.

vije ndarëse

Postuar më: 27/03/2014

Kontrolli Shëndetësor Bazë 40-65 vjeç, Të shëndetshëm jemi të gjithë të barabartë!

Tiranë, 27/03/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (27/03/2014) në konferencën e organizohet për Prezantimin e Parë Publik të Paketës së Kontrollit Shëndetësor Bazë të popullsisë së Grupmoshës 40-65 vjeç dhe protokolleve përkatëse të zbatimit të saj.

Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin  e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.

“Në rrugën drejt mbulimit universal ne besojmë se duhet të krijojmë një qasje të re. Tradicionalisht, sistemi shëndetësor ka patur në qendër sëmundjen,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj, duke theksuar se “me sëmjundjen në qendër është konceptuar dhe ngritur i gjithë sistemi i kujdesit shëndetëtsor.”

“Le të përpiqemi të vendosim në qendër shëndetin,” tha më tej ai. Atëhere, duhet të kujdesemi për shëndetin, të investojmë për të. Investimi për të janë, qoftë parandalimi, ashtu edhe diagnostikimi i hershëm. “Kjo është arsyeja se përse një nga shtyllat kryesore të programit tonë 4-vjecar është programi i kontrollit bazë shëndetësor për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40 – 65 vjeç,” – tha ministri.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj.

—###—

Të shëndetshëm jemi të gjithë të barabartë!

Në rast sëmundje, për fat të keq, mungesa apo kufizimet në aksesin e kujdesit shëndetsor publik na bën të biem në vështirësi financiare të cilat prodhojnë pabarazi. Megjithatë, kemi zgjedhur një sistem që e pranon pabarazinë, madje bashkëjeton me të. Por kur pabarazia prodhon varfëri, atëherë në shoqëri krijohet një problem.

Sigurisht që historia e njerëzimit na mëson se shoqëritë ia kanë dale t’i zgjidhin vetë edhe padrejtësitë. Për rastet kur nuk i zgjidhin dot vetë i drejtohen politikës. Sepse, në fund të fundit, për çfarë u duhet njerëzve politika nëse nuk u zgjidh dot problemet që nuk i zgjidhin dot vetë?

Si mund t’ju ofrojmë ne politikëbërësit sigurinë që meritojnë për kujdes shëndetësor?

Prandaj, edhe qeveria e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ka zgjedhur mbulimin universal për kujdesin shëndetëtsor për shqiptarët.

Sepse, besojmë se më të do t’ia dalim të rrëzojmë barrierat që kanë shumë shqiptarë dhe do të mundim të ofrojmë më tepër siguri me kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.

Në rrugën drejt mbulimit universal ne besojmë se duhet të krijojmë një qasje të re. Tradicionalisht, sistemi shëndetësor ka patur në qendër sëmundjen. Me sëmjundjen në qendër është konceptuar dhe ngritur i gjithë sistemi i kujdesit shëndetëtsor.

Le të përpiqemi të vendosim në qendër shëndetin. Atëhere, duhet të kujdesemi për shëndetin, të investojmë për të. Investimi për të janë, qoftë parandalimi, ashtu edhe diagnostikimi i hershëm.

Kjo është arsyeja se përse një nga shtyllat kryesore të programit tonë 4-vjecar është programi i kontrollit bazë shëndetësor për shqiptarët rezidentë në grupmoshën 40 – 65 vjeç.

Ftojmë shiqptarët e shëndetshëm të zhvillojnë përgjegjësitë individuale përkundrejt shoqërisë që po bëhet gati të marrë përsipër kostot e kujdesit shëndetësor të gjithseicilit.

I ftojmë që 1 herë në vit, pa pagesë, të paraqiten në qendrën shëndetsore të vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin bazë.

Jemi në rrugën e përmbushjes së angazhimeve tona elektorale, programore dhe qeverisëse.

U zotuam për heqjen e TVSH-së për barnat dhe shërbimet shëndetëtsore dhe ja ku jemi. Pas tri ditësh bëhet efektive.

Lista e re e barnave të rimburshueshme bëhet efektive pas 3 ditësh. Janë shtuar 56 barna të rinj.

Lista e re e barnave esenciale spitalore vetëm në QSUT shoqërohet me 29% buxhet më të madh.

Publiku është njohur me paketat e reja të shërbimeve që Fondi po harton.

Sapo kemi hedhur hapat e parë, por tepër të rëndësishëm që do të sjellin sigurinë, inovacionin dhe progresin aq shumë të dëshiruar në sistemin e kujdesit shëndetësor për shqiptarët.

Nuk dua të zgjatem në përmbajtjen e paketës së kontrollit bazë, pasi atë do ta prezantojë zv/Ministri Klodjan Rjepaj, të cilin dua të falenderoj së bashku me grupin e punës për punën e bërë deri më sot. Besoj se puna më e vështirë nuk ka filluar ende.

Përfitoj nga rasti të falenderoj edhe Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran për angazhimin e marrë për të na ndihmuar me trainimin e mjekëve dhe infermierëve.

Faleminderit!

—###—