Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 11/02/2014

Nismat e reja, hapi i duhur për kujdes shëndetësor për gjithë shqiptarët

Tiranë, 11/02/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (11/02/2014) në takimin e analizës vjetore të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, së bashku me Drejtorin e FSDKSH-së, Dr. Astrit Becin, Drejtoren e QSUT “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu, dhe drejtues e punonjës të tjerë të shërbimeve shëndetësore në vend.

Në fjalën e tij, Ministri Beqaj, inkurajoi punën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për përllogaritjen e kostove të pesë paketave të para të shërbimeve, por theksoi se, për të kostuar të gjitha shërbimet, puna do të jetë voluminoze dhe se do të kemi rrugë të gjatë për të bërë. Kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë dhe duhet shumë punë,” tha z. Beqaj.

Gjithashtu, përsa i përket listës së barnave të rimbursueshme, Ministri Ilir Beqaj tha në fjalën e tij se, “vazhdojmë të kemi edhe probleme të tjera. Ne jemi bashkë me ju duke përfunduar listat e barnave shëndetësore. Në pjesën e barnave, ka shumë punë për t’u bërë. Jam i kënaqur sepse nga mesi i nëntorit nuk konstatojmë për dy a tre barna të rëndësishme të kishim rimbursim, sesa ajo sasi që importohesh në vend,” – tha ai.

“Dy projekte shumë të rëndësishme i kemi filluar,” that më tej ai, duke theksuar se “gjurmimi i barnave që është pjesë e projektligjit të ri që po e konsultojmë me aktorë të ndryshëm, por edhe fillimi në drejtimin tuaj në një rajon po të recetes elektronike qe do e vëjmë për këdo. Në radhë të parë misioni e ka kujdesi shëndetësor. Me ato burim financiare të kufizuara nuk presim ditë shumë të lumtura, por duhet ti përdorim me më tepër produktivitet,” tha midis të tjerash z. Beqaj.

Në vijim, fjala e plotë të Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Të nderuar pjesëmarrës,

Ky takim i analizës vjetore të Fondit është një ngjarje e rëndësishme, për peshën që ai zë, për misionin që ka, për fondet të cilat administron dhe për përgjegjësinë që ka në marrëdhënie  të shumta, praktikisht me të gjithë popullsinë shqiptare, gjë që reflektohet edhe vetë në transaksionet që merr përsipër të administrojë.

Në fakt, në pamje të parë mund të duket pak si kontradiktore që flasim sot për Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, kur në Programin e Qeverisë jemi angazhuar për të kaluar në Shërbimin Kombëtar Shëndetësor. Por, së pari, bëhet fjalë për analizën e një viti që sapo u mbyll, i cili praktikisht në dy të tretat e tij ka qenë nën qeverisjen e mëparshme.

Edhe pse qeveritë mund të ndryshojnë, qoftë dhe ministrat, padyshim që puna e specialistëve duhet të vazhdojë. Por të paktën unë besoj se edhe ndryshimi i qeverive nuk ka sjellë pengesa apo boshllëqe në punën e përditshme të fondit sepse është dashur të vazhdojë të financojë spitalet, të rimbursojë recetat.

Por dua ta theksoj që ne jemi të vendosur të shkojmë drejt Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, që do të thotë se ky institucion do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit, dhe këtu, besoj se ka punë tashmë të nisur nga fondi dhe këtë punë duhet ta fuqizojmë, ta avancojmë dhe ta konsolidojmë.

Nuk është ndërmarrje e lehtë, të paktën nga të gjitha këto vizita që kam bërë këto 3-4 javët e fundit në disa spitale rajonalë të Shqipërisë, por edhe disa spitale më të vegjël, kam konstatuar, jo me kënaqësi, se me sa duket, na duhet shumë punë për të bërë për të arritur aty ku thamë.

Ne, vërtetë, po punojmë aktualisht për paketat e para të shërbimeve, po i kostojmë ato, por për të arritur në një kostim të plotë të gjithçkaje ndodh në spitalet tona, me sa duket, rruga do të jetë jo e shkurtër dhe puna do të jetë shumë voluminoze.

Kam parë me keqardhje, që jo vetëm qendrat shëndetësore, që është një gjë mw e hershme, por edhe në spitale ka shumë punë, sidomos për pjesën e pranimit, që bëhet me dorë, me një cilësi jo të mirë, dhe unë vetë kam përshtypjen që ato regjistra mund t’i duhen vetëm ndonjë prokurori ndonjëherë, të merren me ndonjë gjë, se ata që merren me shëndetësinë në mënyrë të përditshme, ato regjistra nuk vlejnë, përveçse atyre që i kanë shkruar.

