Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 08/03/2015

Intervistë e Ministrit Beqaj për gazetën “Illyria”

Intervistë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për gazetën “Illyria” e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës | 8 mars 2015

Bisedoi: Denion Ndrenika

 

[PJESA 1] Beqaj: Personeli mjekësor patjetër në testim, bëjmë reforma e shëndetësi falas

Bisedoi: Denion Ndrenika

– Denion Ndrenika: Zoti ministër, faleminderit që gjetët kohën për të biseduar me gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

-Ilir Beqaj: “Faleminderit për kërkesën për të biseduar nëpërmjet jush me lexuesit në SHBA”.

– Denion Ndrenika: Zoti Beqaj, mjekët kanë nevojë për testim apo për formim? Përfshi edhe çështjen e krediteve. Çfarë do të ndodhë me ata që nuk do t’i marrin kreditet? Lirohet vendi i punës? Ngjashëm, të përdorim të njejtën pyetje, edhe për infermierët. Ka disa studentë që hynë në grevë. Ka lidhje kjo me një shqetësim ndoshta në rritje për shumëkënd?

-Ilir Beqaj: “Atëherë, po e fillojmë nga fundi. Greva e studentëve të infermierisë nuk ka lidhje me kujdesin shëndetësor.

Ajo është një çështje e arsimit të lartë. Sigurisht që unë e ndjek edhe atë me shqetësim për angazhimin politik, për prezencën në qeveri.

Lidhur me çështjet e formimit profesional, rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, e certifikimit të krediteve të testimit. Le t’i ndajmë për momentin testimin nga procesi i edukimit në vazhdim. Apo, sidomos nga cikli 5-vjeçar, i cili sapo ka përfunduar në dhjetor të 2014-ës.

Ajo çfarë kemi sot, është që 1/3 e trupës së mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet.

Ata që kanë zero kredite, pra që nuk kanë bërë asnjë përpjekje, do të duhet të njoftohen urdhërat e profesionistëve (Urdhëri i Mjekut, Urdhëri i Farmacistit. v.j.),. që të marrin masa në bllokimin e cerfifikatës së ushtrimit të profesionit.

Për ata që punojnë në institucione publike do t’u shpallet vakant vendi i punës. Ndërsa, për ata mjekë që kanë 1-149 kredite apo stomatologë dhe farmacistë 1-99 kredite, do t’u ofrojmë mundësinë që brenda 15 tetorit të mund të rijapin provimin për të ricertifikuar dëshminë e ushtrimit të profesionit të tyre”.

– Denion Ndrenika: Ku jeni me projektin për shëndetësi falas dhe reforma? Po e quajmë “premtim”, për arsye se ka zëra që thonë se nuk ka falas, pra vetëm falas nuk është. Ka diçka, ka hapa në këtë?

-Ilir Beqaj: “Sigurisht që angazhimi ynë kryesor programor është mbulimi universal i financuar nga taksimi i pëgjithshëm. Që, do të thotë se është një shërbim që ofrohet pa pagesë për ata që kanë nevojë në vendin ku ofrohet shërbimi. Nëse mund të shprehem “free at the point of delivery”.

Po sigurisht që kushton!

Derisa themi që financohet nga taksimi i përgjithshëm, faturën konkrete e paguajmë nga taksimi i përgjithshëm ku kontribuojmë të gjithë sipas një sistemi fiskal që kemi në Shqipëri dhe ai që ka nevojë ta marrë, do ta marrë pa pagesë.

Sigurisht që na duhet të reformojmë edhe cilësinë e shërbimit që ofrojmë. Sepse, nuk mjafton të thuhet që është pa pagesë dhe pastaj në qendrën mjekësore mungon bari, materiali mjekësor, pajisja ekzaminuese, mjeku që duhet, apo është pa pagesë, por barriera gjeografike është e tillë që prapë është kosto për kujdesin shëndetësor.

Në këtë kompleks edhe po ravijëzojmë ndërhyrjen tonë. Por, elementët e parë të zbatimit të programit tonë kanë filluar. Për shembull, programi shëndetësor, programi i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë, 45 vjeç-65 vjeç ka filluar të zbatohet. Ai është falas për këdo që jeton në Shqipëri.

