.

vije ndarëse

Postuar më: 14/04/2024

Koçiu në Spitalin Memorial Fier: Praktika e dyfishtë, ndikim pozitiv në fuqizimin e marrëdhënies së re mjek-pacient

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një vizitë në Spitalin Rajonal Memorial Fier ku prej mëse një muaji ka nisur  implementimi i praktikës së dyfishtë, për pacientët jashtë sistemit të referimit.

Koçiu deklaroi se ushtrimi i praktikës së dyfishtë është një pikënisje që po ndikon në formësimin e politikave të reja shëndetësore për qytetarët dhe financiare për mjekët specialistë të shërbimit ambulator në sistemin publik.

Sipas saj, kjo praktikë, ka ndikuar pozitivisht në fuqizimin e marrëdhënies së re mjek-pacient dhe pacient-mjek.

Koçiu u shpreh “125 qytetarë kanë kryer konsulta të specializuara nga mjekët specialist të spitalit, të cilët po e ushtrojnë këtë praktikë jashtë orarit zyrtar të punës. Përshtypjet e qytetarëve, përvojat e tyre nga ky model i ri shërbimi, tregon rritjen e kënaqësisë së tyre”.

Ministrja nënvizoi se se çdo qytetar, jashtë sistemit të referimit, duke shfrytëzuar teknologjinë, mund të planifikojë dhe të përzgjedhë datën, orën e një konsulte të specializuar me mjekun specialist që dëshiron.

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se kjo praktikë ul kohën e pritjes dhe garanton një shërbim në kohë, në orare të favorshme për qytetarët.

“Nëse unë jam një pacient dhe kërkoj të kryej një konsultë të caktuar me një mjek unë mund ta zgjedh lehtësisht në faqen online të Spitalit Rajonal Memorial të Fierit dhe të rezervoj orarin. Qytetari merr një e-mail ku i konfirmohet orari i vizitës”, shpjegoi ministrja.