Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 16/10/2015

Përmirësojmë rrënjësisht kujdesin shëndetësor për shqiptarët

Përmirësojmë rrënjësisht kujdesin shëndetësor për shqiptarët

Diskutimi i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë  për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik 

Tiranë, 15/10/2015

—###—

I nderuar z. Drejtues i Seancës,

Zonja dhe zotërinj deputetë, qytetare dhe qytetarë!

Parafolësja bëri një mashtrim, tha një gënjeshtër! Tha që projektligji i hap rrugën futjes të barnave fallco në Shqipëri.

Gënjeshtër!

Projektligji, – siç  mund të lexohet, – thotë që barnat me origjinë nga vendet e Ballkanit regjistrohen në Shqipëri pasi janë regjistruar në vendin përkatës. Dhe, pasi qarkullojnë në vendin përkatës, që do të thotë, nuk bëhet fjalë për barna kontrabandë dhe nuk bëhet fjalë për barna të fallsifikuara. Por, meqënëse parafolësja pati dëshirë t’i krahasojmë kohët me kohën e Saliut, më lejoni të ndaj me ju se çfarë ka ndodhur në kohën e Saliut për sigurinë e barnave, për regjistrimin e barnave.

Proçedura e regjistrimit të barnave në Shqipëri, është një proçedurë, ku ai që mban autorizimin e barnave për tregëtim, ka të drejtë të paraqesë një dosje për barna që vijnë nga një gjeografi e caktuar, dhe gjeografia nuk ka ndryshuar as në vitin 2014, dhe as nuk ndryshon me projektligjin e sotëm. Por, nëse dosja e barit është një dosje voluminoze, në datën 09 shtator 2013, ministri i atëhershëm i shëndetësisë ka miratuar 5 (pesë) autorizime, të cilat po në të njëjtën ditë, kishin aplikuar në Agjenci (QKKB – Qendrën Kombëtare të Kontrolli të Barnave) për barin Vancotex 500mg, Vancotex 1gr dhe Textazo500mg.

Pra, imagjinoni brenda një dite pune është dorëzuar një dosje qindra-faqëshe në gjuhë të huaj, është shqyrtuar nga ana administrative, i është kaluar Komisionit të Përhershëm të Barnave, është përcjellë në ministri në drejtorinë përkatëse, e ka firmosur edhe ministri.

Brenda një dite pune!

Dhe sot, zonja flet për sigurinë e barnave! Ka ndodhur në kohën e Saliut, Jozefinë!

Po atë ditë, janë miratuar tre autorizime me kërkesë të para 3-ditëve, të datës 6, Nibix 100mg dhe Nibix 400mg. Këto 3 të parat i ka marrë lejen ky star-i që na latë këtu, star-i i insulinave, ky që kërkoni të na i vini ne si përgjegjësi, ky star-i i insulinave i ka bërë këto, brenda një dite pune qindra-faqe dokumentacion.

Së dyti, po flasim për analizat që bën Agjencia e Barnave (AKBPM – Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore): janar-shtator 2013, 78 analiza janë bërë atëherë, ndërkohë që janar-shtator 2015 – 332 analiza. Pra, 9 muaj të Saliut, – meqënëse paska qenë koha e Saliut atëherë, – me 9 muaj të këtij viti, për t’i krahasuar 9 me 9, 4.25 herë më shumë analiza kemi bërë për sigurinë e barit.

Ndërkohë, ndryshe nga spekulimet tuaja, nga 1 janari 2015, janë regjistruar dhjetëra barna të kompanive origjinatore, të Merck Sharp & Dohme-s, të Novartis-it, të Sanofi-t, të Bayer-it, të Glaxo-s, të Abbott-it, të Roche-it, të Janssen-Cilag-ut, etj.

