Ministri Beqaj përuron dy ‘shtëpi-familje’ të mbështetura sipas modelit komunitar:
“Një erë e re për shëndetin mendor në Shqipëri”
Tiranë, 20/06/2014 – Në vijim të konferencës “Gjithçka mund të ndryshojë,” të dt. 17/06/2014 ku u evidentuan përparësitë e modelit komunitar të shtëpive të mbështetura përkundrejt modelit të spitaleve psikiatrike, si dhe ndërlidhja me të drejtat e njeriut dhe reformës në shëndetësi, sot (20/06/2014) në mjediset pranë QSUT-së u organizua ceremonia e përurimit të dy “Shtëpive të Mbështetura” që funksionojnë sipas modelit bashkëkohor komunitar për personat me çrregullime të shëndetit mendor, të ndërtuara në bashkëpunim me Komunitetin e Sant’ Egidio-s (Communita di Sant’ Egidio), Zyrën e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim në Shqipëri (Cooperazione Italiana allo Sviluppo) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Në takim morrën pjesë z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, z. Massimo Gaiani, Ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri, z. Marco Impagliazzo, President i Komunitetit të Sant’ Egidio-s, dhe Imzot Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik në Shqipëri, si dhe drejtues të institucioneve të kujdesit të shëndetit mendor, përfaqësues nga Shërbimi i Psikiatrisë, QSUT, përfaqësues nga partnerët italianë (Sant’ Egidio), përfaqësues nga shoqëria civile dhe media.
Duke falënderuar përfaqësuesit e Komunitetit të Sant’ Egidio-s, si dhe qeverinë e popullin italian për ndihmën e tyre të vyer e të pakursyer, Ministri Beqaj tha midis të tjerash në fjalën e tij përshëndetëse se “sot është fillimi praktik i një ere të re për shëndetin mendor në Shqipëri. Kjo qasje e re e shëndetit mendor, për të nxjerrë të sëmurët mendorë nga spitali psikiatrik, sipas një mënyrë të hershme dhe tradicionale klasike në këto shtëpi familje, në kushte sa më normale, i ka dhënë të prekshme rezultatet.” Ne jemi shprehur qartë në programin tonë qeverisës, me zotimet tona, vazhdoi më tej ai, “se qendrat shëndetësore nuk janë vetëm qendra ku njerëzit të kurohen, por janë qendra ku shoqëria shqiptare do të duhet të mëshirojë edhe solidaritetin social”.
Takimin e përshëndeti gjithashtu edhe z. Impagliazzo, i cilil theksoi se çdo gjë ka ndryshuar, dhe “gjithçka mund të ndryshojë në të ardhmen.” Duke njoftuar për hapjen e shtëpive të tjera në të ardhmen, pikërisht duke u nisur nga kjo, – shtoi më tej ai, “i bëjmë urime të përzemërta Shqipërisë për afrimin e saj drejt Europës, ku shpresojmë që ajo mund të hyjë sa më shpejt. Sidomos, i bëjmë shumë urime për vizitën e ardhshme të Papës. Papa nuk vajti për herë të parë në Europë, në Berlin apo Londër, por do vijë në Tiranë dhe kjo është e madhe. Por, kjo është një shenjë sepse Shqipëria është një tokë e lagur nga gjaku i martirëve, ne shpresojmë që që edhe në të ardhmen kjo Shqipëri mund të bëhet akoma,” tha Presidenti i Komuniteti të Sant’ Egidio-s.
Në fjalën e tij, Ambasadori Gaiani vuri tha se “sot ne po shohim konkretisht realizimin të projekteve që ka ndërmend të realizojë Ministria e Shëndetësisë me hapjen e këtyre shtëpive, domethënë duke parë edhe njerëzit që janë të strehuar në këto shtëpi, të strehuar, të pranuar, të mirëpritur edhe me familjarët e tyre. Këto janë shenja të mira të punës që është bërë dhe që do të bëhet në të ardhmen. Duke falenderuar për kryerjen e kësaj pune, shpresojmë që kjo punë të zhvillohet edhe në të ardhmen duke bërë të mundur realizimin e veprave të tilla të rëndësishme në evente të tjera të vendit,” – tha ai.
