.

vije ndarëse

Postuar më: 13/11/2013

Parandalim dhe Zbulim i Hershëm për Efektivitet Kundër Korrupsionit

Fjala dhe prezantimi i plotë i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën “An Effective Anti-corruption Framework in Albania,” të zhvilluar në 12-13 Nëntor 2013 në Tiranë.

—###—

Të respektuar zonja dhe zotërinj,

Në fakt, unë po e marr fjalën në një moment kur duhej të kishim mbaruar para 40 minutash. Do të mundohem t’i bie shkurt, që të mos ju bezdis, se e di edhe që jeni të urritur dhe po të rrini gjatë, do shkoni të hani shumë dhe kjo do t’ju shkaktojë probleme në shëndet dhe pastaj do të thoni që ministri i shëndetësisë na shkaktoi probleme me shëndetin sot.

Ndërkohë që, nuk besoj se unë po flas i fundit ngaqë shëndetësia është sektori më i korruptuar, edhe pse duhet të pranojmë se shëndetësia dhe drejtësia janë dy sektorët, që, nga publiku shqiptar konceptohen si më të korruptuarit.

Ju thatë – (shën. red., i referohet moderatorit ) – që korrupsioni në financa është para, në fakt, unë do të thoja që, korrupsioni është edhe cënim i një të drejteje themelore, siç është shëndeti.

Në fakt në pushimin e kafes, në një bisedë me përfaqësuesin e një shteti donator bujar, po më thoshte se qeveria e vendit të tij është e interesuar të mbështesë Shqipërinë për të drejtat e njeriut, por në fakt, përjashtimi nga kujdesi shëndetësor, a nuk është cënim i një të drejte themelore të njeriut? Dhe në fakt, korrupsioni në shëndetësi prek më shumë, sepse prek te jeta! Eshtë një taksë e fshehtë, në gjykimin tim, madje, për nga mënyra se si funksionon, është një taksë regresive, përsa kohë që ne, edhe si parti, jemi politikisht të deklaruar kundër edhe taksave regresive.

Në hartimin e strategjisë për luftën kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë, ne jemi bazuar në dy pjesë kryesore:

Së pari, në programin e Qeverisë shqiptare dhe kryesisht në përmirësimin e legjislacionit, në zgjerimin e qeverisjes elektronike dhe në hartimin dhe zbatimin e nismave të reja në favor të transparencës, të llogaridhënies dhe të informimit të publikut.

Por po ashtu, kemi edhe një dokument të vlefshëm, të hartuar në vitin 2011 nga projekti PACA-II, ku ka sugjerime, këshilla, propozime konkrete të vlefshme për mënyrën se si mund të ulen pagesat informale në shëndetësi, si mund të tkurret/kufizohet korrupsioni spitalor, si mund të eleminohet korrupsioni në fondin e sigurimit të kujdesit shëndetësor, si edhe, si mund të rregullohet nga ana ligjore shmangia e konfliktit të interesit në shëndetësi.

Shëndetësia, mendoj unë, është një nga sektorët ku kuptohet një qasje e hershme që kemi ne shqiptarët me korrupsionin, të paktën unë vetë, kur analizoj këtë çështje, përpiqem të përdor tri fjalë të veçanta që ka gjuha shqipe, dhe që ndoshta në shëndetësi ndihen më tepër, në fakt janë të huazuara nga turqishtja: peshqeshbakshish dhe rryshfet.

Të trija bashkëjetojnë në shoqërinë shqiptare, janë pjesë e marëdhënieve që ne shqiptarët kemi me shërbimet publike, ndoshta ndjehen më shumë dhe në shëndetësi. Dhe në shëndetësi, ndoshta, dallimi mes këtyre të trejave, që është edhe kulturor, jo thjesht nga pikëpamja e fjalëformimit – në qoftë se kolegia Kumbaro do të më mbështeste, – do të na ndihmojnë për të bërë qasjet e duhura, për të shënjestruar zgjidhjen e problemit të korrupsionit në shëndetësi.