Keni thënë që po largohen kompanitë e mëdha, po jua përsëris, jua kam thënë në shkresën e Glaxo-s në maj 2015, konfirmon që do të vazhdojë të operojë në Shqipëri…

…Sa gjynaf që je (i drejtohet Deputetes së PD-së, znj. Albana Vokshi)! Të kam thënë, më pyet mua, mos pyet ata që u çon sms. Në maj, thotë kam zyrën hapur, të gënjejnë ata që të çojnë..; të kam thënë, të gënjejnë, kam dy vjet që të them. Ata që të thonë ty.., ja ku e keGlaxo-n, ai që humbi vendin e punës, ja ku e ke.

Të flasim për barnat e Ballkanit, meqënëse thoni që ky ligj rrit rrezikun, dhe ja çfarë ka ndodhur me regjistrimin e barnave të Ballkanit kur keni qenë ju:

Gjysma e barnave të Ballkanit janë regjistruar nga 1 janar 2012 në 31 gusht 2013. Pra, 20 vite që punojmë ne me Serbinë, gjysma e barnave që vijnë nga Serbia, janë regjistruar në ikje të pushtetit tuaj.

Kjo është historia!

Por, ndërkohë, meqënëse u tha për gjendje katastrofike të spitaleve, prapë t’i kthehemi kohës së Saliut me kohën e sotme, me numra dhe me shifra. Po marrim prapë 9 muajt e fundit tuajat, me 9 muajit e fundit të këtij viti dhe po marrim QSUT-në:

– Ekzaminime imazherike, rritje 210%;

– Laboratori klinik-biokimik, 130%;

– Ndërhyrje kirurgjikale sipas shërbimeve, 120%;

– Ndërhyrje në koronarografi, 166%;

– Përdorimi i barnave në vlerë, është rritur nga 15 milionë USD në 20 milionë USD vetëm në QSUT, duke marrë edhe faktin që këtë vit barnat janë pa TVSH.

Sigurisht, që sasia e barnave është shumë më e mirë. E pranoj, jo ashtu siç duhet të jetë dhe si e meritojnë shqiptarët:

Po, me çfarë janë bërë këto?

Sigurisht, janë bërë sepse spitali është furnizuar më mirë. Si e gjetëm radhën e koronarografisë, 6 muaj, është 35 ditë sot. Janë bërë 1800 (ekzaminime koronarografike) 9-mujorin e parë të 2013. Sot, janë bërë në spitalet tona dhe financuar me para publike në spitalet jopublike 3600 koronarografi, 2 herë më shumë. Janë të paktën 1800 familje, që të paktën me 1 euro bëjnë 1,8 milion euro, nuk i kanë nxjerrë më nga xhepat e tyre, por e kanë marrë këtë shërbim brenda një kohe më të shpejtë, të financuar nga shëndetësia publikisht.

Rezonanca (magnetike) u fol këtu që ka vonesë. Sot, është një muaj në rastin më të madh, është një muaj. E gjetëm 3 muaj, dhe madje mund t’ju them është një muaj për banorët e Tiranës, sepse për shumë banorë të tjerë është deri në 2 javë. Mund të pyesësh në Shkodër për sa bëhet rezonanca sot, dhe mund të them që vitin tjetër në Shkodër, për Shkodrën dhe Lezhën, sepse kontrata është deleguar, do të ketë një rezonancë të re (magnetike).

Po marr Spitalin e Traumës, 9 muaj, me 9 muaj:

– Ekzaminime radiologjikem, 138% më shumë;

– Skaner, 270% më shumë;

– Laborator biokimik, 210% më shumë;

– Operacione, 130% më shumë.

Po sigurisht, qytetarët shqiptarë i kanë përfituar, në spitalet publike, pa qenë nevoja t’i drejtohen shëndetësisë jopublike, apo të duhet të blejnë vetë një pjesë të barnave apo të materialeve të mjekimit.

Jemi tek muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Ju e kishit fushatën me parakalime në bulevard, ne kemi sot mamografi të lëvizshme në rrethet më të largëta të Shqipërisë.

Ju e kishit vetëm në qendrat e qarqeve, në disa prej tyre. Sot, në Tropojë, në Has, në Ersekë, në Kolonjë, në Delvinë, gratë  kanë patur mundësinë ta bëjnë kontrollin parandalues dhe sigurisht pa pagesë.

