Mbulimi dhe Aksesi Universal është Përgjigja ndaj Asimetrive të Zhvillimit
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Forumin Publik të organizuar sot në Tiranë nga Akademia e Shkencave, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike: “Asimetritë e Zhvillimit: Mirëqënie sociale apo varfëri ekstreme?”
Tiranë, 23/4/2015
—###—
I nderuar profesor Korkuti (z. Myzafer Korkuti, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë),
Të nderuar akademikë, pjesëmarrës!
Së pari, më lejoni t’ju falenderoj sinqerisht për ftesën, sepse ndjehem goxha i emocionuar. Është hera e parë, që në aktivitete të ngjashme vij në këtë pozicion, por ndërkohë, për rrethana familjare, kam marrë pjesë në aktivitete të tilla, kur ka qenë im atë. Dhe sigurisht që do të përpiqem, – që ajo për çfarë mund të lidhet për ju me atë gjë, – ta justifikoj.
Edhe njëherë, faleminderit!
Së dyti, nëse vijmë tek tema, tek ato që edhe z. Barjaba (z. Kosta Bajraba, Anëtar i Akademisë së Shkencave) parashtroi, unë besoj se kemi ende nevojë, për të diskutuar në mënyrë më të shkoqur, për çfarë ka ndodhur këto 25 vjet.
Nëse mua do të duhet të flisja shumë ngushtësisht se çfarë ka ndodhur me treguesit e shëndetit në Shqipëri, unë, – po kushdo që do të ishte në vendin tim, – do të ndjehej, pse jo, krenar. Në këto 25 vjet, – në fakt të dhënat e fundit janë të 1990-2012, në Shqipëri është rritur jetëgjatësia, – 6 vjet për burrat dhe 4 vjet e gjysëm për gratë, – që do të thotë në fund të fundit, në Shqipëri jetohet më gjatë, dhe ky është një tregues.
Por, edhe me elementë të tjerë, të cilët i vlejnë edhe botës akademike, kur bëjnë krahasimet globale në Shqipëri janë përmirësuar, qoftë mortaliteti amtar, qoftë ai foshnjor, qoftë shkalla e lartë e mbulimit me vaksinim; që do të thotë, në disa tregues globalë, kemi bërë përparim të ndjeshëm.
Pastaj, hapet natyrshëm diskutimi: Çfarë perceptojnë shqiptarët për sistemin shëndetësor në Shqipëri? A është perceptimi i tyre simetrik me këto të dhëna, që janë të pakontestueshme, sepse vijnë nga burime shkencore? Unë, e pranoj që jo.
Së dyti, në atë çfarë ndodh me profilin e varfërisë në Shqipëri, sa ndikon mungesa e një sistemi të plotë të kujdesit shëndetësor? Në fund të fundit, sfidat në kujdesin shëndetësor, mbeten po ato globalisht, sa jemi në gjendje që ne të ndërtojmë një sistem, që i mbron familjet tona nga rënia në varfëri, në rast se përballohen me probleme shëndetësore? Është një çështje globale, çështja e mbulimit. Unë vetë, të paktën si qytetar i këtij vendi, ndjehem jo i kënaqur, që debati për mbulimin në kujdesin shëndetësor, ka mbetur monopol i debatit politik në kohë fushatash, dhe si i tillë, nuk ka arritur të bëhet pjesë e shoqërisë, e diskutimit apo edhe e mendimit shkencor.
Megjithatë, në fund të fundit, Mbulimi është një objektiv i gjithë botës. Presidenti i Bankës Botërore e ka shpallur si një objektiv të 2030-ës, Qeveria ku unë bëj pjesë, e ka si objektiv të 2017-ës.
Megjithatë, Mbulimi sado që mund të arrihet në rradhë të parë në letër, në ligj dhe së treti organizativisht, nuk është asgjë në qoftë se nuk shoqërohet me Aksesin Universal. Vend i vogël jemi, por praktikisht, brenda këtij vendi të vogël, vazhdojmë të kemi pabarazi, i kemi në Mbulim, por që theksohen më shumë nga pabarazitë në Akses. Dhe këto pabarazi në Akses, na i mbajnë gjallë barrierat gjeografike, barrierat financiare, bashkë me barrierat kulturore.
