Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 13/03/2014

Rritet me 29.4% lista esenciale e barnave spitalore për vitin 2014

Tiranë, 13/03/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Drejtore e QSUT “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu, shpallën në një koferencë për media të organizuar sot (13/03/2014) paradite listën esenciale të barnave spitalore.”Ashtu siç kemi premtuar, lista e re barnave spitalore ofron më tepër siguri, dhe shënon qartësisht inovacion dhe progres për popullatën,” – tha Ministri Beqaj.

Gjithashtu, z. Beqaj theksoi se menaxhimi më i mirë i fondit të barnave spitalore, puna e kujdesshme e grupit teknik të punës në ministri për negocijimin e çmimeve të barnave, si dhe mbështetja e Qeverisë për zgjerimin e listës së barnave spitalore në funksion të prioriteteve për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, kanë sjellë efekte mjaft pozitive.

Znj. Manastirliu vuri në dukje faktin se “vitin e kaluar buxheti për barnat dhe materialet mjekësore i miratuar ka qenë 1.7 miliardë lekë, dhe sivjet është bërë 2.2 miliardë lekë, duke u rritur 29.4%,” duke qenë kështu një tregues i qartë i prioriteteve të qeverisë lidhur me përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

—###—

Në vijim, deklarata e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.

Mirëdita!

Sot duam të komunikojmë nëpërmjet jush me publikun, për të paraqitur se ku jemi me punën për furnizimin e spitaleve me barna.

Nëse dje folëm për listën e barnave të rimbursueshme, sot duam të komunikojmë për barnat spitalore, – siç edhe një pjesë e juaja mund të jetë njohur më parë, – se procedurat e prokurimit online për barnat spitalore për këtë vit kanë filluar tashmë, janë bërë publike.

Ne kemi miratuar listën esenciale të barnave për përdorim në spitalet e Shqipërisë për vitin 2014. Kjo është në vijim të angazhimit tonë që brenda 300 ditëve të qeverisjes duam të garantojmë furnizimin në vijimësi të spitaleve tona me barna, mungesa e të cilave në kohë të ndryshme të vitit është një realitet jo i mirë prej vitesh në spitalet tona.

Ashtu siç jemi angazhuar, në këtë listë të re të barnave spitalore kemi më shumë siguri, kemi progres, dhe kemi edhe inovacion. Sigurisht, që ka qenë një punë voluminoze, pasi janë marrë propozimet e spitaleve rajonale, bazuar edhe në buxhetin e vitit 2014, ku pjesa e shpenzimeve të buxhetit për programin e kujdesit spitalor, ka patur një rritje të rëndësishme, por ne jo vetëm që rritëm fondet në dispozicion, por ulja e çmimeve nga procesi i negocijimit, përjashtimi i barnave nga TVSH duke filluar nga data 1 Prill dhe përfshirja e alternativave më pak të kushtueshme, kanë bërë që të kemi mundësi për furnizim shumë më të mirë të spitaleve tona me barna.

Për shembull, vetëm në QSUT, nëse vitin e kaluar fondi ka qenë 1.7 miliardë lekë, këtë vit është 2.2 miliardë, pra ka një rritje 29.4%. Ne ofrojmë më shumë siguri sepse realizojmë një mbulim tërësor dhe në vazhdimësi të mjekimit të pacientit në spitalet tona, për një grup të madh kategori sëmundjesh.

Në hartimin e listës kemi patur inovacion, madje në përdorimin me efektivitet sidomos të barnave citostatike, ne do të përdorim në QSUT, që këtë vit edhe teknologji të reja në përgatitjen e tyre, në mënyrë që të kemi dhe rreth 10% më shumë efektivitet në barnat, por besoj se gjatë javëve të ardhshme në QSUT do të mund t’ju shpjegojmë se kush janë këto elementë inovativë.

Dhe, gjithashtu kemi bërë progres, kemi bërë një konsultim shumë të gjerë të shërbimeve dhe spitaleve në hartimin e listës. Komisioni teknik për hartimin punoi në radhë të parë duke u nisur nga nevojat reale të pacientëve, bazuar edhe në efikasitetin klinik dhe përparësitë reale që kishin shërbimet, dhe praktikisht besoj se kemi arritur të përfshijmë të gjithë kërkesat që kanë nga shërbimet.

