë një shqetësimi të tillë, Ministria e Financave në vitet 2006 dhe 2007, ka bërë një investigim të çmimeve në tregun e brendshëm shqiptar, krahasuar me ato të tregjeve anëtare të Bashkimit Europian, ku, normalisht, çmimet e tjera të mallrave të krahasueshme janë shumë herë më të larta nga çmimet e tregut shqiptar. Ka rezultuar që, mestarisht, sipas llojit të medikamenteve dhe sipas vendeve të ndryshme me të cilët ne komunikuam dhe morëm verifikim faturash, jo thjesht testim çmimesh, dhe i çuam në vendin e origjinës për të pyetur se sa është çmimi respektivisht në këto vende me faturat që kishim në dispozicion, doli që, mesatarisht, çmimet e ilaçeve në Shqipëri ishin nga 25 % deri në 60 % më të larta sesa vendet anëtare të BE-së, për t’iu thënë se çmimi në diferencën më të madhe e krijonim pikërisht me vendet me standarde më të larta, me Suedinë…”.
Pra, e keni ditur dhe nuk keni bërë asgjë.
Pse?
Përgjigja është e thjeshtë dhe e qartë: Përfitonit nga këto para.
Nëse nuk e bëtë deri në 2009, pse nuk e bëtë kur vendosët TVSH-në?
Prandaj sot ju akuzoj se i keni marrë me të padrejtë shqiptarëve rreth 250 milionë dollarë në mandatin e dytë të qeverisjes suaj të mprapshtë.
Ky është ndryshimi i dhjetë midis nesh dhe jush. Madje në këta 20 muaj, ky është nja nga ndryshimet më të i mëdha dhe dhe më të thellë.
Ja disa nga arritjte më domethënëse në uljen e çmimeve të barnave:
Nga Novartis
Sintrom 4 mg – ulje 21 %
Diovan 80 mg – ulje 21 %
Nga Sanofi
Plavix 75 mg – ulje 43 %
Depakine 500 mg – ulje 42 %
Clexane 4000 IU – ulje 26 %
Nga Berlin-Chemie
Siofor 850 mg – ulje 43 %
Lercanil 10 mg – ulje 76 %
Eudorlin 400 mg – ulje 79 %
Berlipril 20 mg – ulje 23 %
Nga F. HOFFMAN – LA ROCHE
Dilatrend 12.5 mg – ulje 55 %
Bondronat – ulje 17 %
Nga ASTRAZENECA
Tenormin 100 mg – ulje 22 %
Casodex 50 mg – ulje 22 %
Nga BAYER
Aspirin Protect 100 mg – ulje 25 %
Adalat 60 mg – ulje 20 %
Nga ABBOT
Kreon 25000 – ulje 32 %
Klacid 500 mg – ulje 48 %
Ju citova barnat e shtëpive farmaceutike të mirënjohura botërisht.
Sulmoni që prej janarit 2015 cilësinë e barnave në treg. Po jua përsëris sfidën që ju kam bërë edhe javën e kaluar. Mos cënoni integritetin e sistemit që kemi, me të mirat e të metat e tij, për qëllime politike, pasi kur është fjala për jetë njerëzish ky është cinizëm i pashoq. Nëse keni një rast konkret deklarojeni me zë e me figurë.
Komisioni i Nomenklaturës është po ai që ka qënë prej shumë vitesh. Në vitin 2014 Agjencia e Barnave (AKBPM) ka kryer 450 analiza fiziko-kimike, kundrejt vetëm 78 të kryera në vitin 2013. Pra, 5 herë më shumë. Është monitoruar për periudhën kohore Tetor 2013 – Maj 2015 i gjithë sistemi i shpërndarjes së barnave deri te pacienti. Janë ushtruar 2404 akt-kontrolle në subjektet farmaceutike (farmaci dhe depo importuese). Janë bllokuar dhe sekuestruar barna të importuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në vlerë rreth 2,2 milionë euro. 5,5 ton barna të konfiskuara, të cilat nuk përmbushnin kushtet për cilësinë dhe sigurinë dhe që nuk ishin të pajisura me dokumentacion të rregullt, janë ndërmarrë proçedurat e nevojshme administrative për të kryer asgjësimin e tyre. Ky është ndryshimi i njëmbëdhjetë midis nesh dhe jush.
Keni sulmuar në mars 2015, në vigjilje të proçedurave të prokurimit të barnave spitalore për 2015, duke deklaruar se po largohen kompanitë prestigjoze. Asnjë kompani nuk është larguar. Barnat e Glaxo-s, p.sh., vazhdojnë të jenë në treg, sigurisht me çmime ndjeshëm më lirë se sa deri vjet. Në 14 maj 2015, Glaxo na njofton zyrtarisht për ndryshimin e përsonit të autorizuar për zyrën e përfaqësisë në Tiranë.