Po e përsëris, që kemi arritur rezultate shumë pozitive, për sa i përket mbulimit me vaksinim. Sot jemi në Javën Europiane të Vaksinimit, Shqipëria ka një nivel të vaksinimit të kalendarit kombëtar prej 97%, dhe sigurisht kjo reflektohet në faktin, që në barrën e sëmundjeve, sëmundjet infektive në Shqipëri zënë rreth 12%. Dhe për të arritur te norma e Europës dhe Botës prej 5% do na duhen rreth 10-15 vjet.
Por, nga ana tjetër, po përballemi ndjeshëm dhe me ritme të shpejta, me tendenca që prej vitesh i ka bota e zhvilluar – barra po spostohet tek sëmundjet kronike, të cilat janë sot faktori kryesor i shkurtimit të jetës dhe i shkurtimit të viteve të shëndetshme. Unë besoj se shqiptarët meritojnë jo vetëm të jetojnë më gjatë, por edhe të kenë sa më shumë vite jete të shëndetshme, apo të kenë sa më pak vite jete me invaliditet.
Për fat të mirë, ne disponojmë një dokument shkencor, të publikuar në shkurt 2015, që Raporti i Shëndetit 2014, raport i cili pas shumë shumë vitesh prodhohet për herë në Shqipëri, i cili na thotë se tre janë faktorët kryesorë të riskut:
Dieta ushqimore, tensioni arterial dhe duhanpirja. Këto pastaj, krijojnë edhe pasoja të tjera në shëndet, me ndikim të drejtpërdrejtë në varfëri.
Atëherë, edhe ne po punojmë që, në bazë të këtij profile epidemiologjik të popullsisë shqiptare sot, të japim përgjigjet tona. Enkas në Programin e Qeverisë, sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale janë dy prioritet kryesore, sepse edhe në barrën e sëmundjeve, kanë barrën më të lartë.
Sigurisht që, po punojmë për të zgjeruar aksesin, në gjithë spektrin e tij. Në fund të fundit, ajo çfarë duhet të ofrojmë, është kujdes shëndetësor të përballueshëm, me medikamente të një liste esenciale të pranuar botërisht, që janë prezentë në treg, janë prezente në mënyrë të vijueshme në spitale, janë prezente në skemat e rimbursimit, por janë prezente edhe në çmime të përballueshme.
Së dyti, në diagnostikë një nivel të caktuar diagnostike dhe po punojmë që, shumë shërbime të mund t’i shpërndajmë në spitalet rajonale. Dhe nga ana tjetër, dy-tre shërbime jetike, jetëshpëtuese, që lidhen me urgjencën kardiake dhe urgjencën cerebrale, t’ia bëjmë disponibël qytetarëve shqiptarë 24 orë, 365 ditë. Dhe të vetëdijshëm, që në kushtet e sotme nuk i kemi mundësitë financiare për të arritur plotësisht më sistemin publik, kemi filluar ta kontraktojmë dhe ta blejmë shërbimin edhe tek institucionet jopublike.
Nëqoftëse flasim për barnat, ne kemi sot një situatë që, nëqoftëse do të krahasonim dhe sasinë e barnave të vendosur në treg në 2013-ën, në krahasim me 2015-ën, e njëjta gjë kushton rreh 32% më pak, kushton 70 milion dollarë më pak, por për familjen konkrete, do të thotë, se nëse dikush blente barna në nivelin 3-4 mijë lekë të reja në muaj mesatarisht, sot i blen me më pak se 2 mijë lekë. Dhe besojmë se edhe kjo e zgjeron Aksesin, dhe për më tepër, është një masë e mirëfilltë, që unë do ta quaja progresive, sepse nëse në familje në sëmundje kanë nevojë për 2 mijë lekë barna, për dikë që i ka 50 mijë lekë të ardhurat mujore të familjes, ka një peshë të caktuar dhe kush i ka 200 mijë lekë, ka një peshë shumë herë më të vogël.
