.

vije ndarëse

Postuar më: 25/09/2018

Rehabilitimi i 80 QSh, Manastirliu: Shërbim me standard për 480 mijë qytetarë

Ministrja vizite ne spital

Gjatë inspektimit të punimeve në Qendrën Shëndetësore Pezë e Madhe, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se në çdo qendër shëndetësore do të ofrohet shërbim i integruar dhe pa burokraci për qytetarët

 

Pezë, 25 Shtator – “480 mijë qytetarë do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohorë në shërbimin shëndetësor parësor, me rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore që përfundojnë brenda këtij viti”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimin në Qendrën Shëndetësore Pezë e Madhe.

“Sjellim jo vetëm kushte më të mira të infrastrukturës por edhe shërbime të integruara, duke filluar nga kontrolli mjekësor bazë, duke vijuar me konsultorin e nënës dhe fëmijës dhe të gjitha shërbimet bazë, të cilat do të ofrohen pa burokraci për qytetarët, me përdorimin e recetës elektronike, tashmë nga çdo mjek familje, në çdo qendër shëndetësore në vend”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe te sistemi i meritokracisë, i vendosur me portalin “Infermierë për Shqipërinë”.

“Në sistemin shëndetësor publik u punësuan 590 infermierë përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” dhe 800 infermierë të tjerë janë në listën e fituesve që presin të punësohen nëpërmjet kësaj platforme, që është transparente dhe siguron që më të mirët, të jenë pjesë e sistemit tonë shëndetësor”, tha Manastirliu.

Rehabilitimi i 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave brenda vitit 2018 është pjesë e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite, i cili do të transformojë kujdesin shëndetësor parësor nga veriu në jug të vendit.