Kuvendi i Shqipërisë miratoi të Enjten, dt. 10/7/2014, Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”, në zbatim të programit analitik për vitin 2014.
Nevoja për rishikim të ligjit lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, që në aspektin më të prekshëm, ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, rezultoi të ishte i dobët.
Miratimi në Kuvend i kësaj nismeje ligjore është me një rëndësi tepër të veçantë, e cila pritet të ndryshojë kryekëput, duke e riformatuar tërësisht, panoramën e shëndetit publik në vend.
Sigurisht, që kjo duket si një deklaratë e fuqishme, dhe për dikë, ndoshta edhe paksa e ekzagjeruar.
Megjithatë, këtu nuk ka asnjë teprim. Nuk ka asnjë rrezik për ekzagjerim kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetës së qytetarëve, – dhe në këtë rast, me mijëra syresh.
Për të njohur historinë, duhet të kuptojmë se si kanë ndikuar në ndryshimin e shoqërisë ngjarjet e rëndësishme, të cilat kujtohen me të drejtë për atë se çfarë kanë arritur dhe gjurmët që kanë lënë pas, duke shërbyer si katalizatorë të ndryshimit.
Kështu, Dr. Doll dhe Dr. Hill bënë histori në vitin 1950, kur provuan për herë të parë shkencërisht lidhjen shkak-pasojë ndërmjet duhanpirjes dhe kancerit. Qysh atëherë, do të ngjante tërësisht e pabesueshme nëse dikush do të përpiqej të argumentonte sërish mungesën e rreziqeve të lidhura me duhanpirjen.
Gjetjet e këtyre studimeve kërkimore i paraprinë raportit inovator të vitit 1962 të Kolegjit Mbretëror të Mjekëve, i cili shënoi një pikë kthese në edukimin e publikut për rreziqet e duhanpirjes.
Nëntë vjet më vonë, raporti i tyre i dytë do të çonte në një ulje prej 5% të konsumit të cigareve, dhe ç’është më e rëndësishmja, do të vinte për herë të parë në dukje dallimet demografike e profesionale në përdorimin e duhanit.
Këto janë vetëm tre nga momentet e panumërta në historinë e gjatë të paralajmërimeve shkencore institucionale kundër përdorimit të duhanit, por secili prej tyre zë një vend të rëndësishëm lidhur me ndikimin përkatës në shëndetin publik të një vendi.
Dhe pikërisht, sot, jemi në prag të një momenti historik; të një pikë ktheseje të rëndësishme për shëndetin publik të vendit tonë.
Një moment përcaktues, i cili nëse do të mund të kapej, do të kujtohet përherë si çasti historik që shpëtoi mijëra jetë.
Dhe ne kemi nevojë të përfitojmë sa më shumë prej këtij momenti të rëndësishëm.
Nuk është e nevojshme të përsërim se çfarë thonë të dhënat e zymta për dëmet apo rreziqet që lidhen me duhanpirjen, pasi ato janë, tashmë, fakte të mirënjohura nga të gjithë ne.
Duhanpirja nuk është thjesht dhe vetëm një ves i shoqërisë. Një përdorues i duhanit konsumon mesatarisht rreth 5,000 cigare në vit.
Ky akt është shkaku i vetëm më i madh i sëmundjeve të parandalueshme dhe vdekje të parakohshme në vend, ndërkohë që studimet tregojnë se duhani është përgjegjës për rreth 80 për qind të rasteve të kancerit të mushkërive.
Një në dy duhanpirës do të vdesë para kohe – ku, gjysma e tyre në moshën e mesme, pikërisht atëherë kur, me shumë gjasë, janë ende në moshë pune, ndoshta duke përjetuar me siguri një gjëndje të rënduar shëndetësore dhe duke munguar në punë, duke shkuar drej vdekjes së sigurt.
Ndërkohë, vlerësimet për numrin e vdekjeve nga tymi i duhanit, ose dukurinë e ashtuquajtur ‘duhanpirje pasive’, variojnë së tepërmi. Por, ciladoqoftë shifra e saktë, mbi 95 për qind e tyre vijnë si pasojë e ekspozimit pasiv ndaj tymit të duhanit të dorës së dytë në mjediset e mbyllura.
