Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 21/02/2014

Më shumë komunikim, transparencë dhe reduktim në maksimum të konfliktit të interesit në shëndetësi

Tiranë, 21/2/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, morri pjesë sot (21/2/2014) në Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Fushën e Gjinekologjisë dhe IVF (In-Vitro Fertilization), me temë “Kirurgjia Endoskopike Gjinekologjike dhe Teknologjia e Riprodhimit të Asistuar”, të organizuar nga Spitali Hygeia Tiranë dhe të akredituar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, Ministri Beqaj theksoi, ndërmjet të tjerash, rëndësinë që ka edukimi në vazhdim, si një sfidë e përhershme e shëndetësisë shqiptare.

Gjithashtu, z. Beqaj foli për rolin e rëndësishëm që ka dhe duhet të luajë shërbimi mjekësor jo-publik si komplementar në përmbushjen e misionit për kujdes shëndetësor për të gjithë shqiptarët, duke shpjeguar se “në programin e qeverisë ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me mjekësinë jo-publike, duke e vlerësuar atë si komplementare në përmbushjen e atyre synimeve që kemi”.

Në fjalën e tij, ministri kërkoi nga komuniteti e mjekëve dhe punonjësve të shëndetit në vend, qoftë të sektorit publik apo qoftë edhe të atij jo-publik, më shumë komunikim, më shumë transparencë dhe reduktim në maksimum të shfaqjeve të konfliktit të interesit në shëndetësi.

“Na duhet që bashkërisht të angazhohemi, sidomos, për dy gjëra: transparencë, dhe sa më shumë të jetë e mundur, reduktim maksimal i konfliktit të interesit. Dhe besoj, se bashkërisht do të na duhet të ndërtojmë edhe një sistem komunikimi më të drejtpërdrejtë,” – tha më tej ai.

Në vijim, teksti i plotë i fjalës së Ministrit Beqaj.

—###—

Mirëdita!

Zoti Krasadakis,

Të nderuar profesorë, mjekë, specialistë,

Së pari, faleminderit për ftesën.

Përgëzime për këtë aktivitet dhe, padyshim, përgëzime shumë të mëdha për kontributin e vijueshëm që jepni prej disa vitesh në zgjerimin dhe forcimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Thelbi, në fakt, i aktivitetit të sotëm për mua si ministër është edukimi: edukimi në vazhdim. Edhe pse, padyshim, ju i keni sot dy tematika kryesore specifike.

Dihet që nuk jam mjek, por tani që merrem më shumë me çështjet e shëndetësisë, kur vjen puna tek gjinekologjia, gjithmonë më kujtohen disa episode që nuk e di pse doktor Solisi kur ishte ministër, ilustrimet e situatave të ndryshme administrative i lidhte me gjinekologjinë. Më kujtohet një herë që u mërzit shumë nga një qëndrim i imi në një takim pune dhe më tha që, – ajo më kujtohet gjithmonë, – kjo është… – tani ju jeni zonja, apo jeni mjekë, kështu që nuk e keni problem, – ai ulëriste dhe thoshte: “Ilir është njësoj si t’i thuash një gruaje shtatzënë kur lind, mbaji këmbët mbyllur; – dhe kjo ndodhte dhjetë vjet më parë.”

Nuk janë kohë të lehta për ata që merren me shëndetësinë. Sigurisht, për menaxherin e Hygeia-s, për mua si ministër, por besoj, edhe për ju profesionistët e shëndetësisë, do të na duhet, besoj, të ndërtojmë bashkarisht edhe një sistem komunikimi më të drejpërdrejtë, edhe më transparent. Nuk janë kohë të lehta qoftë për sistemin publik, apo qoftë edhe për sistemin jopublik, megjithatë, në programin e qeverisë ne jemi angazhuar që të bashkëpunojmë me shëndetësinë jopublike duke vlerërsuar atë si komplementare në përmbushjen e atyre synimeve që kemi.

Hapat e parë i kemi filluar, – besoj unë, – të qëndrueshme dhe profesionale. Ekziston një bashkëpunim tradicional për shërbimin e dializës, por me Fondin e Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) po punojmë pikërisht këto ditë, dhe besoj nga mesi i marsit, duhet të përfundojnë paketat e shërbimeve për: transplantin e veshkës, transplantin e mëlçisë, implantin koklear dhe disa trajtime të kardiokirurgjisë invazive.

Ne do të miratojmë paketat, standartet, protokollet dhe kostot e tyre, dhe padyshim do të ftojmë institucionet publike dhe jopublike të lidhin një kontratë me Fondin (FSDKSH) për të filluar ofrimin e këtyre shërbimeve që në fillim. Në buxhetin e vitit 2014 ka fonde të alokuara pikërisht për ofrimin e këtyre paketave. Nuk do të hyjmë në detaje në atë pjesë profesionale që ju do të zhvilloni sot dhe nesër, sigurisht që të dyja temat janë shumë interesante.

Si ministër unë kam për detyrë që të lehtësoj çdo lloj aktiviteti që kryhet në Shqipëri në fushën e shëndetësisë, do të optimizojmë burimet që kemi dhe energjitë që shpenzojmë. Edhe në sistemin publik brenda vitit besoj do të avancojmë me ato që ju trajtoni sot edhe për faktin se në qendrat tona publike dhe universitare, përveçse kujdesit shëndetësor për pacientët shqiptarë, kemi edhe detyrimin të formojmë brezat e ardhshëm të mjekëve. Sigurisht, shëndetësia është diçka dinamike, ka ngjarje përditë.

Pardje organizuam analizën vjetore të Qendrës Spitalore Universitare. Siç disa prej jush mund ta kenë ndjekur, u paraqitën disa shqetësime në lidhje me marrëdhëniet që kanë institucionet publike me ato jopublike. Duket që ka një kontradiktë që po zhvillohet në vend. Për mua vetë është më shumë artificiale. Sepse praktikisht, baza e trupës mjekësore, mbetet praktikisht po ajo. Që është më shumë detyrë e imja, e kolegëve të mi, e bashkëpunëtorëve të mi, ta lehtësojmë këtë shqetësim, që nuk është, për mendimin tim, plotësisht i drejtë. Na duhet që bashkërisht, të angazhohemi sidomos për një gjëra: transparencë, dhe sa më shumë të jetë e mundur, shmangie, ose reduktim maksimal, i konfliktit të interesit.

Dhe gjithashtu, se na duhet bashkërisht të ndërtojmë një sistem edhe komunikimi më të drejtpërdrejtë. Nuk janë kohë të lehta qoftë për sistemin publik, qoftë për sistemin jo-publik. Megjithatë, në programin e qeverisë, ne jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me mjekësinë jo-publike duke e vlerësuar atë si komplementare në përmbushjen e atyre synimeve që kemi.

—###—