Tiranë, 31/07/2014 – Parlamenti miratoi të Enjten (31/07/2014) me 83 vota pro, ligjin e ri “Për barnat, shërbimin farmaceutik dhe pajisjet mjekësore”. Ligji i ri është hartuar nga një grup pune i ngritur nga ministri i Shëndetësisë, me urdhrin nr.553/1, datë 4.11.2013, me përfaqësues nga Drejtoria Farmaceutike, Sektori Juridik, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.
Objektivi i përgjithshëm i tij është përcaktimi i rregullave për prodhimin, vendosjen në treg, importin, eksportin, tregtimin, përshkrimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me barnat për përdorim njerëzor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim garantimin e shëndetit publik. Në përputhje me synimet e tij, ligji përshkruan detyrat, përgjegjësitë dhe nivelet e bashkëpunimit dhe raportimit të autoriteteve kompetente në fushën farmaceutike (Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave) me palët e interesuara.
Objektivat specifikë lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, miratimi i të cilit synon që kuadri ligjor, rregulloret dhe rregullat administrative lidhur me sigurinë, mbrojtjen shëndetësore dhe karakteristikat e efektshmërisë, si dhe procedurat verifikuese e të inspektimit të prodhimit, tregtimit, shpërndarjes dhe përdorimit të barnave të jenë të njëjta me vendet anëtare të Komunitetit Evropian. Ky projektligj vazhdon të përafrojë direktivat e Komisionit Evropian për barnat, siç parashikohet në Planin Kombëtar të Përafrimit të Legjislacionit vendas me atë të BE-së dhe zbatimit të MSA-së.
Projektligji i ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” është një nismë rregullatore ligjore shumë e rëndësishme, “është pjesë e angazhimeve programore të qeverisë sonë dhe ka si objekt kryesor rregullat për prodhimin, vendosjen në treg, importin, eksportin, tregëtimin, përshkrimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me barnat për përdorim njerëzor në Republikën e Shqipërisë”, tha midis të tjerash në fjalën e tij në Kuvend Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj gjatë seancës plenare për diskutimin e p/ligjit të ri të barnave.
“Unë dua të falenderoj që në fillim të fjalës time,” vazhdoi më tej ai, “të gjithë deputetët e komisionit të shëndetësisë, por edhe të komisioneve të tjera, ku ky projektligj kaloi për diskutime dhe mendime”.
“Sigurisht që shqiptarët meritojnë më shumë, meritojnë zgjidhje dhe më të shpejta, ne jemi të vendosur t’i përmbahemi angazhimeve. Dua ta theksoj, edhe me projektligjin që u miratua më parë, me futjen e pensionit social si koncept i ri, dhe me mbulimin shëndësor me rezidencë kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kohezionit social në shoqërinë tonë”, e mbylli fjalën e tij z. Beqaj.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në seancën plenare të Kuvendit, dt. 31/07/2014
—###—
Të nderuar zotërinj deputetë,
Projektligji që diskutohet sot (31/07/2014) dhe paraqitet për miratim, është një projektligj shumë i rëndësishëm, është pjesë e angazhimeve programore të qeverisë sonë dhe ka si objekt kryesor rregullat për prodhimin, vendosjen në treg, importin, eksportin, tregëtimin, përshkrimin, përdorimin, kontrollin e cilësisë dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me barnat për përdorim njerëzor në Republikën e Shqipërisë.
Unë dua të falenderoj që në fillim të fjalës sime, të gjithë deputetët e komisionit të shëndetësisë, por edhe të komisioneve të tjera, ku ky projektligj kaloi për diskutime dhe mendime.
Por, po shfrytëzoj mundësinë e kësaj fjale, për t’iu përgjigjur në fakt edhe personave që nuk janë sot në sallë, por po pretendojnë se po diskutojnë sot në një hotel të Tiranës për 300 ditët e mjerimit të shëndetësisë.
Më vjen keq që nuk thonë asnjë fjalë se si e lanë në Shtator gjendjen e shëndetësisë shqiptare; nuk thonë asnjë fjalë për spitalet ku mungonin barnat bazë dhe materialet mjekësore; për pajisjet biomjekësore që ishin jashtë funksionimit; por, nuk thonë as për mungesat e mëdha që në tetë vitet e qeverisjes së tyre ndodhën në shëndetësinë shqiptare.
Ne duhet t’i japim një zgjidhje situatës më të veçantë që ka Shqipëria – Më shumë se gjysma e shpenzimeve që bëjnë njerëzit për shëndetësinë vjen nga xhepi i tyre. Ne duhet t’i japim një zgjidhje problemit të sotëm.