Dhe, jo vetëm kaq. Por, këtu kemi një qasje të re, sepse nuk merremi me pacientin, por merremi me të shëndetëshmin. E ftojmë një herë në vit të vijë të kontrollohet pa qenë i sëmurë, pa patur shqetësim. Pse? Sepse, të dhënat tregojnë që në atë moshë fillojnë të shfaqen sëmundejet dhe sa më shpejt t’i zbulojmë aq më mirë është për individin, për familjen, për shoqërinë por edhe për sistemin shëndetësor vetë”.

– Denion Ndrenika: Keni përgjigje zoti ministër (do t’i lexoj këto) për vërejtjet e Bankës Botërore që miratoi 32,1 milionë euro kredi se shëndetësia vuan nga mungesa e efikasitetit dhe nga pabarazitë; Se, shpenzimet nga xhepi të pacientëve përbëjnë mbi gjysmën; Se pagesat nën dorë mbeten të zakonshme, sidomos në spitalet publike; Se, vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore dhe se shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë?

-Ilir Beqaj: “A mund t’i marrim një nga një ju lutem, sepse nuk i mbaj mend të gjitha”?

– Denion Ndrenika: Patjetër! Mund të mbani edhe fletën.

-Ilir Beqaj: “Atëherë, sigurisht që këto që thotë Banka Botërore këtu janë të vërteta.

Që, do të thotë se më shumë se gjysmën e shpenzimit të kujdesit shëndetësor ne e paguajmë direkt vetë.

Që ka pagesa nën dorë në Shqipëri apo ai që quhet “korrupsion”, “rryshfet” etj., etj., edhe kjo është e vërtetë.

Që, shumë njerëz në moshë pune ngaqë nuk kanë punë, nuk kanë sigurime shëndetësore, janë të përjashtuar dhe do të duhet ta paguajnë vetë, edhe kjo është e vërtetë.

Dhe, besoj se po t’i kthehemi diskutimeve të përpara pak kohëve, kanë qenë argumentat kryesore të artikuluara edhe nga ne kur ishim në opozitë, kur thamë se përse duhet të shkojmë drejt mbulimit universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm?

Sepse, po e përsëris që ne e quajmë shëndetin një të drejtë publike, një të mirë publike dhe si e tillë nuk mund t’i lihet asaj që kush ka parà e përfiton kujdesin, e kush s’ka parà s’e përfiton!

Nga ana tjetër, unë besoj se programi ynë i shëndetësisë dhe puna që po bëjmë, edhe për të përmirësuar efikasitetin, e bind Bankën Botërore që pranon të hyjë me një financim të tillë në sistemin shëndetësor.

Besoj se sigurisht që ne kemi nevojë për këtë investim. Javën tjetër miratojmë në Kuvend një kredi 16 milionë euro, plus 1,5 milionë euro grant nga Banka e Këshillit të Europës që bashkë me 7 milionë euro të Buxhetit të Shtetit janë prapë për QSUT-në, rreth 24,7 miliionë euro dhe të gjitha këto janë ndërhyrje që i ka të domosdoshme shëndetësia shqiptare.

Ka nevojë edhe për më shumë, por edhe tavanet apo kufizimet e marrjes së huave në kuadrin e përgjithshëm të vendit, nuk na lënë që të lënë që të vazhdojmë me shumë investime edhe më shpejt.

Kjo është një nga arsyet, që më lejoni të bëj një parantezë; që ne po përpiqemi ta shfrytëzojmë shumë partneritetit publik-privat për disa ndërhyrje në shëndetësi, sepse ashtu jemi në gjendje që mund të thithim më shpejt investime të domosdoshme financiare dhe pastaj t’i shlyejmë në kohë.

Kështu që besoj që edhe këto investime do të ndihmojnë që ta fuqizojmë dhe të ecim me më shumë shpejtësi brenda kantierit të shëndetësisë për të reformuar radikalisht edhe cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrojmë”.

– Denion Ndrenika: Thatë se do të ndërhyni me ligj po të jetë e nevojshme, nëse e humbisni çështjen e testimit të infermierëve në themel, pra edhe pas pezullimit nga Gjykata Administrative. Mendoni zoti ministër se është zgjidhja e duhur gjithmonë?