Në këtë vit përfshijmë për herë të parë dhe këto janë elementë risie, në shërbimin Onko-Hematologjik, barna të reja, barna për hepatitin B, për antibiotikët, por sidomos i kemi dhënë rëndësi që të garantojmë  furnizim të vijueshëm në urgjencat e spitaleve. Një element i rëndësishëm është edhe rritja e ndjeshme e burimeve financiare për të furnizuar laboratoret e spitaleve me kite dhe reagentë.

Duke qenë se në shërbimin tonë spitalor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është jo vetëm një qendër shumë e rëndësishme, por praktikisht, përfaqëson edhe rreth 35% të buxhetit, apo ofron edhe më shumë se një të tretën e shërbimit spitalor në Shqipëri, për më shumë informacion specifikisht për listën e QSUT-së, unë do të ftoj bashkëpunëtoren time, drejtoreshën e QSUT-së, për të dhënë ajo më shumë informacion se çfarë është konkretisht në QSUT.

—###—

Në vijim, deklarata e plotë e Drejtores së QSUT “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu.

Përshëndetje,

Kam kënaqesine t’ju informoj sot se, pas një pune intensive dhe të kujdesshme disa-mujore, kemi mbërritur në një listë të barnave dhe materialeve të mjekimit për perdorim spitalor, e cila ofron:

  • më shume siguri për pacientët që do të diagnostikohen, trajtohen dhe kurohen në QSUT;
  • më shumë garanci për një mjekim të vazhdueshëm dhe pa mungesa.

Këtë vit, kemi një rritje të buxhetit për barnat dhe materialet mjekësore, nga 1.7 miliardë lekë që ishte në 2013-n, në 2.2 miliardë lekë.

Për herë të parë ka ndodhur që, lista e barnave dhe materialeve të mjekimit të jetë hartuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës konsultues, të një ekipi profesionistësh të përbërë nga mjekë, farmakologjistë, shefa të klinikave mjekësore dhe strukturave të administratës, duke analizuar:

  • profilet e sëmundjeve/nosologjive kryesore;
  • efektshmërinë e medikamenteve të testuara, bazuar në protokollet ekzistuese të mjekimit;
  • efektshmërinë e medikamenteve të reja bazuar në protokollet më të reja bashkëkohore të mjekimit për shtatë shërbime mjeksore.

Ndërkohë, paralelisht kemi analizuar:

  • konsumin e barnave apo materialeve për vitet e mëparshme;
  • sasinë e stoqeve të krijuara në kohë;
  • gjendjen ekzistuese në depot farmaceutike.

Në bashkëpunim me këtë ekip dhe ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë kemi hartuar një listë esenciale të barnave gjenerike cilësore, duke siguruar një planifikim realist, të bazuar në kritere tekniko-shkencore, ekonomike dhe sociale.

Sigurisht, ky proces shënon vetëm hapin e parë. Ne jemi të sigurtë për progresin që do të bëjmë, përsa i përket përdorimit me efikasitet të fondeve spitalore, si dhe mirë-administrimit të shpërndarjes dhe konsumit të barnave, nga shërbimi tek pacienti.

Lista është zgjeruar për të gjitha kategoritë, por kjo listë sjell risi edhe përsa i përket disa barnave të futura për herë të parë për përdorim spitalor, për trajtimin e disa sëmundjeve, si ato tumorale, kardiake, neurologji, nefrologji, etj.

Në planin e diagnostikës laboratorike do të doja të përmendja rritjen e ndjeshme të buxhetit për një seri kitesh dhe reagentësh për laboratorin mikrobiologjik. Kujtoj që prej dy vjetësh, ky laborator nuk zhvillon aktivitet të plotë. Po kështu, laboratorin klinik biokimik me analizat e tiroides, prostatës apo markuesit tumoralë. Gjithashtu, është planifikuar realizimi i analizave për laboratorin e gjenetikës dhe laboratorit imunologjik.

Planifikimi që kemi kryer këta muaj është përqëndruar në dy drejtime:

a. Së pari, në plotësimin e nevojave për shportën bazë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për urgjencat, reanimacionet, sallat operatore. (Në linjën e antibiotikeve është ndjekur baza e sigurimit të gjeneratës së parë dhe të dytë si dhe gjeneratat e treta dhe të katërta për rastet e ndërlikuara. Barnat antiretrovirale, antimalatike, antituberkulare);

b. Së dyti, barnat specifike, ku kemi dyfishuar sasitë për linjën e parë të citotatikëve për onkologjinë krahasuar me vitin 2013; citostatikët për onkohematologjinë për fëmijët dhe adultët për herë të parë në QSUT (bortezomid, everolimus, imatinid, procarbazinë).

