Intervista për Mapo: “Ilir Beqaj: Video në QSUT koincidon me negociatat për uljen e çmimit të barnave”
Në intervistën për Gazetën “MAPO”, 13/1/2015, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj shprehet se qeveria i qëndron premtimit për shëndetësi falas ose siç e quan ai, për një sistem të kujdesit shëndetësor me mbulim universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm.
“… për të njëjtën sasi barnash të tregtuar në vend më 2013, me çmimet e vitit 2015 shpenzohen të paktën 50 milionë USD më pak. Prej disa javësh jemi në një proces negociues të çmimeve të barnave në vend. Proces me ndjeshmëri jo të vogël dhe me interesa ekonomikë shumëmilionësh. Edhe ‘stuhia në gotë uji’ që fola më lart, koincidon me këtë proces…”
Beqaj thotë më tej se problemi më kryesor për të zgjidhur korrupsionin në shëndetësi ngelet përpjekja që duhet të bëjë qeveria me trupën e mjekëve dhe infermierëve. Por sipas tij, në këtë pikë “kemi një debat dhe një diskutim, që vazhdojmë ta zhvillojmë, në vlerësimin tim, në mënyrë të shëndetshme Mjekët dhe infermierët mendojnë masivisht se nuk është pagesa nën dorë problemi kryesor i shërbimit shëndetësor. Sigurisht, ata janë në të drejtën e tyre, për sa kohë, përditë shërojnë jetë njerëzish; për sa kohë, përditë japin shërbim shëndetësor.
—###—
Zoti Beqaj, rasti i fundit i videos në QSUT rinxori në pah problemet e shërbimit mjekësor. Kur kanë kaluar disa ditë, si do ta përmblidhnit ngjarjen dhe cilat pjesë të zinxhirit të rregullores së spitalit nuk kanë funksionuar?
Sigurisht që videoja e shpërndarë në ditët e para të vitit 2015 krijoi një pështjellim tek opinioni publik. Më tej u ngrit një ‘stuhi në gotë uji’. Nga analiza jonë rezultoi se vajza ka qenë në urgjencë për 150 minuta, pra nga 04:00 deri në orën 06:30 minuta. Ka një mjek urgjence që e ka ndjekur, një mjek toksikolog dhe një infermier. Janë bërë ekzaminimet dhe mjekimet. Për sa kohë që për 150 minuta është ndjerë mirë, ka bërë ekzaminimet dhe ka dalë, do të thotë që shërbimi është bërë. Në urgjencë nuk fillon proces hetimor se kush e shoqëron të sëmurin. Në urgjencë kujdesemi që i sëmuri të trajtohet siç duhet dhe kur trajtohet në urgjencë, mund t’i rrijë edhe një familjar pranë gjatë marrjes së një medikamenti të caktuar. Në përpjekje për t’i ruajtur privatësinë duke i fshehur fytyrën, postuesit e videos kishin fshehur edhe tubat e oksigjenit që vajza kishte të vendosur. Pra, vajza kishte marrë kujdes nga mjeku dhe ishte lënë nën shoqërinë e bashkëmoshatarëve, të cilët i dinin emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen, pra të njohurve të saj.
Po siguria e spitaleve publike a nuk çaloi në këtë rast? Pse në urgjencë e në ambientet e tjera spitalore ka një siguri sa për sy e faqe?
Spitalet tona kanë probleme të akumuluara në vite, përfshirë edhe çështje të rregullit të hyrje-daljeve. Në prioritetin e punëve tona, jemi përpjekur të sigurojmë furnizim të vijueshëm të spitaleve me barna, materiale mjekësore, kite e reagentë, të garantojmë funksionimin e vijueshëm të pajisjeve biomjekësore diagnostikuese. Megjithatë edhe në mjediset pritëse ka ndryshime jo të vogla, përfshirë edhe elementë të sigurisë.
Megjithë premtimet e fushatës, në spitale ka përditë dëshmi se mungojnë ilaçet bazike?
