Ministri Beqaj viziton Vatikanin: “Selia e Shenjtë dhe Shqipëria konfirmojnë bashkëpunimin në shëndetësi”
Intervista e plotë e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj me Shërbimin Shqip të Radio Vatikanit (28/10/2014)
—###—
Dom David Xhuxha: Dëgjues të nderuar, kam kënaqësinë të përshëndes Ministrin e Shëndetësisë të Shqipërisë, në studiot e Radio Vatikanit, mirëserdhët!
Ministri Beqaj: Mirë se ju gjetëm! Faleminderit për ftesën dhe mundësinë që më jepni, që nëpërmjet dëgjuesve të Radio Vatikanit, të komunikoj me publikun shqiptar dhe shqipfolës kudo që na ndjek.
Dom David Xhuxha: Zoti Ministër, është hera e parë që bëni një vizitë zyrtare në Vatikan, keni patur kontakte të rëndësishme?
Ministri Beqaj: Po, në fakt, është vizita ime e parë që bëj në Vatikan, në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë. Unë jam në Romë për një konferencë të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë e Italisë për të gjithë ministrat e shëndetësisë të Mesdheut. Por, e quajtëm shumë të vlefshme dhe të frytshme, që të organizojmë një vizitë zyrtare në Vatikan, pas kontakteve shumë të mira që vendosëm me drejtues të lartë, – kryesisht të aspektit shëndetësor, – të Vatikanit, në përgatitje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.
Sot jam takuar fillimisht me Presidentit të Pontificio Consiglio Pastorale degli Laboratori Sanitari (President i Këshillit Papnor të Punonjësve të Shëndetësisë), pra, me Mons. (Zygmunt) Zimowski-n, i cili ndjek gjithë aspektin sanitar të institucioneve të Kishës Katolike.
Dom David Xhuxha: Pra në një farë mënyre, me homologun tuaj…?
Ministri Beqaj: Nëse do të shpreheshim kështu, është figura më e lartë e shëndetësisë në Selinë e Shenjtë, – për të diskutuar mundësitë, për të zgjeruar bashkëpunimin që ekziston në fakt, midis Shqipërisë dhe Vatikanit.
Edhe në fushën e shëndetësisë ekziston një eksperiencë shumë e mire këto 24 vjet. Unë gjeta mundësinë të falenderoj për gjithë përpjekjet dhe ndihmën që ka dhënë Selia e Shenjtë, për të zhvilluar kujdesin shëndetësor në Shqipëri, por edhe kujdesin shëndetësor që i është dhënë pacientëve shqiptarë, fëmijë apo të rritur, në institucione shëndetësore të Kishës Katolike.
Diskutuam si mund të shkojmë përpara, së pari, me tre marrëveshjet që ne kemi sot midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore të Vatikanit, këtu në Itali, siç është Spitali “Bambino Gesù”.
Dom David Xhuxha: Spitali pediatrik që është i njohur në botë…
Ministri Beqaj: Po, në gjithë botën, ku sapo pata një takim pune; pastaj, me qendrën shëndetësore “Casa Sollievo della Sofferenza” dhe gjithashtu edhe me qendrën tjetër shëndetësore që keni, që është PoliklinikaGemelli.
Gjithashtu, pata një takim edhe me Kardinal Versaldi-n, i cili përveç funksioneve të tij që ka, – le të themi, nëse do të shpreheshim nga pikëpamja e diskatereve të ekonomisë apo të financës, -është edhe i ngarkuar nga Papa për të ndjekur në veçanti projektin e Universitetit të “Zojës së Këshillit të Mirë” në Tiranë dhe të spitalit që duhet të ngrihet atje.
Dom David Xhuxha: Ky universitet në Tiranë, – për gjithë dëgjuesit tanë, për gjithë shqiptarët, – kujtojmë se ka një fushë të rëndësishme në aspektin e shëndetësisë dhe të formimit të personelit.
Ministri Beqaj: Është një qendër shumë e rëndësishme universitare, fillimisht e krijuar për të formuar mjekë, por tani edhe në fusha të tjera. Por, që do të duhet të plotësohet edhe me një spital, sepse formimi universitar i mjekëve pa një spital bëhet shumë i vështirë.
