Shërbimi i Urgjencës Pediatrike në QSUNT këto ditë të ngarkuara me raste të gripit të stinës, po punon me kapacitet të plotë dhe është në gatishmëri për çdo urgjencë pediatrike.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi ambientet e Urgjencës, ku u takua me mjekë dhe infermirë të shërbimit të pediatrisë.
“Këtë mbrëmje u takova me mjekë dhe infermierë që punojnë në shërbimin e pediatrisë, por edhe me prindër me të cilët biseduam mbi situatën e virozave dhe gripit të stinës, i cili kërkon rritjen e ndërgjegjësimit dhe kujdesit edhe nga ana e qytetarëve”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Koçiu nënvizon se “për t’i bërë ballë çdo situate dhe shmangur radhët, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në funksionim 31 qendra shëndetësore me shërbim 24/7 në të gjithë vendin, ku qytetarët e grupeve të riskuara mund të kryejnë edhe vaksinën kundër gripit, si mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore që shkaktohen si pasojë e tij”.
Ministrja shprehu mirënjohje për ekipet e mjekëve dhe infermierëve të cilët shërbejnë me përkushtim dhe profesionalizëm, veçanërisht në këtë periudhë të dimrit, ku ka një rritje të qarkullimit të virozave.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.