Një vlerësimin tim, perceptimi juaj është i pasaktë. Apo të paktën i përket një periudhe të kapërcyer tashmë. Ne kemi arritur të sigurojmë një furnizim të vijueshëm të spitaleve tona me barna dhe materiale mjekësore, qoftë në QSUT, qoftë në spitalet universitare, qoftë në spitalet e tjerë. Kjo provohet edhe nga volumi i shërbimit spitalor, i rritur në vitin 2014 me rreth 30 % krahasuar me vitin 2013. P.sh, urgjenca e përgjithshme në QSUT, që u përfol në videon e fillimvitit, u ka shërbyer më 2014-n, 65 mijë personave, ndërsa më 2013-n u pati shërbyer 50 mijë personave. Ndërkohë për vitin 2014, lista e barnave thelbësore për përdorim spitalor u shtua edhe me 189 barna të reja. Megjithatë ndodh që ka pacientë, e sidomos familjarë, që kërkojnë barna origjinatore ndërkohë që ne furnizohemi me barna gjenerike. Apo që në spitale bëhen edhe vizita ambulatore, për të cilat përshkruhen barna jospitalore, të cilat padyshim duhen marrë në farmaci të rimbursuara apo me para në dorë. Gjatë vitit 2014 ne kemi hasur vështirësi për të siguruar barna në sasi të vogël, për të cilat operatorët ekonomikë nuk kanë interes.
Gjatë fushatës ju keni thënë se çmimet e ilaçeve në Shqipëri do jenë sa në vendet e origjinës. Ndërkohë çmimet janë akoma të larta…
Ne kemi hyrë në një proces transformues të mënyrës së vendosjes së barnave në treg. Kemi një ligj të barnave dhe shërbimit farmaceutik që nga 31 korrik 2014. Ligji përcakton gjeografinë e origjinës së barnave, deklarimin e çmimeve çdo vit dhe krahasimin e tyre me vendin e origjinës, me pesë vende të zgjedhura si referencë (Itali, Greqi, Kroaci, Maqedoni, Serbi) dhe me çmimin e importit të periudhës më të fundit. Zbatimi i këtij mekanizmi po na sjell një situatë pozitive ku çmimet e barnave origjinatore (apo patentë siç quhen ndryshe), të jenë në treg, por për vitin 2015 mesatarisht 30% më lirë se krahasuar me shtator 2013. Më tej është përcaktuar që barnat gjenerike nuk mund të jenë mbi 80 % e çmimit të barit origjinator, pasi kishim situatë absurde në Shqipëri ku barna gjenerike ishin më të shtrenjta se origjinatori përkatës. E gjithë kjo do të sjellë që të kemi barna më të lira në treg, të shpenzojmë më pak para publike për të rimbursuar të njëjtën listë barnash, si dhe të shpenzojmë më pak për të garantuar të njëjtin furnizim në spitale. Ndërkohë, ne nuk kemi në plan të kursejmë para në shëndetësi. Kështu, në 2015 do të jemi në gjendje të rimbursojmë më shumë, të furnizojmë më bollshëm spitalet me barna, por edhe qytetarët të blejnë barna më lirë. Duke përfshirë edhe efektin e përjashtimit të barnave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për të njëjtën sasi barnash të tregtuar në vend më 2013-n me çmimet e vitit 2015 shpenzohen të paktën 50 milionë USD më pak. Unë besoj se është një arritje jo e vogël. Prej disa javësh jemi në një proces negociues të çmimeve të barnave në vend. Proces me ndjeshmëri jo të vogël dhe me interesa ekonomikë shumëmilionësh. Edhe ‘stuhia në gotë uji’ që fola më lart, koincidon me këtë proces. Të mos harrojmë se rezulton që filmimi qarkullon që nga vera e kaluar në forumet online të frekuentuara nga adoleshentët.
