Qendra shëndetësore në Lunxhëri të Gjirokastrës është një tjetër qendër e transformuar nga programi kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore. Deri dje plotësisht e degraduar, sot ofron kushte dhe shërbim shëndetësor optimal për banorët e kësaj zone. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndaluan në këtë qendër për të parë nga afër ndryshimin.
Sipas ministres së Shëndetësisë Manastirliu, qendra më parë ishte në gjendje të rrënuar. “Qendra Shëndetësore Lunxhëri është rehabilituar plotësisht dhe tashmë ofron kushte optimale për rreth 4800 banorët e kësaj zone”.
Edhe vetë mjekët e pohojnë se prej vitesh kanë punuar në kushte mjaft të vështira, pasi askush nuk kishte vënë dorë më parë në këtë qendër.
“Tani është shumë mirë se këtu ishte çdo gjë e shkatërruar. Që në ’96-ën që është bërë si godinë nuk ka bërë asnjë asnjëherë investim. Që në ’91-in unë jam mjeke këtu. Tani janë kushtet ideale,” thotë mjekja e qendrës shëndetësore Lunxhëri.
Kontrolli mjekësor bazë në këtë qendër kryhet rregullisht nga moshat 35 deri në 70 vjeç. Një qytetare shprehet se është hera e katërt për të që bën check up-in. “Pacientët e zonës tonë janë të rregullt. Vijnë rregullisht për të kryer check up-in, çdo vit në muajin e tyre të lindjes,” pohon mjekja e qendrës.
Qendra shëndetësore Lunxhëri është një pre 8 qendrave të rehabilituara në qarkun e Gjirokastrës, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave.
© Ministria e Shëndetësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.