Publikohet Raporti Shëndetësor Kombëtar
Raporti i Parë Gjithëpërfshirës që Informon për Shëndetin e Shqiptarëve
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në takimin e organizuar sot (27/01/2015) në Tiranë nga Instituti i Shëndetit Publik me rastin e publikimit të Raportit Kombëtar Shëndetësor mbi gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare.
Tiranë, 27/01/2015
—###—
Përshëndetje të nderuar pjesëmarrës,
Jam veçanërisht i gëzuar që marr pjesë në këtë takim.
Me Raportin Shëndetësor Kombëtar që prezantohet këtu sot, kemi hedhur një hap të rëndësishëm cilësor përpara, drejt përmbushjes së një perj angazhimeve tona programore, lidhur me sistemin e informacionit dhe treguesve të shëndetit.
Trashëguam një sistem të dhënash, ku informacioni i deritanishëm për shëndetin, treguesit e shëndetit dhe kujdesin shëndetësor, si dhe lidhja e tyre me tregues bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar ka qenë i mangët, i pasaktë, i fragmentarizuar dhe jokoherent.
Për pasojë, edhe vendimmarrja është realizuar në mënyrë joprofesionale.
Për herë të parë ja kemi arritur të kurorëzojmë me sukses punën për hartimin, përgatitjen dhe paraqitjen e një raporti gjithëpërfshirës në nivel kombëtar, që informon mbi gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare, i cili është një hap i qënësishëm në drejtimin e duhur për vendosjen e individit në qendër të sistemit shëndetësor.
Prandaj, do të doja që të përgëzoja ISHP-në për nismën, autorët dhe grupin teknik që punuan për përgatitjen e Raportit Shëndetësor Kombëtar, dhe sigurisht, edhe Zyrën e UNICEF-it në Tiranë për mbështetjen e këtij projekti.
Përveçse është një burim i vyer informacioni për gjendjen aktuale shëndetësore të popullatës shqiptare, të dhënat analitike të raportit, shërbejnë gjithashtu, edhe për të shpjeguar prirjet e ndryshueshmërisë së modeleve të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë në popullatën shqiptare këto 25 vite pas rrëzimit të sistemit komunist në vitin 1990. Ndërkohë, raporti ofron mundësinë për krahasimin e gjendjes shëndetësore të popullatës shqiptare me vendet e tjera të rajonit të Europës Jug-Lindore.
Nga ana tjetër, raporti vlerëson faktorët kryesorë të rrezikut dhe ato përcaktues të sëmundjeve dhe vdekjeve në popullsinë shqiptare, duke përshkruar edhe burimet e kujdesit shëndetësor, shpërndarjen e personelit shëndetësor, aksesin dhe përdorimin e kujdesit shëndetësor, si dhe shpenzimet në sektorin shëndetësor shqiptar.
Është e qartë se informacioni i përftuar nga një dokument i tillë bazë, i cili ka munguar prej kohësh, na mundëson krijimin e një pasqyre të qartë dhe hedh dritë mbi të dhëna tepër të vlefshme që do të na ndihmojnë për të shënjestruar më mirë vendimarrjen dhe përcaktimin e prioriteteve në zbatimin e politikave për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.
Përsa i takon gjetjeve të raportit, në mënyrë të përmbledhur, duhet theksuar se, barra e sëmundshmërisë për sëmundjet jo të transmetueshme, të tilla si, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, përbën shqetësimin kryesor për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura.
Do të doja të ndalesha pak tek një pjesë e rëndësishme e gjetjeve të raportit, që lidhen edhe me diskutimin aktual rreth burimeve njerëzore në shëndetësi.