-Ilir Beqaj: “Po, nëse gjykata do të çmojë që aktet e deritanishme janë të pambështetura në ligj, sigurisht që do të duhet të bëjmë një reflektim për të parë se kush është korniza ligjore e re që duhet të rregullojmë këtë proces”.

– Denion Ndrenika: Nuk mendoni se bie poshtë puna akademike, arsimimi 10 apo 15 vjeçar i mjekëve në rast të testimit? A ka ndonjë shpjegim që trupa akademike në përgjithësi, rektoratet të themi të mos ndihen “të fyer”?

-Ilir Beqaj: “Së pari, po e nis nga kjo e fundit. Ne kemi thënë që ata, ai personel mjekësor që është staf i institucioneve universitare nuk është pjesë e testimit.

Së dyti, në botën e sotme, edhe në mjekësi, ajo çka mësohet në shkollë nuk vlen më shumë se 10 vjet.

Po të mbaroje shkollën në vitet ‘60 të vlente për të gjithë jetën, kurse sot dijet duhen rifreskuar.

Ne jemi të vetëdijshëm që mjekët dhe infermierët sidomos në sektorin publik e kanë pothuajse të pamundur që të investojnë nga paga e tyre mujore apo buxheti familjar për t’u trajnuar.

Besoj që është e domosdoshme që duhet të shpenzojmë parà publike edhe për formimin e tyre profesional.

Për këtë qëllim duam të kemi një vlerësim sa më të mirë të situatës konkrete, të njohurive që u mungojnë, në mënyrë që t’u plotësojmë në mënyrë sa më shpejtë dhe sa më efikase”.

Burimi: http://tinyurl.com/ov2a7ft

—###—

 

[PJESA 2] Beqaj: S’ka ndikim politik në tregun e barnave, as nga Tahiri, as nga Doshi

– Denion Ndrenika: Cila është gjendja e barnave në tregun gjithshqiptar? Natyrisht edhe pas një shqetësimi të disa javëve më parë për atë që u quajt “bllokadë” e barnave të Kosovës?

-Ilir Beqaj: “Po, ka një çështje që në gjykimin tim, nuk është se ne kemi një bllokadë për Kosovën.

Në ligjin e ri të barnave ne kemi një dispozitë që kërkon që për barnat e prodhuar në Ballkan, domethënë në Kosovë, në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, mund të vendosen në treg në Shqipëri të regjistrohen nëse janë të regjistruar edhe në një vend tjetër të Bashkimit Europian.

Dhe, kjo është bërë me synimin për të rritur edhe më shumë sigurinë dhe garancinë e barnave që vendosen në treg me vlerësimin që sigurisht në momentin që një bar është prezent në një vend të Bashkimit Europian, atëherë kemi edhe më shumë siguri.

Sepse, le të themi nëse një bar nga Serbia, Kosova, Maqedonia është edhe në Bullgari apo në Kroaci, atëherë është në një vend të Bashkimit Europian dhe nuk po themi të jetë deri në Suedi, në Francë apo Angli, atëherë le të vijë edhe në Shqipëri”.

– Denion Ndrenika: Çfarë ndodh me barnat kancerogjenë, për sëmundjet tumoriale, ndoshta për lejimin e “Vidatoxit” (bar kubanez me helm akrepi që shitet në Shqipëri. v.j.) që është i ndaluar në vendet e Bashkimin Europian dhe për ankesat dhe denoncimet për abuzime deri në humbje jete?

-Ilir Beqaj: “Atëherë, po nisemi nga ky rasti i fundit. Nuk ka raste të humbjes së jetës sipas akuzave publike që tashmë janë bërë.

Janë të provuara tashmë që barnat që janë përdorur kanë qenë të importuara në bazë të një zinxhiri normal të importit dhe tregtimit të barnave.

Së dyti, sigurisht ende sëmundjet tumoriale janë një betejë jo e fituar në shëndetësinë tonë, por jo vetëm në Shqipëri dhe përfundojnë me fatalitet.

Të dhënat kryesore tregojnë që përdorimi i barnave zgjat jetën, por nuk arrin në ndonjë shërim, edhe sepse ne për fat të keq ende e zbulojmë në një stad shumë të avancuar kancerin.

Nëse do të krahasonim 2014 me 2013 ne kemi bërë ndryshime të qenësishme në furnizimin me barna dhe sidomos për shërbimin tonë onkologjik.

