.

vije ndarëse

Postuar më: 21/05/2020

Miratohet Strategjia e Kujdesit Parësor 2020-2025

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është miratuar Strategjia e Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor  Parësor në Shqipëri për vitet 2020-2025, Strategjia e parë në këtë fushë e munguar deri më sot.

 

Kjo strategji ka si  mision të saj ofrimin e kujdesit shëndetesor të integruar, me cilësi, të arritshme e të përballueshme për të gjithë komunitetin dhe në kohën e duhur.  Ajo ndërton vizionin e së ardhmes për shërbimin shëndetësor që është  sigurimi i jetës së shendetshme dhe promovimin e mirëqenies në çdo moshë.

 

Nëpërmjet Strategjisë së Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor, synohet krijimi i modeleve të reja të shërbimeve për të mbuluar nevojat që janë identifikuar në nivel komuniteti, të tilla si parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të trasmetueshme (SJT), shërbimi i kujdesit në familje për të moshuarit, modelet e kujdesit përmes teknologjisë digjitale, veçanërisht në zonat e thella, ofrimi i shendetit publik etj.

 

Kjo strategji do të sigurojë një akses më të mirë të komuniteteve vulnerabël në shërbimet e kujdesit shëndetesor në plotesim të objektivit afatgjatë, atë të mbulimit universal.

“Kjo strategji synon: Rritjen e jetëgjatësisë së shëndetshme (vitet e jetës pa sëmundje);  rritje te përdoruesve (numrit të vizitave) të shërbimeve të KSHP; ulje të nr të shtrimeve në spital të rasteve me sëmundje të trajtueshme në KSHP (Hipertension, diabet, astma, SPOK, depresion, etj.,); ulje të numrit të personave që nuk e përdorin KSHP megjithëse kanë nevojë për shërbimet, në kategori të caktuara të popullatës”.

 

Strategjia e Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor bazohet në 9 politika prioritare:

“Forcimi institucional për një qeverisje më të mirë të Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP); Burimet njerëzore në sistemin e KSHP; Infrastruktura dhe teknologjia diagnostikuese në institucionet e KSHP; Sistemi i informacionit të KSHP; Shërbimet bazë të KSHP për Mbulimin Shëndetësor Universal;  Financimi dhe kontraktimi për Mbulimin Shëndetësor Universal; Përcaktimi dhe pilotimi i tipeve të reja të shërbimeve dhe rishpërndarja gjeografike; Cilësia e shërbimeve të KSHP; Menaxhimi i institucioneve të KSHP.”

 

Gjithashtu, kjo strategji, përcakton edhe nevojën për adaptim të Paketës së shërbimeve shëndetësore, në Kujdesin Shëndetësor Parësor publik që financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

 

I gjithë procesi do të kryhet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet kryesore kombëtare përgjegjëse për shëndetin dhe mbrojtjen sociale.

 

Kjo strategji është e mbështetur në dokumenta të tjera bazë shëndetesore  si Strategjia Kombëtare e Shëndetit, atë për  shëndetin riprodhues, shëndetin mendor e atë të sëmundjeve jo të trasmetueshme. Po ashtu kjo Strategji mbeshtetet mbi dokumenta të integrimit europian e ato të OBSH.

 

Zbatimi  i kësaj strategjie të miratuar nga Këshilli i Ministrave është një sfidë tjetër e Qeverisë Shqiptare në reformimin e sistemit shëndetesor në vendin tonë.