Të krahasojmë kohën e Saliut, ja pra, janë futur në listën e rimbursimit, 45 principe të reja aktive, së bashku janë 85 alternativa.

– Për sëmundjet e zemrës kanë përfituar për herë të parë 120 mijë vetë;

– Në onkologji, 1115 vetë;

– Në hematologji, 8300 vetë;

– Në reumatologji, 5500 vetë;

– Në dermatologji, 3300 vetë;

– Në endokrinologji, 2600 vetë;

– Në gastro-hepatologji, 2300;

– Në neurologji, psikiatri, kujdes paliativ, 2200;

– Në nefrologji, 1100;

– Në alergologji, 1000;

– Në pneumologji, 1000;

– Në gjinekologji, 750;

– Në okulistikë, 730.

Jemi tek muaji i kancerit të gjirit, por së paku, për të lehtësuar në mënyrë sadopak mbingarkesën këtu, dhe për t’u hequr të sëmurëve edhe barrën, që përpos rëndesës së kimioterapisë, duhet të vijnë në Tiranë, ka filluar të jepet ky shërbim edhe në disa spitale rajonale. Sigurisht, nuk mjafton, shqiptarët meritojnë më shumë. Por, të paktën sot, jemi krenarë se në 2 vjet kemi treguar se përmirësimet janë radikale. Ne e gjetëm shëndetësinë më 40 milionë USD borxhe dhe i shlyem të gjitha, dhe të gjitha ato që thashë, janë bërë duke mos krijuar asnjë borxh të ri.

Folët Zonjë për pabarazinë në Shqipëri, e kemi thënë ne të parët, s’ka nevojë ta thotë Credit Swiss, ka qenë pjesë e diskutimit tonë politik kur ishim në opozitë dhe pjesë e programit politik, e mandej e Programit të kësaj Mazhorance.

Dhe pikërisht, për këto arsye, shumë nga reformat e mbrapshta që morrëm, vendosëm t’i anullojmë, dhe sigurisht, po i korrigjojmë, duhet koha e nevojshme për t’i bërë, duhet koha e nevojshme që të japin efekt, sigurisht, që të vendosim një drejtësi më të mirë sociale në Shqipëri.

Por, meqënëse fole për skandale, këtu është dokumentacioni 2008-2013. Të gjithë ish-drejtorët e doganave dhe të gjithë ish-ministrat e financave, kanë pranuar me shkresa zyrtare që ka grabitje masive të shqiptarëve me çmimet e barnave. Këtu thuhet, që kur ishit ju në pushtet, keni investiguar që barnat janë 70% më të shtrenjta se në Suedi, e pra shqiptarët nuk janë as më të pasur dhe as më të zhvilluar se Suedia, Danimarka apo Europa.

E keni ditur dhe e keni lejuar. Janë 70 milionë USD në vit, në 5 vjet bëhen 350 milionë USD.

Jepni llogari për këtë!

Jua kam thënë dhe po jua përsëris, sa herë të flas në këtë foltore për barnat, do t’jua përmend, sepse ja ku është ndryshimi!

Ulëm çmimet e këtyre barnave origjinatorë të Abbott-it, të Bayer-it, e kështu me rradhë, për të treguar se ju me vetëdije i dinit çmimet e shtrenjta, me vetëdije i pranonit, sepsediscount-et që përfitonin distributorët financonin politikën tuaj për vite me rradhë!

Kjo është arsyeja që sa herë flitet për barnat, kërceni!

Sepse, këto financime janë prerë, dhe po jua them juve, t’ia çoni fjalën të gjithë atyre që vazhdojnë t’ju financojnë: Nuk do të rriten çmimet e barnave në Shqipëri!

Është tetori, muaji kur deklarohen çmimet e barnave të reja, çojani fjalën atyre që u thonë të pavërteta, apo që kërkojnë që përmes jush t’i bëjnë presion ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit apo Qeverisë, nuk do të rriten çmimet e barnave në Shqipëri, sepse jemi të vendosur, ajo çfarë kemi thënë do ta realizojmë, që në Shqipëri çmimet e barnave të mos jenë më të shtrenjta se çmimet në vendet e origjinës dhe sigurisht që shqiptarëve t’u japim shërbimin shëndetësor dinjitoz që meritojnë!