Është rritur me 2.5 herë sasia e planifikuar për transtuzimabin, citostatik që përdoret si linjë e parë në kemioterapi për tumorin e gjirit.

Për shërbimet e Hemodinamikës dhe Kardiokirurgjisë është shtuar me 100 milionë lekë fondi për këto shërbime, si dhe do të sigurohen materialet për koronarografitë dhe për operacionet kardiake.

Për shërbimin e Pediatrisë infeketive janë shtuar në sasi, barnat kundër leshmanjozës, barnat për rritjen e imunitetit tek fëmijët me sëmundje të lindura, etj.

Nuk është e tepërt të theksoj se sfida jonë mbetet zhvillimi i skemës për kontrollin e konsumit të barnave nga farmacia tek pacienti. Për këtë kemi forcuar sistemin e intranetit në porosinë e barnave dhe materialeve, nga farmacia në shërbim, dhe po zhvillojmë sistemin e verifikimit të shpërndarjes dhe monitorimit të barnave nga shërbimi tek pacienti.

Dua të theksoj edhe një herë se, gjithë sa përmenda më sipër për furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, bashkuar me peëkushtimin e të gjithë stafit mjekësor dhe mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, janë një garanci më shumë për një përmirësim të dukshëm të cilësisë së shërbimit që do t’u ofrohet pacienteve në QSUT gjatë këtij viti, një ndryshim që, më lejoni ta them, ka filluar të ndihet tashmë.

Ju faleminderit për vëmendjen!

—###—

Pyetje/Përgjigje me gazetarët e pranishëm në konferencën për media

Gazetar #1:

Nuk e di, zoti Ministër, keni gjetur ju një mekanizëm që këtë radhë mos të kemi mungesa në spitale, apo e keni kuptuar se çfarë ka çaluar ndër vite ka pasur ankesa gjatë gjithë kohës, sidomos për QSUT-në, që nuk ka ilaçe mjaftueshëm.

Ministri Beqaj:

Praktikisht, mungesa e furnizimit të vijueshëm të spitaleve tona me barna, përfshirë edhe QSUT-në, lidhet me proçesin e planifikimit, të prokurimit dhe padyshim, të kontrollit të vijueshëm të përdorimit të barnave me efektivitet brenda shërbimeve spitalore.

Unë besoj se në pjesën e planifikimit kemi patur elementë më pozitivë siç unë e shpreha. Kemi më shumë fond në vlerë absolute, por ndërkohë që kemi barna që kushtojnë më pak nga negocijimi, alternativa më pak të kushtueshme, përjashtimi nga TVSH-ja, kjo do të thotë se me këto para të shtuara do të blejmë më tepër se sa vitin e kaluar.

Së dyti, kemi filluar, gjykoj unë, më shpejt se vitet e tjera, proçesin e prokurimit të barnave, por duhet ta pranoj se ka akoma shumë vend për përmirësim. Vërtet ne po flasim sot, por këto prokurime që po fillojmë, në rastin më të mirë, në mesin e majit do të fillojmë veprimin. Por, ndërkohë ne i kemi autorizuar të gjitha spitalet me aq sa ju të jeni njohur apo të informoheni, kanë filluar proçesin e negocijimit me atë që lejon legjislacioni, në mënyrë që këto javë, deri në mes apo fundin e majin, kur të fillojnë lëvrimin e prokurimit të gjithë vitit, të mund të garantojmë një furnizim ritmik me barna dhe materiale mjekimi.

Pse kemi vendosur që këtë vit t’i kushtojmë më shumë vemendje edhe furnizimit të plotë të laboratorit? Sepse është një shërbim horizontal, i cili është shumë i domosdoshëm pastaj për efektivitetin e çdo shërbimi që është në QSUT. Një bazë më e mirë laboratorike, që i jep informacion shumë më të plotë dhe më të shpejtë mjekut, e bën që edhe ai vetë të përdorë me më shumë efektivitet ato barna që kanë në shërbim.

Gazetar #1:

Më falni, te kontrolli e kishit fjalën edhe lëvizjen nga farmacia spitalore edhe shërbimet, se ka edhe çaluar edhe kjo linjë, apo jo?

Drejtore Manastirliu:

Sigurisht, këto janë ajo çfarë kemi vënë re sapo kemi filluar punën këtu.

E para ishte hartimi, ose planifikimi i listës spitalore, gjithë angazhimi që është bërë nga ekipi multidisiplinar që ka hartuar këtë listë.