Premtimi juaj ishte shëndetësi falas. Ende nuk është realizuar kjo dhe opinioni pothuaj po e harron se mund të bëhet ndonjëherë?
Zotimi ynë për një sistem të kujdesit shëndetësor me mbulim universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm është programor dhe i përmbahemi. Sigurisht që është për një mandat 4-vjeçar. Deri më sot kemi zbatuar të gjitha angazhimet programore që do të na çojnë te mbulimi universal. Ilustrimi i parë është programi i kontrollit shëndetësor pa pagesë për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40–65 vjeç. Nga ky program mund të përfitojnë rreth 900 mijë vetë, pa dallim nëse janë apo jo të siguruar. Dhe, praktikisht në vitin 2014, në këtë grupmoshë janë rreth 385 mijë të siguruar në fshat e në qytet. Kjo tregon se sa të drejtë kemi kur kërkojmë mbulim universal. Sepse mbulimi universal përveçse çështje shëndeti është edhe çështje drejtësie sociale.
Shqetësimi i sistemit shëndetësor është korrupsioni, a ka ndonjë luftë kundër tij, mjekët, infermierët paguhen nën dorë, siç bënin edhe më parë. Pse nuk po shihet të vihet dorë mbi sistemin dhe jo njerëzit, siç edhe u premtua?
Pa dyshim, mbi sistemin po vihet dorë. Ne konstatuam që në mënyrë të padrejtë tek distributorët e barnave mbeteshin çdo vit të paktën 20 milionë USD, që përdoreshin për të deformuar sjelljen e mjekëve. Edhe përpjekjet rezultative për të përmirësuar furnizimin me barna dhe garantuar funksionimin e pajisjeve janë ndërhyrje në sistem. Ndërkohë, gjashtë skuadra monitoruese në 150 shërbime spitalore të vendit po punojnë që nga muaji tetor 2013, do të punojnë për 12 muaj, për të marrë informacion të përditshëm për perceptimin e publikut për shërbimin dhe korrupsionin.
Problemi, sigurisht që ngelet më kryesori, përpjekja që duhet të bëjmë bashkë me trupën e profesionistëve të shëndetësisë, sepse këtu kemi një debat dhe një diskutim që vazhdojmë ta zhvillojmë, në vlerësimin tim, në mënyrë të shëndetshme. Mjekët dhe infermierët mendojnë masivisht se nuk është pagesa nën dorë problemi kryesor i shërbimit shëndetësor. Sigurisht, ata janë në të drejtën e tyre, për sa kohë, përditë shërojnë jetë njerëzish; për sa kohë, përditë japin shërbim shëndetësor.
A e shihni zgjidhjen e rregullimit të shëndetësisë në vend tek spitalet private?
Institucionet jopublike shëndetësore ne i konsiderojmë plotësuese të ofertës që kemi për shqiptarët. Kemi bërë hapat e parë konkretë të marrjes së shërbimit edhe tek ata. Qytetarët përfitojnë pa pagesë, ndërsa institucionet jopublike paguhen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Kemi shkuar tek kontraktimi me institucionet jopublike pas një procesi kostimi, shumë të rëndësishëm për të ndryshuar mënyrën e menaxhimit të institucioneve publike, si dhe për të ndryshuar mekanizmat e financimit të kujdesit shëndetësor. Për këtë, sapo kemi filluar edhe zbatimin e projektit për vendosjen e Diagnosis Related Groups.
A mos ka ardhur koha që qeveria të rishohë strategjinë e saj për shëndetësinë falas dhe të shohë një rrugë të re, qoftë edhe me kosto financiare?
Besoj se kam dhënë më lart përgjigjen se u përmbahemi angazhimeve programore për mbulimin universal.
—###—
Burimi: Gazeta “MAPO” | Nr. 1430 | E Martë | 13/1/2015
http://www.mapo.al/2015/01/video-ne-qsut-koincidence-me-uljen-e-cmimit-te-barnave/
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.