.

vije ndarëse

Postuar më: 13/04/2024

Koçiu: Forcim kontrolleve për ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit afër shkollave

Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhanit, në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konsideroi me rëndësi vijimin e një fushate ndërgjegjësimi për efektet e dëmshme të duhanit, si dhe një fushatë promovimi për dekurajimin e përdorimit të produkteve të duhanit veçanërisht tek të rinjtë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se :

Në Komitetin Ndërsektorial për Mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit.

Vërehet në një masë të shtuar përdorimi dhe keqinformimi për produktet ‘Cigare elektronike’ dhe ‘Duhan me ngrohje’ nga popullata, veçanërisht në ambiente të mbyllura, të cilat japin efektin e njëjtë apo të barabartë me duhanin e zakonshëm.

Në vijim u vendos:

-Të shtrihet në të gjithë vendin fushatë e zgjeruar sensibilizuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit në bashkëpunim me të gjitha institucionet;

-Të promovojë programe dhe projekte informuese dhe edukuese në shkolla, për rreziqet dhe dekurajimin e përdorimit të produkteve të duhanit tek të rinjtë me qëllim mbrojtjen e shëndetit;

Thellimin e bashkëpunimit me institucionet qeveritare për rishikimin e qasjes dhe politikave për reduktimin e dëmit që i kanoset shëndetit nga duhanpirja.

Bashkë me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit do të sigurohemi që kontrollet brenda dhe jashtë ambienteve të shkollave dhe gjimnazeve, të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, edhe kundrejt ambulantëve për parandalimin e shitjeve të produkteve të duhanit tek të rinjtë.

Së bashku të ndalojmë përhapjen e dëmshme të duhanit dhe të mbrojmë të ardhmen e shëndetit tonë.