Pra, jo vetëm e bëjmë barin të aksesueshëm, por progresivisht ia lehtësojmë më shumë të varfërit. Ne besoj se, edhe në bashkëpunim me sektorin jo publik, këtë vit e mbyllim listën e pritjes së transplantit të veshkës, me dhurues familjar. Shqipëria ka rreth 80 persona që kanë nevojë, por të paktën për ata që e kanë gjetur një dhurues, ne e shterojmë listën e pritjes këtë vit, një shërbim që me para publike, sot për sot arrijmë ta marrim në institucionet jopublike. Kushton rreth 7 mijë euro, për shumë familje mund të jenë sa të ardhurat, sa gjysma e të ardhurave vjetore, për një familje shumë të vogël, mund të jetë më pak se të ardhurat mujore, por është një masë në shërbim, po e pësëris, e mirëfilltë, me efekt progresivisht në të ardhurat e familjes.
Dhe sigurisht, ka shumë masa të tilla, por që duhet t’i kthehem asaj që thashë në fillim, të gjitha këto janë ende asimetrike me perceptimin e shqiptarëve për gjendjen e sistemit shëndetësor, gjë që në vlerësimin tim dhe të bashkëpunëtorëve të mi, në këto 20 muaj që punojmë në Ministrinë e Shëndetësisë, lidhet kryesisht me aksesin e kufizuar, me aksesin jo transparent, dhe sidomos me aksesin jo të sigurtë.
Ende shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë, më shumë jetojnë me ankthin e frikës, se në zinxhirin e sistemit të referimit do të përballen me vonesa, që pastaj do të duhet t’i zgjidhin në mënyrë shqiptare, me njohje familjare, farefisnore, politike dhe me rryshfet. Të gjitha janë sfida që çojnë tek, nëse nuk çojnë tek rritja e varfërisë globale në vend, çojnë te një polarizim i shtresave të ndryshme të shoqërisë, dhe ne po përpiqemi që për disa shërbime, në përputhje me atë profil epidemiologjik që unë ju fola, ku është barra më e madhe e sëmundjes, të jemi sa më prezent në territor.
Ndërkohë, po punojmë në dy drejtime, që besoj, jo vetëm e përmirësojnë kujdesin, por edhe zbusin shumë rrezikun e rënies në varfëri, në rast sëmundjeje.
E para, është Programi i Kontrollit Bazë 40-65 vjeç. Është hera e parë, që ne po përpiqemi që shërbimin parësor, ta orjentojmë nga sëmundja tek shëndeti. Është i shtrirë sot që flasim në rrethin e Tiranës, në rrethin e Durrësit, në rrethin e Krujës, dhe prej disa javësh, përditë, rreth të paktën 450 shqiptarë në këtë grupmoshë, shkojnë në qendrën shëndetësore afër vendbanimit të tyre, si qytetarë të shëndetshëm, ende jo si pacient. Ne shpresojmë që mos të kenë kurrë nevojë, por statiskat tregojnë se në këtë grupmoshë fillojnë e shfaqen disa prej sëmundshmërive me fatalitet të lartë.
Së dyti, është Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore. Ne e kemi jo efiçent, jo të vendosur si duhet në territor, jo të pajisur siç duhet, por në radhë të parë shqiptarët nuk besojnë tek ai shërbim, sepse 2/3 e rasteve, që paraqiten në urgjencat e spitaleve, shkojnë me mjetet e tyre, me transportin e tyre. Dhe nuk jemi në gjendje të krijojmë, një radhë prioritare sipas nevojës, por funksionojmë sipas parimit “FIFO” (First In, First Out), kush vjen i pari, merr i pari, se ai të vjen tek dera e urgjencës.
Besoj se të dyja këto: Urgjenca ka qenë gjithmonë e mbuluar nga financimi publik dhe Programi i Kontrollit Bazë është i financuar plotësisht publik, nuk ka dallim nëse je i siguruar apo jo. Kontrolli Bazë në rezidencën në Shqipëri, – pra pagimin e taksave këtu në mënyrë indirekte, – ndërsa urgjenca kushdo qoftë ai që është në territorin e Republikës së Shqipërisë, besojmë se ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zbutjen e varfërisë.
Jemi ende herët për të thënë, pasi sa ka filluar të ndikojë realisht kjo, sa nga këto masa janë zbuluar sëmundjet në stad të hershëm, janë parandaluar fatalitete, apo janë shkurtuar invaliditet. Po të paktën, mund t’ju them që, ne kemi arritur, që në ndërhyrjet koronare të zemrës, radha e pritjes, nga 7 muaj e gjysëm, e kemi sot 2 muaj e gjysëm. Dhe besoj se, synimet janë që, në janar të vitit tjetër, kjo gjë të jetë jo më shumë se 4 javë, që besoj se është një normë mesatarisht e pranueshme, krahasuar me vende më të zhvilluara se ne.