Vendi ynë renditet në vendet me përqindje të lartë të duhanpirjes, 60% meshkuj, 18% në femra me një tendence rritëse te femrat, dhe ulje të numrit të duhanpirësve meshkuj.
Duhanpirja renditet, gjithashtu, si faktor i madh risku për sëmundjet malinje, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore.
Është i vetmi produkt që konsumohet ligjërisht duke vrarë një të tretën, e madje deri në një të dytën e atyre që e përdorin.
Duhanpirja vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit në botë, prej të cilëve më shumë se 600.000 janë jo-duhanpirës, të vdekur nga qëndrimi në mjedise me tym duhani (nga duhanpirja pasive).
Nëse nuk veprojmë tani, epidemia do të vrasë më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit duke filluar nga viti 2030, thotë OBSH. Më shumë se 80 % e këtyre vdekjeve të parandalueshme do të jetë në mesin e njerëzve që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesme. Mbi 70% e vdekjeve ndodhin në vendet e varfra dhe në zhvillim. Në Shqipëri më shumë se 3,300 njerëz vdesin çdo vit nga pasojat që shkakton duhanpirja dhe në vitin 2030, ky numër do të rritet në rreth 7,500 njerëz.
Dhe le të mos harrojmë se njerëzit që pritet të përfitojnë më tepër nga një shoqëri pa duhan, janë edhe pjesëtarë të shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë, pasi duhanpirja është edhe një nga shkaqet kryesore të pabarazive shëndetësore.
Ndonëse kontributi i duhanit në vdekshmërinë e parakohshme dhe sëmundshmëri, është dokumentuar gjerësisht, pak vëmendje i është kushtuar lidhjes se duhanit me varfërinë.
Duhani priret të konsumohet nga ata që janë te varfër, si rrjedhojë, ai shkakton varfëri përmes uljes së të ardhurave, uljes se produktivitetit, sëmundshmërisë dhe vdekjes.
Së bashku, duhani dhe varfëria krijojnë një rreth vicioz, të cilit, shpesh është e vështirë t’i shpëtosh.
Në disa mënyra duhani rrit varfërinë në nivel: individual, familjar dhe kombëtar.
Në nivelin individual dhe familjar paratë e shpenzuara për duhanin kanë një kosto oportune shumë të lartë. Për të varfërit, paratë e shpenzuara për duhanin janë para që nuk shpenzohen për nevojat bazë, si ushqimi, veshja, edukimi dhe kujdesi shëndetësor.
Duhani shkakton varfëri individuale dhe familjare duke rritur rrezikun për sëmundje, dhe vdekje të parakohshme si: kancer, sëmundje të zemrës, sëmundje respiratore, e tjera, duke rritur koston e kujdesit shëndetësor.
Në nivel kombëtar, vendi vuan nga humbje të jashtëzakonshme ekonomike, si rezultat i kostove të larta të kujdesit shëndetësor, si dhe humbjes së produktivitetit nga sëmundjet që shkakton duhanpirja dhe nga vdekjet e parakohshme.
Vendet importuese të duhanit humbasin miliona Euro nga shkëmbimi i jashtëm. Vendi ynë blen produkte duhani në masën 550 milion Euro në vit, pra blihet një produkt që shkakton vdekje dhe sëmundje.
Pra, ne duhet të mendojmë gjithashtu, edhe për përgjegjësitë tona.
Cili është mesazhi ynë për një shoqëri më të shëndetshme pa duhan?
Në sajë të ndryshim të madh kulturor në mënyrë e të menduarit dhe vepruarit ndaj duhanpirjes, ne jemi tashmë, të gatshëm për t’u përgjigjur.
Kuadri ligjor ekzistues nuk mundi të funksiononte më parë, jo thjesht për mungesë vullneti, por edhe për shkak se shoqëria dhe vendi nuk ishte gati.
Pothuajse çdokush prej nesh është dëshmimtar i një lloj pakti të heshtur që ka ekzistuar, – dhe ende ekziston, – ndërmjet qytetarëve e duhanpirësve, ku këta të fundit ndezin e tymosin vend e pa vend cigare në mjedise publike, siç janë bar-café restorantet, autobuzat, zyrat, qendrat tregtare apo kinematë.