Kanë kaluar disa vite, që kur ka filluar ky projekt dhe unë i rikërkova, edhe në emër të Qeverisë shqiptare Kardinal Versald-it , që të shtyjmë bashkëpunimin më përpara, në mënyrë që sa më parë, edhe ky spital të plotësohet, qoftë për nevojat që ka për formimin universitar, por edhe për të rritur numrin e institucioneve të specializuara spitalore shëndetësore në Shqipëri, si të thuash, për të rritur edhe ofertën që ofrohet për kujdes spitalor në Shqipëri.
Dom David Xhuxha: Zoti Ministër, çfarë përshtypjesh ju patët nga kontaktet me Klerin e Kishës Katolike për çështjen e shëndetësisë, për shëndetin? Një institucion fetar, siç është Kisha Katolike, ofron kontribut pikërisht në një segment jashtëzakonisht të ndjeshëm të popullsisë, që është shëndeti.
Ministri Beqaj: Unë besoj se vetë Kisha Katolike, me funksionet dhe qëllimet e saj primare në të gjithë historinë e saj, i ka dhënë pjesës civile të shoqërisë, dy kontribute shumë të vyera: Në edukim dhe në shëndetësi. Dhe pa dyshim, nuk mund të ndodhte ndryshe as në Shqipëri.
Pra, vërtet është institucion religjioz, por pjesa e saj shëndetësore është shumë e avancuar. Për shembull, mjafton të përmendim që, ekziston një Fondacion i Spitaleve Katolike në botë, ku janë 150 spitale, apo të themi që në Shtetet e Bashkuara, rreth 1/6 e spitaleve janë katolike, kjo tregon që ka një përvojë dhe një numër shumë të madh organizatash dhe organizmash shëndetësore, që edhe komunikojnë dhe japin me njëri-tjetrin, në mënyrë që të përmirësojnë kujdesin shëndetësor për qytetarët e gjithë botës.
Dhe, besoj se kjo është një mundësi që, edhe ne si Shqipëri, apo edhe unë si Ministër Shëndetësie, të mund të përfitojmë në këtë pikëpamje. Për të mos thënë pastaj, që edhe vetë shërbëtorët e Kishës, janë njerëzit më të parë që janë prezent përballë të gjitha vuajtjeve dhe sfidave. Mjafton të themi që, i pari qytetar europian, që shkoi në fatalitet të jetës nga Ebola, ishte një prift misionar, i cili shërbente në Afrikë.
Dom David Xhuxha: Zoti Ministër, ekziston siç thatë ju më parë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, edhe fushën e shëndetësisë. Është çuar përpara kjo përvojë apo është zbatuar ajo marrëveshje në një farë forme apo ende duhet kultivuar?
Ministri Beqaj: Ka patur zbatime të mira, por unë mora sot konfirmimin e autoriteteve të larta që takova, që jemi të dyja palët të interesuar për t’i shtyrë përpara; qoftë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët shqiptarë që mund të vijnë këtu; qoftë të transferimit të njohurive dijeve, duke ardhur mjekë nga këto spitale në Shqipëri, duke na ndihmuar ne me protokolle të reja, me teknika të reja. Por, edhe duke ardhur këtu, për periudha afatshkurtra, mjekë shqiptarë, infermierë shqiptarë, për t’u formuar në periudha të shkurtra të trajnimit, që kryhet në punë e sipër.
Dom David Xhuxha: Cilat janë sfidat më të mëdha që ka Ministria e Shëndetësisë në terren, në Shqipëri tani?
Ministri Beqaj: Unë besoj se kemi dy sfida kryesore, të cilat unë nuk i ndaj nga njëra-tjetra në punën time të përditshme.
Së pari, padyshim, është përmirësimi i kujdesit shëndetësor për pacientët shqiptarë, jo vetëm në cilësi, por edhe për së gjeri. Ne kemi sot një problem themelor të Shëndetësisë në Shqipëri: Më shumë se gjysmën e shpenzimeve për shëndetësinë, qytetarët e krijojnë nga xhepi i tyre, gjë që krijon një barrë shumë të madhe për ta dhe që pa dyshim, këtë barrë e ndjejnë shumë më të rëndë, ata që janë më të varfër apo njerëz që në rast sëmundje, rrezikojnë të bien në varfëri. Pra, ne duhet ta zgjerojmë mbulimin në shëndetësi, por duhet të zgjerojmë edhe aksesin. Ne vërtet jemi një vend i vogël, por ende kemi barriera jo vetëm financiare për akses në shëndetësi, por edhe kulturore, por edhe gjeografike, distance.
