Raporti i Bankës Botërore për Shqyrtimin e Politikave Farmaceutike:
“Reformat në sektorin farmaceutik mund të kontribuojnë në rritjen e aksesit të barabartë për barna dhe racionalizimin e shpenzimeve”
Tiranë, 16/072014 – Ministria e Shëndetësisë dhe Banka Botërore organizuan sot (16/7/2014) një seminar teknik mbi ecurinë e reformës në sektorin farmaceutik në Shqipëri, në të cilin morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Tahseen Sayed, Zëvendësministrja e Shëndetësisë znj. Milva Ekonomi, drejtues, punonjës e specialistë të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, përfaqësues nga partnerët për zhvillim dhe të sektorit farmaceutik.
Në takim u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e studimit të fundit “Shqyrtimi i Politikave Farmaceutike në Shqipëri” nga konsulenti i Bankës Botërore Luka Voncina. Ky studim paraqet një shqyrtim fillestar, analiza dhe rekomandime për këtë sektor në Shqipëri, duke ofruar mësime nga reformat e vendeve të tjera. Gjetjet kryesore theksojnë rëndësinë e reformës në sektorin farmaceutik në mënyrë që të racionalizohen shpenzimet, përmirësohet vendimmarrja për rimbursimin dhe rritjen e aksesit të barabartë për barnat. Raporti rekomandon shpenzime racionale për barnat sepse kjo kontribon në mirëqënien e qytetarëve, ndërkohë që mbahet niveli i duhur i kontrollit fiskal.
Gjetje të tjera tregojnë se (i) në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka potencial të lartë për uljen e çmimit të barnave, (ii) kufizimet në furnizimin farmaceutik mbeten një pengesë kryesore për arritjen e një uljeje të ndjeshme të çmimit të barnave duke sjellë një furnizim të pabarabartë të popullatës dhe mungesë barnash në spitale, dhe (iii) implementim me faza i kuadrit rregullator, i cili trajton si çështjet e kërkesës edhe ato të ofertës, që të mund të fillojnë të përmirësohen mangësitë aktuale.
Duke falënderuar Misionin e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e kujdesit shëndetësor, dhe veçanërisht për raportin e shqyrtimit të sektorit farmaceutik në vend, Ministri Beqaj theksoi se “konstatimi ynë përkon me gjetjet e raportit, kemi barna krahasimisht më të shtrenjtë se vendet e rajonit, në tregun në përgjithësi edhe në çmimin e barnave që prokurohen për në spitalet tona.” Kjo më bën, vazhdoi më tej ai, “të paktën mua personalisht, më të vendosur, që rruga e nisur në këtë drejtim, ta vazhdojmë me këmbëngulje, me zbatimin e rekomandimeve, jo vetëm me dëgjesë, por me angazhim”.
“Nuk ka asnjë vend tjetër, të zhvilluar apo të pazhvilluar që të shpenzojë 1/5 e parave vetëm për barna brenda shëndetësisë. Vendet e zhvilluara janë tek 7-8%, vendet më pak të zhvilluara vërtiten në 14–15%,” shtoi z. Beqaj.
“Qeveria e Shqipërisë po ndërmerr reforma në sektorin e shëndetësisë për të përmirësuar eficiencën dhe cilësinë e shërbimeve spitalore, të cilat do të mbështeten nga Banka Botërore përmes një Projekti të ardhshëm të Reformës në Shëndetësi,” tha Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Është inkurajuese që Ministria e Shëndetësisë, në përpjekjet e saj për të siguruar akses të barabartë në shërbime cilësore shëndetësore, po nis gjithashtu një reformë në sektorin farmaceutik si pjesë e reformave të përgjithshme të sektorit.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Takimin Teknik të organizuar me rastin e prezantimit të Raportit të Bankës Botërore për Shqyrtimin e Politikave Farmaceutike:
—###—
Mirëdita!