Sigurisht, ne tashmë u bëmë 2 muaj në Qeveri, dhe njerëzit presin nga ne se çfarë do të ofrojmë. Po ju them se çfarë kemi bërë në një periudhë afatshkurtër dhe po ju japim disa ilustrime se çfarë kemi gjetur.

Në datën 9 shtator 2013, një kompani farmaceutike, ka depozituar një kërkesë për të regjistruar një bar në Shqipëri. Dokumentacioni, është normalisht mijëra faqe. Rezulton që po atë ditë, mijëra faqe janë studiuar, janë vlerësuar, është miratuar në Ministrinë e Shëndetësisë ky proces, dhe po atë ditë, bari është regjistruar për t’u tregtuar në Republikën e Shqipërisë.

Kohë fizike, sikur njerëzit më të mençur të ishin, nuk ka!

Pra, krijohet hapësira për ta paragjykuar këtë proces. Po e auditojmë. Kemi filluar mbrapsht, që nga 16 shtatori kur morëm detyrën e në vijim. Padyshim do ta ripërsërisim procesin e vlerësimit dhe regjistrimit të barit.

Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera të Europës, çmimi i barit është një çmim i negociuar. Në fakt, koha kur unë po flas është pikërisht koha e procesit të negocijimit të çmimit të barnave, dhe ndoshta këtu do të krijohen themelet për të patur gjatë vitit 2014 një proces shumë më të shëndetshëm, të tregut farmaceutik në Shqipëri, të barnave të rimbursueshme, të barnave të cilat do të furnizojnë spitalet dhe për pasojë, edhe efektivitetit te kujdesi shëndetësor dhe te qytetarët shqiptarë.

Ne kemi një marzh të caktuar 14% të depove farmaceutike, një marzh 29% të farmacive, dhe më tej, zbatojmë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, që do të thotë që, nëse është negociuar që çmimi i barit është 1 lek apo 1 euro, ai duhet të tregtohet 1.62 euro apo lek. Do t’ju tregoj një faturë: është e datës 17 tetor 2013, pra nuk është bërë as muaji akoma. Çfarë vihet re? Nëse vlera normale e asaj fature është 59 mijë euro, do të thotë se bazohet në një volum, në një çmim të negociuar vitin e kaluar, midis autoriteteve shqiptare dhe prodhuesit farmaceutik; vini re, ka një ulje 53% të asaj fature dhe vjen këtu me 47% të vlerës. Për pasojë, çmimi i barit është 2.4 herë më i shtrenjtë se sa fatura reale, bazuar në çmime që janë transferuar te prodhuesi farmaceutik.

Po i shohim me rradhë këto fatura. Nuk ju jap dot përgjigjen se deri më sot, të gjitha kanë uljen 50%, ka dhe 30 po ka dhe 70%. Unë po ju bëj një vlerësim të përafët. Nëse në të gjithë tregun farmaceutik të barnave të rimbursueshme, që vërtitet në vlerën 84 milion dollarë, kjo ulje, që del jashtë çmimit të negociuar, është 24 milion dollarë në vit.

Pyetje shumë e thjeshtë: Përse përdoren këto para? Për të korruptuar ministrin e shëndetësisë.

S’po e zgjas më tej, po flas vetëm në vetë të parë.

Ato para i paguajnë qytetarët shqiptarë në çmimin e barnave, apo fondi i kujdesit shëndetësor që financohet nga kontributet dhe taksat e përbashkëta për të rimbursuar çmimet e barnave, por janë aty dhe lubrifikojnë ingranazhet e sistemit të korrupsionit. Pranohen nga sistemi jonë, por për fat të keq, vijnë fatura nga vende të huaja. Sigurisht, varet vetëm dhe vetëm nga vullneti i Qeverisë shqiptare për ta stopuar këtë praktikë. Besoj se bilancin do duhet ta bëjmë pas një viti, nëse ja kemi dalë apo s’ja kemi dalë.