Ka shumë më tepër barna që janë furnizuar në spital për këto sëmundje. Kemi përfshirë në listën e rimbursimit. Por, sigurisht që jemi të vetëdijshëm që na duhet punë për të përballuar sfidën që vjen nga sëmundjet tumoriale.

Janë grupi i dytë i sëmundjeve në Shqipëri që shkaktojnë edhe humbje jete, edhe invaliditet.

Po e përsëris, që ne e zbulojmë në stad të avancuar. Po punojmë edhe në parandalim. Kemi bërë vitin e kaluar aktivitete të mira për kancerin e gjirit. Sot që ne flasim dhe në vijimësi dy mamografë mobilë janë nëpër Shqipëri në zona pak më periferike për të ofruar atje ekzaminime falas parandaluese për gratë dhe do të vazhdojmë edhe këtë vit.

Investime të tjera po bëjmë me instalimin dhe vënien në punë brenda vjeshtës të akseleratorit linear në mënyrë që edhe radioterapia moderne të jetë prezente në spitalet tona publike”.

– Denion Ndrenika: “Vidatoxi”?

-Ilir Beqaj: “Po, “Vidatox”-i është një preparat, i cili nuk është bar i regjistruar në Shqipëri. Nuk hyn në regjimin e administrimit të barnave.

Në gjykimin tonë tregtohet si një mall tjetër, por autoritetet shëndetësore kanë tagër të ndërhynë në në rregullat e tregtimit të barnave.

Përsa kohë ne nuk e çmojmë si bar të regjistruar në Shqipëri, ai tregtohet si një mall dhe hyn në një tjetër regjim se si administrohet”.

– Denion Ndrenika: Po merrni masa për të ndalur, për të penguar interesat e mundshme apo ndikimet në tregun e barnave që mund të kenë lidhje me deputetë dhe ministra, apo ish-deputetë dhe ish-ministra, biznese të lidhura me politikën, duke nisur që nga prodhimi, magazimi dhe shpërndarja e tyre?

-Ilir Beqaj: “Nuk më duket se ka sot ndikime të drejtpërdrejta. Nuk konstatoj nga deputetë apo ish-deputetë.

Sigurisht që tregu i barnave është një treg i veçantë, është një treg i rregulluar nga pikëpamja e çmimit.

Që, do të thotë se negociohet midis shtetit dhe importuesve dhe prodhuesve për çmimin e barit.

Mbi të ka marzhe që përcaktohen po nga qeveria. Por, nga ana tjetër sigurisht që është një treg specifik në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Me interesa të mëdha.

Unë besoj se përpjekjet e bëra nga ne në këta 18 muaj po japin fryte konkrete reale për të përmbushur angazhimin që kemi marrë që në fillim, që barnat në Shqipëri nuk duhet të kushtojnë më shumë se sa në vendet e origjinës ku ku ato prodhohen.

Dhe, besoj se qoftë ligji i ri i barnave i miratuar në 31 korrik, qoftë aktet e tjera të nxjerra nga qeveria, qoftë procesi i negociimit që ne zhvilluam në fund të vitit, ka bërë që ne të kemi në treg barna me çmime shumë më të ulëta. Flas për të njejtat barna dhe jo vetëm për futje të alterantivave të reja, për zgjerim të hapësirës për barna gjenerikë, por edhe për barna origjinatorë apo “barna patentë” të të njejtëve prodhues.

Nga dhjetori 2014 në janar 2015 kemi ulje të ndjeshme të çmimeve. Sa, unë do të thoja që nëse do të duam të blejmë me çmime të 2015-ës barnat që janë konsumuar në Shqipëri në 2013, shqiptarëve sot për barnat që blihen nëpër spitale, për barnat që janë në listën e rimbursimit (pra barnat që merren falas nga lista), për barnat që bashkëpaguhen nga lista e rimbursimit apo për barnat që njerëzit i blejnë me parà në dorë, (shqiptarët) këtë vit do të harxhonin rreth 40 milionë dollarë më pak”.

