.

vije ndarëse

Postuar më: 05/02/2025

Kabinet i ri dentar në shkollën “Andrea Stefan”, Koçiu: Vizita falas për rreth 900 fëmijë të zonës së Astirit dhe Laprakës. Fuqizojmë programin e shëndetit në shkolla 

Në shkollën 9-vjeçare “Andrea Stefan” në kryeqytet është hapur kabinet i ri dentar një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të Programit Shëndetit në Shkolla në bashkëpunim me Save the Children.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se MSHMS po vijon të fuqizojë programet për shëndetin në shkolla duke rritur vëmendjen ndaj kujdesit shëndetësor për fëmijët .
Ajo theksoi se kabineti i ri dentar, me kushte moderne do të ofrojë vizita falas për rreth 900 fëmijë të shkollave të zonës së Laprakës dhe Astirit.
“Në Qarkun e Tiranës kemi 62 unite dentare të vendosura në 260 shkolla duke bërë një shpërndarje të barabartë dhe të unifikuar për t’u kujdesur edhe për shkollat përreth të cilat nuk e kanë një kabinet dentar, por stomatologu i cili është vendosur në kabinetin dentar që kemi ngritur këtu në shkollën “Andrea Stefan” për t’i shërbyer edhe shkollave përreth, por ajo çfarë është më e rëndësishmja për t’i shërbyer edhe dy komuniteteve goxha në numër siç është Njësisë 11 dhe zona e Astirit”. Ndërkohë që shkolla ofron edhe programin tjetër atë të depistimit të shikimit, si dhe këshilla për ushqimin e shëndetshëm”, theksoi ministrja.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë vuri në dukje se “stina e dimrit e ka ngarkesën e vet edhe sa i përket virozëve gripit, dhe për këtë arsye kemi bërë këshilla të vazhdueshme që duhet të vaksinohen, sidomos fëmijët dhe të moshuarit duhet të marrin vaksinën e gripit”.
“Ka një ritëm të mirë sa i përket vaksinimit. Diku te 76% e popullatës. Janë vaksinuar ato grupe që ne i kemi përcaktuar si grupe risku për t’u vaksinuar”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Në total janë 155 kabinete në 1,159 shkolla në rang vendi që ofrojnë vizita falas për nxënësit në identifikimin e hershëm të patologjive orale, dëmtimeve të dhëmbëve, parandalimin dhe edukimin shëndetësor në shkolla.