E njëjta gjë ndodh edhe me aparaturat e shtrenjta mjekësore. Si ministër, ndeshem përditë me një aparaturë të kushtueshme që prishet. E njëjta markë, i njëjti prodhues, funksionojnë si sahat në Shqipëri, tek ofruesit privatë të kujdesit shëndetësor. Për fat të keq, prishen rëndom në sektorin publik, edhe sepse mungojnë kontratat e mirëmbajtjes të tipit full risk. A janë lënë qëllimisht apo jo, për mua është e parakohëshme ta jap, por publikut nuk i intereson, publikut i intereson – dhe ne po punojmë – që rezonanca, mammografia, skaneri, akserelatori, të punojnë.

Besoj se brenda vitit, do t’i drejtohem të gjitha ambasadave të huaja që janë në Shqipëri, për t’i kërkuar këto gjëra:

  • Informacion, të na vënë në kontakt me prodhuesit farmaceutik për të parë nëse këto marzhe duhet të lubrifikojnë korrupsionin, duam t’i përfitojnë qytetarët shqiptarë me barna më të lira. Nuk duam të kursejmë në shëndetësi, nuk na mjaftojnë paratë, duam që me të njëjtat para të ofrojmë më shumë kujdes, në sasi dhe cilësi.
  • Do t’u kërkojmë gjithashtu listën, se cilat janë barnat që janë unike në tregun tonë, besoj duke qenë unike, me një pozitë monopoli, luajnë me çmimin, për të ofruar alternativa të tjera.
  • Do të kontaktojmë me prodhuesit kryesorë të pajisjeve bio-mjekësore, dhe ndoshta duke qenë tregu i vogël në Shqipëri dhe firmat lokale të mirëmbajtjes janë unike, jemi prapë të shantazhuar si sistem publik, ndaj ofruesit monopol. Shpresojmë që brenda vitit do të mund ta zgjidhim.

Ndërkohë po punojmë edhe për masat afatmesme, që do të thotë, të përmirësojmë procesin e negocijimit të barnave. Kemi hyrë në në kontakte me vendet fqinje të zhvilluara, nga ku kemi dhe goxha këmbim tregtar farmaceutik, për të parë në origjinë çmimet, se si fillon atje procesi i negocijimit, duam të vendosim procedura të reja për prokurimin e barnave dhe materialeve mjekësore, të ngremë agjensinë kombëtare të barnave dhe materialeve mjekësore, të krijojmë një portal online të ankesave, që të arrijmë menaxhimin në kohë reale të tyre.

E kanë bërë dhe kolegë të tjerë, duam ta kemi efektiv kur të jemi në gjendje t’i përgjigjemi çdo lloj ankeseje. Nëse në Shqipëri ka 450 gjyqtarë dhe ka 450 ankesa për këta gjyqtarë, në shëndetësi janë 15 mijë operatorë shëndetësorë, dhe do të ketë ankesa dhe duam që ai portal të jetë efektiv për të gjithë, prandaj kemi vepruar më ngadalë se kolegët e tjerë.

Ndërkohë, kemi dhe një listë me masa afatgjata. Masat afatgjata janë vendosja e sistemit ‘track and trace’ në sistemin farmaceutik, zbatimi i recetës elektronike, standartizimi i urdhrave profesionalë në sektorin e shëndetësisë, ngritja e agjensisë së administrimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve bio-mjekësore, edukimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor, hartimi, miratimi dhe zbatimi i protokolleve mjekësore, vendosja e sistemit Electronic Health Records, furnizimi ritmik me barna i spitaleve.

Kolegu Damian Gjiknuri kur foli tha, korrupsioni është kancer për shoqërinë. Për të luftuar sëmundjen e kancerit, në programin tonë të shëndetësisë kemi thënë: Do të zhvillojmë programe kombëtare të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale. Unë jam i bindur se edhe korrupsionin, po ta luftojmë me efektivitet në shëndetësi por edhe në shoqërinë shqiptare, nëse do të synojmë fort te parandalimi dhe zbulimi i hershëm.

Faleminderit!

—###—

Në link-un e mëposhtëm, mund të gjeni prezantimin e plotë në format .ppt të Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën “An Effective Anti-corruption Framework in Albania,” të zhvilluar në datat 12-13 Nëntor 2013 në Tiranë: Prezantimi.ppt