Fjala e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për situatën e përmbytjeve në Kuvend – 5/2/2015
[Në replikë ndaj Deputetit të PD-së në Kuvend, z. Sali Berisha]
Të nderuar drejtues të seancës, zotërinj deputetë,
Në fakt, edhe pse për procedurë, këtu e morën fjalën fjalën ish-Kryeministër, ish-Ministër, ish-Zëvendësministër, i Brendshëm, i Financave, përsëri një pyetjeje thjesht nuk i’u dha përgjigje.
Pse e latë arkën e emergjencës bosh, kur latë qeverinë?
Pse e latë magazinën e emergjencës bosh dhe pse pas kaq viteve nuk i shlyet dëmshpërblimet e përmbytjeve në Shkodër?
Të paktën, këtë që e kam parë, prekur, numëruar dhe ndjekur edhe vetë si deputet i Shkodrës. Është e qartë, që këtyre përgjigjeve i bishtnoni sepse nuk jeni në gjendje të jepni një përgjigje të drejtë. Bashkohet paaftësia që e menaxhuat atëherë keq si çdo gjë tjetër dhe, sigurisht, ligësia dhe hileja për t’iu shmangur përgjegjësive ndaj shqiptarëve.
Por, ndërkohë, sigurisht që përmbytja ecën me hapat e veta, dhe të paktën nga sot që flasim, ka filluar të zbatohet plani i rehabilitimit sanitar të zonave të përmbytura.
Drejtoritë e shëndetit publik, drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, kanë marrë udhëzimet përkatëse dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik janë në terren për të dhënë ekspertizën e tyre.
Praktikisht, për fat të mirë, nuk ka asnjë humbje jete si pasojë e përmbytjes. Deri më sot, nuk ka ende deri më sot të konstatuar asnjë sëmundje që buron nga epidemitë, që mund të vijnë në të tilla raste. Edhe pse duhet pranuar që rreziku ekziston. Unë kam vizituar vetë situatën në Novoselë, në Darëzezë. Qendrat shëndetësore janë në funksionim të plotë; të furnizuara me barna dhe materiale mjekësore që kanë qendrat shëndetësore; mjekët dhe infermierët janë po aty; sigurisht që kemi shtuar prezencën, sepse kjo periudhë përmbytjeje përkon edhe me një situatë të ngarkuara të gripit sezonal.
Gjithashtu, me mjete të vogla lundrimi, në raste shumë të veçanta, janë të gatshme,që për shtëpi që janë ende të izoluara, me fëmijë të vegjël apo me të moshuar, të kemi një asistencë pranë shtëpive, ashtu siç edhe urgjencat e spitalit rajonal, janë në gaiishmëri të plotë.
Por, meqënëse në diskutimin e mëparshëm, është lidhur kjo çështje me çështjen e sigurisë së barnave në Shqipëri, dua të shpjegoj për opinionin, të qetësoj këdo, që barnat në Shqipëri janë të sigurta. Të 3700 barnat që janë të regjistruara, rreth 15 barna me rimbursim, që janë të paregjistruara dhe hyjnë me leje importi dhe po kështu dhe 35 barna spitalore.
Është e vërtetë, ka patur një denoncim publik të një rasti javën e kaluar. Dje, ka përfunduar vlerësimi i plotë në QSUT për këtë rast. Edhe pse deri më sot, personi që ka ngritur këtë denoncim, nuk ka pranuar të na sjellë në Ministrinë e Shëndetësisë apo në spital, dokumentet që pretendon se ka.
Por, po ju them që, nga hetimi i deritanishëm rezulton se mjekimi që ka marrë në QSUT në katër cikle, ka dhënë rezultat, – i provuar me analiza, ndodhen në dosje, – sepse markuesit tumoralë nga 71.3 në shtator, ka rënë në 42.3 në nëntor, dhe C-ja nga 8.8 në 4.36, në Shqipëri.
Kush merret me shëndetësinë, me mjekësinë, apo kush ka patur rast familjar, i di se çfarë tregojnë këto tregues dhe çfarë tregojnë përmirësimin e gjendjes shëndetësore, sipas barnave që janë përdorur aty.
Ndërkohë, për fat të mirë, për këto barna, ekziston mundësia – që dhe kushdo mund ta bëjë, – kontrollin online nga sistemi i gjurmimit të barnave.
Por, me sa duket, këtu u fol edhe për mafien e ilaçeve. Po, këtë fjalë e kam dëgjuar para 6 vjetësh nga ai që ka qenë Kryeministër, foli si kalimathi i ilaçeve, por nuk bëri asgjë, bëri zero veprim.
