.

vije ndarëse

Postuar më: 24/12/2018

Manastirliu feston me fëmijët në Pediatri: Spitalet në gadishmëri

Manastirliu feston me fëmijët e shtruar në Pediatri: Spitalet në gadishmëri për festat e fundvitit

Tiranë, 24 Dhjetor – “Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gadishmëri 24 orë në ditët festive. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila festoi vigjiljen e Krishtlindjes me fëmijët e shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për të siguruar shërbim 24 orë në ditët e festave, me personel të shtuar në urgjencat e spitaleve”, tha Manastirliu.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për gadishmërinë gjatë festave të fundvitit parashikon edhe sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore shtesë për çdo emergjencë.
Gjithashtu në ditët e festave vendoset në gadishmëri edhe shërbimi i autoambulancave dhe Njësisë së Helikopterëve.
Është përcaktuar edhe lista e mjekëve “on call” për çdo spital, pra që do jenë në gadishmëri për çdo situatë emergjente.
Festës në Pediatrinë e QSUT-së ju bashkua edhe administratori me ekipin e OShEE-së me dhurata për të gjithë fëmijët. Aktorët e “Portokallise”, balerinë profesionistë dhe animatorë e personazhe të dashur për fëmijët krijuan atmosferë festive me dhurata e kërcime në të gjitha repartet e Pediatrisë.
Ministrja Manastirliu i ftoi të gjithë për të qenë më shumë solidarë në këto ditë të festave të fundvitit me ata që kanë më shumë nevojë.