E dyta është, me të vërtetë ne kemi planifikuar sasinë e barnave që do të përdoren në spital, po si do shkojnë këto deri tek pacienti, por kjo është një pikë që ne jemi duke punuar dhe unë e përmenda që jemi duke punuar për intranetin, pra për porositë që bëhen nga shërbimet në depot farmaceutike dhe më pas në kontrollin e vazhdueshëm, periodik, sistematik të konsumit të medikamenteve nga shërbimi tek pacienti, që është pika fundore e marrjes së shërbimit, medikamentit apo përdorimit të materialeve të mjekimit.

Kjo është një sfidë, sigurisht në një spital të madh siç është QSUT-ja, me shtrirje të madhe horizontale, sfida jonë mbetet kontrolli i përdorimit të barnave, dhe kjo është ajo ku ne do të fokusojmë punën.

Pra, është një gjë të përgatisësh listën dhe të prokurosh, dhe është një gjë tjetër ta çosh aty ku duhet dhe të shpenzosh të gjithë forcat, të gjitha kapacitetet njerëzore që ti ke, për t’i çuar këto para, se në fund të fundit, janë fonde publike, aty ku duhet , tek pacienti. Dhe kjo është sfida jonë e radhës, pas planifikimit të listës.

Ministri Beqaj:

Të plotësoj edhe me 3 elemente që besoj se janë të rëndësishëm, jo vetëm për pyetjen tuaj, me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ne fillojmë këtë vit një projekt, brenda vitit ne do të kemi praktikisht një databazë elektronike të të gjithë gjendjes së farmacive të spitaleve të Shqipërisë. Fondi i financon spitalet, dhe praktikisht do të jetë sikur të kemi një farmaci unike edhe për të bërë mundur që, nëse diku kemi mungesa, siç kemi folur, ne na ka ndodhur që një bar që mungon diku, diku tjetër është në prag të skandencës.

Së dyti, në degën që Fondi ka pranë QSUT-së, me vendimin që kemi marrë në Këshillin Administrativ të Fondit, këtë vit, në atë degë, nëse ka patur vetëm një farmacist, është krijuar një sektor ku janë 4-5 farmacistë, të cilët do të duhet të punojnë bashkë me shërbimet për të parë efektivitetin e përdorimit të barnave, zbatimin e protokolleve, por padyshim edhe monitorimin dhe kontrollin e përdorimit të barnave.

Së treti, unë e preka pak, besoj do të kemi rast pas 2-3 javesh ta shohim, me investime të vogla që po bëhen në QSUT, vetëm me barna citostatikë ne arrijmë të shfrytëzojmë më mirë të paktën 10% të barnave që përdoren sot.

Është një fond jo i vogël, këtë vit është dyfishuar, 10% është shumë i ndjeshëm, dhe mungesa e këtyre investimeve që janë të vogla, teknike, bënin që rreth 10% e barnave aty të mos përdoreshin, sepse një doze e një trajtimi aty përbëhet nga 3-4 elementë.

Kompozimi i tyre është individual, sipas pacientit, sëmundjes, moshës, gjinisë, dhe pjesa që mbetej, deri më sot, nuk përdorej. Nuk përdorej për një të sëmurë tjetër, as vetë të sëmurin dhe vetëm thjesht shpërdorohej.

Gazetar #2:

Për të qenë më të drejtpërdrejtë, nëse nesër ne shkojmë në QSUT, nuk do dëgjojmë më pacientë që thonë “i blejmë barnat në farmaci”?

Ministri Beqaj:

Historia e blerjes së barnave, unë u përpoqa ta shpjegoj, në radhë ta parë kemi filluar një proçes, që në rastin normal nga mesi apo fundi i majit fillon furnizimin e plotë.

Së dyti, QSUT dhe spitalet e tjera janë në proçes negocijimi, kështu quhet në praktikën tonë administrative dhe në rregullat ligjore, për të bërë furnizimin e këtyre javëve. Ndërkohë dua të shpjegoj edhe diçka: Ende do të ketë në spitalet tona njerëz që marrin një recetë në dorë dhe t’i kërkohet që këto barna të blihen.

Pse? Sepse në radhë të parë, në spitalet tona bëhen edhe vizita ambulatore, bën vizitë ambulatore, merr nje recetë dhe padyshim do të duhet të shkosh në farmaci. E blen, e merr me rimbursim 100% apo të pjesshëm, është një skemë tjetër.

