Lezhë, 4/2/2014 – Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, ishin sot (4/2/2014) në Lezhë për të përuruar rinovimet e financuara nga USAID-i në Spitalin Rajonal. Nëpërmjet Projektit “Mbështetje e Reformës në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i janë rikonstruktuar 3 salla pritjeje për pacientët (recepsione): në godinën kryesore, në repartin e urgjencës dhe në godinën e maternitetit, ka krijuar farmacinë qendrore të spitalit, dhe ka ndërtuar rampa (pjerrina) të ndryshme për karrocat ose barrelat për zhvendosjen e pacientëve.
Projekti MRSH i financuar nga USAID-i, i cili synon përmirësimin e menaxhimit, administrimit dhe qeverisjes spitalore, ka zbatuar ativitete në Spitalet Rajonale të Lezhës dhe Korçës dhe SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mekanizmat dhe instrumentat e menaxhimit të zbatuara në këto tre spitale raportohen pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Grupin “Mbështetje për Zbatimin e Reformës në Shëndetësi,” i cili rekomandon shtrirjen e këtyre masave reformuese edhe në spitalet e tjera të vendit.
Me qëllim që spitalet t’i përgjigjen më mirë kërkesave dhe nevojave të pacientëve, për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar, përveç burimeve spitalore ky projekt synon në zbatimin e praktikave të reja për përfshirjen e komunitetit, duke synuiar që spitalet të jenë të suksesshëm duke ofruar një kujdes të veçantë dhe një qasje të re në qëndrimin ndaj pacientëve dhe komunikimin me komunitetin për ti shërbyer më mirë nevojave të tij, pra duke mundësuar përfshirjen e komunitetit në çështjet e shëndetit dhe një kujdes shëndetësor që vendos në qendër të sistemit shëndetësor pacientin.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në ceremoninë e përurimit të sallave të pritjes në Spitalin Rajonal të Lezhës të iinovuara me mbështetjen dhe ndihmën e Projektit “Mbështetje Reformës në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i.
— ###—
I nderuar Kryeministër, z. Edi Rama,
Shkëlqesia Juaj, z. Ambasador Aleksandër Arvizu,
I nderuar z. Barnhart,
I nderuar z. Bara,
Të dashur mjeke, mjekë e punonjës të shëndetësisë të Spitalit Rajonal të Lezhës,
Të nderuar përfaqësues të medias dhe pjesëmarrës,
Jam i kënaqur që marr pjesë në këtë ceremoni përurimi të Zyrave të Pritjes të Spitalin Rajonal të Lezhës të rinovuara me mbështetjen dhe ndihmën e Projektit “Mbështetje e Reformës në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i.
Më lejoni të theksoj se, jam thellësisht mirënjohës për kontributin e vyer, por edhe qartësisht i vetëdijshëm për simbolikën që mbart ky aktivitet, si kurorëzimi i një përpjekjeje disa-vjeçare për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, të frymëzuar dhe mbështetur me ndihmën bujare të partnerit tonë strategjik, SHBA-ve.
Dëshiroj, gjithashtu, t’i përgëzoj dhe t’i falënderoj përfaqësuesit e projektit, jo vetëm për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer që kanë ofruar bujarisht nëpërmjet projektit në fjalë, si dhe nismave të tjera të ngjashme, por posaçërisht, për vëmendjen e veçantë kushtuar përmirësimit të qeverisjes spitalore, me synim të fundëm, përmirësimin e qasjes së njerëzve të thjeshtë ndaj shërbimeve shëndetësore.
Pra, ofrimin e një sistemi të kujdesit shëndetësor që vendos në qendër të tij, pacientin.
“Shëndeti është një nevojë njerëzore; shëndeti është një e drejtë e njeriut” – shkruan rishtazi mjeku James Lenhart, në një vështrim analitik të ecurisë së sistemit tëkujdesit shëndetësor në SHBA. [“Health is a human necessity; health is a human right” ― James Lenhart, Conversations for Paco.]
Dëshiroj të theksoj, se në programin tonë qeverisës, përveç angazhimit që kemi ndërmarrë për hapjen e kantierit të shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor dhe rritjen e sigurisë në spitale, jemi zotuar gjithashtu, se spitalet publike do të jenë jo vetëm vendet ku njerëzit mjekohen, por edhe qendra që mishërojnë solidaritetin e kulturën shoqërore.
