.

vije ndarëse

Postuar më: 07/05/2015

Ministri Beqaj replikon me Deputeten Vokshi: GSK vazhdon aktivitetin në Shqipëri

Ministri Beqaj replikon me Deputeten Vokshi: GSK vazhdon aktivitetin në Shqipëri

Reagimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë sot paradite (7/5/2015) ndaj deklaratës së Deputetes së Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi, lidhur me ristrukturimin e aktiviteteve të biznesit në Shqipëri të kompanisë GSK.

— Seanca e paradites | 07/05/2015 —

Së pari, ndjej detyrimin të informoj përsëri opinionin publik dhe të hedh poshtë gënjeshtrat që prej ditësh po promovohen nga Partia Demokratike, për largimin e disa kompanive farmaceutike nga Shqipëria.

Kjo këtu është një shkresë që zyra e kompanisë (farmacuetike) Glaxo (GSK – GlaxoSmithKline) Tiranë dërgon më 30 prill (2015), që do të thotë para pak ditësh.

(Lënda) Deklarim të personit përgjegjës për Farmakovigjilencën, thotë (lexon): “Bazuar në nenin 58 të ligjit nr. 105/2014, “Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe sistemit të farmakovigjilencës”, GlaxoSmithKline deklaron se Personi Përgjegjës për Farmakovigjilencën që prej datës 1 Maj 2015 do të jetë znj […].

Pra, Glaxo thotë para pak ditësh që kam një person me emër dhe mbiemër për Famarkovigjilencën, që do të thotë që për barnat që vijnë në treg është ky personi përgjegjës për këtë gjë. Pra, Glaxo është në Shqipëri.

Më parë, në datën 18 mars (2015), kjo kompani i drejtohet Ministrit të Shëndetësisë: “Për ristrukturimin e GSK-së”, dhe thotë se “do të vazhdojë të mbajë aktivitetin në lidhje me Cilësinë, Farmakovigjilencën, Çështjet rregullatore dhe Aksesin në treg”.

Çfarë është aksesi në treg? Pra, do të furnizojmë tregun me barna.

Dhe vazhdon po aty në po të njëjtën shkresë (lexon): “Ajo që mbetet e pandryshuar është angazhimi ynë i fuqishëm për ofrimin e inovacionit dhe aksesin te barnat dhe vaksinat tona për pacientët dhe konsumatorët përmes tre bizneseve tona në farmaceutikë, vaksinave dhe kujdesit shëndetësor për konsumatorët në Shqipëri”.

Kjo është shkresa zyrtare.

Tani, ka nja pesë ditë që gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë, përditë, dhe pa pikë turpi, ende vazhdojnë të gënjejnë. Dhe me sa duket, nuk u ka mbetur gjë tjetër, sepse kanë që në mëngjes që vetëm gënjejnë.

Unë, personalisht, u’a kam thënë kolegëve të mi që para disa javësh kur hymë në ethet e fushatës, që duhet të kemi kujdes vetëm nga një gjë: Po përpiqen që ta bëjnë pis proçesin, pasi janë të sigurtë se do të dalin me humbje. Dhe përditë, vazhdojnë të prodhojnë apo të inskenojnë gjoja incidente për ta bërë pis proçesin.

Së dyti, sigurisht që, historia e kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë është një histori që është sulmuar nga Partia Demokratike së paku që prej dhjetorit 2013. Në dhjetor 2013 thonin që me aq para sa keni parashikuar nuk ju dalin, nuk bëhet dot; në tetor 2014 thanë që nuk e bëtë, dështuat; në dhjetor 2014 ja dhatë dikujt; dhe tani që po ndodh, thoni që është korruptiv, apo siç, – në mënyrën më skandaloze, – ish-kryeministri i vendit tha javën e kaluar: “është i dëmshëm”. Sigurisht, është e turpshme ta thotë një mjek, megjithatë ai ka bërë zgjedhjen e vet.

Për të ardhur tek partneriteti publik-privat në shëndetësi. Sigurisht, është e habitshme të kundërshtohet nga një parti që mbron biznesin, sipërmarrjen, etj., etj. Por ne kemi një ndryshim thelbësor: Te ne nuk ndodhin konçesione të pakërkuara, te ne zgjedhim ne aty ku duam ndihmën e privatit, sepse nuk jemi sot të pamend dhe të paaftë që të themi nuk kemi ide, duam dhe ide.

Së treti, për konçensionin e laboratorëve, ne po marrim ekspertizë nga IFC-ja. Të gjithë aktorët e grupeve të interesit, edhe pa u bërë lajmi publik, janë pjesë e grupit të punës, të ngritur bazuar mbi një Vendim Qeverie, i cili do të japë gjetjet e tij deri më datën 30 shtator 2015. Unë besoj se deri atëherë duhet t’i lemë të gjithë profesionistët dhe palët e interesuara të bëjnë punën e tyre.

Por dua të konfirmoj sot që laboratorët do të mbeten brenda spitaleve publike universitare dhe rajonale. Punësimi i mjekëve dhe laborantëve do të jetë pjesë e punësimit publik në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Askush nuk do të largohet nga puna, por për një periudhë afatgjatë, do të garantojmë furnizim të vijueshëm të laboratorëve, funksionin të vijueshëm të tyre, dhe sigurisht, ndryshim teknologjie dhe mirëmbajtjeje të tyre, të vetëdijshëm se gropa e madhe që gjetëm në shëndetësi nuk mund të mbushet shpejt vetëm me financime publike.

Faleminderit!

—###—

Në vijim, link-u video me fjalimin e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=OBnQOY9IiC8