Faleminderit për pranimin e ftesës për të marrë pjesë në këtë aktivitet që organizojmë bashkë me misionin e Bankës Botërore në Tiranë. Banka Botërore ka mbështetur Shqipërinë, në këto 23 vjet, që të mos bëjmë ndonjë gabim. Por, padyshim, ka qenë mbështetësja kryesore dhe më afatgjatë në sektorin e shëndetësisë, qoftë me projekte investuese, apo qoftë me dokumente politikash zhvillimi.
Sot, ky takim është më i fokusuar në çështje që lidhen me shërbimin farmaceutik, tregun farmaceutik, dhe mënyrën e vendosjes së barnave në treg. Në programin e Qeverisë, ne jemi angazhuar se do të përpiqemi që barnat në Shqipëri të mos kushtojnë më shumë se në vendin ku ato prodhohen, se do të ketë barna të sigurta, barna që përdoren me efektivitet, por që do të jenë të përballueshme, qoftë për individin, apo qoftë për buxhetin e shtetit dhe për Fondin (Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor).
Sigurisht, që ne besojmë se hapat e para të ndërmarra nga Qeveria, – ashtu siç u bënë prezente edhe ditën e hënë në prezantimin publik për 300 ditët e para të qeverisjes, – kanë filluar të japin efektet e tyre. Përjashtimi i barnave dhe i shërbimit shëndetësor nga tatimi mbi vlerën e shtuar, efektiv që nga data 1 Prill, është një fakt, është një realitet, është prezent në të gjitha farmacitë. Në ditët e para, publikut i’u tha që do të ketë dramë e gjëmë, i’u tha që do të duhen muaj, por kjo gjë u stabilizua. Dhe, të paktën, ka filluar të pasqyrohet edhe në raportimet e përmuajshme që Instituti i Statistikave bën për ndryshimin e çmimeve të konsumit. Grupi i kujdesit shëndetësor, është një grup me rënie të ndjeshme, pikërisht sepse aty tregu është i rregulluar dhe përjashtimi nga TVSH-ja ka filluar të japë efektin e vet.
Së afërmi, do të miratohet në Kuvend një ligj i plotë për TVSH-në, ku jo vetëm që rikonfirmohet përjashtimi i barnave dhe i shërbimeve mjekësore, por do të zgjerohet edhe me përjashtimin e pajisjeve mjekësore të implantueshme dhe të pajisjeve mjekësore të implantueshme aktive. Gjë, që është një tjetër përfitim për qytetarët, për pacientët, dhe lehtësim i buxhetit të shëndetësisë.
Ne jemi të vetëdijshëm që ende kemi nivel të ulët të financimit publik për shëndetësinë. Kemi, gjithashtu, një situatë jo shumë normale, që pak vende e kanë, që më shumë se gjysmën e barrës së financimit të kujdesit shëndetësor në përgjithësi i’a kemi transferuar buxheteve familjare. Ashtu siç jemi të vetëdijshëm, që të paktën në Shqipëri, një pjesë e konsiderueshme, sidomos për të varfërit, e këtij financimi që vjen nga buxhetet familjare, bëhet jo në të mirë të kujdesit, por për praktika korruptive. Sepse jemi në një situatë ku, praktikisht, bashkë me drejtësinë, shëndetësia, perceptohen nga shqiptarët si dy nga sektorët më të korruptuar dhe lufta kundër korrupsionit është jo vetëm një angazhim kryesor i Qeverisë sonë, jo vetëm sepse ndikon drejtpërdrejtë edhe në varfërimin e më të varfërve, por është një objektiv kryesor i 300 ditëve të dyta të qeverisjes, të cilat kanë filluar që nga dita e djeshme.
Dua t’ja kaloj fjalën znj. (Tahseen) Sayed, Përfaqësueses së Përhershme të Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri, duke e falënderuar përsëri për ndihmën që Banka i ka dhënë Shqipërisë, por edhe për angazhimin personal që nga koha që punon në Shqipëri dhe drejton misionin në sektorin e shëndetësisë.