– Denion Ndrenika: Jua bëra këtë pyetje zoti ministër, natyrisht jo si akuzë, por për të kujtuar që ish-ministrat Halim Kosova apo Tritan Shehu (Partia Demokratike opozitare. v.j.) që kanë klinika apo punojnë në spitale univesritarë apo në universitete, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri (Partia Socialiste qeveritare. v.j.), i cili ka një biznes farmaceutik në familjen e tij dhe deputeti Tom Doshi (ish-PS. v.j.) që lidhesh me ndërmarrjen e prodhimit “ProFarma”? Pra, përsëris që nuk është akuzë, por është ndoshta një çështje që ka nevojë për një shpjegim për ata njerëz që zakonisht janë larg sistemit shëndetësor…

-Ilir Beqaj: “Le të themi që, nëse sot Tom Doshi ka interesa te “ProFarma”, “ProFarma” është një fabrikë 60-vjeçare barnash në Shqipëri. Ka prodhuar barna gjithë jetën dhe bile kur kemi qenë fëmijë edhe unë edhe ti (qesh. v.j.), me penicilinat e “ProFarmës” na kanë mjekuar prindërit. E para.

E dyta. Nëse prindërit e Saimirit kanë një aktivitet, nuk e di nëse mund të quhet “biznes”, sigurisht sipërmarrje është, private farmaceutike, e kanë përpara se Saimiri të bëhet deputet i opozitës apo përpara se Saimiri të bëhet ministër i Brendshëm.

Apo, qoftë Tritan Shehu dhe Halim Kosova. Sigurisht që janë mjekë me karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Tritani është profesor në një universitet privat. Sot doktor Halimi pas një pune shumë, shumëvjeçare në spitalin “Geraldinë” (Shtëpi e Lindjes. v.j.) është deputet, por sigurisht ka edhe të drejtën të ushtrojë profesionin e tij të mjekut.

Kështu, që nuk më duket se këto që sapo thatë ndikojnë në treg. Sepse, unë po jua përsëris, që ajo çka ne bëmë, ligji që miratuam në Kuvend, vendimet që ka marrë qeveria, procesi që kemi bërë duke u sjellë një fitim të drejtpërdrejtë shqiptarëve prej 40 milionë dollarësh, tregon që nëse kanë interesa zhvillohen brenda ekonomisë së tregut, por pa ndikuar në vendimmarjen e politikës”.

– Denion Ndrenika: Qëndron e njejta logjikë zoti ministër për furnizimin e spitaleve me ushqime, me shtrojë, mbulojë, materiale të tjera hospitalorë, age, shiringa? Ka ndikime në këtë fushë?

-Ilir Beqaj: “Jo, jo nuk besoj! Së pari, një pjesë e mirë e furnizimit të atyre që quhen “shërbime jothelbësore shëndetësore”. Pra, mirëmbajtja e hotelerisë, ushqimi, keteringu bëhen me operatorë jopublikë, si çdo gjë tjetër. Edhe materialet e mjekimit janë materiale që tregtohen nga operatorë të ndryshëm. Praktikisht nëse u kthehemi të dhënave, përgjithësisht ata që merren me këtë punë, kanë në këtë biznes 10 apo 15 vjet”.

 – Denion Ndrenika: Ç’është “leja e posaçme e ministrit” për importin e barnave? Ka akuza për tendera, për barna false, mungesë të barnave në treg. Shpesh shtohen zërat për dorëheqje të strukturave të larta, të individëve. Ndoshta ju?

-Ilir Beqaj: “Ajo çfarë pyetët ju ka të bëjë me një hapësirë që vetë legjislacioni ia njeh ministrit që për momente të caktuara të mund të japë një autorizim të veçantë për import për barna që nuk janë të regjistruar në Shqipëri.

Së pari, edhe në këto raste ministri është i detyruar të zbatojë për origjinën e barit gjeografinë që ka përcaktuar ligji edhe për barnat e regjistruar.

Dhe, së dyti, procesi konkret i importimit bëhet duke zbatuar të njejtat rregulla.

Ka sot nevoja për barna në Shqipëri që nuk janë të regjistruar në Shqipëri. Edhe në listën e rimbursimit kemi nevojë, edhe në spitale kemi nevojë. Kjo ka ndodhur në vite, nuk ka ndodhur vetëm në vitin 2014 apo që nga momenti që jam unë ministër dhe në vijim.

