Gjatë inspektimit të punimeve në Qendrën Shëndetësore nr 2. në Korçë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se po investohet si asnjëherë më parë në shërbimin parësor, ku përpos ndërhyrjeve në infrastrukturë do të garantohen shërbime të integruara në çdo qendër shëndetësore
Korçë, 30 Shtator – “Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me 100 qendra shëndetësore dhe pika ambulancash, të cilat do të rehabilitohen në vitin 2019”. Gjatë inspektimit të punimeve në qendrën shëndetësore nr. 2 në qytetin e Korçës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se janë drejt përfundimit 80 qendra shëndetësore dhe pika autoambulancash nga veriu në jug të vendit, ndërsa në vitin 2019, do të investohet në 100 qendra të tjera.
“Përpos ndërhyrjeve në instrastrukturë, ne do të garantojmë shërbme të integruara në cdo qendër shëndetësore, të cilat do të ofrohen pa burokraci falë përdorimit të recetës elektronike, tashmë edhe të referimit elektronik për të caktuar orën dhe ditën e vizitës së specializuar”, tha Manastirliu.
Vetëm në qarkun e Korçës po punohet intensivisht për rehabilitimin e 6 qendrave shëndetësore, të cilat do të pajisen edhe me aparaturat e nevojshme mjekësore, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në 4 vite. Rreth 480 mijë qytetarë do të kenë kushte dhe standard bashkëkohore në shërbimin shëndetësor parësor, me rehabilitimin e 80 qendrave të para brenda muajit Dhjetor.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.