Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi qendrën shëndetësore verore në Orikum, Vlorë.
Kjo qendër është në hapat e fundit të përgatitjes për të ofruar shërbim shëndetësor të gjithë pushuesve duke nisur që nga data 1 qershor deri në 30 shtator.
“Këtë vit na gjen me 34 qendra, katër qendra më shumë të shtuara pikërisht për t’i shërbyer fluksit të shtuar të turistëve vendas e të huaj”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “kemi një fluks të shtuar aplikimesh të stafeve shëndetësore që duan t’i bashkohen punës dhe ekipit të shëndetësisë gjatë sezonit veror”.
“Janë 300 aplikime për 200 pozicione pune për të cilat ne kërkonim staf, kështu që na mbush me optimizëm, pasi do të zgjedhim mjekët dhe infermierët më të mirë për të ofruar shërbim më cilësor”, tha Koçiu.
Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda tha se “qendra shëndetësore e Orikumit është e rikonstruktuar për shkak të shtimit të numrit të rasteve që kemi gjatë sezonit turistik, shtohet edhe me personel shëndetësor shtesë dhe shndërrohet në qendër shëndetësore verore përgjatë sezonit turistik”.
“Në Vlorë është shtuar qendra shëndetësore në Jalë. Por në bashkinë Vlorë janë edhe 4 qendra shëndetësore verore, në Zvërnec, Plazhi i Vjetër, Radhimë dhe Orikum”.
Nga 1 qershori deri në 30 shtator turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin do t’iu ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.