Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 26/10/2013

Prioritet, kujdesi për komunitetin rom

Tiranë, 26/10/2013 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot (26/10/2013) paradite familjet e komunitetit rom të strehuara përkohësisht në Qendrën Tranzitore të Emergjencave në Shishtufinë, një zonë në periferi të Tiranës, për të vlerësuar nga afër shërbimet e veçanta të ofruara nga strukturat e kujdesit shëndetësor për shëndetin fëmijëve të këtij komuniteti, pas zhvendosjes së tyre në këto mjedise me nismën e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhjetë ditë (16/10/2013) më parë.

Gjatë takimit me pjesëtarë të komunitetit rom dhe përfaqësues të ekipit të kontrollit nga institucionet shëndetësore të Tiranës, MINISTRI BEQAJ, THA SE QEVERIA ËSHTË DUKE NDJEKUR NGA AFËR KUSHTET E KRIJUARA PËR STREHIMIN, ATO SHËNDETËSORE, ARSIMIMIN DHE PUNËSIMIN E PJESËTARËVE TË KOMUNITETIT ROM, DUKE THEKSUAR SE “JEMI TË ANGAZHUAR PËR TË TRAJTUAR PROBLEMET KOMPLEKSE QË KA KJO SHTRESË E SHOQËRISË”.

Z. Beqaj u shpreh gjithashtu i kënaqur me nivelin e vaksinimit tek fëmijët e këtij komuniteti, duke shpjeguar se të vaksinuarit dhe ata me kartela në lagje të ndryshme, do të transferohen dhe do të grupohen në këtë qendër për të marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor.

Gjithashtu, ministri foli edhe për prezencën e mjekëve stomatologë të pranishëm në qendër, për të ndjekur shëndetin e gojës, ku fëmijët do të mund të ndiqen pranë shërbimeve stomatologjike që janë në shkolla.

Ministri Beqaj bëri gjithashtu me dije vëmendjen që po i’u kushtohet edhe shëndetit të nënave shtatzëna, duke premtuar se “do të ngremë këtu një qendër me një kabinet shëndetësor kryesisht për çështje që lidhen me gratë e reja dhe me nënat e reja”.

Komuniteti i familjeve rome që kishin ngritur çadrat në rrugën përballë pallatit me shigjeta në zonën e ish-Dekorit në Tiranë, prej më shumë se dy muajsh, kanë gjetur tashmë strehë në Qendrën e re Tranzitore të Emergjencave të ngritur në Tufinë, si pjesë e shërbimeve të menaxhuara nga Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, pas një pune 4 javore konsultimi me shumë aktorë, duke nisur nga vetë komunteti rom, deri tek organizatat dhe donatorët.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, për gazetarët dhe mediat e pranishme.

—###—

Prej ditësh, Institucionet Shëndetësore të Tiranës, ndjekin përditë situatën shëndetësore të 53 familjeve që jetojnë këtu. Po ndjekim fëmijët, për të ndjekur nivelin e vaksinimit, për fat të mirë, një pjesë e tyre janë tashmë të vaksinuar dhe ne do të transferojnë të dhënat shëndetësore të tyre në qendrën shëndetësore që mbulon këtë zonë.

Sot, siç e shikoni, kanë ardhur dhe mjekët stomatologë për të ndjekur problemet e shëndetit të gojës. Pastaj, meqënëse një pjesë të fëmijëve, ata mbi 6 vjeç që janë nëpër shkolla, do të ndjekim me shërbimin stomatologjik edhe nëpër shkolla. Edhe për fëmijët nën 6 vjeç do të përpiqemi që sipas shkollave, t’u ofrojmë dhe atyre kujdesin e nevojshëm, sigurisht, pas ekzaminimit që po bëjnë sot mjekët.

Po përpiqemi që të ndjekim nga afër edhe shëndetin e nënave të reja dhe grave shtatzëna, sepse edhe kjo është një pjesë shumë e ndjeshme. Bashkë me Etlevën, Drejtoren e Shërbimit Social, kemi vendosur që të ngremë po këtu, një qendër shëndetësore të përhershme, sepse janë disa ekzaminime që nuk mund të bëhen thjesht në mjediset ku familjet tashmë po banojnë, por do të ngremë dhe këtu një qendër të vogël, me një kabinet  shëndetësor, kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me nënat e reja dhe gratë e reja.

Pyetje nga gazetarët

Kjo është diçcka rutinë, pasi ju i keni të grumbulluar në një vend dhe besoj se është më e lehtë, por çdo të bëhet me romët që janë shpërndarë rrugëve dhe nuk janë të strehuar në këtë qendër?

Sigurisht që trajtimi i romëve është me përparësi për Qeverinë, qoftë në aspektin e kushteve të banimit dhe strehimit, qoftë në aspektin shëndetësor, apo qoftë në aspektin e edukimit të fëmijëve, por padyshim, edhe atë të punësimit. Qeveria po e ndjek me përparësi, vetë ministri, kolegu im Veliaj, është i angazhuar për të ndjekur problemet komplekse që ka kjo shtresë etniko-kulturore dhe besoj se, edhe eksperienca e mirë që po fitojmë këtu, por edhe kushtet shumë më të mira seç kanë qenë ato që po krijohen këtu, do të rrisin edhe vetë interesin dhe shkallën e ndërgjegjësimit të këtyre banorëve, për t’iu afruar qendrave të kujdesit shëndetësor.

Pyetje nga gazetarët

Cfarë do të bëhet konkretisht për vaksinimin e atyre që jetojnë në rrugë dhe nuk janë të strehuar diku?

Siç edhe u’a thashë, për fat të mirë, niveli i konstatuar i vaksinimit, është jashtëzakonisht i kënaqshëm. Mjekët e konsultores sapo më thanë që, rezultojnë të vaksinuar me kartela në qendra të ndryshme në lagjen 6, lagjen 5, lagjen 8. Ne do t’i transferojmë këto informacione me kartela, në qendrën shëndetësore që mbulon këtë territor.

—###—