Ministri Beqaj në Takimin e ZEVA-s, Përkrah profesionistëve të shëndetit
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takimin:“22nd ZEVA Symposium”,
(Simpoziumi i Dhomave dhe Urdhërave të Mjekëve të Evropës Qendrore dhe Lindore)
Tiranë, 19/09/2015
Përshëndetje të nderuar miq, të ftuar dhe drejtues të dhomave e urdhërave të mjekëve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Është një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në Simpoziumin e 22-të të ZEVA-s, këtë forum kaq të rëndësishëm të profesionistëve të mjekësisë.
Jam gjithashtu i gëzuar tek vërej që Urdhri i Mjekut të Shqipërisë (UMSH), është mikpritës për herë të dytë në Tiranë që nga viti 2005 i organizimit të takimeve të tilla të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat shërbejnë si ura të rëndësishme komunikimi, bashkëpunimi dhe informimi të anëtarëve dhe institucioneve politikëbërëse të shëndetit.
ZEVA është një zë i fortë në mbrojtje të interesave të profesionit të mjekut të vendeve anëtare, dhe një platformë për lehtësimin e shkëmbimit të informacionit, përvojave, si dhe ndihmës së ndërsjelltë për rregullimin dhe vetëqeverisjen e profesionit të mjekut, duke ndihmuar që organizmat profesioniste të aftësohen për të kontribuuar në përmirësimin e shërbimit shëndetësor të këtyre vendeve.
Nga ana tjetër, përveçse takime të shkëlqyera profesionale, tryeza të tilla të rrumbullakëta janë edhe ngjarje të rëndësishme të shkëmbimit të kulturave dhe përforcimit të miqësisë.
Me sa jam njohur, takimi juaj i sivjetshëm, ka në fokus dy çështje kryesore:
(i) edukimin e vazhdueshëm mjekësor; dhe,
(ii) ruajtjen e pavarësisë së urdhërave të profesionistëve të shëndetit për vetërregullimin dhe vetëqeverisjen e këtij profesioni,
si tema të rëndësishme për UMSH-në, në cilësinë e vendit mikpritës të këtij forumi.
Janë të dyja çështje themelore të reformës që kemi ndërmarrë për shndërrimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, drejt vendosjes së një sistemi me Akses, Mbulim dhe Cilësi Universale.
Në programin qeverisës jemi angazhuar se: “Urdhërat e profesionistëve të shëndetësisë do të reformohen duke u qeverisur me standarde të njëjta, duke u kërkuar të kenë rol më të madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë”, dhe kjo detyrë u konsiderua prioritare, realizimi i së cilës u përcaktua si e tillë duke u vendosur brenda 300 ditëve të para të programit të punës.
Në zbatim të këtij angazhimi, por edhe për të plotësuar nevojën e homogjenizimit të ligjeve mbi të cilat mbështetej funksionimi i këtyre urdhërave të profesionistëve, ndërmorrëm nismën për të sjellë ndryshime ligjore në funksionimin e urdhrave ekzistues, dhe filluam punën për hartimin e një urdhri të ri, atë të stomatologut.
Sot kemi katër urdhra profesionale të lidhura me fushën e shëndetesisë; mjekë, infermier, stomatolog, dhe farmacist, dhe katër ligjet përkatëse, të cilat rregullojnë profesionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Kuadri i ri legjislativ parashikon që institucionet e urdhrave të profesionistëve të shëndetit të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të kenë një rol më të rëndësishëm në hartimin e projektligjeve dhe dokumentave të rëndësishëm strategjikë, si dhe ekspertizës tekniko-profesionale në fushën e shëndetësisë.
Përveç rregullimit të marrëdhënieve të kësaj bashkësie profesionistësh jo vetëm përkundrejt shtetit, por edhe në mbrojtje të popullatës nga kequshtrimi i një profesioni të caktuar, i pasuruam të gjithë urdhrat me një detyrë të re – atë garantimit të përmbushjes së programit të riçertifikimit si pjesë e edukimit në vazhdim.
Edukimi në vazhdim i profesionistëve të shëndetësisë përbën ende një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Ministria e Shëndetësisë në zbatim të angazhimeve programore për reformimin e sistemit shqiptar të kujdesit shëndetësor.
Përpjekjet e institucionit që unë drejtoj janë orientuar drejt vendosjes së një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të adresuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen në qeverisjen dhe mbarëvajtjen klinike, pa lënë mënjanë nevojën për të plotësuar boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit.
Duke ju uruar punë të mbarë dhe suksese,
Faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.