Profesionistët e Mbulimit Shëndetësor Universal
Sistemi i Ri i Testimit të Mjekëve dhe Infermierëve të Kudjesit Shëndetësor
Fjala e Ministrisë të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takimin me mjekë, infermierë, drejtues të sistemit të kujdesit shëndetësor, profesoratin dhe dekanatin e mjekësisë në QSUT për prezantimin e nismës “Profesionistë e Mbulimit Shëndetësor Universal”- Sistemi i Ri i Testimit të Mjekëve dhe Infermierëve të Kudjesit Shëndetësor | Tiranë, 08/01/2015
—###—
Siç tashmë e dinë të gjithë, dje, botërisht ka ndodhur një ngjarje shumë tragjike, por që në shënjestër ka patur të godasë fjalën e lirë, median dhe demokracinë.
Dhe ky është momenti për të falenderuar të gjithë gazetarët, reporterët, opinionistët, ata që punojnë në media, për punën e tyrë që bëjnë, edhe pse pastaj, në detyrën e përditshme të ministrit, teknokratit, burokratit, sigurisht, që shpesh herë kemi këndvështrime të ndryshme për ngjarjet.
Ashtu sikurse i kemi për ato ngjarje që kanë ndodhur edhe në shëndetësi, le të themi, që nga 2 Janari e këtej.
Sigurisht, unë dua t’ju inkurajoj që të vazhdoni të përcillni sa më shumë lajme për shëndetësinë. Është një sektor që Qeveria më ka ngarkuar të merrem, është një punë që e kam pranuar me dëshirë. Sigurisht, që çfarëdolloj informacioni që vjen, më ndihmon për të kuptuar sa më mirë dhe sa më shpejt atë çfarë ndodh.
Por, nuk mund të rri pa përsëritur atë që jua them herë pas here, edhe kur komunikojmë veçmas me gazetarë të ndryshëm: Jepini kohë vetes për të verifikuar.
Qarkullon në media një lajm i sjellë nga një mjeke e Maternitetit (SUOGJ) “Koço Gliozheni”.
Janë të pavërteta!
Shkoni sot, mund të shkonit dje, në atë spital ka ngrohje;
Shkoni sot, mund të shkonit dje, në atë spital ka barna;
Shkoni sot, mund të shkonit dje, në atë spital punon laboratori;
Shkoni sot, mund të shkonit dje, në atë spital punon sistemi i referimit, madje mjekja është një nga hallkat e sistemit të referimit në atë spital.
Para pak ditësh, një mjek, – ish nëndrejtor i spitalit, – thotë se në Spitalin e Lushnjës bëhet seks.
Shkoni e verifikoni të gjithë mjekët dhe infermierët që punojnë atje.
Janë të pavërteta!
Duke përcjellë të vërtetën, le të ndajmë atë se çfarë ndodh në të vërtetë, kush është puna e mjekëve.
Në përpjekje për të ruajtur privatësinë e asaj vajzës së gjorë, dashur apo padashur, u fsheh për opinionin që ishte intubuar kur keqpërdorej nga ata që e sollën në spital; i dinin emrin, atësinë, mbiemrin, i dinin dhe moshën, – që do të thotë, ishin njerëzit që e shoqëronin.
Mjekët, sigurisht, në atë moment morën gjeneralitetet, për katër minuta i’a dhanë policisë dhe filluan ta kurojnë. Ka dalë nga spitali e kuruar për 150 minuta. Sigurisht, e kanë kuruar mjekë dhe infermierë, nuk u shërua vetë. Ishte e intubuar, siç doli e vërteta dje.
Pra, përcilleni faktin e të vërtetën siç është, nuk mund t’i fshiheni, sidomos në shëndetësi, – që është jashtëzakonisht kapilare, ndodh në dritën e diellit. Por, jepini kohë vetes, pastaj jepini kohë opinionit, që pastaj ta shohë 360 gradë atë që ndodh.
Po shfrytëzoj rastin, në fakt, që drejtoresha e QSUT-së (znj. Ogerta Manastirliu) u largua. Prej pesë ditësh, i keni vënë në gojë fjalë që ajo nuk i ka thënë, sepse unë kam qenë “live” kur e ka thënë. Nuk është e pranishme, sepse ajo e dinte bashkë me bashkëpunëtorët e saj, se si e kanë ndryshuar radikalisht urgjencën e QSUT-së që nga qershori i vitit të kaluar. I thoni të gjithë: “Pse tha se është e kohës së qeverisë së mëparshme”?