Së treti, ne kemi praktikisht një proçedurë jo normale, të cilën me Fondin kemi vendosur këtë vit që të fillojmë ta rregullojmë, sepse ka një rregull që kur je i shtruar në spital, nuk përfiton barna me rimbursim nëse je i sëmurë i tillë. Kjo ka ndodhur në kohën kur Fondi ishtë ISKSH dhe financonte vetëm parësorin dhe spitalori ishte pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë vit që jemi bashkë, besoj se në mbledhjen e ardhshme të Keshillit do të vijmë me një ndryshim të rregulloreve tona, në mënyrë që edhe kur je në spital, të mund të vazhdosh të marrësh barna sepse ti shtrohesh në spital sot, por ke një sëmundje tjetër kronike që nuk ka lidhje me atë që je shtruar, por ke nevojë edhe për ato barna.

Gazetari #3:

Nëse është e mundur, ju e keni orjentuar politikën tuaj drejt barnave xhenerike, ndërkohë që në treg pacientët ankohen pikërisht nga këto produkte dhe priren drejt brand-it, e para.

Dhe e dyta, kush na garanton transparencën e negocijimit të drejpërdrejtë me farmaceutikën, ndërkohë që proçesi tenderues, edhe pse burokratik, ka një bazë të transparencës së tij?

Ministri Beqaj:

Atëherë, së pari, po nisem nga pyetja e dytë. Barnat në Shqipëri janë një treg i rregulluar, domethënë, nëse do të merrni mendimin tim personal, ne praktikisht për një pjesë jo të vogël të buxhetit të QSUT-së, bëjmë tender praktikisht në mënyrë jo efektive, sepse ai ëshë një bar i vetëm, i regjistruar vetëm nga një shtëpi farmaceutike, çmimin që e sjell në Shqipëri, e ka negociuar me komisionin tonë të çmimit vitin e kaluar, kemi një marzh që e vendos qeveria, dhe praktikisht bëjmë tender vetëm me një njeri dhe vetëm sa e vonojmë, procedura, kohë, letra, kontrolle… kështu e kemi sot.

Ne e kemi diskutuar me ekspertët e Sigmës, të cilët kanë asistuar Qeverinë e Shqipërisë që në 2007 kur është bërë Ligji i Ri i Prokurimit dhe kemi vendosur bashkarisht që në Maj dhe në Qershor, kur të kemi kaluar këtë periudhë prokurimesh të këtij viti, të fillojmë një analizë të plotë se çfarë ka nevojë për tu rishikuar në të gjithë legjislacionin e prokurimit të barnave dhe të materialeve mjekësore.

Ndërsa, lidhur me pyetjen e parë, vërtet ka barna xhenerikë, pra patentë, por ne garantojmë që ato barna, që janë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, janë barna që kanë kaluar një proçes regjistrimi dhe kontrolli, fillimisht aty ku prodhohen, dhe padyshim edhe në Shqipëri. Megjithatë, unë besoj se paketa e re ligjore që kemi hartuar për tregun farmaceutik, sepse kemi hartuar dy projektligje te reja: Ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik dhe ligjit për materialet mjekësore, sepse gjatë proçesit të punës ka nevojë të jenë dy ligje, dhe krijimi i Agjensisë Kombëtare të Barnave dhe Materileve Mjekësore, do ta rrisë edhe më tej sigurinë e barnave.

Debati, opinionet xhenerik dhe patentë, është një debat që zhvillohet në mënyrë të shëndeteshme jo vetëm në Shqipëri. Ne po përpiqemi të marrim edhe më shumë mbështetje, pra asistencë teknike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, bazuar edhe në Protokollin e Bashkëpunimit dyvjeçar që unë firmosa para tre javësh, në mënyrë që të vijojmë në këtë drejtim. Praktikisht, në vitet e fundit, sidomos në Europë, brenda vështirësive financiare që kanë patur vendet e Europës, ka shumë risi në përdorimin me efektivitet të barnave xhenerike.

Gazetar #4:

Zoti Ministër, a jeni në dijeni se në Qendrën Spitalore”Nënë Tereza”  në Neurologji po trajtohet një pacient me sindromin e “Lopës së çmendur”? A ka nisur hetimi për rastin se ku është marrë sëmundja, ku është infektuar pacienti?

Ministri Beqaj:

E para, nuk besoj se ne në Mjekësi duhet të merremi me hetime. Jo, nuk merremi me hetime, merremi me kontrolle dhe ekzaminime. Personi apo rasti që ju keni, është një person që këtë sëmundje e ka marrë e ka marrë në Itali dhe e ka sjellë me vete kur ka ardhur në Shqipëri.

—###—