Po, po, kam vënë re që në spitale nuk ka një lloj analizë të efektshmërisë të shumë ekzaminimeve që bëhen duke filluar nga QSUT-ja e deri në Spitalin e Tropojës. Nëse kërkohet të bëhet një numër i caktuar analizash kimiko-biokimike, 90% e tyre, ose edhe më shumë, dalin rezultate të sakta, do të thotë që ata mjekët që i kërkojnë, i kërkojnë me tepri, me papërgjegjshmëri, për të kaluar rradhën, por ajo kushton.

Pra, nuk mund të nisemi thjesht nga sa analiza kemi bërë për të llogaritur koston e një shërbimi apo të një pakete, apo të një pjese, duhet të vlerësojmë që në gjenezë pse u dha, po kaloj nga analizat biokimike tek ekzaminimet e imazherisë.

Vërtetë që në Shqipëri, duhet ta pranojmë, nuk kemi një numër të mjfatueshëm për banorë të skanerave, rezonancave, por edhe përdorimi i tyre duhet të jetë me efektivitet, duhet të ketë protokolle. Nuk kemi bërë ende një analizë se sa me efektivitet i rekomandojmë këto ekzaminime dhe pastaj se si i ndjekim në vijimësi.

I solla këto elementë vetëm sa për ilustrim. Vazhdojmë të kemi edhe probleme të tjera. Siç edhe shumica prej jush e dinë, ne jemi duke hartuar bashkë me ju (punonjësit e FSDKSH-së), duke përfunduar këto ditë, listën thelbësore të barnave spitalore. Ende më shumë së 15% të listës përbëhet nga barnat vetë, nuk besoj se ka ngelur kaq prapa mjekësia në Europë apo në botë që të mos përfitojmë edhe ne nga ato që ofron sot. Për të mos folur pastaj që pas 2-3 javësh do të mbyllim listën e rimbursimeve, edhe aty kemi të njëjtat probleme.

Pra, që të shkojmë tek Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, na duhet rrugë e gjatë. Por juve si specialistë, besoj se ju i keni mundësitë sepse këtu ka burime njerëzore të mjaftueshme, me kompetencë dhe duhet ta pranojmë të paguar jo keq për kushtet e pagesave në shërbimin publik shqiptar.

Nuk ka shumë rëndësi për ju nëse personi që do të ketë akses nëse ka paguar kontribute, përfiton si grup social apo është rezident në Shqipëri, kjo është një gjë që nuk lidhet me ju. Fakti që do të paguani kujdesin shëndetësor do të duhet të marrim përsipër që të analizoni me saktësi. Edhe duhet ta bëjmë këtë gjë, aq më shumë që jemi përpara një sfide tjetër.

Duhet ta pranojmë se edhe pse është në hapat e parë, shëndetësia jopublike në Shqipëri, në drejtim të menaxhimit është hapa përpara nesh, dhe s’duhet të kemi asnjë kompleks që të marrim edhe prej tyre më të mirën, atë që ata dinë ta bëjnë më mirë, nuk ka asgjë të keqe, që me modesti t’ua kërkojmë ta ndajnë edhe me ne. Të gjithë e dimë që pajisjet e imazherisë në Shqipëri, tek privati punojnë sahat, tek publiku prishen herë pas here.

Me të drejtë mund të thoni, bëre 6 muaj ministër, gjete këtë që në muajin tetor, s’të takon ta thuash më tani, akoma është kështu. Kjo është e vërtetë, ky është një proçes që do edhe ai kohën e tij.

Ne po përgatitemi për kontrata për kontrata mirëmbajtje “full-risk multiblend” dhe nuk po i shpikim. Gjërat po i shohim në vende të rajonit që kanë ecur në këtë rrugë vitet e fundit bashkarisht.

Edhe në treg, në pjesën e barnave, ka shumë punë për të bërë. Unë jam shumë i kënaqur që nga mesi Nëntorit deri më tani, nuk konstatohet më që për 2-3 barna, shumë të kushtueshëm, por edhe të rëndësishëm, të kishim rimbursim më shumë se sa ajo sasi që importohej në Shqipëri.

Por, besoj se kjo nuk mjafton, se nëse këtë gjë e tkurrëm, apo e minimizuam deri në zero, si pasojë e kontrolleve, e presioneve dhe komunikimin me opinionin publik duhet ta kthejmë në një sistem të qëndrueshëm që mos të varet më vetëm nga ndërhyrjet nga sipër të drejtuesve, por të kthehet në një sistem dhe besoj së këtu dy projekte shumë të rëndësishme që kemi filluar për t’i konceptuar do të na ndihmojnë shumë, qoftë,

(a) sistemi i gjurmimit të barnave në Shqipëri që do të jetë pjesë edhe e projektligjit të ri të barnave dhe materialeve mjekësore që kemi hartuar dhe po e konsultojmë edhe me aktorë të ndryshëm dhe besoj që këtë javë do ta mbyllim për të marrë pastaj rrugën e vet të miratimit. Por, edhe fillimi këtë vit, nën drejtimin tuaj,

(b) në një rajon pilot të recetës elektronike.