S’e ka thënë!
Është “live”, kam qenë aty prezent.
Dhe vazhdoni tani, mbani gjallë kauza të rreme, për tu marrë me çështjet themelore që ka shëndetësia.
Sigurisht që, ne kemi për detyrë të punojmë përditë, të themi çfarë ka përfituar qytetari nga puna jonë. Ju keni për detyrë të na tregoni ne dhe qytetarëve, akoma sa boshllëqe kemi.
Kjo është një punë e përditshme, një sfidë e përditshme. Këto janë profesionet tona, të cilat i bëjmë duke respektuar gjithsecilin.
Prandaj, unë besoj se në rradhë të parë, se QSUT-ja meriton falënderime për vitin 2014, për volumin e punës që ka bërë dhe për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë në kujdesin shëndetësor, që në radhë të parë është dhënë nga mjekë dhe nga infermierë.
Ajo urgjencë që u vu në shënjestër të opinionit publik, i ka shërbyer:
– në 2014, 65 mijë njerëzve;
– në 2013, 50 mijë njerëzve.
Pra, në një vit, ka shërbyer 30% më shumë (njerëzve) me po këta mjekë dhe infermierë.
Do të flasim më vonë për problemet që kanë ata, padyshim, profesionale dhe njerëzore.
Në spitalin onkologjik, në vitin 2014 janë 18 mijë akte mjekësore. Në vitin 2013, janë 13 mijë akte mjekësore. Nuk u rritën sëmundjet 35% nga një vit në vitin tjetër, sado që ne e pranojmë që janë sëmundje me një tendencë rritjeje.
Nga po ata mjekë dhe infermierë u shërbyen. Sigurisht, sepse ne i mundësuam që të kenë më shumë barna, më shumë kite e reagentë për analiza dhe dy aparatet e kobaltoterapisë të mos prishen gjatë vitit, që t’i shërbejnë më shumë njerëzve. Po ata mjekë dhe infermierë i shërbyen.
Në koronarografi, janë bërë 3 mijë akte në vitin 2014; 2200 në vitin 2013. Po ai ekip mjekësh dhe infermierësh i ka bërë. Çfarë bëjmë ne? U siguruam më shumë materiale mjekësore, u siguruam vijimësi të (funksionimit të) pajisjeve, u siguruam pajisjet duke i vënë në kontrata mirëmbajtjeje full-risk, që edhe po të prishen, për shumë pak ditë, është dikush që i rregullon.
Kjo është detyra e gjithsecilit. Pra, ju fola për 3 shërbime të ndjeshme: Një, që është urgjenca, dy, që i kemi dhe prioritete si grupsëmundjesh në Qeveri, ku minimalisht kemi ofruar 30% më shumë shërbim në të njëjtën situatë.
Dhe jua kam thënë: Në dy vitet e para do t’u provojmë shqiptarëve, që me të njëjtat burime financiare, njerëzore dhe infrastrukturore, do të japim shumë më tepër, që pasi t’i bindim që i kemi shterruar mundësitë tona, ta ftojmë shoqërinë shqiptarë të bëhet e vetëdijshme, që duhet të kontribuojmë më shumë për të shkuar drejt Mbulimit Universal, që nuk është më as e PS-së, as e Ilir Beqjes, as e Edi Ramës, por është një sfidë botërore.
Në 12 Dhjetor, u mblodhëm, – kush i kthehet kujtesës se katër javë ka, – dhe ishim pak a shumë në një mjedis, po më të qetë, dhe folëm me drejtuesit e fakulteteve, si duhet të jetë trupa mjekësore në Shqipëri, për të ndihmuar në arritjen e objektivit, që është “Mbulimi Universal”.
Dhe pasi morëm shumë ide, se si duhet të jetë, për të punuar aty, tani na lindi nevoja: “Po mirë, si jemi sot? Kush është fotografia e sotme e njohurive që kanë mjekët dhe infermierët, po jo vetëm profesionale, në funksion të Mbulimit Universal”? Dhe këtë duam të bëjmë, duke e komplementuar me punën shumë të mirë dhe të lavdërueshme, që bëhet për edukimin në vazhdim dhe që rregullohet, monitorohet nga QKEV (Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim).
