Lufta nuk ka mbaruar, por me shifrat që disponojmë deri në këto momente, në 40 ditë, kemi arritur të zvogëlojmë kurbën epidemike, të gjurmojmë personat e dyshuar dhe të trajtojmë çdo rast që ka patur nevojë për kujdes spitalor!
Fjala e plotë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në Kuvend:
Nesër bëhen plot 40 ditë që Shqipëria po përballet çdo ditë me armikun e padukshëm Covid19. Ndërkohë që të gjithë vendet po përballen me këtë krizë globale.
Vendimet e marra në kohën e duhur nga Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare, shmangën atë që në shumë vende është quajtur krizë/kolaps i sistemit shëndetësor, duke numëruar mijëra të prekur, e qindra humbje jete në ditë në vetëm pak javë nga fillimi i kësaj pandemie.
Në këtë luftë, shembull i përsosur i luftëtarëve kanë qenë shumica e qytetarëve, që kanë treguar me vepra një rezistencë të shkëlqyer, durim dhe kurajo të pashembullt, në përballje me këtë armik, duke u mbrojtur e duke mos i lënë kohë të infektonte në mase e të na përballte me katastrofën e mijëra e mijëra të prekurve, e më shumë se 300 humbje jete.
Ndërsa Heronjtë tanë, ata në vijën e parë të kësaj përballje, janë mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e urgjencës kombëtare, që me sakrificë e vetmohim janë aty çdo minutë të ditës, çdo ditë të javës, në vijën e parë të zjarrit me Covid19. Sa herë më jepet rasti, do t’i përsëris falenderimet dhe mirënjohjen për ta, me zemër.
Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19, ose 10,7% raste të testuara pozitive në 4830 mijë testimet e kryera, një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara.
Personeli mjekësor është testuar pa ndërprerje, mbi 800 testime janë kryer, më pak se 9% të personelit të testuar rezultojnë të prekur, por fatmirësisht mbi gjysma e tyre janë të shëruar. Do vijojme të mbrojmë mjekët, duke garantuar testim dhe mbrojtje.
Në dy spitalet Covid aktualisht vetëm 14% i kapacitetit është i zënë, por përballemi ende me raste të renda të prekura nga ky virus. 12 pacientë janë në terapi intensive dhe katër prej tyre në frymëmarrje të drejtuar. Nuk kemi patur asnjë mungesë në terapi mjekimi dhe mbështetje logjistike me materiale të mbrojtjes personale dhe po ashtu me aparatura të nevojshme, siç janë respiratorët.
Lajm inkurajues është se numri i të shëruarve prej 5 ditësh rezulton të ketë kaluar numrin e të infektuarve aktiv. Kjo është një shenjë e mirë krahasuar me vendet e rajonit, por ende nuk është koha për bilance se nuk jemi në kushtet kur lufta ka mbaruar.
Asgjë nuk ka mbaruar, por me shifrat që disponojme deri në këto momente, në 40 ditë, nën masa të rrepta, kemi arritur të sheshojmë kurbën epidemike, të gjurmojmë hartën e kontakteve të personave të dyshuar dhe të trajtojmë çdo rast që ka patur nevojë për kujdes spitalor.
Puna në terren nuk po ndalet për të gjurmuar e izoluar çdo rast, që të kufizohet sa mundet përhapja dhe zinxhiri i infeksionit të ndërpritet. Ashtu siç po bëhet në vatrat e reja, falë suksesit të gjurmimit epidemiologjik në Shkodër, ku po punojmë për të identifikuar të gjithë lidhjet e kontakteve dhe nga ky 60% e rasteve rezultojnë asimptomatike.
Më shumë se 100 punonjës të njësive vendore, epidemiologë e ndihmës epidemiologë janë angazhuar në hetimin dhe gjurmimin e kontakteve në të gjithë vendin.
Sfida pas gjashtë javësh është faza e dytë e strategjisë për ri-hapjen e kujdesshme, hapat e së cilës do varen nga të dhënat e kurbës epidemiologjike dhe nga kapacitetet monitoruese dhe ato të sistemit shëndetësor.
Ndaj, për të kompletuar këtë strategji, duhet të disponojmë të gjithë instrumentat, edhe ato ligjore. Ndryshimet që po propozojmë në Ligjin e Sëmundjeve Infektive, e në ndryshimet në Kodin Penal që lidhen me situatën e epidemive, jo vetëm që na vendosin në një linje me vendet e tjera, që këto dispozita i kanë patur të parashikuara, por mbi të gjitha, nëse duam të kalojmë në fazën e tranzicionit të të bashkëjetuarit me këtë virus, do të duhet të kemi të gjitha armët për ta luftuar atë. Ndaj, rritja e përgjegjësisë individuale, e ndërgjegjjes qytetare është esenciale, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit publik. Sipas dëmit, duhet të jetë dhe ndëshkimi, për këdo që cënon lirinë dhe jetën.
Po propozojmë të forcohen masat, nëpërmjet amendimeve në Ligjin për Sëmundjet Infektive, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar që shëndeti, si e drejtë themelore, të mos cënohet dhe e mira e përgjithshme, të prevalojë.
Nuk ka asnjë dyshim, që kjo luftë nuk mbaron këtu. Deri në zbulimin e vaksinës që do mundë këtë virus, ne do duhet të përmirësojmë çdo ditë strategjinë e përballjes me Covid19.
Në fund, më lejoni të bëj një falenderim për të gjithë kolegët deputetë të mazhorancës dhe opozitës, që kanë kontribuar aktivisht në luften kundër këtij armiku.
Ndaj, një thirrje për qytetarët: Lufta me këtë virus fitohet nëpërmjet distancimit social. Zbatimi i vetëkarantinimit dhe izolimit janë thelbësore, nëse duam ta fitojmë pa shumë humbje këtë luftë!
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.