Gjithashtu, unë dua të falenderoj Lukën (Luka Voncina, konsulenti i Bankës Botërore) për punën e bërë, dhe padyshim, edhe Julian, bashkëpunëtoren e tij. Përsëris falënderimin për misionin e Bankës, që e mundësoi fillimin e kësaj asistence teknike, sigurisht edhe të gjithë personat u vunë në dispozicion gjatë kësaj pune disa-mujore.
Sigurisht, siç mund ta keni ndjekur nga prezantimi, u tha që çmimet e barnave në Shqipëri janë më të larta krahasimisht edhe me vendet e rajonit, pa marrë parasysh diferencën në kontekstin ekonomik, ku në të ardhurat për frymë të shqiptarëve, pra janë absolutisht më të larta. E njëjta gjë, siç u pasqyrua edhe në raport, edhe për barnat që prokurohen për nevojat e shëndetësisë tonë publike në spitalet tona.
Raporti ka 28 rekomandime, por që në fakt janë detyra shtëpie për Ministrinë e Shëndetësisë, por dua t’i kthehem pak asaj që znj. Sayed tha në mesazhin e saj. Duhet një bazë ligjore dhe ashtu siç është i njohur edhe publiku, në Kuvendin e Shqipërisë, po diskutohet ligji i ri për barnat dhe pajisjet mjekësore. Sigurisht, ligji është hapi i parë; shumë të rëndësishme janë aktet nënligjore, vendimet e qeverisë apo rregulloret apo udhëzimet që Ministri i Shëndetësisë duhet të nxjerrë në zbatim të asaj që përcaktohet në ligj kur të miratohet.
Por, paralelisht në Qeveri po punohet edhe për ligjin e prokurimit publik, për disa aspekte, paralelisht edhe për aspektin e barnave, apo edhe për të plotësuar praktikën tonë ligjore dhe administrative me mundësinë e përdorimit të Marrëveshjes Kuadër, që në ligjin e prokurimit është që nga viti, – në mos gaboj, – 2007, por që nuk është përdorur asnjëherë.
Shumë i rëndësishëm është edhe institucioni që merret me këtë punë, në projektligj. Më saktë, në të dy projektligjet, parashikohet që do të krijohet Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Materialeve Mjekësore. Të rëndësishme shumë janë aftësitë e specialistëve, besoj se me miratimin e projektit të Bankës Botërore, do të kemi edhe një pjesë asistence për të përmirësuar kapacitetet institucionale të agjensisë, për sistemet e informacionit.
Ne e kemi bërë një hap të parë, që nga fillimi i prillit: Për këdo, për publikun, lista e barnave të rimbursueshme është e disponueshme edhe në Internet. Kushdo mund të shohë në mënyrë të lirshme dhe më saktë, – unë e kam ndjekur, – është një faqe që klikohet herë pas here. Kemi lidhur kontratën për të krijuar një sistem të ri informacioni për Qendrën (Kombëtare) të Kontrollit të Barnave, që pastaj do të kalojë në agjenci, për të pasur një administrim shumë më të mirë dhe më transparent të të gjithë marrëdhënieve që aktorët aktualë të tregut kanë me Qendrën.
Ndërkohë, jemi në proçedurë prokurimi për projektin pilot të recetës elektronike, që besoj, se duhet të fillojë nga puna për zbatimin dhe implementimin në nëntor, dhe ndërkohë, në buxhetin afatmesëm 2015-2017, janë të parashikuara 5 milion dollarë për ta shtrirë recetën elektronike në të gjithë Shqipërinë. Jemi pak më të tërhequr, jemi pak më ngadalë në planet që kishim për sistemin e gjurmimit të barnave “Track & Trace”, sepse edhe me këshillën e Lukës (Luka Voncina), në tetor, Bashkimi Europian do të nxjerrë një guideline (udhërrëfyes) se çfarë duhet të kenë parasysh sistemet “Track & Trace” që do të bëhen standart në Europë, në mënyrë që, edhe pse nuk jemi vend anëtar, por tashmë vend kandidat, kur ta kërkojmë dizenjimin e sistemit, të jemi në përputhje me atë që do të jetë në të ardhmen standart në Europë.