Janë dy elementë shumë shumë shumë të rëndësishëm, që do të na vlejnë për këdo, dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk do ta nisim me idenë se kështu do të menaxhojmë më shumë para.

Në rradhë të parë, edhe pse Fondi është institucion financiar, misionin e ka kujdes shëndetësor, që do të thotë jemi në gjendje, me ato burime financiare të kufizuara që kemi dhe që sigurisht do të vazhdojnë të jenë, nuk presim ditë shumë të lumtura edhe në të ardhmen e afërt nga ana financiare, të mund t’i përdorim më me efektivitet.

Unë po shfrytëzoj këtë mundësi për të komunikuar shumë shkurt edhe për një çështje që ka qenë këto ditë e ndjeshme edhe për opinionin publik, në lidhje me marzhet e tregëtimit të barnave në Shqipëri, dua ta bëj shumë shumë shkurt vetëm për të thënë dikush se iu shmanga dhe nuk është normale përderisa unë po shfrytëzoj podiumin dhe aktorët e tjerë i kemi në nivel të barabartë.

Por, dua t’ju garantoj që pasi kemi vlerësuar ecurinë e tregut të barnave në Shqipëri, volumin e asaj që importohet dhe prodhohet, vlerësuar sipas të dhënave të tregëtimit me pakicë të barnave, ju garantoj ndërmjet jush të gjithë, nuk është cënuar asnjë fije, ajo pjesë që zinte edhe më parë, marzhi i tregëtimit të farmacive kundrejt të gjithë vlerës që ka një bar.

Në kushtet që ne jemi të vendosur, që të paktën në pjesën publike, tortën e barnave të mos e pakësojmë, përkundrazi ta rrisim, qoftë edhe nga heqja e TVSH, dhe për sa kohë pjesa që do t’i ngelet farmacisë, në raport me çmimin fundor që paguan pacienti, nuk ka ndryshuar, do të thotë që nuk kemi cënuar askërkënd.

Ky vit sigurisht është i rëndësishëm, ju besoj se do të mbyllni paketat brenda muajit dhe ne nëpërmjet jush do të jemi në gjendje për herë të parë në Shqipëri të paguajmë kujdes shëndetësor, në institucionet shëndetësorë të Shqipërisë, publike, apo jo publike.

Është bërë diçka deri më sot, me dializën, por mënyra e kontraktimit ka qenë një mënyrë, kush janë drejtues dhe janë marrë me këtë punë e kanë edhe siklet, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga ana administrative edhe pastaj edhe në marrëdhëniet që kanë edhe me vetë pacientët. Sigurisht shumë i rëndësishëm është edhe program i kontrollit bazë.

Ne po punojmë, besoj se grupi i punës që drejtohet nga Z/Ministri z. Rjepaj do të mbyllë brenda muajit protokollin e këtij kontrolli bazë, do të duhet të duhet që bashkë me ju të bëjmë një komunikim shumë intensiv dhe shumë kapilar me të gjithë shqiptarët, sidomos me atë grupmoshë të interesuar, të cilët vlerësohen se janë rreth 900 mijë vetë.

Të paktën, me grupin e punës jemi të vetëdijshëm që pjesën e protokollit, pra pjesën profesionale shkencore mjekësore e kemi përfunduar. Madje edhe algoritmet se çfarë do të ndodhë nëse dikush nga ky kontroll bazë, se ky është qëllimi, do të konstatohet se ka probleme, për tu referuar më tej.

Por, edhe për të mundësuar mbarëvajtjen e kësaj logjistike kaq të madhe, edhe këtë po merremi. Por pjesa që hë për hë, e shohim si pjesën më të rëndësishme, është pjesa e komunikimit me publikun, dhe padyshim do të duhet ta bëjmë këtë edhe nëpërmjet jush. Unë besoj se sfidat e fondit këtë vit janë shumë të mëdha.

Nuk do të zgjatem më tej, se duke qenë një analizë vjetore sigurisht do të duhet të diskutoni edhe ju, por besoj se edhe një gjë fondi duhet ta fillojë sa më parë. Duhet t’i lehtësojmë mjekët nga shumë ngarkesë burokratike që kanë. Por, edhe duhet të gjejme edhe rrugë inovative që duke mos krijuar rrjedhje në sistem të mund t’jua bëjmë jetën edhe njerëzve më të lehtë. Isha javën e kaluar në fundjavë edhe në Tropojë, edhe në Has.

Sigurisht që nuk është e lehtë të jetosh atje, edhe në periudhë dimri, por shumë njerëz ankoheshin që njëherë në muaj duhet të shkojnë në Kukës. Të jetosh në dimër atje, dhe të duhet të shkosh një herë në muaj në Kukës për të rinovuar disa dokumente, proçedura të nevojshme mjekësorë padyshim, duhet të gjejmë rrugë të reja. Sot të paktën, mundësitë e komunikimit edhe të sigurta, edhe të çertifikuara, e mundësojnë këtë punë.

—###—