Ministri Beqaj në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Vlorë: “Kapërcejmë barrierat, më tepër siguri për pacientët shqiptarë”
Vlorë, 13/05/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në ceremoninë e organizuar sot (13/05/2014) në Spitalin Rajonal të Vlorës, me rastin e hapjes së qendrave rajonale të Telemjekësisë për Vlorën, Gjirokastrën dhe Korçën, në bashkëpunim me projektin e USAID-it. Në takim ku morrën pjesë edhe z. Aleksandër Arvizu, Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Dr. Rifat Latifi President i International Virtual e-Hospital Foundation (IVeH) dhe drejtues të institucioneve shëndetësore rajonale e universitare në vend, Ministri Beqaj theksoi midis të tjerash se nisma dhe projekte të tilla janë shembuj të qartë dhe elementë të qënësishëm inovacioni për sistemin tonë të kujdesit shëndetësor.
Duke falënderuar për mbështetjes e pakursyer dhe bujare që USAID-i, populli dhe ushtria amerikane kanë dhënë përgjithësisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, dhe veçanërisht për projektin e Telemjekësisë dhe atij të Shëndetit Elektronik (e-Health), z. Beqaj shtoi se “përveç inovacionit dhe progresit, ndërhyrje të tilla, përbëjnë edhe një vlerë të shtuar për sigurinë, qoftë të pacientëve, apo qoftë mjekëve të Vlorës, dhe të gjithë Shqipërisë.”
“Përveç mjekëve shumë të mirë dhe personelit të të këtij shërbimi spitalor, – tha më tej ai, përveç kushteve të mira që po vijnë përherë e më tepër duke u përmirësuar, por edhe sigurisë që ka një furnizim më ritmik me barna, apo ka një grup pajisjesh biomjekësore të disponueshme, në rast nevoje, ka një konsultim shumë më të shpejtë me një mjek edhe më të kualifikuar në shërbimet universitare.”
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.
—###—
I nderuar z. Ambasador Aleksandër Arvizu,
I nderuar Dr. Rifat Latifi,
Të nderuar pjesëmarrës,
Me sa duket, po kthehet tashmë në një traditë të mirëpritur, organizimi i veprimtarive të përçdomuajshme të lidhura me telemjekësinë.
Para një muaji në Korçë (8/4/2014), në seminarin vjetor të zhvillimit të lidershipit shqiptar të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik, diskutuam rreth ecurisë së këtij programi dhe mbështetjes së pakursyer dhe bujare që USAID-i dhe populli amerikan kanë dhënë përgjithësisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet zhvillimeve inovative në këtë sektor në Shqipëri, dhe veçanërisht, në fushën e telemjekësisë.
Sot, jam i kënaqur dhe entuziast teksa shoh raportimet mbi ecurinë e programit të telemjekësisë, të cilat flasin për dhjetëra telekonsulta të organizuara në mënyrë të rregullt dhe me një shkallë të gjerë përfaqësimi të të gjithë spitaleve të përfshira në rrjetin e telemjekësisë në vend. Dhe është rasti të theksoj këtu, duke qenë se 10-16 maj është shpallur si java e inovacionit nga Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, se nisma dhe projekte të tilla janë shembuj të qartë dhe elementë të qënësishëm inovacioni për sistemin tonë të kujdesit shëndetësor.
Vërej gjithashtu me kënaqësi, duke përfituar nga rasti që jemi këtu në Vlorë sot, se Spitali Rajonal i këtij qyteti është tashmë lider në programin e Teleradiologjisë, duke shënuar qartësisht progres në përpjekjet për shndërrimin e kujdesit shëndetësor në vend. Uroj që ta vazhdoni këtë punë të mirë të nisur me këtë projekt, dhe ta çoni atë më tej.
Natyrisht, përveç inovacionit dhe progresit, ndërhyrje të tilla, përbëjnë edhe një vlerë të shtuar për sigurinë, qoftë të pacientëve, apo qoftë mjekëve të Vlorës. Është siguri, sepse edhe një i sëmurë këtu në Vlorë e di, që po të shkojë në spital, përveç mjekëve shumë të mirë dhe personelit të të këtij shërbimi spitalor, përveç kushteve të mira që po vijnë përherë e më tepër duke u përmirësuar, por edhe sigurisë që ka për një furnizim më ritmik me barna, apo për një grup pajisjesh biomjekësore të disponueshme, e di që në rast nevoje, ka një konsultim shumë më të shpejtë me një mjek edhe më të kualifikuar në shërbimet universitare. Por, është siguri edhe për profesionistët, për ju, sepse keni mundësi që në mënyrë shumë më të shpejtë, shumë më të lehtë, të komunikoni, të këmbeni, të merrni vendime me një konsultim më të gjerë.