Raporti dëshmon qartë që, vitet e fundit, ka patur një progres domethënës përsa i përket teknologjisë shëndetësore në Shqipëri, duke përfshirë paisjen me njësi tomografie, radioterapie dhe mamografie. Por, aktualisht, siç vërehet edhe në raport, po përballemi me një nevojë imediate për të testuar njohuritë dhe praktikat e personelit shëndetësor lidhur me aplikimin dhe përdorimin korrekt të mundësive që ofron teknologjia bashkëkohore.
E njëjta situatë është edhe për paisjet laboratorike, apo instrumentet e tjera ezkaminuese dhe diagnostikuese me të cilat janë pajisur gjerësisht spitalet dhe qendrat shëndetësore gjatë 10 viteve të fundit, por që në pjesës dërrmuese të tyre nuk janë në gjendje pune, edhe për mungesë të trajnimit të përshtatshëm të personelit shëndetësor për përdorimin korrekt të këtyre paisjeve dhe instrumenteve.
Nga ana tjetër, raporti shëndetësor sugjeron nevojën imediate për forcimin dhe konsolidimin e sistemit të informacionit shëndetësor në vendin tonë. Në çdo rast, një parakusht themelor për forcimin e sistemit të informacionit i referohet njohurive dhe praktikave të personelit shëndetësor në të gjitha nivelet për plotësimin korrekt dhe në kohën e duhur të të gjithë dokumentacionit shëndetësor i cili kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në llogaritjen e vlefshme dhe të besueshme të indikatorëve të ndryshëm shëndetësorë.
Prandaj, natyrshëm, lind nevoja e testimit të njohurive dhe praktikave të personelit shëndetësor lidhur me indikatorët kryësorë shëndetësorë dhe sistemin e informacionit shëndetësor në tërësi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në situatën aktuale ku ne zyrtarisht kemi filluar punën për ngritjen e regjistrave mjekësorë përfshi sëmundjet tumorale, kardiovaskulare dhe diabetin.
Gjithashtu, raporti dëshmon qartë se rreth 90% e barrës së sëmundshmërisë në vendin tonë përbëhet nga sëmundjet kronike. Prandaj, në kuadrin e kontrollit mjekësor për të gjithë shtetasit shqiptarë me moshë 40-65 vjeç, është shumë e rëndësishme që të testohen njohuritë dhe praktikat e personelit shëndetësor lidhur me kontrollin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike bazë të cilat shpjegojnë edhe barrën kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së kësaj grup-moshe.
Duke ju uruar suksese,
Ju faleminderit!
—###—
Përmbledhje e Shkurtër e Gjetjeve dhe Metodologjisë së Raportit Shëndetësor Kombëtar 2015
Raporti shëndetësor kombëtar ishte një iniciativë e Institutit të Shëndetit Publik e mbështetur nga zyra e UNICEF-it në Tiranë.
Qëllimi i këtij raporti shëndetësor është ofrimi i një panorame të gjerë mbi gjendjen shëndetësore aktuale të popullsisë së Shqipërisë. Më hollësisht, ky raport përshkruan tendencat e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë që kanë qenë të pranishme në popullsinë shqiptare gjatë njëzet viteve të fundit. Veç kësaj, raporti vlerëson faktorët kryesorë të rrezikut dhe determinantët e sëmundjeve dhe vdekjeve në popullsinë shqiptare. Gjithashtu, raporti përshkruan edhe burimet e kujdesit shëndetësor, shpërndarjen e personelit shëndetësor, aksesin dhe përdorimin e kujdesit shëndetësor, si dhe shpenzimet në sektorin shëndetësor shqiptar.
Ky është raporti i parë gjithë-përfshirës që informon mbi gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare. Më konkretisht, risítë e këtij raporti shëndetësor konsistojnë në tre pika kryesore:
Lidhur me metodologjinë, ky raport konsiston në një rishikim dhe analizë gjithë-përfshirëse dhe të detajuar të literaturës shkencore dhe burimeve zyrtare të informacionit mbi gjendjen shëndetësore dhe sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu, ky raport u bazua edhe në burimet me serioze ndërkombëtare të informacionit shëndetësor përfshi studimin “Barra Globale e Sëmundjeve 2010 (GBD 2010)”, si dhe publikimet dhe të dhënat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencive të tjera të Kombeve të Bashkuara.