Do të doja të rikthej në vëmendjen tuaj një informacion që e kam ndarë me publikun në një konferencë për antikorrupsionin që kemi bërë në dhjetor. Atëherë, bazoheshim kryesisht mbi disa supozime, ndërsa aktualisht, bazohemi në një analizë shumë të plotë që i kemi bërë barnave që kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë 6-mujorit të parë, pra nga janari deri në 30 qershor.
Në konferencën e antikorrupsionit, midis të tjerash, unë kam ngritur shqetësimin që, në një kontekst të tregut të rregulluar, siç është tregu i barnave në Shqipëri, që do të thotë, ku prodhuesit farmaceutikë negociojnë çdo vit me qeverinë shqiptare, përmes instrumentave të vet, për çmimin me të cilin barnat do të vendosen në treg, pra çmimin CIF kur importohen, apo EXW kur fabrikohen lokalisht, dhe mbi to përdoren marzhet me shumicë dhe me pakicë. Ishte TVSH-ja që, për fat të mirë, nuk është më. Konstatonim discount-e që i mbeteshin tregëtimit me shumicë, por që nuk e përfitonin qytetarët shqiptarë.
Duke u bazuar në 2-3 fatura të sonduara në mënyrë sporadike, atëherë kam thënë, janë rreth 24 milion dollarë nën çmimin CIF që nuk i përfitojnë qytetarët.
Kush është situata e 6-mujorit të parë?
Sasia e barnave të importuara sipas çmimit CIF, pak më shumë se 50 milion euro.
Për të mos u keqkuptuar me publikun, nuk është vetëm ky tregu i barnave. Kemi edhe tregun e brendshëm, por aty s’kemi probleme discount-i, sepse ai është prodhim i brendshëm dhe nuk ka fabrika që t’i bëjë discount. Ndërkohë, vlera e barnave kundrejt çmimit real që kanë faturat, me discount të formave të ndryshme, herë në përqindje ndaj çmimit unik të barit, e herë në përqindje ndaj totalit të faturës, apo herë një sasi bari me çmimin e negocijuar dhe një sasi tjetër të barit me çmimin zero, rezulton që çmimi real është 42 milion, që do të thotë, ka një discount rreth 7.7 milion euro që i ngelet distributorëve, gjëra që prodhuesit nuk kanë negocijuar me shtetin shqiptar.
Atëherë, nëse ne do të kemi parasysh këtë vlerë, që në mos gaboj është 15.5% dhe kushdo mund ta bëjë aritmetikën. Në shkurt dhe në mars, patëm ngadalësim të importimit, sepse shumë distributorë pritën 1 Prillin për të mos patur probleme me skemat e TVSH-së, për faktin që shumica e barnave spitalore furnizohen në 6-mujorin e dytë dhe atëherë importohen dhe shlyhen.
Ne gjykojmë që tregu i barnave të importuara duhet të jetë deri diku te 110 milion euro. Ka edhe diçka për të sqaruar, sepse besoj se edhe këtu duhet të jemi më të plotë. Në sasinë e barnave të importuara, 35% e zënë barnat që ne i quajmë patentë dhe rreth 65% e zënë barnat xhenerikë. Për grupin e barnave patentë, discount-i është 7.5%, për grupin e barnave xhenerike, discount-i shkon 19%, që është mesatarisht rreth 15%.
Pra, nëse kemi një treg barnash 110 milion euro në CIF, i shtojmë marzhet, – që unë po marr një marzh mesatar shumice dhe pakice 25 %, edhe pse mund të jetë më shumë, po e marr në këtë nivel, – kemi një situatë, që tregu i barnave në Shqipëri, po ta kthejmë në dollarë, meqënëse është më lehtë për të bërë vlerësimet, shkon deri diku te 170 milion dollarë.