Ndërsa sot, qytetarët janë më të informuar se kurrë më parë për faktorët që promovojnë shëndetin dhe mirëqënien e tyre. Shumë prej tyre, duket se nuk e tolerojnë më të bëhen pre e pasojave që vijnë prej duhanpirjes pasive.
Kjo është edhe një nga arsyet se përse ky projektligj ka marrë mbështetje të gjerë nga të gjithë ne dhe aktorë të tjerë të shoqërisë.
Projektligji është hartuar në frymën e “Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit”, e cila është nënshkruar dhe miratuar edhe nga Shqipëria në 29 Qershor 2004, falë edhe kontributit shumëvjeçar të OBSH-së në këtë drejtim.
Kjo Konventë, u adoptua unanimisht më 21 Maj 2003 në Asamblenë e 56-të të OBSH, dhe pёrbёn instrumentin ligjor më të rëndësishëm për kontrollin e duhanit në shkallë botërorë, e cila hyri në fuqi në vitin 2005.
Miratimi i saj në Parlament në Prill 2006, bashkëshoqërohej edhe me marrjen e përgjegjësive përkatëse dhe detyrimin që vendi ynë të miratonte një ligj të posaçëm për kontrollin e duhanit, i cili duhet të reflektonte parimet e Konventës.
Një nga parimet e Konventës është: “Çdo person duhet të informohet për pasojat shëndetësore, natyrën droguese dhe kërcënimin vdekjeprurës të shfaqur nga konsumimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij dhe masa të tjera efektive legjislative, ekzekutive dhe administrative në nivelin e duhur qeveritar duhen të merren për të mbrojtur të gjithë personat nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.”
Kjo është me të vërtetë një pikë kthese.
Qytetarët kanë përqafuar rrugën e ruajtjes dhe përmirësimit të shëndetit, prandaj ne duhet ta që të mos ta humbim këtë mundësi që na jep miratimi i këtij ligji.
Risia që sjell ky ligji anti-duhan është një mundësi e rrallë.
Kjo është një mundësi për mijëra duhanpirës të heqin dorë nga një varësi e rrezikshme dhe e fuqishme, dhe kjo është mundësia më e mirë e një brezi të ri për të përmirësuar shëndetin e kombit, – me të vërtetë, me një ndryshim të menjëhershëm.
Dhe e rëndësishmja, përvoja ndërkombëtare, tregon se ky ndryshim historik do të shërbejë si nxitës për një numër të madh të duhanpirësve në vend që të përpiqen për të prerë duhanin.
Askush nuk mendonte se italianët do të pranonin ndonjëherë ndalimin e duhanit. Disa vite më vonë, studimet tregojnë se duhanpirja në këtë vend është ulur ndjeshëm, biznesi i bareve dhe restoranteve është rritur, ndërkohë që shumë njerëz tregojnë, tashmë, mbështetje më të madhe për masat e ndalimit të duhanpirjes se sa se përpara zbatimit të tyre.
Po ashtu, edhe përvojat e tjera ndërkombëtare në Francë, Kaliforni, Norvegji, Zelandë të Re, Irlandë, Australi, Skoci, etj., janë tepër pozitive dhe optimiste. Aktualisht, ka një konsensus të përgjithshëm global dhe një qëndrueshmëri të shkallës së miratimit public të masave kundër duhanprijes në të gjithë botën.
Një nga politikat më të unifikuara të shëndetit publik në BE është padyshim ajo kundër duhanit.
Në të gjitha vendet anëtare të BE-së politikat kundër duhanit janë të tilla që ndalojnë plotësisht konsumin e duhanit në vende publike, duke përcaktuar dispozita rigoroze ligjore për paketimin e marketingun e cigareve, përfshirë këtu edhe kundër-reklama në sipërfaqe të konsiderueshme të paketimit.
Për më tepër, për shumë vite me rradhë kompanive prodhuese dhe shpërndarëse të cigareve, i’u ndalohet të reklamojnë produktet e tyre në mediat publike.