Ndërkohë, që me sa duket, edhe ai është shqetësuar ndjeshëm, që pse në janar 2015, çmimet e ilaçeve në Shqipëri kanë rënë ndjeshëm, – flasim për po ato barna, me po ato mbajtës të autorizimit për tregëtim, me po ato kompani prodhuese.
Dhe ne e kemi thënë në Programin e Qeverisë, që nuk do të lejojmë që barnat në Shqipëri të kushtojnë më shumë se në vendet e origjinës. Dhe tani unë mund t’ua them shqiptarëve një nga një, se çfarë uljesh të ndjeshme kanë pësuar barnat nga 2013 në 2015, po ai bar, po ai prodhues, po ai mbajtës i autorizimit për tregëtim, – që quhet pronar i barit. Ja ku është!
– Antibiotik [Tavanic Vial] 54% më lirë;
– Produkte të lëkurës [Dermovate Oinm] 51% më lirë;
– Vermox 74% më lirë;
– Voltaren ampulë 25% më lirë;
– Daktarin xhel 52% më lirë;
– Vaxigrip 33% më lirë;
– Betaserc 55% më lirë;
– Eurdorlin 80% më lirë;
– Amaryl 65% më lirë;
dhe kështu vazhdojnë me rradhë, bashkë me Aulinën, një bar i përdorshëm, 32% më lirë.
Në ditët në vijim, do t’u themi shqiptarëve se sa janë ulur barnat, të njëjtat barna, edhe për përdorim spitalor, edhe në listën e rimbursimit, edhe për ato që blihen me para në dorë.
Për të njëjtët barna, të konsumuar në Shqipëri në vitin 2013, shqiptarët e 2015-tës do të shpenzojnë 50 milionë USD nga xhepi i tyre, nga fondi i rimbursimit, apo nga taksat e përgjithshme për shërbimin spitalor. Me sa duket, meraku është se nuk ka më para për të financuar në mënyrë të padrejtë politikën, – siç është bërë në qeverisjen e mëparshme, – apo nuk ka më kush të paguajë koncertet që bëheshin në Shqipëri.
Faleminderit!
—###—
[Në replikë ndaj Deputetes së PD-së në Kuvend, znj. Jozefina Topalli]
Besoj se ai qark, falë kontributit të kolegëve të mi, ta ka dhënë ty përgjigjen qartë, në 23 qershor të vitit 2013, që besoj se më shumë se ajo përgjigje, unë nuk kam më asnjë fjalë tjetër për të të thënë. Për çfarë the për mua, ta kam thënë kur kemi filluar përballjen politike në 2009-ën, nuk merrem me ty, sepse unë jam rritur në një familje që nuk merremi me gratë.
Por, meqënëse iu shtua shumë meraku për “Check Up”-in, unë e kuptoj në radhë të parë që, ne nuk arritëm ta çonim moshën 70 vjeç, që edhe ai shoku i bangës të hynte në “Check Up”, por këtë gjë nuk e bëjmë dot.
Për të ardhur tek “Check Up”-i, jua kemi thënë që në Programin e Qeverisë”, që ne do të angazhohemi për Mbulimin Universal, dhe aty, – siç është angazhuar dhe gjithë bota, – duhet parandalim dhe diagnostikim i hershëm, duhet të kalojmë nga sëmundja tek shëndeti. Prandaj, i ftojmë rreth 900 mijë shqiptarë…
…Ty [replikë ndaj ndërhyrjes së Deputetit të PD-së në Kuvend, z. Genc Ruli] ta bëj “Check Up”-in ta garantoj, do ta bëj “Check Up”-in e do ta bëj falas…
Tani, unë e kuptoj që ti ke akoma kujtimet e Lazaratit, por do ta bëj “Check Up”-in dhe të garantoj se do të qetësohesh. Kështu që, prandaj duam t’i kthejmë shqiptarët tek shërbimi parësor, tek mjeku i familjes. Prandaj edhe ia hoqëm barrën mjekëve dhe infermierëve, që mbushnin librezat dhe u dhamë Kartën e Shëndetit.
Sigurisht që, Programi Shëndetësor i Kontrollit Bazë pa pagesë, për 900 mijë shqiptarë, është hapi i parë konkret dhe i prekshëm, i angazhimit tonë për Mbulim Universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm.
Me sa duket, tani që po e kuptoni që kjo po ndodh, jeni në hall politik, po ne do të vazhdojmë t’i përmbahemi një për një, angazhimeve të programit.
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.