Pra, janë këto problemet kryesore, që besoj se kanë nevojë për një diskutim edhe le të themi më profesional, më shkencor. Kështu që, në një forum të tillë me akademikë, unë do të isha shumë i kënaqur, nëse do të nxisnim diskutime që bëhen jashtë politikës, qoftë për çështjet e mbulimit, qoftë për çështjet e aksesit, por sidomos të informimit dhe informacionit.
Domethënë, jemi ende jashtëzakonish defiçitarë në promocion shëndetësor. Edhe nëse kemi një rezultat, në vlerësimin tim, sigurisht mund të jem subjektiv, relativisht pozitiv në kontrollin e duhanpirjes në vendet publike, në vlerësimin tim, vjen kryesisht prej angazhimit të Qeverisë ku unë bëj pjesë, për forcimin e zbatimit të ligjit dhe të një ngopjeje, si të thuash, të shqiptarëve ndaj duhanpirjes, por jo ende me ndërgjegjësimin si kujdes në shëndet. Dhe këtu, qoftë me duhanpirjen, qoftë me alkoolin, them se duhet të bëjmë më shumë nga pikëpamja e informimit dhe e promocionit.
Por, besoj se, edhe disa nisma të tjera të ndërmarra nga Qeveria, ndikojnë në uljen e rrezikut ndaj ekspozimit të sëmundjeve, që për pasojë na çojnë në varfëri.
Ne kemi një sërë masash të reja, – të paktën deri tani janë vetëm vendime qeverie, – do të duhet të bashkëpunojmë me strukturat e shëndetësisë dhe ministrisë së mirëqënies sociale dhe rinisë, t’i zbatojmë, që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë. Edhe në kontekstin e shumë profesioneve të reja, që zhvillimi ekonomik i 15 viteve të fundit ka sjellë në Shqipëri.
Kemi krahasuar në 2 vite, rezultate premtuese pozitive në uljen e aksidenteve rrugore, si pasojë e investimeve që janë bërë për sigurinë rrugore. – Kemi marrë një financim të ri 67 milion euro për sigurinë rrugore dhe me financimin e policimit nga policia rrugore në territor.
Por, derisa është edhe zonja Malaj (znj. Nora Malaj, Zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit) këtu, nuk po zgjatem për të thënë, se edhe po prek shumë shkurtimisht, edhe rritja e orëve të mësimit të edukimit fizik në shkollë, është po në drejtimin e duhur, në mënyrë që brenda le të themi disa viteve, të mund të rekuperojmë mangësitë që kemi në zhdërvjelltësinë e adoleshentëve, dhe në shenjat e dukshme që kemi në rritje të obezitetit.
Pra, të gjitha këto së bashku, besoj se janë përpjekje në drejtim të rritjes së kujdesit shëndetësor, të prezencës së tij, fola pak për rritjen e cilësisë që lidhet me burimet njerëzore, sepse ajo është diçka që zhvillohet në mënyrë relativisht të pavarur, nga institucionet e arsimit të lartë.
Unë jam përpjekur si Ministër të mos ndërhyj aty në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe pse jam më i interesuari për produktin e këtij proçesi formues, edhe pse ka qenë, sidomos muajt e fundit, i lidhur edhe me një diskutim të nxehtë që është bërë me çështjet e edukimit në vazhdim dhe e rivlerësimit të njohurive të mjekëve. Por, ngelet padyshim edhe kjo, një nga sfidat më të vështira.
Dhe sigurisht, kemi mjete të kufizuara financiare, por edhe aty ku kemi bërë investime, me vështirësi gjejmë burime njerëzore të afta, sepse nëse paratë mund t’i gjejmë nesër dhe qeveria mund t’i prioritizojë nga një sektor në sektorin tjetër, formimi i një mjeku shkon të paktën në një cikël, nga matura deri sa del specialist, të paktën 10 vjet, dhe janë boshllëqe të krijuara në vite, do na duhet kohë që t’i rikuperojmë.
Ndoshta fola pak gjatë, ndjesë nëse për disa nga ju, ajo çfarë kam thënë nuk ishte me interes, edhe njëherë faleminderit për mundësinë për të komunikuar me ju.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.