.

vije ndarëse

Postuar më: 27/05/2024

Ministrja Koçiu në Asamblenë e 77-të Botërore të Shëndetësisë (WHA 77)” në Gjenevë: Shqipëria, fokus mbulimi universal shëndetësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, mori pjesë në Asamblenë e 77-të Botërore të Shëndetësisë (WHA 77)”, me temë “Të gjithë për shëndetin, shëndet për të gjithë”, që u mbajt në Gjenevë.

Koçiu ka theksuar se “Qeveria shqiptare dhe MSHMS kanë zgjeruar shërbimet e kujdesit shëndetësor me fokus kryesor shërbim shëndetësor universal për të mos lënë askënd pas”.

Sipas saj, procesi i integrimit në BE e ka bërë të rëndësishme përshpejtimin e kohezionit në sektorin e kujdesit shëndetësor

“Fokusi ynë mbetet zbulimi i hershëm dhe parandalimi i sëmundjeve, ku krahas vijimit të investimeve në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjes me aparatura bashkëkohore; janë një sërë programesh që ofrojnë kujdes shëndetësor dhe cilësor afër vendbanimit për qytetarët”, u shpreh ministrja.

Duke u ndalur në investimet në infrastrukturën shëndetësore, Koçiu tha se, “kemi transformuar infrastrukturën në 400 qendra shëndetësore dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të gjithë vendin. Pranë kujdesit shëndetësor parësor po forcojmë mjekësinë familjare për të ofruar shërbime të integruara socio-shëndetësore”.

Ministrja theksoi se në vijueshmëri të rritjes së shërbimit shëndetësor për qytetarët, zbatohet programi kombëtar i kontrollit mjekësor falas pranë Qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin; Depistimi falas për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës për të gjitha vajzat dhe gratë dhe Vaksinimi falas i Rotavirusit dhe kundra HPV-së.

“Shqipëria së bashku me OBSH-në dhe partnerët ndërkombëtarë po ecën në mënyrë aktive drejt Mbulimit Shëndetësor Universal ndërsa procesi i integrimit në BE, e ka bërë të rëndësishme përshpejtimin e kohezionit në sektorin e kujdesit shëndetësor”, ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Gjithashtu, ministrja Koçiu mori pjesë sot në takimin me homologë ministra dhe ambasadorë, të organizuar në kuadër të Asamblesë së 77-të Botërore të Shëndetësisë (WHA 77) në Gjenevë, Zvicër, për të mbështetur ringritjen e sistemit shëndetësor të Ukrainës.

Gjatë takimit, ministrja Koçiu theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke ofruar ekspertizën teknike, pajisje mjekësore dhe ndihmë financiare për të forcuar kapacitetet në infrastrukturën shëndetësore.

“Kemi nisur ndërtimin e mbi 50 autoambulancave për Ukrainën, të gjitha të përshtatshme në përgjigje të emergjencave për të plagosurit nga sulmet ruse”, u shpreh Koçiu.

Po ashtu, ministrja theksoi se “së bashku me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit të vyer, mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e një kujdesi shëndetësor gjithëpërfshirës në Ukrainë”.