Për të plotësuar këto nevoja kryesisht për shërbimin spitalor, ekziston kjo hapësirë. Ne kemi sot ende në treg mungesë për disa barna edhe shumë të nevojshëm që nuk kushtojnë shumë, pra që nuk është problem parash, por për arsye të caktuara subjektet private nuk kanë interes t’i tregojnë.

Po ju ilustroj me nevojën që patëm gushtin e kaluar për barna kundër malarjes.

Nuk kishte, sepse prej vitesh në Shqipëri malarja nuk ekzisonte më!

Duke qenë se kohët e fundit, disa shqiptarë kanë filluar të punojnë në vende të ndryshme të Afrikës, ata e sollën sëmundjen këtu dhe ne në gusht u gjendëm para momentit që s’kishim barna dhe na u desh të bënim këtë lloj procedure, duke vendosur me këtë autorizimin e posaçëm që ju citoni në pyetjen tuaj, pikërisht për të dhënë këtë shërbim jetik.

Ende edhe sot unë e përsëris që për malarjen nuk ka barna, por do të na duhet ta blejmë me këtë autorizim të veçantë”.

– Denion Ndrenika: Nëse keni informacion zoti ministër, si po ecën projekti i telemjekësisë?

-Ilir Beqaj: “Ne, besoj deri në fund të muajit prill përfundojmë vënien në funksion të lidhjes me rrjetin e telemjekësisë të të gjithë spitaleve universitare dhe të 11 spitaleve rajonalë të Shqipërisë.

Sigurisht pastaj sfidë mbetet përdorimi sa më i mirë i kësaj infrastrukture, sidomos në drejtim të dhënies sa më shpejt të përgjigjeve të diagnozave të ndryshme.

Po padyshim edhe shfrytëzimi i kësaj mundësie për më shumë rritje kapacitetesh profesionale të mjekëve tanë.

Do të na duhet të administrojmë më mirë qendrën këtu në Tiranë, e cila në bashkëpunim me shërbimet universitare do t’u japë spitaleve të ndryshëm rajonalë, përgjigje sa më të shpejtë në rastet kur ka kërkesa për pacientë të ndryshëm.

Pastaj, shtrirja e telemjekësisë duhet të bëhet edhe më kapilare në shërbimin parësor”.

Burimihttp://tinyurl.com/n82ej5f

—###—

 

[PJESA 3] Beqaj: Tirana dhe Prishtina të mendojnë për shëndetin e 5 milionë shqiptarëve

– Denion Ndrenika: Në çështjet kryesore të bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën është shëndetësia. Më thoni ju lutem si po ecet me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor? Pra, që mund të kemi financime të Shqipërisë në Kosovë?

-Ilir Beqaj: “Unë besoj se ne kemi ende një bashkëpunim në nivele modeste Shqipëri-Kosovë në fushën e shëndetësisë në rrafshin institucional.

Është e vërtetë që ndërkohë shumë shqiptarë që jetojnë në Kosovë shfrytëzojnë kapacitetet dhe mundësitë që ofron shërbimi shëndetësor shqiptar publik dhe jopublik. Por, më shumë kjo bëhet në mënyrë individuale apo edhe sipas kontakteve që mjekë në të dy anët e kufirit kanë me njeri-tjetrin.

Së fundmi kemi bërë disa hapa të parë për ta institucionalizuar këtë marrëdhënie.

Ne kemi një protokoll bashkëpunimi të firmosur që me ministrin e mëparshëm të shëndetësisë në Kosovë, doktor Aganin.

E rikonfirmuar me ministrin e ri të shëndetësisë në takimin që kemi patur këtu në Tiranë para disa javësh.

Ai protokoll ndërkohë është shtrirë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet disa institucioneve shëndetësorë.

Që, do të thotë institucionet përkatëse që rregullojnë tregun e barnave në të dy vendet, fondet e financimit të institucioneve në të dy vendet, inspektoratet e shëndetësisë në të dy vendet, institucionet e shëndetit publik në të dy vendet, Qendra Klinike Universitare e Kosovës me Qendrën Universitare në Tiranë, fakultetet e mjekësisë.

Ndërkohë që kemi filluar një bashkëpunim më konkret ku shërbim ynë i kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka filluar të zbatojë disa procedura kirurgjikale ndërhyrjesh edhe në spitalin e Kosovës, me angazhimin që gradualisht edhe mjekë nga Kosova të mund të vijnë të specializohen në kardiokirurgji te ne, në mënyrë që edhe në Prishtinë të funnksionojë një shërbim kardiokirurgjie.