Në shpenzimet totale të shëndetësisë, kontributet e detyrueshme, zënë vetëm 7-8% të shpenzimeve. Ne duhet t’i japim një zgjidhje problemit që kemi sot, ku qindra mijëra njerëz janë pa mbulim të kujdesit shëndetësor, pasi nuk arrijnë të kenë një punë të qëndrueshme që të jenë të mbrojtur nga sistemi i sotëm. Duhet t’i japim një zgjidhje, që nëse e financojmë masivisht shëndetësinë, sot, de facto, nga taksimi i përgjithshëm, ku kontribuojnë të gjithë. Madje, ata që janë më të varfër, kanë një barrë më të madhe fiskale, i lemë të përjashtuar.
Sigurisht, shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, që më 23 Qershor. Ne do të ecim drejt mbulimit universal, që tashmë është objektiv botëror, por si model, kemi zgjedhur taksimin e përgjithshëm, për ato arsye që i kemi thënë kur ishim në opozitë, që shqiptarët i kanë dëgjuar nga ne dhe nga kundërshtarët tanë, vizionet e ndryshme gjatë fushatës dhe kanë bërë zgjedhjet e tyre.
Sigurisht, jemi vendosur ta zbatojmë programin pikë për pikë, ashtu siç e zbatuam këto 300 ditët e para. Ne u angazhuam që do ta heqim taksën e sëmundjes, TVSH-në mbi barnat dhe shërbimet mjekësore, e hoqëm në dhjetor, e rikonfirmuam javën e kaluar me ligjin e ri integral për TVSH-në.
Madje, javën e kaluar përjashtuam nga tatimi mbi vlerën e shtuar, – 20% në këtë rast, – pajisjet mjekësore të implantueshme. Pra, ato pajisje që bëhen pjesë e funksionit normal të njeriut.
Sigurisht, po avancojmë me programet bazë.
Mua më vjen keq, që Partia Demokratike kishte zgjedhur sot të hapte dhe të bënte prezantimin kryesor për shëndetësinë, një person, i cili sot është paditur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm (FSDKSH) për shpërdorim detyre, me pasoja të rënda nëse do të lihej ashtu. Në ditët e ndërrimit të qeverive, kur ai person kryente përkohësisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm, me një veprim të kundraligjshëm, prodhoi një dëm financiar, që po ta linim ishte 2 milion dollarë (amerikanë) në vit. Këtë person, për fat të keq, opozita e kishte zgjedhur sot të bënte prezantimin për shëndetësinë.
Sigurisht, Prokuroria do të bëjë punën e vet dhe unë i kërkoj asaj të vazhdojë këtë punë.
Gjithashtu, për të sqaruar këdo, Programi i Kontrollit Bazë 40-65 vjeç, që është objektivi ynë kryesor programor, që fillon të realizohet që këtë vit, ka kaluar deri tani në të gjitha procedurat e domosdoshme. Dhe për këdo që është i paqartë, apo do të bëjë të paqartin, ky është Manuali i Protokollit të Kontrollit Bazë, i hartuar nga shumë profesorë, të cilët nuk po i citoj.
Por, ndërkohë, ka filluar për mjekët e shërbimit parësor, trajnimi që të jemi gati kur të fillojmë këtë proçes. Sigurisht, kemi fondet e domosdoshme për këtë vit, për muajt që kanë mbetur dhe në buxhetin afatmesëm, janë parashikuar fondet e nevojshme për ta vazhduar në mënyrë të qëndrueshme ndër vite.
Ndërkohë, po e përsëris, e gjetëm shëndetësinë me spitale të pafurnizuara dhe me borxhe.
40 milion dollarë (amerikanë) borxhe kishte në shëndetësi, janë shlyer deri më sot 60% e këtyre borxheve. Ndërkohë, listën e barnave spitalore e zgjeruam me 200 barna. Fondi i përgjithshëm u rrit me mbi 15%.
Siç jemi angazhuar, që sëmundjet tumorale dhe kardiovaskulare do t’i kemi me prioritet, fondi për citostatikët u dyfishua. Gjithashtu, edhe lista e re e barnave të rimbursueshme, me 55 barna më shumë, përfshiu grupe të reja, si: fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, të sëmurë me tumor, apo të sëmurë me varësi ndaj alkoolit.
U akuzuam se TVSH-ja u hoq, por çmimet e barnave nuk u ulën. U provua pas 4 muajsh, që çmimet e barnave u ulën, u ulën nga marzhet e diferencuara, u ulën nga negocijimi i çmimeve dhe nga heqja e TVSH-së.
Sigurisht që shqiptarët meritojnë më shumë, meritojnë zgjidhje dhe më të shpejta, ne jemi të vendosur t’i përmbahemi angazhimeve. Dua ta theksoj, edhe me projektligjin që u miratua më parë, me futjen e pensionit social si koncept i ri, dhe me mbulimin shëndësor me rezidencë kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kohezionit social në shoqërinë tonë.
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.