—###—

Për fat të keq zonja (Albana) Vokshi (Deputete e PD-së), të paska lënë edhe dëgjimi! Unë sapo thashë, sapo kemi autorizuar lidhjen e kontratës për rezonancën (magnetike) në Shkodër, kur ta marrësh proçesverbalin javën tjetër, mund ta shikosh të bardhë.

Së dyti, zonja (Jozefina) Topalli (Deputete e PD-së), unë e kam dhënë dje një përgjigje publike, jo për ju, por për shqiptarët, por meqënëse ju, nuk e prekët në fakt, por e prekët tre herë për proçedurë gjatë ditës, edhe unë vendosa të mos përgjigjem, por meqë e sollët, po ju jap përgjigje.

Unë, atë kompani e kam shitur, pjesën time, në shtator 2013. Është një dokument publik që prej asaj kohe në QKR, se çfarë ka përfituar ajo kompani, ka qenë vit pas viti publike, se çfarë ka bërë ajo kompani, ndoshta nuk më takon mua ta them, por ju kam zili për një gjë:

Jeni me të vërtetë të paparë!

Dje kishit gjetur personin më të përshtatshëm për të bërë atë deklaratë, për një arsye shumë të thjeshtë. Unë me atë person jam njohur në zyrat e Intech+, sigurisht të dy punonim, dhe ajo kompani është marrë prej vitesh me biznes.

Dje, qoftë unë – në detyrim ndaj publikut, – por edhe ai që e ka sot që ka qenë bashkëthemeluesi, administrator në 15 vjet dhe ka patur gjysmën, dhe e ka të tërën, pra nuk e shpika, nuk gjeta një person gjasme, por e mori ai, dhe vazhdon – unë i uroj suksese, – sepse ajo kompani ka bërë punë në 15 vite, ka patur të ardhura me ulje dhe ngritje siç ndodh në ciklin e biznesit, por siç janë bërë dje publike, ka patur të ardhura dhe për pasojë  ka patur fitime edhe më të mëdha sot edhe në vitet e mëparshme. Po e them, që ajo kompani nuk asgjë të veçantë nga koha kur unë jam bërë ministër apo jam bërë pjesë e një mazhorance që qeveris vendin.

Lidhur me faktin që u tha këtu që Glaxo (GlaxoSmithKline) ka ikur, Glaxo në 18 Mars 2015, shkruan në fund të letrës: “Ne jemi të angazhuar për prezencën tonë në Shqipëri dhe besojmë se ndryshimet që jemi duke ndërmarrë, në fund të fundit kontribuojnë në angazhimet tona”.

Më përpara? Patjetër, patjetër!

Po jo pra, se këtë gjë e ka shkruar ky person që ka emrin në QKR.

Së dyti, zonja Topalli po jua përsëris!

Meqë thoni se janë spitalet më keq, apo më dhatë një këshillë që të mos përmend ish-Kryeministrin. E përmenda, se në fjalën tuaj, ju kohën e mëparshme e vutë në emrin e tij, prandaj jua përmenda. Ju donit të bënit krahasimin sot, me atë kohë që ju e quajtët të Saliut dhe për atë ju përgjigja. Por, pa u thënë në kohën e Saliut, ju thoni se spitalet janë më keq.

Unë jua thashë, po jua them prapë. Në spitalet tona ofrohet shërbim në volum shumë më të madh dhe sigurisht në cilësi. Po jua përsëris: koronarografia, është jetëshpëtuese, është invaliditet-shkurtuese; rradhën e pritjes, nga 6 muaj në 35 ditë, dhe numri i rasteve në 2 vjet është dyfishuar, ka qenë 1800, është bërë 3600.

Ju fola për rezonancën. Nuk presin më 3 muaj shqiptarët, në Tiranë presin një muaj, në rrethe presin edhe më pak, në spitalet ku ato referohen.