Është një proçes pozitiv i filluar para 5 vitesh. Ka ardhur momenti që të vijmë në një pikë, të përcaktuar që atëherë, që duhet të bëjmë një vlerësim të plotë se si ka funksionuar. E kemi thënë dhe po e përsërisim, që në fund të këtij proçesi do të dalim hapur dhe do të themi ata që kanë bërë zero përpjekje do t’u shpallet vakant vendi i punës. Për ata që kanë bërë përpjekje, por jo të mjaftueshme, do të shikojmë se si do të plotësohen ato përpjekje. Por, ai është një veprim që funksionon dhe ecën në mënyrë të pavarur nga politikat e përditshme të ministrisë dhe nga puna jonë e përditshme.
Sepse, në fund të fundit, Mbulimi Universal, apo të kthehemi tek ato që kemi diskutuar para 20 vjetësh “Modeli Bismark” apo “Beveridge”, janë krijuar pasi është krijuar profesioni i mjekut dhe i infermierit. Në fund të fundit, mjeku dhe infermieri kanë qenë, janë dhe do të jenë, pavarësisht se si evoluon mendimi i organizimit të sistemit të shëndetësisë.
Dhe ky fotografim do të na ndihmojë, – e thashë për të përcaktuar se ku jemi, – sepse ku duam të shkojmë politikisht e dimë, çfarë duam të bëjmë e dimë, morëm para 4 javësh nga drejtuesit e fakulteteve të Universitetit Mjekësor, se ku duhet të shkojmë. Por, për të bërë planin e punës konkret, është ky fotografim. Së dyti, ta orjentojmë në mënyrë më të drejtë edhe ofertën. Sigurisht, ka një ofertë në Shqipëri edhe për edukimin në fushën e mjekësisë.
Dhe unë dua të shfrytëzoj mundësinë që publikisht ta falenderoj doktoreshë Entelën (Dr. Entela Shehu, Drejtore e QKEV-së) për punën që bën, sepse të paktën unë kam një mënyrë timen se si e vlerësoj: Se përderisa ankohen për të, do të thotë që punon mirë; përderisa vijnë dhe thonë nuk ma çertifikon programin, do të thotë që ajo e shikon; dhe për sa kohë çertifikon përditë dhe përditë nuk çertifikon, do të thotë që ajo po punon, po analizon, – është një proçes që duhet të vazhdojë.
U prek këtu edhe nga profesor Bare (Prof. Dr. Petrit Bara, Dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike), kemi kaluar pak thjesht edhe në sasi, u çedua, u çedua.
Tani ka momente që pasi është një proçes i mirë ta analizojmë dhe pas 5 vjetësh ëshët një moment i përshtatshëm për ta vlerësuar se si duhet të përmirësohet. Por, duhet të vlerësojmë edhe nevojën për të financuar edhe ne si ministri burimet njerëzore, sepse duhet të pranojmë që, nuk mund t’i kërkojmë sot, të paktën në sistemin publik, mjekëve dhe infermierëve, që me buxhetet e tyre mujore familjare të punojnë edhe për njohuritë e tyre.
Dhe, sigurisht, që ka një proçes afatgjatë, që zhvillohet në arsim të lartë, në fakultet, në specializime, për fat kemi edhe një lajm të mirë, sot pasdite ka një lajm të mirë për ata që presin përgjigjet e specializimeve. Por, na duhet diçka afatshkurtër.
Ne kemi bërë këto kohë, dhe po përfundojmë proçesin e trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë, dhe aty kemi zbuluar që ka boshllëqe edhe më bazike në njohuri, prandaj na duhet një fotografim i situatës që është sot, edhe për mjekët edhe për infermierët. Kemi vendosur të punojmë me dy kahje, me dy grupe të ndryshme, që janë mjekët dhe infermierët.