Së dyti, për fat të keq, shëndetësia, – ajo publike, – në Shqipëri së bashku me drejtësinë, perceptohet si një nga sektorët më të korruptuar. Që do të thotë, në punën e përditshme, për të përmirësuar kujdesin, sfida jonë në ministri, është që të rrëzojmë këtë perceptim; të zvogëlojmë korrupsionin në shëndetësi, i cili për sa kohë perceptohet, – dhe nuk është gjë e lehtë, sepse sistemi e ka këtë element korruptiv, mitmarrje, dhënie parash nën dorë në mënyrë të padrejtë në të gjithë kapilaritetin e tij.
Dhe kështu, besoj se, duke përmirësuar kujdesin shëndetësor, duke pakësuar korrupsionin, do të risjellim besimin e qytetarëve shqiptarë tek e mira publike.
Dom David Xhuxha: Duhet t’i bëjmë thirrje ndërgjegjeve të gjithë personelit mjekësor, sepse është një element që prek thellë dinjitetin e vetë pacientëve.
Ministri Beqaj: Duhet t’i bëjmë thirrje patjetër ndërgjegjes së profesionistëve të shëndetësisë, por sigurisht duhet të marrim edhe masa të tjera paralele, sidomos për të dalluar të rregulltin nga i parregullti, sepse për fat të keq, – edhe pse në shëndetësinë shqiptare shpëtohen jetë, bëhen me të vërtetë mrekulli, sidomos në kushtet që jemi, – fakti që herë pas here, ndodhin këto fenomene, e bëjnë pis atë çfarë ndodh në shëndetësi dhe imazhin e bluzave të bardha.
Dom David Xhuxha: Me shpresë që këto fjalë të Ministrit do të gjejnë vend në zemrën dhe mendjen e atyre që merren me këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët, doja të kaloja në një argument tjetër.
E përmendët vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, çfarë kujtoni ju nga ajo ngjarje e madhe historike?
Ministri Beqaj: Unë do ta quaja atë ditë, të gjithën një ditë të mrekullueshme. Dhe, besoj se, përveç mikpritjes shqiptare, – që është një gjë e hershme në Shqipëri, – nëse dikush do të merrte dhe do të shikonte në televizion imazhet e dy vizitave të fundit të Papëve në Shqipëri, – të Papës Wojtyla në ’93 dhe të Papës Françesku në 2014, – dhe mund të shohë sa ka ndryshuar Shqipëria.
Boll të shikosh imazhet televizive, do të shohë se ne jemi po aq zemërmirë; po aq mikpritës, po të paktën, pas 21 vjetësh, dimë të bëjmë gjëra më mirë. Ndërkohë, përveç këtij aspekti, perceptimi njerëzor, ka qenë një ditë e sikletshme, pasi kisha përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, që i gjithë aktiviteti, – nga pikëpamja shëndetësore, – të shkonte sa më mirë.
Dhe jo vetëm thjesht për pjesën e delegacionit papal, por edhe për turmën e madhe të njerëzve, sepse duhet të pranojmë që ne, ende në Shqipëri, nuk kemi një eksperiencë shumë të mirë për të administruar një grup aq të madh njerëzish, – sidomos njerëz të ardhur nga larg që në mëngjes, – dhe fakti që shpejt, për arsye normale, administrimi dhe sigurie, edhe trafiku, në një zonë të madhe të Tiranës, u kufizua.
Por, për fat të mirë, edhe njëherë, dita ishte vërtet e mrekullueshme. Unë kam komunikuar me kolegen time, Ministren e Kulturës, e deri në darkë vonë, dhe i thashë: “Të lutem, do më thuash, që kur avioni i Papës të ulet në (Aeroportin) Fiumicino a Ciampino, ne si shqiptarë, e kemi mbaruar detyrën tonë dhe mund të jemi shumë më të lehtësuar”.
Dom David Xhuxha: Mendoj, do të vazhdojë një mision tjetër, nga ato fjalë që Papa ja drejtoi në mënyrë shumë të përzemërt, të drejtpërdrejtë e të sinqertë popullit të dashur shqiptar, popullit fisnik siç e quajti, me respekt e nderim, e falenderoi dhe përgëzoi për bashkëjetësën vëllazërore ndërmjet besimeve, por edhe për çuarjen përpara të vlerave që janë të panegociueshme.
