Ministri Beqaj në Këshillin e Kombëtarë të Punës: “Përpara jetës dhe shëndetit të çdo punëmarrësi nuk ka asnjë çmim!”
Tiranë, 28/04/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, morri pjesë sot (28/04/2014) në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP), me temë “Siguria në Punë”, i cili u zhvillua në Fabrikën e Këpucëve “Doniana”. Në takimin e KKP-së, ku ishin të pranishëm z. Erion Veliaj, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Shkëlqim Cani, Ministër i Financave dhe z. Nasip Naço, Ministër i Drejtësisë, z. Beqaj, i njohu të pranishmit me kontributin e institucionit që ai drejton në hartimin e projektvendimeve të Këshillit të Ministrave për kushtet e punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, të cilat synojnë të miratojë rregulloret për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për mbrojtjen e punëmarrësve nga që mund të vijnë nga agjentët kimikë, biologjikë, kancerogjenët dhe mutagjenët në punë, si dhe rreziqet që lidhen me punën e krahut me ngarkesa dhe me ekrane shfaqës.
Në vijim, fjala e plotë të Ministrit Beqaj në takim.
—###—
Të nderuar pjesëmarrës,
Jemi zotuar në programin tonë qeverisës, se do të zbatojmë një qasje të integruar në kujdesin shëndetësor, duke e bashkërenduar atë, midis të tjerash, edhe me politikat e mbrojtjes sociale e të sigurisë në punë duke mbështetur funksionimin e mekanizmave koordinuese ndërsektoriale për probleme të tilla madhore të shëndetit publik, përfshirë sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.
Kështu, kemi theksuar se “do të jemi promotorët e solidaritetit social midis të shëndetshmëve dhe të sëmurëve,” – duke kërkuar zhvillimin e përgjegjësive individuale të çdo anëtari të shoqërisë për kujdes shëndetësor indivual, zhvillimin e përgjegjësive civile të ofruesve të mallrave dhe shërbimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e individëve, si dhe rritjen e përgjegjësive të aktorëve që krijojnë efekte anësore negative në shëndetin e individëve.
Prandaj, ndihemi krenarë sot me prezantimin e projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat synojnë miratimin e rregulloreve për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për mbrojtjen e punëmarrësve nga rreziqet lidhur me agjentët kimikë, biologjikë, kancerogjenët dhe mutagjenët në punë, si dhe lidhur me punën e krahut me ngarkesa dhe me ekrane shfaqës.
Përpara jetës dhe shëndetit të çdo punëmarrësi nuk ka asnjë çmim.
Solidaritet me më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale.
Këto janë vlerat dhe vizioni që na udhëheqin në çdo vendim dhe veprim për përmbushjen e programit të rilindjes.
Prej sot, punëmarrësi shqiptar mund të ndjehet më i sigurtë, pasi nisma për hartimin dhe miratimin e këtyre mekanizmave rregullatore është qartësisht një hap i vendosur në kahun e duhur për ofrimin e përkujdesjes së merituar të shëndetit e sigurisë në punë, si dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të shëndetshme solidariteti social, e cila ka në bazë mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
Sot, punëmarrësi shqiptar ndihet më solidar, ku e drejta për mbrojtjen shoqërore të punës sigurohet më tej nga plotësimi i legjislacionit në fuqi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, në funksion të së drejtës dhe detyrimit që ka shteti për të rregulluar marrëdhëniet në punë dhe kushtet e punës.
Sot, punëmarrësi shqiptar e prek nga afër progresin në kushtet e punës dhe mundësive të barabarta, të përcaktuara në mënyrë të veçantë në detyrimin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e BE-së, sipas së cilit, “Shqipëria do të harmonizojë në mënyrë progresive legjislacionin e saj me atë të Komunitetit në fushën e kushteve të punës, veçanërisht të shëndetit dhe sigurisë në punë dhe mundësive të barabarta”.
Neni 99, “Bashkëpunimi social”, i MSA-së përcakton se bashkëpunimi mes palëve përfshin përshtatjen e legjislacionit shqiptar përsa u përket kushteve të punës dhe mundësive të barabarta për gratë, ashtu si dhe përmirësimin e nivelit të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë për punëtorët, duke ju referuar nivelit ekzistues të mbrojtjes në Komunitet”.
Projektvendimet e Këshillit të Ministrave përcaktojnë kërkesat minimale për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve:
Këto projektrregullore synojnë përcaktimin e marrëdhënieve kontraktuale midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Synohet ndërgjegjësimin i punëdhënësve mbi detyrimet e tyre lidhur me të drejtën e punëmarrësve për kushte të sigurta dhe të shëndetshme në punë, si dhe të drejtën e punëmarrësve për informim dhe formim lidhur me rrezikun nga agjentët kimikë, biologjikë, kancerogjenët dhe mutagjenët në punë si dhe lidhur me punën e krahut me ngarkesa dhe me ekrane shfaqës.
Miratimi i rregulloreve do të plotësojë kuadrin legjislativ në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të punës për punëmarrësit të përfshirë në punën me agjentët dëmtues në shëndet.
Miratimi i projektrregulloreve do të bëjë të mundur edhe hartimin e një sërë udhëzuesve praktikë të cilët do të ndihmojnë zbatueshmërinë e këtyre rregulloreve.
Kështu, këto projektrregullore përcaktojnë qartë detyrimet e punëdhënësit lidhur me përcaktimin dhe vlerësimin e rrezikut ndaj agjentëve kimikë të rrezikshëm; parandalimin e rreziqeve për shëndetin dhe sigurinë e punëmarrësve; marrjen e masave specifike të mbrojtjes dhe parandalimit; marrjen e masave për menaxhimin e aksidenteve, incidenteve dhe emergjencave; informimin dhe formimin e punëmarrësve mbi agjengtët kimikë të rrezikshëm në vendin e punës; si dhe organizimin e mbikëqyrjes shëndetësore si një detyrim të punëdhënësit.
Ju faleminderit!
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.