Vazhdoni të sulmoni edhe tani, duke sulmuar Listën e Barnave të Rimbursueshme 2015, se gjoja janë hequr barna nga Lista. Së pari, Listës së Barnave të Rimburshueshme nuk i mungon asnjë princip aktiv. Së dyti, krahasuar me 2013, janë 45 pricipe aktive të reja në dispozicion të pacientëve shqiptarë.
Me shtimin e 45 pricipeve të reja aktive dhe 85 barnave të reja kanë përfituar rreth 150 mijë qytetarë shqiptarë. Ky është ndryshimi i dymbëdhjetë midis nesh dhe jush.
Më konkretisht:
– Terapi Kardiake (11 barna të reja, përfitojnë 120,400 qytetarë)
– Onkologji (5 barna të reja, përfitojnë 1,117 qytetarë);
– Hematologji (4 barna të reja, përfitojnë 8,301 qytetarë);
– Rheumatologji (3 barna të reja, 5,510 qytetarë);
– Dermatolgji (3 barna të reja, përfitojnë 3,350 qytetarë);
– Endokrinologji (5 barna të reja, përfitojnë 2,680 qytetarë);
– Gastro-hepatologji (7 barna të reja, përfitojnë 2,307 qytetarë);
– Neurologji-Psikiatri-Kujdesit Paliativ (9 barna të reja, përfitojnë 2,275 qytetarë);
– Nefrologji-Dializë (2 barna të reja, përfitojnë 1,100 qytetarë);
– Alergologji (2 barna të reja, përfitojnë 1,020 qytetarë);
– Pneumologji (1 bar i ri, përfitojnë 1,000 qytetarë);
– Gjinekologji-Urologji (3 barna të reja, përfitojnë 750 qytetarë);
– Okulistikë (3 barna të reja, përfitojnë 430 qytetarë);
Në krahasim me listën e vitit të mëparshëm, ato alternativa që nuk janë më kanë të bëjnë me faktin që kompanitë kanë zgjedhur të mos vendosin barnat në treg, por që ne garantojmë vijimësinë e kujdesit për shëndetin e qytetarëve me formëdoza të tjera të të njëtit bar si dhe me alternativa të të njëtit princip aktiv. Në vitin 2014 kemi lëshuar 46,8 milionë pulla të sigurisë së barnave. Në 2013 janë lëshuar 41,5 milionë pulla. Pra në 2014 janë lëshuar 12% më shumë.
Edhe një herë, faleminderit që më dhatë mundësitë për të treguar se çfarë ka ndodhur me barnat në 20 muaj qeverisje. Se sa ndryshon qeverisja jonë vetëm 20 mujore me atë tuajën 8 vjeçare. Se cilat janë 11 ndryshimet e dallueshme midis nesh dhe jush.
Pas 20 muajve:
– Në treg ka më shumë principe të reja aktive;
– Në treg ka më shumë alternative të reja;
– Në spitale ka më shumë barna;
– Në treg ka konkurrencë të ndershme;
– Në treg, kundravajtësit dhe shkelësit e ligjit ndëshkohen pa dallim;
– Qeveria shlyen rregullisht detyrimet ndaj furnitorëve me barna;
– Edhe nëpunësit abuzues ndëshkohen pa dallim;
– Dhe ç’është më e rëndësishmja, shqiptarët shpenzojnë rreth 70 milionë dollar më pak për barnat krahasuar me 2013.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë reformën me barnat.
S’afërmi, në Durrës, do të fillojmë zbatimin e recetës elektronike dhe brenda vitit fillimin e zbatimit të saj në të gjithë vendin. Edhe sistemi i gjurmimit të barit (track and trace) do të fillojë të zbatohet s’afërmi. Për ketë jemi angazhuar në programin qeverisës. Të ndryshojmë plotësisht sistemin, sepse besojmë se vetëm kështu do të kemi një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë.
Në 20 muaj, kemi përmbushur edhe angazhime të tjera.
Qoftë në shërbimin parësor, qoftë në shërbimin spitalor.
Duke rritur mbulimin, zgjeruar aksesin, përmirësuar cilësinë!
Ky është drejtimi i duhur!
Pse dhe si u arritën gjithë këto?
Shpenzimet publike të shëndetëtsisë janë ende në të njëtin nivel kundejt PBB. Mjekët, infermierët, profesionistët janë po ata.
U arritën sepse së pari, 1 milion votat që morëm në 23 qershor 2013 na dhanë mandatin politik të qeverisim me vendosmëri, por edhe nga ngarkuan me detyrimin për të përmbushur dhe tejkaluar zotimet tona.
Të vetëdijshëm se kemi ende shumë për të bërë, jo vetëm në përmbushje të zotimeve programore, por edhe sepse qytetarët tanë meritojnë më shumë.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.