Përsa i takon gjetjeve të raportit, në mënyrë të përmbledhur, duhet theksuar se,barra e sëmundshmërisë për sëmundjet kronike si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, përbën shqetësimin kryesor për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura.
Në vitet e fundit, sëmundjet kronike në Shqipëri përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve (55% sëmundjet kardiovaskulare dhe 19% kanceri). Në këtë mënyrë,Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve Europiane që përballen me epideminë e sëmundjeve kronike si sfida më madhore e shëndetit publik.
Përveç krijimit të një sistemi shëndetësor efiçient, të arritshëm (të aksesueshëm), dhe të përballueshëm, ekzistojnë mundësi për shmangien e të rinjve nga duhanpirja, abuzimi me alkoolin, inaktiviteti fizik dhe dietat jo të shëndetshme, të cilat kontribuojnë në barrën e ardhshme të sëmundjeve kronike në Shqipëri.
Ndërhyrjet për parandalimin e sëmundjeve kronike duhet të nisin që në fëmijërinë e hershme, me përmirësimin e praktikave të ushqyerjes në foshnjet dhe të porsalindurit, madje edhe më herët, me kujdesin shëndetësor për të gjitha gratë shtatzëna që në fazat e hershme të shtatzënisë.
Sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për reformim dhe rinovim, që të bëjë të mundur menaxhimin dhe vlerësimin e përshtatshëm të sistemit shëndetësor Shqiptar.
Statistikat më të mira, anketat shëndetësore periodike dhe përmirësimi i të dhënave administrative të kujdesit shëndetësor do të bëjnë të mundur hartimin e programeve për rritjen e cilësisë së sistemit shëndetësor Shqiptar, si dhe do të ndihmojnë në vendosjen e prioriteteve dhe politikave shëndetësore bazuar në fakte (evidencë).
Nevojitet një sistem solid i shëndetit publik që të mbrojë nga rreziqet shëndetësore dhe të promovojë sjellje të shëndetshme në popullatën shqiptare. Një sistem solid i kujdesit shëndetësor, me personel te mjaftueshëm dhe të trajnuar, duhet të ofrojë akses të barabartë dhe kujdes shëndetësor cilësor. Angazhim i veçantë nevojitet për të luftuar pabarazitë në shëndet dhe në sigurimin e aksesit ndaj shërbimeve kurative dhe parandaluese nga grupet vulnerabël të popullatës.
Fokusimi në sëmundjet kronike do të luftojë barrën kryesore të sëmundshmërisë dhe do të sigurojë një shëndet më të mirë në të ardhmen. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të neglizhohen problemet shëndetësore ekzistuese. Lufta kundër sëmundjeve infektive, ndër të cilat HIV/AIDS dhe tuberkulozi, ulja e përdorimit të drogës, zbutja e varfërisë, eliminimi i kushteve të papërshtatshme në banesa dhe i rreziqeve të papranueshme në mjedisin e punës, si dhe përmirësimi i kushteve dhe kujdesit gjatë shtatzënisë dhe lindjes, duhet të mbeten gjithashtu në axhendën e shëndetit publik në Shqipëri.
Si përfundim, ky raport duhet të shërbejë si dokument bazë, qoftë për vlerësimin aktual të gjendjes shëndetësore të popullatës Shqiptare, ashtu dhe për krahasimet me vendet fqinje dhe më gjerë, por edhe për monitorimin e tendencave të ardhshme të niveleve të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në popullatën shqiptare. Informacioni i këtij raporti shëndetësor i ofron vendim-marrësve dhe politikë-bërësve të dhëna të vlefshme për vendosjen e prioriteteve shëndetësore në Shqipëri.
—###—
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.