Ministri Beqaj: Sigurisht, mesazhet e Papës ishin shumë të rëndësishme; ishin konfirmimi i atyre vlerave, që ndoshta ne shqiptarët i kemi paksa të fjetura në vetvetë. Për fat të keq, nuk arrijmë t’i tregojmë përditë pak nga pak, por i tregojmë në raste të veçanta, në mënyrë shumë të dukshme dhe shumë mirë.
Mesazhet e Papës ishin të rëndësishme, – besoj unë, – jo vetëm për ne që ishim aty, ishin mesazhe të rëndësishme për rajonin, për kudo ku jetojnë shqiptarë, por edhe në kontekstin e shqetësimeve që kalon bota e sotme moderne, lidhur me kërcënimet e ndryshme, të cilat në një farë mënyrë, përpiqen të shfrytëzojnë sfidat që ka bota e sotme, si: pabarazia, mungesa e demokracisë, varfëria; për t’i futur në një shtrat paksa ekstremist dhe religjioz, dhe për të vënë përballë njëri-tjetrit kultura apo popuj të ndryshëm.
Sigurisht, që ne jemi një shembull shumë i mirë i bashkëjetesës së personave nga fe të ndryshme. Në jetën e përditshme e ndjejmë, e gëzojmë dhe e shijojmë këtë gjë; qoftë se si këmbejmë me njëri-tjetrin në festa fetare të ndryshme; apo se si festojmë së bashku gëzimet e jetës sonë të përditshme. Për ne ishte edhe një ngjarje e madhe, dhe politike padyshim, por edhe për vendin ishte një ngjarje e madhe sociale dhe ekonomike.
Unë besoj se, është publiciteti më i mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë, vizita e Papës, organizimi i saj i suksesshëm, se sa përpjekjet që mund të bësh në agjenci të mëdha botërore reklamash, apo të dalësh në CNN apo televizionet e mëdha botërore.
Por, ajo që mua më ka mbetur në mendje nga çfarë tha Papa, është që: “Shqiponja vërtet fluturon lart, por gjithmonë kthehet në çerdhen e zogjve të vet!”
Është një mesazh që dua ta ndaj sot me ju dhe me të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe kudo që po na dëgjojnë tani.
Dom David Xhuxha: Unë ju falenderoj, ju uroj punë të frytshme dhe të mbarë në fushën jashtëzakonisht të rëmdësishme dhe të ndjeshme për qytetarët, që i drejtohen institucioneve shëndetësore publike në Shqipëri, por edhe atyre private, që gjejnë një pritje vëllazërore; edhe rekuperimin e forcave fizike, që trupi e shpirti të jenë në atë gjendje që t’i shërbejnë të mirës së përbashkët.
Ministri Beqaj: Unë ju falenderoj dhe është vërtet në fakt sfidë, sepse, unë besoj se institucionet shëndetësore nuk duhet të jenë vetëm qendra ku njerëzit mjekohen, por qendra ku shoqëria ngjiz solidaritetin e vet.
Kështu që, edhe njëherë ju falenderoj për mundësitë që më dhatë, për të vizituar Radio Vatikanin, për të dhënë intervistën në Radio Vatikan dhe sidomos për faktin që studio ku jemi, me emrin e “Karol Wojtyla”, përkon me atë të Papës Gjon Pali i II-të, sepse përpara se ai të bëhej Papë, ai këtu vetë, në vitet ’70, transmetonte lajmet.
Dhe padyshim, është ngjarje shumë e shënuar, mesazhi i parë që Papa Wojtyla u dha shqiptarëve kur erdhi e dha një meshë në Puglia, në fund të ’89, apo në fillim të ’90, ku i’u drejtua anës tjetër për vëllezërit shqiptarë dhe ndoshta prej aty, filluan edhe ndryshimet e mëdha, të cilat sot, sidomos brezat e rinj, i çmojnë dhe në një farë mënyre, përfitojnë frytet e atyre ndryshimeve.
Edhe njëherë faleminderit!
Dom David Xhuxha: Faleminderit prej jush, punë të mbarë!
—###—
Për foto të tjera nga takimet në Vatikan, ju lutem konsultoni:
Facebook: https://www.facebook.com/media/set/?set=a.632191986891882.1073741878.453892661388483&type=3
Twitter: @BeqajIlir
Gjithashtu, këtu do të gjeni link-un me intervistën e plotë të Ministrit Beqaj për Radio Vatikanin:
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.