Problemi i parë që vjen nga kjo, përjashtimisht nga shumë vende të tjera, nëse marrim shpenzimet që bëjmë për barnat, kundrejt shpenzimeve totale të shëndetësisë, jemi në nivelin 20%. Nuk ka asnjë vend tjetër, të zhvilluar apo të pazhvilluar që të shpenzojë 1/5 e parave vetëm për barna brenda shëndetësisë. Vendet e zhvilluara janë tek 7-8%, vendet më pak të zhvilluara vërtiten në 14–15%. Pra, këtu kemi një situatë që kërkon më shumë analizë. Për momentin, për ne në Ministri është vetëm konstatim, ende nuk kemi arritur të themi kush janë arsyet, është një konstatim, por jemi këtu rast i veçantë.
Së dyti, praktikisht, nëse marrim parasysh këtë discount që përfitohet nga faturat dhe po të shtojmë edhe pjesën që distributorët kanë si marzh (fitimi), që unë po e marr diku tek 7%, janë rreth 30 milion dollarë që sot janë në dispozicion të tregëtimit të barnave. Që do të thotë, 30 milion në 175 për tregëtimin me shumicë, në një treg të rregulluar, në një treg ku përgjithësisht në një pjesë të tij, marketingu madje është i ndaluar, gjykojmë që këto para, në mënyrë jo të drejtë, janë kosto e qytetarëve. E kemi bërë këtë arsyetim empirik në dhjetor vjet, jemi tashmë gjysëm të saktë edhe pse s’e kemi mbaruar.
Por ka një gjë, konstatimi ynë përkon me gjetjet e raportit, kemi barna krahasimisht më të shtrenjtë se vendet e rajonit, në tregun në përgjithësi edhe në çmimin e barnave që prokurohen për në spitalet tona. Kjo më bën, të paktën mua personalisht, më të vendosur, që rruga e nisur në këtë drejtim, ta vazhdojmë me këmbëngulje, me zbatimin e rekomandimeve, jo vetëm me dëgjesë, por me angazhim, pavarësisht se është kërkuar publikisht koka ime politike edhe në Prokurori të Përgjithshme.
Duke i’u referuar ilustrimeve që sjellin nga këndvështrime të ndryshme, tregojnë që, në mënyrën se si i përdorim barnat dhe për pasojë, paratë që shpenzojmë për barnat, jemi – po përdor të paktën fjalën – “atipik”. Shembujt e ndryshëm, globalë apo individualë, tregojnë që sjellja është atipike – sapo Dr. Astriti (Beci) drejtor i Fondit (FSDKSH) e ilustroi.
Unë besoj se brenda muajit ne do të bëjmë prapë një takim tjetër publik, ku do t’ju tregojmë se çfarë ndodh me përdorimin e 2-3 barnave të ndjeshëm, të cilët deri me 31 Mars 2013 ishin alternativa të vetme, në 1 Prill 2014 u gdhinë alternativa konkurruese.
Do t’ju tregojmë edhe se si, për shembull, të paktën në Tiranë, barnat më të shtrenjta, brenda të njëjtit princip aktiv, përdoren në zonën periurbane të Tiranës. Do t’jua tregojmë me mjekë, me bar dhe me farmaci, sepse nuk janë njerëz të dorës të dytë, ata që në një kordon periurban të Tiranës, rezultojnë se duhet të bashkëpaguajnë shumë më tepër se njerëzit në qendër të Tiranës. Nuk do të tolerojmë që të luhet me mungesën e informacionit që kanë njerëzit. Kush e ka ndjekur fjalën e Kryeministrit në Kuvend të enjten e kaluar, edhe ai e ka nënvizuar këtë mesazh.
Unë nuk rresht së përsërituri, financimi publik për shëndetësinë në Shqipëri është i ulët, duhet të rritet, por nuk mund t’u kërkojmë shqiptarëvë të kontribuojnë më shumë për shëndetësinë, ne jemi për taksimin e përgjithshëm, në qoftë se nuk provojmë se me të njëtat para që kemi sot në dispozicion, njerëz, pajisje apo mjedise pune, jemi në gjendje të ofrojmë kujdes (shëndetësor) më të mirë.
