Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 17/10/2013

Ministrat Beqaj, Veliaj dhe Nikolla, së bashku me Avokatin e Popullit Totozani vizitojnë famijet rome

 

Tiranë, 17/10/2013 – Sot pasdite (17/10/2013), Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin e Mirëqënies Sociale e Rinisë, z. Erion Veliaj, Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Avokatin e Popullit, z. Igli Totozani, të shoqëruar edhe nga deputeti i Parlamentit Europian dhe raportuesi për Shqipërinë, z. Nikola Vuljaniç, inspektuan nga afër familjet e komunitetit rom të strehuara përkohësisht në Shishtufinë, pas zhvendosjes së tyre në mjediset e reja një ditë më parë.

Përveç strehimit, të cilin e cilësuan të përkohshëm, tre Ministrat dhe Avokati i Popullit garantuan shërbime të veçanta për shëndetin dhe shkollimit e fëmijëve të këtij komuniteti. “Brenda muajit, mbajtëm premtimin që u kishim dhënë këtyre banorëve në ditën tonë të parë të punës. Zgjidhja e krizës së këtyre familjeve ishte një prioritet i yni për 100 ditëshin dhe sot jam i lumtur për përmbushjen e shpejtë të këtij detyrimi. Sot të gjithë ne jemi zgjuar më solidarë,” u shpreh z. Veliaj pas inspektimit të qendrës.

Ndërkohë, Ministri Beqaj theksoi se “do të fillojmë menjëherë, që nga dita e nesërme, me çeljen e kartelave shëndetësore, me librezën e shëndetit, të lidhura me qendrën shëndetësore që mbulon këtë zonë, siç bëjmë edhe për banorët e tjerë që banojnë këtu prej kohësh. Do të fillojmë menjëherë me analizat biokimike të urinës dhe feçes, sepse duam të ndërtojmë edhe për këta që janë këtu historinë e shëndetit. Në një grupim prej 300 apo më shumë vetash gjithmonë ekziston mundësia e përhapjes së sëmundjeve apo epidemive të ndryshme”.

Po ashtu, znj. Nikolla u shpresh se “me një paketë speciale ndihme, edhe këtu në këtë qendër, por padyshim edhe për të gjetur edhe gjithë mjedisin e nevojshëm miqësor dhe arsimor në shkollën “Pal Ëngjëlli” dhe në shkollat e tjera sa më pranë këtij komuniteti”.

Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian për çështjet sociale, z. Nikola Vuljaniç tha se është i kënaqur për zgjidhjen që i është bërë krizës në fjalë dhe nënvizoi faktin se kushtet e krijuara në Qendrën Tranzitore të Emergjencave janë të pranueshme.

37 familjet rome që kishin ngritur çadrat në rrugën përballë pallatit me shigjeta në zonën e ish-Dekorit në Tiranë, prej më shumë se dy muajsh, tashmë kanë gjetur strehë në Qendrën e re Tranzitore të Emergjencave të ngritur në Tufinë, si pjesë e shërbimeve të menaxhuara nga Shërbimi Social Shtetëor, njofton Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, pas një pune 4 javore konsultimi me shumë aktorë, duke nisur nga vetë komunteti rom, deri tek organizatat dhe donatorët.

—###—