Përkushtimi i BE-së në luftën kundër duhanit shkon edhe më tej, duke i’u caktuar vendeve anëtare kuota të sipërfaqeve të subvencionuara që mbillen me duhan, si dhe politika dekurajuese për prodhuesit.
Politikat e mundshme në të ardhmen për sa i përket duhanit dhe produkteve të tij mund të përfshijnë rregulla edhe më shtrënguese të shitjes, shpërndarjes dhe reklamimit të produkteve të duhanit, e deri tek ndalimi i prodhimit të kësaj bime në territorin e BE-së. Kjo e fundit besohet se mund të arrihet tërthorazi, në rast se ndalen të gjitha subvencionimet e BE-së dhe shteteve anëtare për kulturën e duhanit.
Kemi zgjedhur të ndalojmë duhanpirjen në mjediset publike, duke qenë tërësisht të bindur se kjo është jo vetëm e dobishme, por edhe e domosdoshme, për shëndetin e shqiptarëve.
Si një nga shprehitë më të zakonshme dhe të pashëndetshme të njeriut, duhanpirja, është konsideruar përgjithësisht si një zgjedhje personale, ndaj së cilës, njerëzit përreth ose kalimtarët e rastësishëm kanë pasur pak, ose aspak, kontroll ndaj këtij akti.
Sot, duhanpirja ka hyrë njëherë e mirë në rrugën e pakthyeshme të rregullimit ligjor me kufizime të përcaktuara, tashmë, më qartë dhe më saktë se kurrë.
Ka nga ata që besojnë se duhanpirja nuk duhet të ndalohet, pasi kjo është diçka që varet nga vullneti i lirë dhe i pavarur i çdo person të lirë për të bërë zgjedhjen e vet.
Ka nga ata që besojnë se duhanpirësit kanë të drejtë të shijojnë kënaqësitë dhe pasojat e sjelljeve dhe shprehive që ata zgjedhin vetë. Ata besojnë se ndalimi i duhanit është i panevojshëm, pasi kufizon “së tepërmi” liritë e tyre individuale.
Por sigurisht, e drejta e gjithësecilit prej nesh mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit, duke pasur në themel parimin se çdo akt apo veprim që rrezikon shëndetin dhe sigurinë e qënieve të tjera njerëzore të shoqërisë është rreptësisht i ndaluar.
Kështu, duhanpirësit rrezikojnë jetën e më shumë se veten e tyre, kur ata pinë duhan në vende publike.
Le ta mbështesim këtë politikë për të mirën e shëndetit tonë dhe shëndetin e të gjithë bashkëqytetarëve tanë.
Kjo nismë politike mund të ndihmojë për të ulur ndjeshëm, dhe shpresojmë, në mënyrë përfundimtare, shkallën e duhanpirjes në vend, duke përmirësuar ndjeshëm shëndetin e qytetarëve, qofshin duhanpirës ose jo.
Pse duhet të kemi mjedise 100% pa duhan?
1. Duhanpirja pasive vret dhe shkakton shume sëmundje;
2. Mjediset 100% pa duhan mbrojnë plotësisht punonjësit dhe publikun nga efektet e dëmshme të duhanpirjes pasive;
3. Çdo njeri ka të drejtë të thithë ajër te pastër, pa tym duhani;
4. Shumica e njerëzve ne Shqipëri janë jo-duhanpirës dhe kanë të drejtën të mos ekspozohen nga tymi i duhanit të njerëzve të tjerë (vetëm 39% janë duhanpirës);
5. Ndalimi i duhanpirjes mbështetet gjerësisht nga duhanpirësit dhe jo-duhanpirësit;
6. Mjedisi 100% pa duhan ndihmon në parandalimin e duhanpirjes, sidomos tek të rinjtë;
7. Mjedisi 100% pa duhan u jep një shtysë të rëndësishme shumë punonjësve që duan ta lënë duhanin;
8. Mjediset 100% pa duhan janë të mira për biznesin, duke qenë se familjet me fëmijë, qofshin duhanpirës ose jo, preferojnë të shkojnë në vende publike pa duhan;
9. Mjediset 100% pa duhan kushtojnë më pak dhe funksionojnë më së miri!
Është koha që t’i themi ndal duhanpirjes në mjedise publike!
—###–
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.