Mesa unë kam, vizituar edhe vetë, atje ka tani infrastrukturë për ta bërë këtë punë dhe do t’i duhet që dora-dorës mjekët e zotë që janë atje të kenë më shumë hapësira për të zbatuar këtë gjë”.

– Denion Ndrenika: Zoti ministër ç’po bëhet me lejet e punës, pra të ushtrimit të profesionit të mjekëve për të punuar në Kosovë dhe në Shqipëri?

-Ilir Beqaj: “Ajo që në fakt duam të bëjmë është që të nxisim një bashkëpunim më të afërt, më të ngushtë edhe midis urdhërave të profesionistëve, në mënyrë që të arrijmë në unifikimin e praktikave, në bazë të të cilave jepet certifikata e ushtrimit të profesionit.

Besoj se nëse do ta arrijmë këtë gjë, do të jetë shumë më e lehtë, shumë më transparente dhe mund të bëjmë pastaj edhe një marrëdhënie njohjeje reciproke pa qenë e nevojshme që administrata e të dy vendeve, mjekët të marrin lejet përkatëse për të ushtruar profesionin e mjekut”.

– Denion Ndrenika: Cilat janë rezultatet e deritashme të marrëveshjes për kurimin e banorëve të zonave verilindore Kukës, Has, Tropojë në spitalin e Gjakovës? Si mbulohen kryesisht nga ana financiare, hospitalizmi? Ka një faturë?

-Ilir Beqaj: “Për momentin nuk kemi një bashkëpunim institucional që do të mund të çonte le të themi në bilance të mirëfillta financiare.

Ne në fakt kemi bërë disa ndryshime ligjore që tashmë i lejohet Fondit tonë të Sigurimit Shëndetësor që të mund të paguajë edhe në institucione shëndetësore jashtë vendit.

Deri më sot lejonim të paguanim institucione publike dhe jo publike dhe është në fuqi që nga tetori (2014.v.j.).

Synimin e parë e kemi patur që të mund të përfitojmë nga shërbimi shëndetësor që ofrohet në Gjakovë për pacientët shqiptarë që kanë nevojë për shërbimin e dializës, kryesisht nga Bajram Curri, ose të themi nga Tropoja dhe nga Hasi, sepse distanca gjeografike është e tillë që ua bën shumë më të lehtë këtë shërbim që ata e kanë jetik dhe e marrin dy deri në tri herë në javë gjatë gjithë jetës”.

– Denion Ndrenika: Sa është numri, nëse ju keni statistika, i pacientëve nga Kosova që trajtohen në Shqipëri brenda vitit dhe mundësisht për specialitetet, pra për sëmundjet që janë?

-Ilir Beqaj: “Në këtë moment më keni gjetur pak të papërgatitur për të patur një statistikë të mirëfilltë.

Por, unë mund t’ju them që në shërbimin e neurokirurgjisë, në shërbimin e kardiokirurgjisë, në shërbimin e kardiologjisë mininvazive, por edhe në spitalin rajonal të Shkodrës ka shqiptarë që nuk janë ose më mirë ka shqiptarë që janë nga Kosova, nga Maqedonia apo nga Mali i Zi që marrin shërbim shëndetësor”.

– Denion Ndrenika: Zoti ministër dolën mirë, ju e përmendët, ndërhyrjet e para në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga mjekët, nga ekipi i  mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Natyrisht që pyetja ndoshta ka një farë përsëritjeje. Por, përveçse mungon një faturë financiare deri tani, përballimi me barna, apo shkuarja dhe ardhja e këtyre pacientëve, nëse do të kenë nevojë për kurim të mëtejshëm në Shqipëri, si bëhen?

-Ilir Beqaj: “Në rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër që janë bërë nga ekipi i mjekëve tanë të QSUT-së, deri më sot unë nuk kam informacion për nevoja trajtimi të mëtejshëm të këtyre pacientëve kosovarë që të kenë kërkuar te ne barna apo materiale mjekimi më shumë.

Po e përsëris, që me aq sa unë kam parë në bllokun operator në spitalin e Prishtinës, është infrastruktura e nevojshme që të mund të kryhen operacione siç kryhen edhe në Tiranë”.

