.

vije ndarëse

Postuar më: 20/11/2023

Pakti kombëtar kundër dhunës ndaj fëmijëve, Koçiu: Të rrisim ndërgjegjësimin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile firmosën “Paktin kombëtar kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri”, dokumentin që synon mbrojtjen e posaçme të fëmijëve nga dhuna seksuale me burim internetin por edhe në jetën e përditshme.

Ministrja Albana Koçiu e cilësoi firmosjen e Paktit si një ndërgjegjësim dhe rritje e vetëdijes për të bërë më shumë.

Në fjalën e saj ministrja theksoi se “sot është një ditë e veçantë, sepse pikërisht sot, flasim për qeniet më të dashura për ne, flasim për fëmijët, flasim për të drejtat e tyre dhe sot më shumë se kurrë është një moment reflektimi lidhur me çfarë kemi bërë deri më tani për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve tanë dhe një moment ndërgjegjësimi, çfarë duhet të bëjmë akoma më shumë për të vijuar të kemi mjedise të sigurta për të mbrojtur familjen, për të mbrojtur filizat e të ardhmes që janë fëmijët”.

Në këtë kuptim, vijoi ajo, misioni kryesor i MSHMS-së sa i përket mbrojtjes sociale është pa dyshim thelbi, fëmijët.

“Kemi bërë shumë. Kemi një kuadër rregullator të mirë, por sigurisht nuk mjafton. Të kemi mekanizmat ligjorë në fuqi që na sigurojnë dhe na japin garanci për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve është diçka, por të rrisim ndërgjegjësimin e gjithkujt, e qytetarëve, e familjeve, e prindërve, e të rinjve, të adoleshentëve lidhur me format e abuzimit dhe mbi të gjitha me abuzimin fizik, psikologjik dhe seksual, do duhet pa diskutim të bëjmë akoma më shumë”, nënvizoi Koçiu.

Sipas saj, shoqëria civile luan një rol të jashtëzakonshëm, sikurse luajnë edhe institucionet qendrore, pushteti qendror dhe ai vendor.

Ministrja Koçiu tha se “jemi të gjithë së bashku këtu për të garantuar që do të bëjmë akoma më shumë, për të garantuar se jemi bashkë kur vjen puna te fëmijët”.

“Linja Alo 116/111 që fëmijët e përdorin jashtëzakonisht shumë dhe MSHMS e ka mbështetur financiarisht dhe ka qenë e para që e ka promovuar këtë lloj iniciative, pikërisht për t’i dhënë një zë më shumë fëmijëve”, tha Koçiu.

Sot, shtoi ministrja, kemi një armatë profesionistësh të cilët operojnë si në sistemin tonë shëndetësor, ashtu edhe në qendrat tona sociale dhe në shërbimet e integruara

“Janë psikologët dhe punonjësit socialë, të cilët tashmë janë një armatë profesionistësh, të cilët ndihmojnë dhe lehtësojnë të gjitha shërbimet sociale që ofrohen nga Qendrat tona Sociale dhe që pa diskutim janë në mbështetje të linjës për të konsultuar, për të dhënë këshillimin e nevojshëm fëmijëve, por edhe pa diskutim për të lehtësuar të gjitha institucionet shtetërore për të bërë akoma më shumë politika dhe strategji të nevojshme dhe të domosdoshme për ta çuar akoma edhe më përpara dhe për t’i mbrojtur akoma më shumë fëmijët”, theksoi Koçiu.

Ministrja u bëri apel qytetarëve që të jemi të gjithë së bashku kur vjen puna tek fenomene të tilla.

“Fenomene të tilla luftohen vetëm kur e gjithë shoqëria, të gjithë individët e saj janë bashkë. Dhe kur vjen puna tek fëmijët, unë besoj që është qenia më e rëndësishme, është qenia e vetme e cila mund të na bëjë ne të gjithëve bashkë”, tha Koçiu.