—###—
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takim:
I nderuar Presidenti Moisiu,
Të nderuar zotërinj ambasadorë,
Përfaqësues të Italisë, Shtetit të Vatikanit, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri,
I nderuar President i Sant’ Egidio-s,
Miq, të ftuar, profesionistë të shëndetësisë, por edhe banorë të shtëpive ku jemi sot këtu.
Në fakt, sot është fillimi praktik i një ere të re për shëndetin mendor në Shqipëri. Është momenti, në fakt, për të falenderuar të gjithë ata që në vite kanë bërë gjithësecili prej tyre përpjekjet për të ardhur tek kjo që jemi sot.
Nuk është thjesht simbolike, sepse siç u prezantua, në këto dy ‘shtëpi-familje’ janë tashmë 15-16 vetë që e marrin këtë shërbim, por, është një, – ashtu siç e prezantuam edhe në konferencën që bëmë ditën e martë në Ministri, – është praktikisht një shembull i qartë se si kjo qasje e re e shëndetit mendor, pra për t’i nxjerrë të sëmurët nga spitalet psikiatrike, sipas një mënyre të hershme, tradicionale, klasike në këto shtëpi familje në jetën e tyre, në kushte sa më normale, i ka dhënë të prekshme rezultatet.
Unë dua të falenderoj Komunitetin Sant’ Egidio, për të gjithë këmbënguljen, angazhimin në vijimësi që ka bërë për të arritur kjo që u bë sot; Qeverinë Italiane nëpërmjet ambasadorit për të gjithë kontributin financiar që kanë dhënë dhe nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillimin Ekonomik.
Përshëndes në fakt të gjithë profesionistët e shëndetësisë, ata që e mbështetën këtë projekt, doktor Arielin (Dr. Ariel Çomo, Shef i Shërbimit të Psikiatrisë, QSUT). Por, sigurisht, falënderoj të gjithë ata që punojnë sot këtu, si mjekë, si infermierë dhe Autoritetin Shëndetësor Rajonal të Tiranës që e ka bërë pjesë të shërbimeve të kujdesit parësor në Shqipëri.
Dua të përcjell falenderimet dhe mirënjohjen e veçantë të gjithëve ju nga Kryeministri Edi Rama, i cili nga një ndryshim shumë i papritur sot paradite i axhendës për një angazhim urgjent dhe goxha madhor, – sepse ju e dini që këto ditë janë ditë shumë të ngjeshura për qeverinë dhe për politikën tonë lidhur me përpjekjet e fundit për lajmin shumë të mirë që presim të marrim në fillim të javës së ardhshme – pra, edhe vetë Kryeministri Edi Rama ju falenderon dhe ju shpreh mirënjohjen për gjithë sforcon që keni bërë. Dhe sigurisht, edhe në emër të tij, unë shpreh vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare, që këtë eksperiencë shumë të mirë neve na mbetet vetëm ta replikojmë edhe në qytetet e tjera jashtë Tiranës.
Ne i kemi tashmë angazhimet që në të ardhmen e afërt, kjo eksperiencë të mund të shtrihet edhe në Shkodër, edhe në Elbasan, edhe në Vlorë, edhe në Korçë. Sigurisht, të fuqizohet edhe në Tiranë dhe duke falenderuar edhe njëherë të gjithë ata që i kanë dhënë jetë më shumë se 10 vjet përmbushjes së këtij projekti, edhe njëherë faleminderit.
Ne jemi shprehur qartë në programin tonë qeverisës, në zotimet tona se qendra shëndetësore, nuk janë vetëm qendra ku njerëzit mjekohen, po janë qendra ku shoqëria shqiptare do të duhet të mishërojë edhe solidaritetin social.
Faleminderit!
—###—
Për informacion të mëtejshëm dhe foto të tjera nga takimi, mund të konsultoni:
Faqen zyrtare të MSH në Facebook:
https://www.facebook.com/media/set/?set=a.567613456683069.1073741859.453892661388483&type=3
Profilin në Twitter të MSH: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.