Dhe po kështu, me furnizimin me barna, me materiale mjekësore. Unë jam i pari, që e pranoj, që nuk është kjo ajo çfarë meritojnë shqiptarët, nuk është kjo ajo çfarë duam të arrijmë, por jemi të bindur se shëndetësia është në drejtimin e duhur.

I prekët pak më parë konçesionet. Unë po jua përsëri, madje i këshilloj çdo shqiptari, në moshën 40-65 vjeç, të shkojë të bëjë kontrollin bazë dhe është në të mirë të tij. Nga të dhënat e deritanishme, mund t’ju them që kemi zbuluar dhe janë qindra-mijëra që është sot baza e analizës. 15% e shqiptarëve  rezultojnë me hipertension dhe nuk e dinin; 20% e atyre që e dinë që janë me hipertension, rezulton që nuk kanë marrë terapinë e përshtatshme, ose e dinë dhe nuk mjekohen; dhe sigurisht, këto janë sfida shumë të mëdha, qoftë për shëndetin publik, qoftë për qëndrueshmërinë financiare të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Në qoftë se ne nuk arrijmë të spostohemi, nga sëmundja tek shëndeti, nga pacienti tek qytetari, nga kurimi tek diagnostikimi dhe parandalimi i hershëm, do ta kemi shumë të vështirë me çfarëdolloj skeme financimi dhe mbulimi të përballojmë sfidat e reja në shëndetësinë shqiptare.

Dhe së fundi, dy fjalë për ato të tjera konçesione që përmendët.

Thatë që po ia çojmë dializën privatit.

Jo, moj zonjë, jo!

E gjetëm dializën të bërë edhe tek privati, them që ishte gjë e mirë.

Rritja vjetore e numrit të të sëmurëve, është ende shumë e madhe. Kemi sot 900 të sëmurë, kemi patur 700 para dy vitesh dhe mjekët na thonë kur të arrijmë 1500 nuk do të kemi më rritje, dhe kostoja është e madhe në vit; është 15 mijë euro, nuk e përballojmë dot vetë. Dhe ajo çfarë ne, me një kontratë konçensioni, me tender të hapur ndërkombëtar, dhe jo me konçesione të pakërkuara siç bënit ju në 99% të rasteve, ia kemi dhënë një operatori për ta zhvilluar në spitalet tona.

Po mund t’ju them që, ajo çfarë po ofrojmë, si fillim është rreth 300 të sëmurë, ndërkohë që sot që flasim, rreth 500 të sëmurë, i marrin tek privati, në klinikat e privatëve.

Ne sot, me paratë e privatit, investojmë pranë spitaleve tona, në mënyrë që pas 10 vjetëve, ajo teknologji të mbetet e jona dhe të mund ta administrojmë në mënyrë publike.

E njëjta gjë për sterilizimin. Ai është për kirurgjinë shqiptare një kapërcim ylberi; sepse në rradhë të parë kryhet rinovimi themelor dhe shumë i gjerë i të gjithë inventarit instrumental që kanë sallat tona kirurgjikale; është vënia në efiçencë e një investimi që ju i keni bërë, siç i latë të gjitha gjërat rrugëve dhe nuk vihen në punë; padyshim, është nevoja për të ndryshuar shumë shpejt, të gjithë sistemin e sterilizimit në spitalet tona universitare dhe rajonale, dhe sot, nuk i kemi mundësitë financiare për ta bërë ne me paratë publike.

Kjo është arsyeja pse zhvillohet partneriteti publik-privat, por gjithmonë në interes publik, brenda tavaneve të buxheteve afatmesme dhe padyshim me tendera të hapur ndërkombëtarë.

Faleminderit!

—###—

Profesor (i drejtohet z. Kastriot Islami, Deputet i PD-së), do të vazhdosh të bashkëjetosh me keqardhjen tënde!

Nuk do ta jap dorëheqjen, e kam thënë dje pse jam sot edhe më i bindur se dje, që reformat e domosdoshme që na duhet të ndërmarrim, do të kenë kosto, por edhe sulme nga të gjitha llojet.

E kam ditur këtë gjë, që kur fillova historinë e barnave!

