Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (19/10/2013) në ceremoninë e ndezjes simbolike të flakës së pishtarit të “Flakës së Dashurisë dhe Solidaritetit”, si pjesë e aktivteteve të ndërgjegjësimit për dhurimin vullnetar të gjakut, të organizuar në Parkun Rinia të Tiranës nga Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Massimo Gaiani dhe drejtuesi i kësaj organizate në Shqipëri, Dr. Natale Capodicasa.
Në fjalën drejtuar të pranishmëve me këtë rast, ministri Beqaj, përgëzoi vullnetarët dhe grupin organizator për nismën e lavdërueshme ndërgjegjësuese, duke theksuar se, “dhurimi i gjakut duhet të jetë një akt njerëzor i vullnetshëm dhe i përhershëm.”
Kush dhuron gjak, dhuron jetë, vazhdoi më tej ministri, ndërkohë që vuri në dukje rëndësinë që ka plotësimi i nevojave për gjak, veçanërisht për trajtimin e pacientëve me sëmudje kronikë e me diagnoza të caktuara, si edhe për rastet e fataliteteve. Prandaj, tha më tej z. Beqaj, “çdo akt i dhurimit të gjakut nga qytetarët e shëndetshëm është një vepër e paçmueshme, që duhet t’i rikthehemi në mënyrë të vazhdueshme e të përhershme.”
Duke vlerësuar të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut, ministri i’u bëri thirrje të gjithë njerëzve të shëndetshëm të këtij vendi, që në mënyrë të vazhdueshme të ndërgjegjësohen për rëndësinë jetike që ka dhurimi i gjakut, duke i’u bashkuar nismave si kjo e sotshmja dhe duke kontribuar për të shpëtuar jetë, për të bërë që të jetojnë si të gjithë, edhe të sëmurët që kanë nevojë për gjak.
Gjithashtu, edhe Ambasadori italian, z. Gaiani, në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, pasi përgëzoi për nismën dhe organizimin e këtij aktiviteti, shoqatën e dhuruesve vullnetarë të gjakut, theksoi se “simbolika më e fortë e solidaritetit njerëzor është dhurimi i gjakut,” duke i’u bashkuar thirrjes së ministrit Beqaj për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut.
Më tej, Ministri Beqaj, i’u bashkua z. Capodicasa, duke dhuruar gjak në tendën e lëvizshme të dhurimit të gjakut të ngritur posacërisht për këtë qëllim në mjediset e Parkut Rinia nga Qendra Kombëtare e Transfuzionin të Gjakut. Çdo dhurues, përveç aktit pozitiv bën dhe një akt të shëndetshëm për veten e tij. Nuk kryen një akt, që e dëmton atë vetë, por e shëndosh dhe e bën të ndihet më mirë, tha z. Beqaj.
Me këtë rast, Ministri Beqaj i’u bëri thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të shëndetshëm t’i bashkohen nismës së organizatës humanitare të dhuruesve vullnetarë të gjakut për të dhuruar gjak rregullisht dhe për të rritur ndërgjgegjësimin mbi rëndësinë e dhurimit vullnetar, pa pagesë të gjakut, si gjaku më i sigurt për transfuzion.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.