Me infermierët do ta fillojmë nga QSUT-ja dhe pastaj do zbresim në spitale dhe në (shërbimin) parësor. Me mjekët do ta fillojmë nga qendrat shëndetësore, nga mjekët bazë derisa të vijmë drejt piramidës. Janë praktikisht 3720 mjekë, por ndoshta kjo shifër rezulton pak, sepse sigurisht, ata që janë pedagogë, nuk janë pjesë e këtij sistemi testimi dhe 13010 infermierë dhe laborantë, – janë rreth 12300 infermierë dhe rreth 700 laborantë, – që janë trupat e infermierëve dhe mjekëve në sistemin publik, që do të testohen.
Tek infermierët do të testojmë fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesën profesionale. Është shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit, edhe pjesa e etikës. Dhe, sigurisht, do të na duhet të ndërtojmë aty edhe një pjesë të testimit edhe për çështje që lidhen me korrupsionin. Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që kemi, një gjë është fakt: Shëndetësia është një nga dy sektorët e jetës publike në Shqipëri, që perceptohet nga shqiptarët, si dy nga më të korruptuarit.
Ne kemi bërë që nga Tetori dhe po vazhdojmë, një marrje opinionesh për këtë gjë, me mjekë, me infermierë, me të sëmurë dhe me familjarë të sëmurësh. Po ju them, që deri tani janë intervistuar 250 mjekë dhe 600 infermierë. Dhe në përgjithësi, çfarë kemi si informacion të mbledhur, profesionistët e shëndetësisë e pranojnë që korrupsioni është një problem serioz i sistemit, por në pikëpamjet e tyre, insistojnë se është më shumë një realitet i hiperbolizuar, që ushqehet kryesisht nga kultura e shoqërisë dhe pastaj amplifikohet nga pacientët, publiku dhe media.
Nuk është ky problemi kryesor i sistemit, lidhet kryesisht me pagat e pamjaftueshme dhe mosfunksionimi i sistemit të referimit, është një ndër shkaqet kryesore të korruptimit në shërbimin spitalor. Këto janë ato çfarë kemi mbledhur deri tani me intervistat individuale me 250 mjekë dhe 600 infermierë, të cilat po i vazhdojmë dhe praktikisht është i shtrirë në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Pra, të gjitha këto janë pjesë të asaj që do të përfshijmë në këtë nivel testimi.
Pastaj, sigurisht testimi do të jetë më i shënjestruar, le të themi infermierët e pediatrisë, pas testimit bazë, do të kenë një testim praktik me raste që lidhen me pediatrinë; ato të kirurgjisë, po ashtu. Në shërbimin parësor do të jemi shumë më të fokusuar tek pjesa e etikës, komunikimit dhe hallkave të sistemit të referimit, të cilin po punojmë me Fondin (FSDKSH) për ta thjeshtëzuar.
Po punojmë me Fondin, që besoj brenda këtij viti, të kalojmë në receta rimbursimi që jepen një herë në tre muaj, jo më një herë në muaj. Po punojmë me Fondin, ka një mjet shumë më të thjeshtë se sa libreza e shëndetit, për të matur marrëdhëniet e qytetarit apo pacientit me sistemin e referimit.
Sepse e kuptojmë, që edhe aty ka burokraci, vonesa dhe një pjesë e mirë e kohës që duhet të jetë në shërbim të pacientit, shkon për pjesën administrative dhe burokratike. Pra, janë të gjithë elementë, që do të na duhet t’i përdorim në një testim, që do të na fillojë në muajin shkurt dhe besoj se brenda muajit mars do të jetë i mbyllur në të gjithë nivelet e shërbimit shëndetësor publik, parësor dhe spitalor siç e thamë aty.
Sigurisht, testimet do t’i formulojmë në bashkëpunim me fakultetet, sepse aty është pjesa kryesore e njohurive që ne kemi në Shqipëri, në këtë drejtim. Sigurisht që, kemi gati për të plotësuar edhe dy-tre eksperienca të vendeve të zhvilluara europiane, por edhe një referencë në një vend fqinj, që e kanë filluar këtë proçes, që u ka rezultuar në vlerësimet që u bëhen pas disa viteve, i vlefshëm dhe i shëndetshëm.
Edhe njëherë, duke i uruar punë të mbarë mjekëve dhe infermierëve,
Faleminderit!
—###—
Për foto të mëtejshme nga takimi, mund të konsultoni faqen zyrtare në Facebook të MSH:
dhe profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.