Kur viziton qendrën e telemjekësisë në Vlorë, nuk mund të mos ndalesh për disa çaste për të falënderuar ata që bënë të mundur realizimin e asaj çka shohim sot.
Në rradhë të parë, z. Ambasador, dëshiroj të përfitoj nga rasti për të falënderuar popullin dhe taksapaguesit amerikanë, të cilët, nëpërmjet USAID-it siguruan mbështetjen për zhvillimin e këtij programi gjatë pesë viteve të fundit. Kjo ndihmë bujare ka mundësuar që sot të kemi një program të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik (e-Health) të përbërë nga 3 qendra kombëtare dhe 7 qendra rajonale. Edhe 3 qendrat e fundit, do t’i bashkëlidhen rrjetit brenda pak javëve, duke kompletuar rrjetin kombëtar të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik.
Së dyti, duke parë infrastrukturën moderne të rikonstruktuar plotësisht, dëshiroj të falënderoj Ushtrinë Amerikane, të cilët bënë të mundur rinovimin e mjediseve në të gjithë vendin, nga Kukësi deri në Gjirokastër.
Së treti, dëshiroj të falënderoj edhe Profesorin e nderuar, Dr. Rifat Latifin dhe ekipin e tij të mrekullueshëm, të cilët ndanë me ne një vizion dhe një ëndërr, vizion, të cilin, ne së bashku e bëmë realitet.
Me këtë rast, dëshiroj t’i siguroj të gjithë kontribuesit e programit të Telemjekësisë se Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur ta mbështesë këtë program edhe pas përfundimit të financimit të ofruar USAID-i.
Gjithësesi, ne shpresojme që USAID-i dhe Ushtria Amerikane do të vazhdojnë të mbështesin mjekësinë dhe sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri. USAID-i, sapo miratoi një projekt të mbështetjes teknike për krijimin e shërbimit kombëtar të traumës, emergjencave dhe urgjencave mjekësore, ngritjen e qendrës kombëtare për koordinimin e kërkesave për kujdes emergjent, si dhe për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve tona për të ofruar kujdes shëndetësor në këto fusha.
Me këtë rast, dëshiroj të tërheq vëmendjen për rastin e humbjes së jetës javën e kaluar nga një i moshuar në mjediset e gjykatës së rrethit të Korçës, teksa priste në agoni mbërritjen e shërbimit të shërbimin e urgjencës. Sigurisht, që është e qortueshme vonesa e pajustifikuar e ofrimit të shërbimit të urgjencës, dhe jemi duke e analizuar imtësisht se çfarë ka ngjarë me atë rast, por ajo që dua të theksoj, është pikërisht gjendja e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, të cilin e trashëguam në kushte të mjeruara; mbërrin me vonesë, është i pajisur keq pa mjetet e shpëtimit të jetës, personel të pakualifikuar dhe mungesa e pamjaftueshmëri të tjera funksionale e organike. Për pasojë, ky shërbim është përgjegjës për humbjen e dhjetëra jetëve pacientësh dhe paaftësi të niveleve të larta.
Prandaj, jemi zotuar në programin tonë qeverisës se do të ngremë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore që të sigurojmë prezencë të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke i’u përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për kujdes në sëmundshmëri dhe trauma.
Në këtë këndvështrim, duke parë punën e shkëlqyer të Ushtrisë Amerikane këtu në Vlorë, do të përfitoja nga rasti për të shprehur dëshirën e Ministrisë se partneriteti dhe kontributi i tyre edhe në këtë projekt të rëndësishëm është i mirëpritur.
Duke e mbyllur, dëshiroj të uroj mjekët, infermierët dhe studentët këtu në Spitalin Rajonal të Vlorës t’i përdorin me efektivitet këto mjedise bashkëkohore dhe t’i vendosin ato në funksion të shërbimit më të mirë dhe më cilësor për pacientët, dhe në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të tyre.
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.