Nuk janë pak 70 milionë USD!

Kanë financuar dhe vazhdojnë të financojnë në këtë sallë; nuk i jap kënaqësi askërkujt për faktin e thjeshtë, sepse kam marrë përsipër një mision dhe jam betuar për të zbatuar një program.

Faleminderit!

—###—

Së pari, u bë një pyetje më parë se cfarë bëhet me akseleratorin linear? Marrëveshja është e financuar në Kuvendin e Shqipërisë në pranverën e vitit 2014. Marrëveshja ishte për pajisjet, dhe sigurisht që ishte e nevojshme të projektohej; të miratohej projekti i bunkerit në Agjencinë Atomike në Vienë, të merrej leja e ndërtimit, të ndërtohej. Sot që flasim, po montohet akseleratori linear në QSUT.

Së dyti, pati një shqetësim për Trinitrinën, e cila mund të merret në rrugë orale ose në rrugë intravenoze apo intramuskulare. Thënë ndryshe, mund të merret edhe nga goja edhe me të shtuar. Përgjithësisht, në urgjencë është më i shpejtë efekti nga shpimi, megjithatë pacienti mund ta zgjedhë dhe vetë, por në urgjencë jo, aty e zgjedh mjeku i urgjencës.

Së treti, unë check-up-in do ta bëj në shkurt, sepse është vendosur që në muajin e lindjes të bëhet check-up, ndaj ftoj këdo, të grupmoshës 40-65 vjeç ta bëjë atë. Jua thashë, kemi zbuluar se, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve vuajnë nga sëmundja e hipertensionit (arterial) dhe nuk e dinë, prandaj, muajin tjetër, do të shfaqim efektin në Ditën Botërore të Diabetit, se cfarë kemi zbuluar deri tani me ata qindra mijëra njerëz, se cfarë ndodh me diabetin në Shqipëri.

Thatë se, keni bërë tendera të drejtpërdrejtë.

Gënjeni!

Për më tepër, që gjithcka ëshrtë e publikuar në portalin e prokurimeve publike. Në 2014, negociim pa shpallje, që mund ta quani të drejtpërdrejtë, kemi bërë 7% të fondit, ose rreth 1.1. milion USD; në 2015 kemi bërë 3% të fondit, ose vetëm 400 mijë USD. Këto janë lehtësisht të provueshme dhe të lexueshme.

Tentuat përsëri të mashtronit dhe të fusnit frikën opinioni publik se barna të falsifikuara mund të kenë hyrë në Shqipëri dhe se institucionet tona nuk kanë bërë dhe nuk dinë të bëjnë asgjë.

Gënjeshtër!

Si të gjitha gjërat që bëni.

Në bazë të Direktivës së Komisionit Europian, se një listë barnash, bioekuivalencën e kanë marrë nga një kompani indiane, ne kemi bërë analizat tona. Më 17 shtator, i jemi drejtuar dy agjencive nga ku ka ardhur CPP-ja e dy barnave të regjistruara në Shqipëri nga ajo listë e shpallur. Njëri është i Alkaloid-it, me CPP Kroacie, njëri është i Alvogen-it në Luksemburg, me CPP Bullgarie. I jemi drejtuar para një muaji dy agjencive; punojnë institucionet, jo si në kohën tuaj kur për 1 ditë regjistronin barnat.

Përgjigja nga Kroacia dhe Alkaloid-i: Bari në atë listë, prej 1 viti nuk ka hyrë fare në Republikën e Shqipërisë dhe ndërkohë vetë Alkaloid-i ka rimarrë CPP-në, ka marrë bioekuivalencë të re europiane. Bari tjetër, që në 17 shtator, Agjencia (AKBPM) ka njoftuar tërheqjen nga tregu dhe vazhdojnë diskutimet me Alvogen-in.

Kjo pra është puna që bëjnë institucionet përditë, dhe po ta përsëris znj. Vokshi, më pyet mua, mos merr informacione të rreme me sms, se ke dy vjet që i ke të gjitha gënjeshtra!

Faleminderit!

—###—