.

vije ndarëse

Postuar më: 22/10/2019

“Miqtë e fëmijëve”, Manastirliu: Mbrojtje fëmijëve në situatë rruge, denoncim prindërve që i shfrytëzojnë ekonomikisht

Menaxhohen 158 fëmijë në situatë rruge, në 4 raste prindërit u dërguan për procedim penal. Manastirliu: Denonconi dhunën ndaj fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale financon Linjën e Këshillimit 116111

Tiranë, 30 Shtator – Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur takimi i grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastarliu gjatë fjalës së saj theksoi se janë bërë hapa përpara për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar se për herë të parë po dëgjohet zëri i fëmijëve.

“Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2017-2020, është dokumenti i parë politik, i cili është konsultuar me fëmijët. Konsultimi i këtij dokumenti me 106 fëmijë të moshës shkollore, mes të cilëve edhe fëmijë me aftësi ndryshe është një vlerë e shtuar, qē tregon se për herë të parë zëri i fëmijëve po dëgjohet” – tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e 236 punonjësve të Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve, Manastirliu paraqiti të dhënat 8-mujore për sa i përket menaxhimit të rasteve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve kanë zbatuar ‘masa mbrojtëse’ për 50 fëmijë në nevojë për mbrojtje. Në 8-muaj janë identifikuar 165 raste të fëmijëve në situatë rruge në vend nga të cilat 158 raste prej tyre janë në proces menaxhimi. Gjatë trajtimit dhe menaxhimit të rasteve janë dërguar për proçedim penal 4 raste të prindërve të cilët shfytëzonin ekonomikisht fëmijët e tyre” – tha Manastirliu.

Ministrja e vuri theksin tek Linja e Këshillimit të Fëmijëve 116111, e cila për herë të parë po financohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku fëmijët mund të denoncojnë vetë çdo situatë dhune.

Manastirliu në fjalën e saj në takimin e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” theksoi rëndësinë që ka Fondi Social i vënë në dispozicion nga qeveria për bashkitë për të ofruar shërbime sociale për fëmijët.

“Mekanizmi më i ri financiar, ai i Fondit Social i ngritur këtë vit, i jep mundësi bashkive për të parashikuar ngritjen e shërbimeve me bazë komunitare, për të siguruar integrimin social të fëmijëve në nevojë për mbrojtje” – tha ministrja.

Manastirliu u shpreh se kujdesi shëndetësor për nënën dhe fëmijët është po aq i rëndësishëm sa kujdesi social i tyre.

“Kemi përfshirë në kalendarin e imunizimit dhe vaksinimit për herë të parë të vaksinës së rotavirusit, duke e çuar në 12 numrin e vaksinave që ofrohen për fëmijët nga zero në 18 vjeç. Ndërkohë që vijojmë me politikat sociale në mbështetje të të porsalindurve. Janë 22,369 fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes këtë vit, nga të cilët 15,952 fëmijë të lindur në spitalet publike dhe 6,417 fëmijë të lindur në spitalet private ose jashtë vendit.”, deklaroi ministrja.

Manastirliu propozoi në Grupin Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” buxhetimin e posaçëm me fokus fëmijët, nga çdo institucion. “Miqtë e Fëmijëve”, funksionon si një grup ad-hoc në Kuvendin e Shqipërisë, nën kujdesin e Kryetarir të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Grupi “Miqtë e Fëmijëve” përbëhet nga 24 deputetë, të përkushtuar ndër vite në avancimin e të drejtave të njeriut, të fëmijëve, të grave etj, gjë që e bën punën e Grupit, sa të larmishëm aq edhe mbështetës në drejtim të vështrimit të të drejtave të fëmijëve nga këndvështrime dhe eksperienca të ndryshme profesionale, duke propozuar edhe zgjidhje shumë-disiplinare nga ana e ligjvënësve.