– Denion Ndrenika: Ka një marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës që i trajton shtetasit, pacientët nga Kosova në Shqipëri njejtë si shtetas, si pacientë të Shqipërisë. Mendoni se kjo marrëveshje ka nevojë për t’u rregulluar? Ku çalon dhe si po e vlerësoni rishikimin e saj?

-Ilir Beqaj: “Unë besoj se ne, ose më mirë le të themi, fondet që financojnë kujdesin shëndetësor në të dy vendet do të duhet të punojnë në një mënyrë shumë më të ngushtë për të përcaktuar kostimin e ndërhyrjeve respektive dhe në këtë mënyrë pastaj respektivisht sipas grupsëmundjeve të ndryshme mund të bëhen kompensimet financiare.

Megjithatë besoj se ne na duhet që në një vizion më afatamesëm apo më afatgjatë të marrim vendime të përbashkëta për ta vlerësuar të gjithë hapësirën tonë, të gjithë institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbim shëndetësor në Shqipëri dhe në Kosovë, si një diçka të integruear që i shërben në mënyrë të përditshme ose që duhet t’i shërbejë në mënyrë të përditshme një popullate prej 5 milionë banorësh.

Me këtë dua të them që ndoshta investime të rëndësishme që duhet të bëhen në shëndetësi do të duhet t’i koordinojmë duke dakordësuar që një shërbim i caktuar mund të zhvillohet në mënyrë më të mirë e më të plotë në Shqipëri dhe një shërbim tjetër mund të zhvillohet në mënyrë më të mirë e më të plotë në Kosovë për të patur në Tiranë dhe në prishtinë dy qendra sa më të mira, të cilat nuk e konkurrojnë, por e komplementojnë njera-tjetrën.

Sigurisht që nuk është edhe aq e lehtë, sepse do të duhet të dakordësojmë edhe brenda botës akademike mjekësore, ku sigurisht nevoja për të patur nxitje, përparim, por dhe konkurrencë nuk është e lehtë të administrohet”.

– Denion Ndrenika: Të gjitha këto sa po më thoni zoti ministër, janë të hartuara në një plan pse jo për t’ia paraqitur mbledhjes së ardhshme të të dy qeverive apo ka ende nevojë për diskutime dhe shqyrtime veçmas?

-Ilir Beqaj: “Jo, ne kemi një program bashkëpunimi midis dy ministrive, që unë jua thashë që edhe ministri i ri i shëndetsisë i ka konfirmuar.

Ndërsa, për mbledhjen e ardhshme të datës 23 mars do të punojmë për një axhendë më konkrete sipas grupeve të punës respektive që janë ngritur për këtë gjë”.

– Denion Ndrenika: Lidhur me marrëveshjen që folëm për trajtimin e shtetasve të Kosovës si shtetas të Shqipërisë. A është e mundshme për të nxitur një të ngjashme për shqiptarët etnikë të Malit të Zi, shtetit maqedonas dhe Luginës së Preshevës?

-Ilir Beqaj: “Po… Problemi është ky që, këto marrëveshje duhen vendosur edhe në rrafshin e bashkëpunimeve dypalëshe mes vendeve.

Pra, nëqoftëse një marrëveshje me Kosovën është bërë në momentet kur Kosova sapo kishte marrë pavarësinë, kur ishte ende nën një regjim të ndërmjetëm në administrimin e Kombeve të bashkuara, kur institucionet e saj donin kohën e tyre që të ngriheshin, në dy vendet e tjera në Malin e Zi dhe në Maqedoni, ka një sistem të kujdesit shëndetësor dhe në kuadrin e bashkëpunimit dhe marrëveshjeve që do të lidhen midis dy vendeve ose më mirë të themi mes vendeve respektive, do të mund të zhvillohen edhe më tej.

Për shembull unë jam shumë i kënaqur dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar shërbimin shumë të mirë që iu bë në spitalin e Tuzit, pacientëve shqiptarë që u aksidentuan në fund të nëntorit”.

– Denion Ndrenika: Faleminderit zoti ministër dhe shpresoj të shihemi më shpesh.

-Ilir Beqaj: “Besoj se do ta mbajmë parasysh. Faleminderit”.

Burimihttp://tinyurl.com/maecb7a

—###—