Dhe ashtu siç mishërohet shprehimisht në thelbin e zbatimit të projektit në këtë shërbim spitalor, nevojitet rivendosja e një marrëdhënieje të re mes profesionisteve të shëndetit dhe qytetarëve: një marrëdhënie besimi dhe respekti reciprok.
Kështu, ne besojmë se modele si ky që po përurojmë sot ndihmojnë për ndërtimin e urave që nevojiten për lidhjen e kësaj marrëdhënieje besimi dhe respekti reciprok, të cilat mbështeten mbi shtyllat e bashkëbisedimit dhe nxitjes për përfshirjen në të, jo vetëm të gjeneratës së re të specialistëve të mirëfilltë të shëndetësisë dhe vlerave që ata mbartin, por edhe qytetarëve.
Dhe qytetarët, në këndvështrimin tonë, janë pjesë e qënësishme përbërëse e recetës për rimëkëmbjen e sistemit, duke u bazuar tek vlerat e dialogut, përgjegjësive dhe partneritetit të ndërsjelltë.
Modele dhe nisma të tilla, si ky projekt pilot në Lezhë, shërbejnë qartësisht si udhërrëfyes duke ofruar mundësi për rritjen e shkallës së vetëdijes për qasjet e reja që nevojiten për të nxitur dhe mbështetur zbatimin e reformave në shëndetësi, me qëllim përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve shëndetësore.
Jemi të vetëdijshëm, se komuniteti pret nga politikëbërësit dhe nga mazhoranca e re përmirësime të shpejta dhe të dukshme të shërbimeve publike spitalore.
Nuk mund të kemi mbulim universal pa një sistem të qëndrueshëm vendor të kujdesit shëndetësor, argumentojnë ekspertët më në zë të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare [No universal health coverage without strong local health systems – WHO Bulletin 92/2/14-135228.]
Dhe, me qëllim që spitalet t’i përgjigjen më mirë kërkesave dhe nevojave të pacientëve, për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar, përveç burimeve spitalore kërkohet edhe zbatimi i praktikave të reja të trajtimit dhe përfshirjes së komunitetit.
Modele të tilla administrimi dhe menaxhimi si ky projekt i zbatuar në Spitalin e Lezhës, ofrojnë mundësinë që shërbimet spitalore që duam të ndërtojmë të jenë të suksesshëm, duke treguar një kujdes të veçantë dhe një qasje të re në qëndrimin ndaj pacientëve dhe komunikimin me komunitetin për t’i shërbyer më mirë nevojave të tij.
Përmirësimi i cilësisë dhe sigurimi i vijueshmërisë së shërbimeve shëndetësore, të cilat varen jo vetëm nga profesionistët me kualifikim të lartë, por edhe nga komuniteti dhe niveli i mesëm i profesionistëve të shëndetëtsisë, janë shtylla kurrizore e shërbimit parësor që duam të ndërtojmë.
Gjithashtu, dëshiroj të përfitoj nga rasti, pasi sot është Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, e cila është e vetmja nismë ku e gjithë bota mund të bashkohet në luftën kundër epidemisë globale të kancerit, si një mundësi për të ngritur zërin në emër të përmirësimit të njohurive të përgjithshme rreth kancerit, dhe për të hedhur poshtë idetë e gabuara apo keqkuptimet në lidhje me sëmundjen.
Le t’i bashkohemi thirrjes së fushatës për vitin 2014, e cila fokusohet në objektivin e 5-të të Deklaratës Botërore të Kancerit – Ulja e stigmës dhe rrëzimi i miteve për kancerin, me mesazhin “TË RRËZOJMË MITET!”
Së fundi, duke shpresuar se modelet e ndërtuar nga nisma të tilla si projekti juaj në rrethet e Tiranës, Korçës dhe Lezhës, do të mund të funksionojnë me sukses edhe në spitalet e tjera publike, ku përfshirja e komunitetit në vendimarrjen për shërbimet shëndetësore dhe vendosjen e pacientëve në qëndër të kujdesit shëndetësor është dhe mbetet në themel të përpjekjeve për rimëkëmbjen e kujdesit shëndetësor në vend, i uroj suksese mjekëve dhe punonjësve të shëndetit të spitalit të Lezhës,
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.