Për reformat që po ndërmarrim, po konsultohemi me Direktivat e Bashkimit Europian, me ekspertizë të vendeve të ndryshme, me kontaktet që kemi me institucionet me institucionet homologe, kryesisht agjencitë e kontrollit të barnave, pavarësisht se si quhen në vendet e tyre. Në projektin e Bankës Botërore, që besoj se do të fillojmë deri në fund të vitit, do të kemi një komponent specifik për të përmirësuar kapacitetet e institucioneve tona lidhur me farmaceutikën.
Ju e quani industri, unë do ta quaja biznes, se vetëm nja 7% prodhojmë këtu në Shqipëri përgjithësisht. S’kemi ndonjë prodhim të madh, por kemi punësim në hapa të ndryshëm. Luka (Voncina) shumë shpejt do të mbarojë raportin që i kërkuam në Mars. Por, sigurisht, dialogu është i nevojshëm, por edhe dialogun duhet të dimë ta ndërtojmë.
Për fat të gjithsecilit, qoftë edhe për ne që paragjykohemi se duam të jemi më të fshehtë, pritet së shpejti të miratohet në Kuvend, që edhe projekt vendimet e qeverisë, të jenë dy javë përpara miratimit publike për të gjithë. Do të ketë një proçes të rregulluar përgjithësisht, por nuk mund të vendosim dialog, në qoftë se për përjashtimin nga TVSH-ja, që ne të paktën e patëm thënë në program, u votua në Parlament më 16 shtator, u ndryshua në fund të dhjetorit, ditët e para të prillit, industria farmaceutike prodhoi emisionin televiziv “1 Prilli i ilaçeve”. Në qoftë se ju silleni kështu ndaj ngjarjeve të parashikueshme publikisht, sigurisht që jeni ju që keni zgjedhur këtë formë dialogu.
Lidhur me pyetjen e përfaqësuesve të sektorit farmaceutik, nuk ka ndryshuar asgjë nga ato rregulla që ju i quajtët gri, që do të thotë, ka ndryshuar vullneti politik. Është vetëm çështje vullneti politik. Unë nuk kam nxjerrë përveç një vendimi në Janar, për importin e barnave që rregullonte një format, në punën e brendshme të QKKB-së; nuk ka ndryshuar asnjë VKM apo asnjë udhëzim.
Kjo është historia: Sot regjistrohen për 3-4 muaj, dikur donin 2 vjet. Është vetëm çështje vullneti politik, sigurisht, që nuk mjafton vetëm vullneti politik, sepse aty duhen kapacitete. Dosjet kur vijnë për regjistrim janë voluminoze, edhe pse me thënë të drejtën, OBSH-ja thotë se çfarë janë shpikur si patenta 10 vitet e fundit, kanë trefishuar kostot e shëndetësisë, por kanë rritur edhe 5–8% efektivitetin e kurimit apo mjekimit.
Ky është një debat i gjerë që bëhet në botë. Ne jemi shumë të vegjël për të lindur këtë lloj debati. Për mua është vetëm çështje dëshire, apo mosdëshire politike, angazhimi apo mungesë angazhimi politik. Ne këta jemi, në Drejtorinë Farmaceutike, në Ministri vazhdojnë (të punojnë) njerëz që kanë qenë edhe para 16 shtatorit në punë. Besoj se, edhe në QKKB, janë njerëz që kanë qenë edhe përpara se të fillonte Zhani si drejtues i qendrës, që ka qenë diku nga fundi i Tetorit. Është mungesë vullneti politik, e ndryshoj ose jo unë tonin e zërit, është çështje nëse do ose s’do ta bësh.
Faleminderit!
—###—
Për informacion të mëtejshëm dhe foto nga takimi, mund të ndiqni:
Faqen në Facebook të MSH: http://tinyurl.com/q7gonxa
Profilin zyrtar në Twitter të MSH: @BeqajIlir
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.