.

vije ndarëse

Postuar më: 29/01/2020

Komunikatë për media: Situata e koronavirusit të ri 29 Janar 2020

Situata e koronavirusit të ri dhe masat e marra

29 Janar 2020

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët se nuk ka asnjë rast të prekur nga koronavirusi i ri në Shqipëri dhe vendi ynë konsiderohet me rrezikshmëri të ulët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Gjatë 24 orëve të fundit është shtruar në spitalin Infektiv një grua e kthyer 10 ditë më parë nga Kina, e cila u testua për koronavirus në laboratorin e çertifikuar në Institutin e Shëndetit Publik, ku rezultoi negativ për virusin.
Vijojnë masat e shtuara në pikat kufitare me survejancë të përforcuar dhe masa higjieno-sanitare të shtuara. Gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar në Aeroportin e Rinasit 17 pasagjerë shqiptarë dhe të huaj që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës, nëpërmjet aeroporteve të tjera. Pas kontrollit të kryer nga njësia e shëndetësisë në aeroport, gjendja e tyre paraqitet e mirë.
Gjithashtu janë marre masa në pikat kufitare portuale dhe tokësore me ekipe mjekësore dhe epidemiologe që janë në monitorim të situates dhe raportojnë në kohe reale për çdo rast.
Në zbatim të task forces së MSHMS datë 27.01.2020, me drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare është shtuar survejanca e sëmundjeve të rënda respiratore në bashkëpunim me gjithë spitalet.
Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike.

Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët përsa i takon depërtimit të koronavirusit të ri.

Njoftojmë qytetarët që për çdo rast nëse kanë patur destinacion Kinën dhe shfaqin shenjat e mëposhtme:
Ethe
Temperaturë
Kollë
Vështirësi në frymëmarrje
të telefonojnë Urgjencën Kombëtare 127!